NEBOJA
1. Qytet moabit që e pushtoi mbreti i amoritëve, Sihoni, para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar. (Krahaso Nu 21:26; 32:3; Is 15:2.) Pasi Izraeli mundi Sihonin, rubenitët rindërtuan Nebon. (Nu 32:37, 38) Por, me sa duket, në pjesën e fundit të shekullit të dhjetë p.e.s., rubenitët (1Kr 5:1, 8) e humbën atë qytet, pasi në Gurin e Moabit, mbreti Mesha mburret se ia mori Nebon Izraelit, nën drejtimin e perëndisë së vet Kemoshit. Më vonë, edhe Isaia (në shekullin e tetë p.e.s.), edhe Jeremia (në shekullin e shtatë p.e.s.), e përmendën Nebon në profecitë kundër Moabit.—Is 15:2; Jr 48:1, 22.
Në përgjithësi mendohet se Neboja është Kirbet-Mekhajeti (ose Karjat-el-Mukhajeti), që ndodhet rreth 8 km në jugperëndim të Heshbonit. Atje ndodhen rrënojat e një fortese të lashtë dhe janë gjetur shumë copëza enësh balte (që mendohet se datojnë nga shekulli i 12-të deri në fillimin e shekullit të 6-të p.e.s.).
2. Një qytet, disa përfaqësues të të cilit u kthyen nga mërgimi në Babiloni. (Ezd 2:1, 29) Në kohën e Ezdrës, disa nga «bijtë [ka të ngjarë: banorët] e Nebos» larguan gratë e tyre të huaja. (Ezd 10:43, 44) Siç duket, për ta dalluar nga Neboja nr. 1, ky është quajtur ‘Neboja tjetër’. (Ne 7:33) Një vendndodhje e mundshme është Nuba e sotme, që gjendet afro 11 km në veriperëndim të Hebronit.
3. Me sa duket, një nga malet e Abarimit. Pikërisht nga mali i Nebos ose nga maja e Pisgahut (që mund të ketë qenë pjesë e Nebos ose anasjelltas) Moisiu soditi Tokën e Premtuar, dhe pastaj vdiq në atë mal. (Lp 32:48-52; 34:1-4) Në përgjithësi, malin e Nebos e lidhin me Jebel-en-Nebën (Har-Nevon), një mal që ngrihet më se 800 m mbi nivelin e detit dhe ndodhet rreth 17 km në lindje të grykëderdhjes së Jordanit në Detin e Vdekur. Pisgahu ndoshta është Ras-es-Sijagahu, një vend i ngritur në veriperëndim të malit Jebel-en-Neba, paksa më i ulët se ai. Në mot të kthjellët, nga maja e Ras-es-Sijagahut shihen si në pëllëmbë të dorës mali i Hermonit, i Taborit, i Ebalit dhe i Gerizimit, vargmali qendror ku ndodhen Betlehemi dhe Hebroni, si edhe lugina e Jordanit dhe Deti i Vdekur.
4. Një hyjni që profeti Isaia paratha se do të poshtërohej kur të binte Babilonia. (Is 46:1, 2) Neboja adhurohej edhe në Babiloni, edhe në Asiri. Atë e lidhnin me planetin Mërkur, konsiderohej biri i Mardukut e Sarpanitut dhe burri i Tashmitumit. Për adhuruesit e tij, Neboja ishte perëndia i mençurisë dhe i njohurisë, «perëndia që zotëron inteligjencën», «ai që dëgjon nga larg», «ai që mëson» dhe «zotëria i stilit të shkrimit».—The Seven Great Monarchies of the Ancient Eastern World, nga Xh. Rolinsoni, 1885, vëll. I, f. 91; Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 450.
Fakti që ishte një hyjni i rëndësishëm ilustrohet nga fjalët e mbretit babilonas Nabonidit. Ai e quan Nebon «mbikëqyrësi i botës së sipërme dhe të nëndheshme, që shton jetëgjatësinë time» dhe ai «që zgjat sundimin tim». Sipas Nabonidit, Neboja kishte meritën që i vuri në dorë «skeptrin e duhur, shkopin e ligjshëm; (i vetmi) që siguronte madhështinë e vendit të tij». (Ancient Near Eastern Texts, f. 310) Një tregues tjetër i rëndësisë së Nebos në fenë babilonase është fakti që një formë e emrit të tij shfaqet në emrat e mbretërve babilonas Nabukodonosor, Nabopolasar dhe Nabonid, si edhe në emrin Nebuzaradan (2Mb 25:8), e ndoshta edhe tek Abednego.—Dn 1:7.
Bie në sy lidhja e Nebos me qytetin e lashtë të Borsipës (Birsi ose Birs-Nimrudi i sotëm) pranë Babilonisë. Në pranverë, ditën e Vitit të Ri, shëmbëlltyra e Nebos çohej nga Borsipa në Babiloni me një procesion të shenjtë. Pastaj, ndërkohë që shëmbëlltyra kthehej në shenjtëroren e vet në Borsipë, e shoqëronte për një copë rrugë shëmbëlltyra e Mardukut (i quajtur edhe sipas titullit të tij Bel [Zotëri]). Ishte me vend, pra, që profecia e Isaisë të përmendte pikërisht poshtërimin e Belit dhe të Nebos kur të binte Babilonia.—Is 46:1, 2.