HEBRONI
1. Nip i Levit dhe bir i Kehathit; paraardhësi i ‘bijve të Hebronit’ ose hebronitëve.—Da 6:16, 18; Nu 3:19, 27; 26:58; 1Kr 6:2, 18; 15:4, 9; 23:12, 19; 26:30-32.
2. Bir i Mareshahut dhe ati i Korahut, Tapuahut, Rekemit dhe Shemës; pasardhës i Kalebit nga fisi i Judës.—1Kr 2:42, 43.
3. [Vend ortakërie.] Qytet i lashtë në rajonin malor të Judës që u ndërtua shtatë vjet para Zoanit të Egjiptit. (Nu 13:22) Hebroni ndodhet rreth 30 km në jug-jugperëndim të Jerusalemit dhe më se 900 m mbi nivelin e detit. Shquhet si një nga vendet më të lashta të Lindjes së Mesme që janë ende të banuara. Emri i lashtë i Hebronit, «Kiriat-Arbë» (qytet i Arbës), me sa duket vinte nga themeluesi i tij anakim, Arba. (Zn 23:2; Js 14:15) Qyteti dhe kodrat fqinje janë të famshme prej kohësh për vreshtat, shegët, fiqtë, ullinjtë, kajsitë, mollët dhe arrat. Falë krojeve e puseve të shumta, përqark Hebronit ka gjelbërim për kilometra të tërë.
Patriarkët Abraham, Isak dhe Jakob banuan si të huaj për njëfarë kohe në Hebron. (Zn 13:18; 35:27; 37:13, 14) Sara vdiq atje dhe e varrosën në një shpellë pranë, në Makpelah. Ajo shpellë, që Abrahami ia bleu hititit Efron me gjithë arën përreth, u bë varrezë familjare, ku u varrosën edhe Abrahami, Isaku, Rebeka, Lea e Jakobi.—Zn 23:2-20; 49:29-33; 50:13.
Në kohën kur Moisiu dërgoi 12 zbuluesit në Tokën e Premtuar, në Hebron banonin pasardhësit gjigantë të Anakut. (Nu 13:22, 28, 33) Afro 40 vjet më pas, Hohami, mbreti i Hebronit, u bë aleat me katër mbretër të tjerë për të sulmuar Gibeonin, një qytet që kishte bërë paqe me Josiun. Izraelitët iu përgjigjën thirrjes për ndihmë të Gibeonit dhe, falë ndihmës së Jehovait, i shpartalluan ushtritë e pesë mbretërve që kishin dalë kundër Gibeonit. Pastaj, këta pesë mbretër, që ishin fshehur në një shpellë, i ekzekutuan dhe kufomat e tyre i varën në shtylla gjer në mbrëmje.—Js 10:1-27.
Ndërsa vazhdonte fushata ushtarake e Izraelit në Kanaanin Jugor, banorët e Hebronit, bashkë me mbretin e tyre (që duhej të ishte pasuesi i Hohamit), u shfarosën. (Js 10:36, 37) Mirëpo, edhe pse izraelitët e udhëhequr nga Josiu e thyen fuqinë kananite, me sa duket nuk vendosën menjëherë garnizone për t’i mbajtur vendet e pushtuara. Ndërsa Izraeli luftonte tjetërkund, anakimët duhet të jenë rivendosur në Hebron, kështu që më pas Kalebit (ose bijve të Judës nën komandën e Kalebit) iu desh ta shtinte prapë në dorë qytetin. (Js 11:21-23; 14:12-15; 15:13, 14; Gjy 1:10) Në fillim Hebroni iu caktua Kalebit nga fisi i Judës, por pastaj u shpall i shenjtë si qytet strehimi. Shërbeu edhe si qytet priftëror. Gjithsesi, ‘fusha e Hebronit’ dhe fshatrat e tij ishin trashëgimi e Kalebit.—Js 14:13, 14; 20:7; 21:9-13.
Rreth katër shekuj më pas, në Hebron burrat e Judës mirosën Davidin si mbret. Prej andej, ai mbretëroi shtatë vjet e gjysmë, e ndërkohë i lindën gjashtë bij: Amnoni, Kileabi (Danieli), Absalomi, Adonijahu, Shefatiahu dhe Ithreami. (2Sa 2:1-4, 11; 3:2-5; 1Kr 3:1-4) Siç duket, banorët e Hebronit e kishin ndihmuar më parë Davidin, kur mbreti Saul e kishte nxjerrë jashtë ligjit. (1Sa 30:26, 31) Nga fundi i mbretërimit të Davidit në Hebron, Abneri, përkrahësi kryesor i mbretërimit rival të Ish-Boshethit, birit të Saulit (2Sa 2:8, 9), kaloi në anën e Davidit. Kur u kthye nga një mësymje dhe mori vesh se Davidi e kishte nisur Abnerin të merrte udhën në paqe, Joabi dërgoi lajmëtarë që ta kthenin Abnerin, e pastaj e vrau me dorën e vet në Hebron, ku edhe e varrosën. (2Sa 3:12-27, 32) Më vonë, Rekabi e Baanahu vranë Ish-Boshethin dhe, me shpresë se do të merrnin ndonjë shpërblim, ia çuan kokën e tij Davidit në Hebron, por ai urdhëroi t’i ekzekutonin për atë poshtërsi. (2Sa 4:5-12) Pas kësaj, Davidi u miros si mbret mbi mbarë Izraelin dhe e zhvendosi kryeqytetin e tij nga Hebroni në Jerusalem.—2Sa 5:1-9.
Vite më pas, Absalomi, biri i Davidit, u kthye në Hebron, prej nga nisi komplotin e dështuar për të uzurpuar fronin e të atit. (2Sa 15:7-10) Ndoshta rëndësia historike e Hebronit, si kryeqyteti i dikurshëm i Judës, dhe fakti që ishte qyteti i tij i lindjes bënë që Absalomi të zgjidhte këtë qytet si pikënisjen e fushatës për të shtënë në dorë fronin. Më vonë, mbreti Rehoboam, nip i Davidit, e rindërtoi Hebronin. (2Kr 11:5-10) Pasi babilonasit shkretuan Judën dhe pasi mërgimtarët judenj u kthyen në atdhe, disa prej tyre u vendosën në Hebron (Kiriat-Arbë).—Ne 11:25.
4. [Në hebraisht shkruhet ndryshe nga nr. 1-3.] Emri i një qyteti kufitar që iu caktua Asherit. (Js 19:24, 28) Meqë në këtë varg mjaft dorëshkrime thonë «Abdon», shumica e studiuesve mendojnë se «Hebron» erdhi nga një gabim gjatë shkrimit të emrit «Abdon».—Shih ABDONI nr. 5.
[Figura në botimin e shtypur]
Rrugë në Hebron, që ishte një nga qytetet e strehimit të Izraelit të lashtë