ADAMI
[njeri i bërë nga toka; njerëzim; racë njerëzore; nga rrënja e fjalës që do të thotë «e kuqe»].
Në Shkrime, kjo fjalë hebraike është përkthyer mbi 560 herë «njeri» ose «njerëzim» dhe i referohet si individëve, edhe njerëzimit në përgjithësi. Përdoret edhe si emër i përveçëm.
1. Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë.» (Zn 1:26) Kjo ishte një deklaratë me rëndësi vërtet historike! Adami, ‘biri i Perëndisë’, krijesa e parë njerëzore, zë një vend vërtet të veçantë në histori! (Lu 3:38) Ai ishte kurorëzimi i lavdishëm i veprave krijuese të Jehovait në tokë, jo vetëm ngaqë u krijua afër fundit të gjashtë periudhave të krijimit, por, më e rëndësishmja, sepse «Perëndia e krijoi . . . sipas shëmbëlltyrës së vet». (Zn 1:27) Ja pse Adami, që ishte i përsosur, e në një shkallë më të vogël pasardhësit e tij në një gjendje të degraduar, zotëronin fuqi dhe aftësi mendore shumë më të mëdha se të gjitha krijesat e tjera tokësore.
Në ç’kuptim Adami u krijua në ngjashmëri me Perëndinë?
I krijuar në ngjashmëri me Krijuesin e tij të Madh, Adami zotëronte cilësi hyjnore, si dashuria, mençuria, drejtësia dhe fuqia. Pra, ishte i pajisur me një ndjenjë morali ku përfshihej edhe ndërgjegjja, diçka krejt e re për krijesat e gjalla në tokë. Përderisa u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, Adami duhej të administronte gjithë tokën dhe të mbante të nënshtruara krijesat e detit e të tokës dhe zogjtë e qiellit.
S’kishte nevojë që Adami të ishte pjesërisht ose tërësisht krijesë frymore, që të zotëronte cilësi hyjnore. Jehovai e formoi njeriun nga grimcat e pluhurit të tokës, i futi forcën e jetës që të bëhej një shpirt i gjallë e i dha aftësinë për të treguar se ishte shëmbëlltyrë e Perëndisë dhe ngjante me Krijuesin e tij. «Njeriu i parë është nga toka dhe i bërë nga pluhuri.» «Njeriu i parë, Adami, u bë një shpirt i gjallë.» (Zn 2:7; 1Ko 15:45, 47) Kjo ndodhi në vitin 4026 p.e.s., ka të ngjarë në vjeshtë, pasi, sipas kalendarëve më të lashtë, viti fillonte në vjeshtë rreth 1 tetorit ose kur dilte për herë të parë hëna e re gjatë vitit civil hënor.—Shih VITI.
Shtëpia e Adamit ishte një parajsë shumë e veçantë, një kopsht i vërtetë kënaqësie, që quhej Eden. (Shih EDENI nr. 1.) Ky kopsht mund t’i siguronte përgjithmonë çdo nevojë për jetën, pasi atje kishte «çdo pemë që ishte e dëshirueshme për sytë e njeriut dhe e mirë për ushqim». (Zn 2:9) Adami rrethohej nga kafshë paqësore të çdo lloji dhe forme. Megjithatë, ai ishte vetëm. Nuk kishte asnjë krijesë tjetër të «llojit të vet» me të cilën të bisedonte. Jehovai pa se ‘nuk ishte mirë që njeriu të rrinte vetëm’. Kështu, me një ndërhyrje kirurgjike, e para dhe e fundit në llojin e saj, Jehovai mori një brinjë nga Adami dhe bëri me të femrën, që do të ishte plotësimi i tij, si dhe gruaja e nëna e fëmijëve të tij. Shumë i gëzuar për këtë ndihmëse kaq të bukur dhe për këtë shoqe që do ta kishte përherë pranë, Adami thuri sakaq poezinë e parë që është dokumentuar: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim», dhe ajo u quajt grua, «sepse u mor nga burri». Më vonë, Adami e quajti gruan e tij Eva. (Zn 2:18-23; 3:20) Për vërtetësinë e këtij tregimi dëshmon edhe Jezui e apostujt.—Mt 19:4-6; Mr 10:6-9; Ef 5:31; 1Ti 2:13.
Veç kësaj, Jehovai i bekoi të sapomartuarit duke u besuar shumë e shumë punë të gëzueshme. (Krahaso Ek 3:13; 5:18.) Ata nuk ishin mallkuar të rrinin kot. Përkundrazi, duhej të mirëmbanin e të zbukuronin me zell kopshtin ku banonin dhe, ndërkohë që shumoheshin e mbushnin tokën me miliarda krijesa të llojit të tyre, duhej ta shtrinin këtë Parajsë në të gjithë tokën. Ky ishte urdhri i Perëndisë.—Zn 1:28.
«Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zn 1:31) S’diskutohet se që në fillim Adami ishte i përsosur në çdo aspekt. Ai ishte pajisur me aftësinë për të folur dhe kishte një fjalor mjaft të pasur. Ishte në gjendje t’u vinte emra me kuptim krijesave që e rrethonin dhe të dialogonte me gruan e tij e me Perëndinë.
Për të gjitha këto arsye dhe për shumë të tjera, Adami kishte detyrimin ta donte, ta adhuronte dhe t’i bindej në çdo gjë Krijuesit të tij të Madh. Veç kësaj, Ligjdhënësi universal i shpjegoi ligjin e thjeshtë të bindjes dhe i tregoi me hollësi se ç’dënim i drejtë dhe i arsyeshëm e priste nëse nuk bindej: «Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zn 2:16, 17; 3:2, 3) Pavarësisht nga ky ligj i qartë që parashikonte dënim të ashpër për mosbindjen, ai nuk u bind.
Pasojat e mëkatit. Sipas apostullit Pavël, Eva u mashtrua plotësisht nga Satana Djalli, kurse Adami «nuk u mashtrua». (1Ti 2:14) Me dijeni të plotë, Adami zgjodhi qëllimisht dhe me dashje të mos bindej, dhe pastaj u mundua të fshihej si të ishte kriminel. Kur u gjykua nga Perëndia, ai nuk tregoi as hidhërim, as keqardhje. Nuk kërkoi falje, përkundrazi, u përpoq të justifikohej dhe t’ua hidhte fajin të tjerëve, madje fajësoi Jehovain për mëkatin e tij të qëllimshëm, duke thënë: «Gruaja që më dhe, ajo më dha nga fryti i pemës, dhe unë hëngra.» (Zn 3:7-12) Kështu, Adami u dëbua nga Edeni në një tokë të djerrë që ishte mallkuar të bënte vetëm gjemba dhe gjembaçë. Atje do ta siguronte jetesën me djersë, duke korrur pasojat e hidhura të mëkatit të tij. Jashtë kopshtit, në pritje të vdekjes, Adamit i lindën bij e bija, nga të cilët vetëm treve u dihen emrat: Kaini, Abeli dhe Seti. Duke qenë mëkatar, Adami u la si trashëgimi të gjithë fëmijëve të tij mëkatin dhe vdekjen.—Zn 3:23; 4:1, 2, 25.
Ky ishte fillimi tragjik që i dha Adami njerëzimit. Parajsa, lumturia dhe jeta e përhershme humbën dhe ia lanë vendin mëkatit, vuajtjeve e vdekjes, që ishin fryt i mosbindjes. «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» «Vdekja mbretëroi që nga Adami.» (Ro 5:12, 14) Megjithatë, me mençurinë dhe dashurinë e tij, Jehovai siguroi një ‘njeri të dytë’, ‘Adamin e fundit’, që është Zotëria Jezu Krisht. Falë këtij ‘Biri të Perëndisë’ që u tregua i bindur, iu hap rruga që të fitonin përsëri Parajsën dhe jetën e përhershme pasardhësve të ‘njeriut të parë, Adamit’, i cili u tregua i pabindur. Kjo i dha mundësi edhe kishës ose kongregacionit të Krishtit që të fitonte jetën qiellore. «Ashtu si në Adamin të gjithë po vdesin, po kështu në Krishtin të gjithë do të ngjallen.»—Gjo 3:16, 18; Ro 6:23; 1Ko 15:22, 45, 47.
Pas dëbimit nga Edeni, Adami mëkatar jetoi aq sa për të parë vrasjen e të birit, syrgjynosjen e djalit vrasës, dhunimin e rregullit martesor dhe përdhosjen e emrit të shenjtë të Jehovait. Ai pa me sytë e tij ndërtimin e një qyteti, zhvillimin e veglave muzikore dhe prodhimin e veglave të hekurit e të bakrit. Pa shembullin e Enokut, shembull që e dënoi, pasi Enoku, «i shtati në radhë që nga Adami», «vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë». Ai jetoi deri në brezin e nëntë, deri në kohën e Lamekut, babait të Noesë. Në vitin 3096 p.e.s., në fund të 930 vjetëve, shumicën e të cilave e kaloi duke vdekur dalëngadalë, Adami u kthye në dheun nga i cili ishte marrë, pikërisht si kishte thënë Jehovai.—Zn 4:8-26; 5:5-24; Jd 14; shih LAMEKU nr. 2.
2. Një qytet që përmendet te Josiu 3:16 dhe që gjendej anash Zaretanit. Në përgjithësi e lidhin me Tell-ed-Damijehun (Tel-Damija’), një vend në lindje të lumit Jordan rreth 1 km në jug të vardarit ku bashkohet lumi Jordan me luginën e përroit të Jabokut. Ai gjendet rreth 28 km në veri-verilindje të Jerikosë. Emri i qytetit mund të vijë nga ngjyra e kuqe e argjilës lymore, që është me bollëk në këtë zonë.—1Mb 7:46.
Sipas tregimit biblik, ujërat e Jordanit u ndalën në Adam që të kalonte Izraeli. (Js 3:16) Lugina e Jordanit ngushtohet mjaft duke filluar nga Tell-ed-Damijehu (Tel-Damija’) në drejtim të veriut. Historia dëshmon se në vitin 1267 lumi u bllokua pikërisht në këtë vend nga shembja e një kodrine, dhe rrjedha e ujit u pengua për rreth 16 orë. Shumë kohë më vonë, në verën e vitit 1927, lëkundjet sizmike shkaktuan sërish shkarje dheu që bllokuan ujërat e Jordanit për 21 orë e 30 minuta. (The Foundations of Bible History: Joshua, Judges, nga Xh. Garsteni, Londër, 1931, f. 136, 137) Nëse Perëndia pa të përshtatshme këtë mënyrë në rastin e Izraelit, atëherë bllokimi i ujërave të lumit në ditët e Josiut ndodhi me anë të një mrekullie në momentin e duhur dhe përkoi saktësisht me kalimin e Jordanit që ishte lajmëruar një ditë më parë nga Jehovai nëpërmjet Josiut.—Js 3:5-13.