AJALONI
[vend i drenushës; vend i drerit].
1. Qytet në Shefelah, pra në zonën e ulët kodrinore të Palestinës, mbi një kodër në skajin jugor të ultësirës ose luginës së bukur të Ajalonit. Fshati që është sot atje quhet Jalo dhe ndodhet në veri të rrugës nga Jerusalemi për në Tel-Aviv-Jafo, rreth 21 km në perëndim-veriperëndim të Jerusalemit.
Nga gjithë luginat që përshkojnë kodrat e Shefelahut, lugina e Ajalonit gjendet më në veri dhe ishte një rrugëkalim i rëndësishëm nga rrafshinat bregdetare për në rajonin malor qendror. Josiu duhet të ketë qenë afër kësaj lugine kur kërkoi që dielli e hëna ‘të ndaleshin’ mbi Gibeon dhe mbi «ultësirën e Ajalonit», ndërsa po përfundonte betejën ngadhënjimtare kundër pesë mbretërve amoritë që ishin hedhur në luftë kundër Gibeonit. (Js 10:12-14) Pasi Josiu pushtoi Kanaanin, Ajaloni iu caktua fisit të Danit. (Js 19:40-42) Më vonë iu dha bijve të Kehathit si qytet levit.—Js 21:24.
Në fillim danitët nuk ia dolën t’i dëbonin amoritët nga Ajaloni, por me sa duket u vajti në ndihmë Efraimi nga veriu dhe «dora e bijve të shtëpisë së Jozefit u bë kaq e fortë, sa i shtrëngoi [amoritët] të bënin punë të detyruar». (Gjy 1:34, 35) Kjo mund të jetë arsyeja pse te 1 Kronikave 6:69 Ajaloni renditet mes qyteteve të Efraimit që iu dhanë kehathitëve. (Megjithatë, shih rastin e ngjashëm te GATH-RIMONI nr. 1.) Më vonë, ndoshta pasi u nda mbretëria, përmendet si qyteti i disa beniaminitëve të shquar.—1Kr 8:13.
Në Ajalon, Sauli korri fitoren e parë kundër filistinëve kur izraelitët «i goditën filistinët [që ia kishin mbathur] nga Mikmashi deri në Ajalon». (1Sa 14:31) Shumë vite më vonë, kur mbretëria ishte ndarë pasi kishte vdekur mbreti Solomon (rr. 998 p.e.s.), biri dhe pasuesi i tij, Rehoboami, e fortifikoi Ajalonin dhe e bëri një nga qytetet e tij të fortifikuara kundër sulmeve nga veriu e nga perëndimi. (2Kr 11:5-12) Gati dy shekuj e gjysmë më pas, gjatë sundimit të mbretit jobesnik Akaz (761-746 p.e.s.), Ajalonin e morën filistinët.—2Kr 28:18.
Në një nga Pllakat e Amarnës, Ajaloni përmendet me emrin Ajaluna.
2. Vend në territorin e Zabulonit, ku u varros gjykatësi Elon që ishte nga ai fis. (Gjy 12:12) Vendndodhja nuk dihet me siguri.
[Figura në botimin e shtypur]
Ultësira e Ajalonit. Kur luftoi me amoritët, Josiu kërkoi që hëna të ndalej «mbi ultësirën e Ajalonit»