ARI, I
[ka të ngjarë: qytet].
Qytet i Moabit, ndoshta kryeqyteti i tij. Gjendej në jug të luginës së Arnonit, por vendndodhja e saktë nuk dihet. (Nu 21:15) Nganjëherë Ari përdoret si sinonim i Moabit. (Lp 2:9, 18, 29) Dikur kufijtë e Moabit shtriheshin në veri të Arnonit, por atë rajon ua mori Sihoni, mbreti i amoritëve. (Nu 21:26-28) Izraelitët nuk e sulmuan Moabin, sepse Jehovai ua kishte ndaluar, meqë «territorin e Moabit, domethënë Arin» ia kishte dhënë bijve të Lotit. (Lp 2:9, 18, 29) Kur shpalli shkretimin e Moabit, Isaia paratha se Ari ‘do të merrte fund’ bashkë me qytetet e tjera të rëndësishme të Moabit.—Is 15:1.
Meqë kuptimi i emrit Ar ka të ngjarë të jetë «qytet», disa hedhin idenë se edhe ‘qyteti i Moabit’ (heb., ʽir Mohʼáv) i përmendur te Numrat 22:36, edhe «qyteti» te Ligji i përtërirë 2:36 janë i njëjti qytet, Ari.