Samsoni triumfon me forcën e Jehovait
HAKMARRËSIT që e zënë rob, ia nxjerrin sytë dhe e dënojnë me punë të rënda. Pastaj e nxjerrin nga burgu dhe e çojnë në një tempull pagan për të argëtuar njerëzit. E detyrojnë të ecë para mijëra njerëzve dhe e bëjnë objekt talljeje. I burgosuri nuk është as kriminel, as ndonjë komandant i ushtrisë armike. Ai është një adhurues i Jehovait, që ka shërbyer si gjykatës i Izraelit për 20 vjet.
Si ishte e mundur që Samsoni, njeriu më i fortë që kishte jetuar ndonjëherë, të përfundonte në një situatë kaq poshtëruese? A do ta shpëtonte fuqia e tij e jashtëzakonshme? Cili ishte sekreti i fuqisë së Samsonit? A mund të mësojmë diçka nga jeta e tij?
Ai «do të fillojë ta çlirojë Izraelin»
Për shumë herë me radhë, bijtë e Izraelit ishin larguar nga adhurimi i vërtetë. Kështu që, kur «filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit, . . . Zoti i dha në duart e Filistejve për dyzet vjet».—Gjyqtarët (Gjykatësit) 13:1.
Historia e Samsonit filloi kur engjëlli i Jehovait iu shfaq gruas shterpë të një izraeliti me emrin Manoah, dhe i tha se do të lindte një djalë. «Mbi kokën [e tij] nuk do të kalojë brisku,—e udhëzoi engjëlli,—sepse fëmija do të jetë një Nazireo kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij: ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve.» (Gjyqtarët 13:2-5) Para se Samsoni të ngjizej, Jehovai vendosi t’i caktonte një detyrë të veçantë. Nga momenti që do të lindte, ai duhej të ishte një nazire, dikush që zgjidhej për një lloj të veçantë shërbimi të shenjtë.
Pikërisht ajo «bën për mua»
Ndërsa Samsoni rritej, ‘Zoti e bekonte’. (Gjyqtarët 13:24) Një ditë Samsoni i tha nënës dhe babait: «Pashë në Timnah një femër midis bijave të Filistejve; ma merrni për grua.» (Gjyqtarët 14:2) Imagjinoni pak habinë e tyre. Në vend që ta çlironte Izraelin nga duart e shtypësve, djali i tyre po kërkonte të lidhte krushqi me ta. Martesa me një grua që i përkiste një populli i cili adhuronte perëndi pagane, binte në kundërshtim me Ligjin e Perëndisë. (Eksodi 34:11-16) Prandaj prindërit e kundërshtuan: «A nuk ka vallë një grua midis bijave të vëllezërve të tu në gjithë popullin tonë, që ti të shkosh të marrësh një grua midis Filistejve të parrethprerë?» Prapëseprapë, Samsoni këmbënguli para të atit: «Atë më merr, se ajo bën për mua.»—Gjykatësit 14:3, BR.
Po pse pikërisht kjo grua filistine ‘bënte’ për Samsonin? Siç thuhet tek Enciklopedia e autorëve Meklintok dhe Strong, kjo nuk do të thoshte se ajo ishte «e bukur, magjepsëse ose tërheqëse, por ishte pikërisht ajo që duhej për të arritur një qëllim, pikësynim ose objektiv». E cili ishte ky qëllim? Te Gjyqtarët 14:4 shpjegohet se Samsoni «kërkonte një rast kundër Filistejve». Për këtë qëllim i interesonte Samsonit kjo grua. Ndërkohë që Samsoni rritej, «fryma e Jehovait nisi ta shtynte» ose ta nxiste për të vepruar. (Gjykatësit 13:25, BR) Pra, ishte fryma e Jehovait ajo që e shtynte, si për këtë kërkesë të pazakontë për grua, ashtu edhe në gjithë karrierën e tij si gjykatës në Izrael. Por, a erdhi rasti i volitshëm që po priste? Le të shohim në fillim se si e siguroi Jehovai për mbështetjen e Tij.
Samsoni ishte rrugës për në qytetin e nuses së tij të ardhshme, për në Timnah. Bibla tregon: «Ai mbërriti në vreshtat e Timnahut, kur ja, një luan i ri me krifë i doli përpara duke ulëritur. Atëherë fryma e Jehovait nisi të vepronte tek ai dhe . . . [Samsoni] e ndau atë më dysh, siç ndahet një kec.» Kjo shfaqje e pazakontë e fuqisë së tij ndodhi kur Samsoni ishte vetëm. Nuk kishte dëshmitarë okularë. Mos vallë kjo ishte mënyra se si Jehovai po e siguronte Samsonin që, si nazire, ishte në gjendje ta përmbushte detyrën që Ai i kishte caktuar? Bibla nuk e thotë një gjë të tillë, por me siguri Samsoni e kuptoi se kjo fuqi e pazakontë nuk ishte e tija. Ajo duhej t’i kishte ardhur nga Perëndia. Ai mund të mbështetej te Jehovai për detyrën që e priste. I forcuar nga ajo që ndodhi me luanin, Samsoni «vazhdoi rrugën dhe foli me gruan, sepse Samsonit ende i dukej se ajo ishte gruaja që bënte për të».—Gjykatësit 14:5-7, BR.
Kur Samsoni më vonë po kthehej për të çuar gruan në shtëpi, «doli nga rruga për të parë skeletin e luanit; dhe ja, në trupin e luanit kishte një mori bletësh dhe mjaltë». Duke iu referuar kësaj ndodhie, Samsoni u tha këtë gjëzë 30 burrave filistinë që kishin ardhur në dasmën e tij si shoqërues të dhëndrit: «Nga gllabëruesi doli ushqimi dhe nga i forti doli e ëmbla.» Nëse ata do ta gjenin gjëzën, Samsoni do t’u jepte 30 palë ndërresa dhe 30 palë veshje. Nëse nuk e gjenin, atëherë këto gjëra duhet t’ia jepnin ata. Filistinët e vranë mendjen për tri ditë për ta gjetur gjëzën. Por, ditën e katërt nisën të kërcënonin gruan e tij. Ata i thanë: «Mbushja mendjen burrit tënd që të na shpjegojë gjëzën; ndryshe do të të djegim ty dhe do t’i vëmë flakën shtëpisë së atit tënd.» Sa mizorë që ishin! Nëse filistinët e trajtonin kështu popullin e tyre, imagjinoni në duart e kujt kishin rënë izraelitët e shtypur!—Gjyqtarët 14:8-15.
E tmerruar, gruaja i bëri presion Samsonit që t’i tregonte përgjigjen. Ngaqë i mungonte dashuria dhe besnikëria ndaj Samsonit, ajo menjëherë ua tregoi përgjigjen filistinëve. Ata ia thanë përgjigjen Samsonit, dhe ai e kuptoi se si kishin arritur ta gjenin. Kështu u tha: «Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, nuk do ta kishit zgjidhur gjëzën time.» Rasti që Samsoni priste, erdhi. «Fryma e Zotit erdhi mbi të në mënyrë të fuqishme dhe ai zbriti deri në Ashkelon, vrau tridhjetë njerëz nga ata, mori plaçkat e tyre dhe u dha ndërresat e rrobave atyre që e kishin shpjeguar gjëzën.»—Gjyqtarët 14:18, 19.
A ishte dëshira për hakmarrje ajo që e shtyu Samsonin të vepronte kështu në Ashkelon? Jo. Ishte Perëndia që po vepronte nëpërmjet çlirimtarit të tij të zgjedhur. Nëpërmjet Samsonit, Jehovai nisi luftën kundër shtypësve mizorë të popullit të Tij. Ishte e nevojshme që kjo fushatë të vazhdonte. Një rast tjetër i volitshëm për Samsonin, ishte kur shkoi për të vizituar gruan e tij.
Lufton i vetëm
Kur u kthye në Timnah, Samsoni mori vesh se vjehrri i tij ia kishte dhënë dikujt tjetër për nuse të shoqen, sepse mendonte që Samsoni e urrente. Samsoni u hoq si i fyer. Kapi 300 dhelpra, i lidhi dy nga dy dhe u vuri nga një pishtar midis bishtave. Kur i lëshoi, ato u vunë zjarrin fushave, vreshtave dhe ullishteve, duke u shkatërruar kështu filistinëve tri prodhimet kryesore për atë vit. Filistinët e xhindosur reaguan me mizori. Ata konsideruan përgjegjës për këto dëme gruan e Samsonit dhe babanë e saj, dhe prandaj i dogjën. Hakmarrja e tyre barbare i shërbeu qëllimit të Samsonit. Pas kësaj ai i sulmoi, dhe bëri një kasaphanë të vërtetë.—Gjyqtarët 15:1-8.
A e kuptuan izraelitët se Perëndia Jehova po e bekonte Samsonin, dhe kështu të bashkoheshin me të për t’i dhënë fund sundimit të filistinëve? Zor se e kuptuan. Për të mos u hapur telashe, njerëzit e Judës dërguan 3.000 burra për ta arrestuar udhëheqësin e zgjedhur nga Perëndia, që pastaj t’ua dorëzonin armiqve. Por kjo mungesë besnikërie e izraelitëve, i ofroi Samsonit mundësinë që t’i shkaktonte humbje edhe më të mëdha armiqve të tij. Kur po e çonin te filistinët, «fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri që digjen; dhe lidhjet i ranë nga duart». Pastaj gjeti një nofull gomari dhe me të vrau një mijë armiq.—Gjyqtarët 15:10-15.
Duke iu përgjëruar Jehovait, Samsoni tha: «Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet të vdes unë tani nga etja dhe të bie në duart e atyre që nuk janë rrethprerë?» Jehovai e dëgjoi lutjen e Samsonit dhe iu përgjigj. «Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët . . . , dhe doli ujë prej tij. Ai piu ujë, fryma i tij u gjallërua dhe ai mori jetë.»—Gjyqtarët 15:18, 19.
Samsoni ishte i vendosur për ta arritur synimin e tij; të luftonte kundër filistinëve. Qëndrimi në shtëpinë e një prostitute në Gaza ishte me qëllim që të luftonte armiqtë e Perëndisë. Duke qenë në një qytet armik, Samsoni kishte nevojë për një vend ku të kalonte natën, dhe kjo strehë mund të gjendej në shtëpinë e një prostitute. Samsoni nuk kishte ndër mend ndonjë qëllim imoral. Ai u largua nga shtëpia e saj në mesnatë, kapi portat e qytetit dhe dy shtalkat e saj dhe i çoi në majën e një mali afër Hebronit, që ishte 60 kilometra larg. Kjo u bë me miratimin e Perëndisë dhe me fuqinë që i kishte dhënë Ai.—Gjyqtarët 16:1-3.
Mënyra se si veproi fryma e shenjtë në rastin e Samsonit ishte unike, për shkak të rrethanave jo të zakonshme. Edhe sot, shërbëtorët besnikë të Perëndisë mund të mbështeten te e njëjta frymë për të marrë forcë. Jezui i siguroi ithtarët e tij se Jehovai «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë».—Luka 11:13.
Pse Jehovai ‘e braktisi’ Samsonin?
Më pas, Samsoni ra në dashuri me një grua që quhej Delila. Pesë princat filistinë që kishin formuar aleancë me njëri-tjetrin, donin kaq shumë që ta eliminonin Samsonin, saqë i kërkuan ndihmë asaj. Shkuan te Delila dhe i thanë: «Bëje për vete dhe zbulo ku qëndron tërë ajo forcë e madhe e tij, në mënyrë që ta mposhtim.» Si ryshfet, secili prej princave i ofroi asaj «një mijë e njëqind sikla [monedha, BR] argjendi».—Gjyqtarët 16:4, 5.
Nëse vërtet këto monedha ishin sikla, atëherë ryshfeti prej 5.500 siklash ishte goxha i madh. Abrahami dha 400 sikla për një vend ku të varroste gruan e tij, ndërsa një skllav shitej për 30 sikla. (Zanafilla 23:14-20; Eksodi 21:32) Fakti që princat e aleancës, sundimtarët e pesë qyteteve filistine, e joshën Delilën duke përdorur lakminë dhe jo patriotizmin e saj, nënkupton që ndoshta ajo ishte izraelite. Sidoqoftë, Delila e pranoi ofertën.
Tri herë Samsoni i dha përgjigje të gabuara pyetjes së Delilës, dhe të tria herët ajo e tradhtoi duke u përpjekur t’ia dorëzonte armiqve të tij. Por, «me qenë se ajo e bezdiste çdo ditë me fjalët e saj dhe e nxiste me ngulm, ai u zemërua për vdekje». Më në fund Samsoni ia zbuloi të vërtetën, pra, që nuk i kishte prerë kurrë flokët. Nëse do t’ia prisnin flokët, ai do ta humbiste fuqinë dhe do të bëhej si të gjithë burrat e tjerë.—Gjyqtarët 16:6-17.
Kjo shënoi rrënimin e Samsonit. Delila me dredhi gjeti mënyrën që t’ia rruanin kokën. Megjithatë, nuk ishin pikërisht flokët që ia jepnin fuqinë Samsonit. Në të vërtetë, flokët e tij thjesht përfaqësonin marrëdhënien e veçantë që kishte me Perëndinë, si nazire që ishte. Jehovai e ‘braktisi’ Samsonin, sepse ky lejoi që të gjendej në një situatë ku cenohej nazireati i tij, pasi ia prenë flokët. Kështu filistinët e mposhtën Samsonin, e verbuan dhe e futën në burg.—Gjyqtarët 16:18-21.
Çfarë mësimi të rëndësishëm që nxjerrim prej kësaj! A nuk duhet ta vlerësojmë marrëdhënien me Jehovain si diçka shumë të çmuar?! Nëse në ndonjë mënyrë, bëjmë kompromis me kushtimin tonë ndaj Perëndisë, a mund të presim që Perëndia të vazhdojë të na bekojë?
«Le të vdes bashkë me Filistejtë!»
Filistinët e ngazëlluar falënderuan Dagonin, perëndinë e tyre, për mposhtjen e Samsonit. Për të festuar fitoren, ata e çuan robin e tyre në tempullin e Dagonit. Por Samsoni e dinte mirë arsyen e rrënimit të tij. Ai e dinte pse Jehovai e kishte braktisur, dhe ishte penduar që e kishte zhgënjyer atë. Ndërsa Samsoni ishte në burg, flokët e tij kishin filluar të rriteshin përsëri. Çfarë do të bënte tani që ndodhej para mijëra filistinëve?
Samsoni u lut: «O Zot, të lutem mos më harro! Më jep forcën e nevojshme për këtë herë vetëm, o Perëndi që të hakmerrem me Filistejtë me një goditje të vetme, për shkak të humbjes së dy syve të mi.» Pastaj, kapi dy shtyllat qendrore të tempullit dhe «u përkul pastaj me të gjithë forcën e tij». Rezultati? «Shtëpia u shemb mbi princat dhe mbi gjithë popullin që ndodhej brenda; dhe qenë më shumë ata që ai vrau duke vdekur se ata që kishte vrarë kur qe gjallë.»—Gjyqtarët 16:22-30.
Asnjë njeri tjetër nuk mund të krahasohej me Samsonin për nga forca fizike. Trimëritë e tij ishin vërtet të paharrueshme. Por ç’është më e rëndësishmja, Fjala e Jehovait e radhit Samsonin ndër burrat me besim të fortë.—Hebrenjve 11:32-34.
[Figura në faqen 26]
Cili ishte sekreti i fuqisë së Samsonit?