ARTIKULLI I STUDIMIT 45
Të vazhdojmë t’i tregojmë dashuri besnike njëri-tjetrit
«Tregojini njëri-tjetrit dashuri besnike dhe mëshirë.»—ZAK. 7:9.
KËNGA 107 Jehovai—Modeli i praruar i dashurisë
PËRMBLEDHJEa
1-2. Cilat arsye të forta kemi për t’i treguar dashuri besnike njëri-tjetrit?
KEMI arsye të forta për t’i treguar dashuri besnike njëri-tjetrit. Cilat janë disa prej tyre? Përgjigjen e gjejmë te këto proverba të frymëzuara nga Perëndia: «Mos lejo që dashuria besnike dhe e vërteta të ikin prej teje. . . . Atëherë do të fitosh gjykim të mirë dhe do të gëzosh miratim në sytë e Perëndisë e të njerëzve.» «Një burrë me dashuri besnike i bën mirë vetes.» «Ai që kërkon me ngulm drejtësinë dhe dashurinë besnike, do të gëzojë jetë.»—Prov. 3:3, 4; 11:17, shën.; 21:21.
2 Në këto proverba përmenden tri arsye pse duhet të tregojmë dashuri besnike. Së pari, kur tregojmë dashuri besnike, jemi të çmuar në sytë e Perëndisë. Së dyti, kur shfaqim dashuri besnike, i bëjmë mirë vetes. Për shembull, falë kësaj cilësie, lidhim miqësi jetëgjata me të tjerët. Së treti, kur kërkojmë me ngulm dashurinë besnike, u hapim rrugën bekimeve në të ardhmen, ndër të cilat jeta e përhershme. Vërtet, kemi arsye të forta që t’ua vëmë veshin këtyre fjalëve të Jehovait: «Tregojini njëri-tjetrit dashuri besnike dhe mëshirë.»—Zak. 7:9.
3. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në këtë artikull?
3 Në këtë artikull do të shqyrtojmë përgjigjet e katër pyetjeve: Kujt duhet t’i tregojmë dashuri besnike? Çfarë mund të mësojmë për dashurinë besnike nga libri i Ruthës? Si mund të tregojmë dashuri besnike? Cilat bekime shijojmë kur tregojmë dashuri besnike?
KUJT DUHET T’I TREGOJMË DASHURI BESNIKE?
4. Si mund ta imitojmë dashurinë besnike që tregon Jehovai? (Marku 10:29, 30)
4 Siç e pamë në artikullin e kaluar, Jehovai tregon dashuri besnike—një dashuri të thellë që nuk shuhet kurrë—vetëm për ata që e duan dhe i shërbejnë. (Dan. 9:4) Dëshirojmë të jemi «imitues të Perëndisë, si bij të dashur». (Efes. 5:1) Ja pse duam të ushqejmë ndjenja të ngrohta—një dashuri të thellë që nuk shuhet—për vëllezërit dhe motrat.—Lexo Markun 10:29, 30.
5-6. Çfarë nënkupton zakonisht fjala «besnikëri»?
5 Patjetër që je dakord se sa më të qartë ta kemi çfarë përfshin dashuria besnike, aq më mirë do të dimë si t’u tregojmë dashuri besnike vëllezërve dhe motrave. Prandaj, le të shohim ku ndryshon dashuria besnike nga besnikëria, siç e kuptojnë njerëzit në përgjithësi fjalën «besnikëri». Të marrim një shembull.
6 Dikush që ka punuar vite të tëra për një kompani mund të quhet punonjës besnik. Sidoqoftë, gjatë tërë atyre viteve mund të mos ketë takuar kurrë ndonjë nga drejtuesit e saj, e ndoshta nuk është gjithmonë dakord me politikat e kompanisë. Nuk është se e do kompaninë ku punon, por është i kënaqur që e ka atë punë se merr një rrogë. E nëse nuk i ofrohet një variant më i mirë diku tjetër, do të vazhdojë të punojë atje derisa të dalë në pension.
7-8. (a) Çfarë e motivon dikë të tregojë dashuri besnike? (b) Për ç’arsye do të shqyrtojmë disa fragmente nga libri i Ruthës?
7 Siç e tregon shembulli i mësipërm, ndryshimi mes besnikërisë dhe dashurisë besnike është motivi. Ndërsa lexon Biblën, cili është motivi që spikat te veprat e dashurisë besnike të shërbëtorëve të Perëndisë? Kur tregonin dashuri besnike, nuk e bënin këtë nga detyrimi, por nga dëshira e zemrës. Të mendojmë për shembullin e Davidit. Zemra e nxiti t’i tregonte dashuri besnike mikut të tij të shtrenjtë, Jonatanit, ndonëse babai i Jonatanit donte ta vriste Davidin. Vite pas vdekjes së Jonatanit, Davidi vazhdoi t’i tregonte dashuri besnike djalit të Jonatanit, Mefiboshetit.—1 Sam. 20:9, 14, 15; 2 Sam. 4:4; 8:15; 9:1, 6, 7.
8 Mund të mësojmë shumë për dashurinë besnike duke shqyrtuar disa fragmente nga libri i Ruthës. Çfarë mund të na mësojnë personazhet e këtij libri për dashurinë besnike? Si mund t’i zbatojmë në kongregacionin tonë mësimet që nxjerrim?b
ÇFARË MËSOJMË PËR DASHURINË BESNIKE NGA LIBRI I RUTHËS?
9. Pse Naomi mendonte që Jehovai i ishte vënë kundër?
9 Në librin e Ruthës gjejmë historinë e Naomit, nuses së saj, Ruthës, dhe Boazit, që ishte një i afërm i burrit të Naomit dhe e nderonte thellë Perëndinë. Për shkak të një zie buke në Izrael, Naomi, i shoqi dhe dy djemtë e tyre u shpërngulën në Moab. Kur ishin atje, burri i Naomit vdiq. Dy djemtë u martuan, por mjerisht, edhe ata vdiqën më pas. (Rutha 1:3-5; 2:1) Nga ato goditje që mori, Naomi u fundos gjithnjë e më thellë në një humnerë dëshpërimi. Aq shumë e kishte kapluar ankthi, sa mendonte se Jehovai i ishte vënë kundër. Ja si u shpreh ajo për Perëndinë: «Dora e Jehovait është kundër meje.» «I Plotfuqishmi ma ka hidhëruar shumë jetën.» Gjithashtu tha: «Jehovai më është vënë kundër dhe i Plotfuqishmi më ka sjellë gjithë këto të zeza.»—Rutha 1:13, 20, 21.
10. Si reagoi Jehovai ndaj fjalëve të hidhura të Naomit?
10 Si reagoi Jehovai ndaj fjalëve të hidhura të Naomit? Ai nuk iu kthye me inat shërbëtores së tij që e kishte shpirtin vrer. Përkundrazi, tregoi empati për të. Jehovai e kupton se «shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht». (Ekl. 7:7) Sidoqoftë, Naomi kishte nevojë për ndihmë që të kuptonte se Jehovai po i rrinte pranë. Si e ndihmoi ai? (1 Sam. 2:8) Jehovai nxiti Ruthën që t’i bëhej krah e t’i tregonte dashuri besnike Naomit. Me gatishmëri e butësi, Rutha e ndihmoi vjehrrën të ekuilibronte ndjenjat që e mundonin dhe pikëpamjen që kishte për Perëndinë. Çfarë mësojmë nga shembulli i Ruthës?
11. Pse shumë vëllezër e motra të dhembshur u bëhen krah atyre që i ka lëshuar zemra?
11 Dashuria besnike na nxit t’u bëhemi krah atyre që i ka lëshuar zemra. Ashtu si Rutha që i qëndroi pranë Naomit, shumë vëllezër e motra u qëndrojnë pranë me dhembshuri bashkëbesimtarëve që janë të shkurajuar ose të dëshpëruar. I duan këta bashkëbesimtarë dhe dëshirojnë të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë për t’i ndihmuar. (Prov. 12:25, shën.; 24:10) Kjo është në harmoni me nxitjen që dha apostulli Pavël: ‘Flituni në mënyrë ngushëlluese atyre që janë të dëshpëruar, mbështetni të dobëtit dhe jini të duruar me të gjithë.’—1 Sel. 5:14.
12. Cila është shpesh mënyra më e mirë për të ndihmuar një vëlla a motër të shkurajuar?
12 Shpesh mënyra më e mirë për të ndihmuar një vëlla a motër të shkurajuar është ta dëgjosh me vëmendje dhe ta sigurosh se e do. Vëmendja dhe dashuria që tregon për një dele të shtrenjtë të Jehovait, nuk i shpëton syrit të Tij. (Psal. 41:1) Proverbat 19:17 thotë: «Kush i bën mirë të përvuajturit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë të mirën.»
13. Ku ndryshonte vendimi i Ruthës nga ai i Orpës, dhe si tregoi dashuri besnike Rutha? (Shih figurën e kopertinës.)
13 E kuptojmë më qartë çfarë përfshin dashuria besnike kur shqyrtojmë atë që ndodhi me Naomin pasi i vdiq burri dhe dy djemtë. Kur mori vesh se «Jehovait i kishte ardhur keq për popullin e tij dhe i kishte dhënë ushqim», Naomi vendosi të kthehej në vendin e saj. (Rutha 1:6) Të dyja nuset u nisën për rrugë me të. Mirëpo gjatë udhëtimit, Naomi i nxiti tri herë të ktheheshin në Moab. Çfarë bënë ato? Shkrimet thonë: «Orpa puthi të vjehrrën dhe iku, kurse Rutha nuk iu nda.» (Rutha 1:7-14) Orpa vendosi të kthehej, pra bëri atë që iu kërkua. Kurse Rutha shkoi përtej asaj që pritej dhe bëri diçka më shumë. Edhe ajo ishte e lirë të ikte, por, nga dashuria besnike, vendosi të rrinte e ta ndihmonte të afërmen e saj që ishte në hall. (Rutha 1:16, 17) Rutha zgjodhi t’i qëndronte pranë Naomit, jo ngaqë ndihej e detyruar, por nga dëshira. Me vendimin e saj, Rutha tregoi dashuri besnike. Ç’na mëson kjo histori?
14. (a) Çfarë zgjedhin të bëjnë shumë bashkëbesimtarë të dashur sot? (b) Sipas Hebrenjve 13:16, cilat sakrifica e kënaqin Perëndinë?
14 Dashuria besnike shkon përtej asaj që pritet. Njësoj si në të kaluarën, sot shumë vëllezër e motra zgjedhin të tregojnë dashuri besnike për bashkëbesimtarët, madje edhe për ata që nuk i njohin personalisht. Për shembull, kur mësojnë se ka ndodhur një katastrofë natyrore, menjëherë duan të dinë si mund të ndihmojnë. Kur dikush në kongregacion është në pikë të hallit, me të shpejtë përpiqen të marrin vesh ç’i nevojitet dhe ta ndihmojnë në mënyra praktike. Madje, ashtu si maqedonët e shekullit të parë, bëjnë më shumë nga sa pritet. Bëjnë sakrifica duke dhënë «përtej mundësive» të tyre për të ndihmuar ata vëllezër që gjenden në vështirësi. (2 Kor. 8:3) Sa kënaqet Jehovai kur sheh si tregojnë dashuri besnike!—Lexo Hebrenjve 13:16.
SI MUND TË TREGOJMË DASHURI BESNIKE?
15-16. Si e tregoi Rutha vendosmërinë për ta ndihmuar Naomin?
15 Kur studiojmë historinë e Ruthës dhe Naomit, nxjerrim mjaft mësime me vlerë. Le të shohim disa.
16 Mos hiq dorë. Rutha u tregua e gatshme ta shoqëronte të vjehrrën për në Judë, por Naomi në fillim kundërshtoi. Ama, Rutha nuk u dorëzua. Cili ishte rezultati? «Kur pa që Rutha këmbëngulte të shkonte me të, Naomi nuk u përpoq më t’ia mbushte mendjen.»—Rutha 1:15-18.
17. Çfarë do të na ndihmojë të mos dorëzohemi kollaj?
17 Mësimi për ne: Duhet durim për t’i ndihmuar ata që janë të dëshpëruar, por s’duhet të dorëzohemi. Një motërc që ka nevojë për ndihmë, në fillim mund ta refuzojë ndihmën tonë. Gjithsesi, dashuria besnike na nxit të bëjmë çmos t’i qëndrojmë pranë. (Gal. 6:2) Shpresojmë që me kalimin e kohës do ta pranojë miqësinë tonë dhe ndihmën që i ofrojmë për t’ia lehtësuar dëshpërimin.
18. Cilat fjalë duhet t’i kenë shkaktuar dhimbje Ruthës?
18 Mos i merr si sulm personal fjalët lënduese. Kur Naomi e Rutha mbërritën në Betlehem, Naomi takoi ish-fqinjat e saj dhe u tha: «Kur ika, isha plot, por Jehovai më ktheu duarbosh.» (Rutha 1:21) Imagjino si do të jetë ndier Rutha kur dëgjoi ato fjalë! Ajo ishte bërë copë që ta ndihmonte Naomin. Kishte qarë me të, e kishte ngushëlluar dhe kishte ecur krah saj për ditë të tëra. E pavarësisht nga të gjitha këto, Naomi tha: «Jehovai më ktheu duarbosh.» Me ato fjalë, nuk tregoi asnjë fije vlerësimi për mbështetjen e Ruthës që e kishte aty përkrah. Kushedi sa dhimbje do të ketë ndier Rutha! E megjithatë, ajo i qëndroi pranë Naomit.
19. Çfarë do të na ndihmojë t’i qëndrojmë pranë dikujt që është i shkurajuar?
19 Mësimi për ne: Mund të ndodhë që një motër e shkurajuar të thotë diçka që na lëndon—pavarësisht nga tërë përpjekjet që kemi bërë për ta ndihmuar. Gjithsesi, të mos i marrim si sulm personal ato fjalë të pamenduara. Duam t’i qëndrojmë pranë motrës sonë zemërvrarë dhe t’i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë të gjejmë një mënyrë për ta ngushëlluar.—Prov. 17:17.
20. Çfarë i dha forcë Ruthës që të mos dorëzohej?
20 Jep inkurajim në kohën e duhur. Rutha i kishte treguar dashuri besnike Naomit, por tani kishte vetë nevojë për inkurajim. E Jehovai nxiti Boazin që ta inkurajonte. Boazi i tha Ruthës: «Jehovai të shpërbleftë për këtë që bëre! Marrsh një shpërblim të plotë nga Jehovai, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të kërkosh strehë!» Fjalët e tij të ngrohta ia ngritën zemrën peshë Ruthës. Ajo i tha Boazit: «Ti e ke ngushëlluar shërbëtoren tënde dhe i ke dhënë siguri me fjalët e tua.» (Rutha 2:12, 13) Ato fjalë në kohën e duhur i dhanë Ruthës forcën e nevojshme për të mos u dorëzuar.
21. Siç tregon Isaia 32:1, 2, si i inkurajojnë pleqtë e dashur vëllezërit dhe motrat?
21 Mësimi për ne: Ata që u tregojnë dashuri besnike të tjerëve, hera-herës kanë vetë nevojë për inkurajim. Ashtu si Boazi që e siguroi Ruthën se zemërmirësia e saj nuk kishte kaluar pa u vënë re, edhe pleqtë e vëmendshëm shprehin vlerësim për ndihmën që u japin të tjerëve shumë vëllezër e motra të dashura. Lavdërimet e tyre të ngrohta në kohën e duhur, u japin këtyre vëllezërve e motrave forcën e nevojshme për të mos u dorëzuar.—Lexo Isainë 32:1, 2.
CILAT BEKIME SHIJOJMË KUR TREGOJMË DASHURI BESNIKE?
22-23. Si ndryshoi qëndrimi i Naomit, dhe pse? (Psalmi 136:23, 26)
22 Pas njëfarë kohe, Boazi u dhuroi me bujari ushqime Ruthës dhe Naomit. (Rutha 2:14-18) Si reagoi Naomi ndaj bujarisë së Boazit? Ajo tha: «E bekoftë Jehovai, ai që u tregon pa kursim dashuri besnike të gjallëve e të vdekurve!» (Rutha 2:20a) Çfarë ndryshimi, si nata me ditën! Më parë Naomi kishte shfrerë me dhimbje: «Jehovai më është vënë kundër.» Kurse tani tha plot gëzim: «Jehovai . . . u tregon pa kursim dashuri besnike.» Pse ndryshoi qëndrimi i Naomit?
23 Më në fund, Naomi filloi ta shihte dorën e Jehovait në jetën e saj. Jehovai kishte përdorur Ruthën që t’i jepte mbështetjen e nevojshme gjatë udhëtimit për në Judë. (Rutha 1:16) Naomi e pa dorën e Jehovait edhe kur Boazi, një nga «riblerësit» e tyre, u tregua zemërmirë dhe u siguroi me bujari gjërat e nevojshme.d (Rutha 2:19, 20b) Me siguri ka menduar: «Tani e kuptoj se Jehovai s’më ka braktisur kurrë. Ai ka qenë përkrah meje në çdo çast!» (Lexo Psalmin 136:23, 26.) Sa mirënjohëse duhet të ketë qenë Naomi që dashuria besnike e Ruthës dhe e Boazit nuk u shua kollaj! E patjetër të gjithë do të jenë ndier shumë të lumtur që Naomi e rifitoi gëzimin në shërbim të Jehovait.
24. Pse duam të vazhdojmë t’u tregojmë dashuri besnike vëllezërve e motrave?
24 Çfarë kemi mësuar për dashurinë besnike nga libri i Ruthës? Dashuria besnike na nxit të mos heqim dorë shpejt nga përpjekjet për të ndihmuar një vëlla a motër që e ka lëshuar zemra. Na nxit edhe të bëjmë sakrifica për ta ndihmuar. Gjithashtu, pleqtë duhet t’i inkurajojnë me ngrohtësi në kohën e duhur ata që u tregojnë dashuri besnike të tjerëve. Kur shohim pastaj se një të shkurajuari i përtërihen forcat në shërbim të Jehovait, na brof zemra nga gëzimi. (Vep. 20:35) Megjithatë, cila është arsyeja kryesore pse vazhdojmë të tregojmë dashuri besnike? Duam të imitojmë dhe të kënaqim Jehovain, që është «plot dashuri besnike».—Eks. 34:6; Psal. 33:22.
KËNGA 130 Le ta falim njëri-tjetrin
a Jehovai dëshiron t’u tregojmë dashuri besnike vëllezërve e motrave në kongregacion. Mund ta kuptojmë më mirë çfarë është dashuria besnike duke shqyrtuar si e shfaqën këtë cilësi disa shërbëtorë të Perëndisë në të kaluarën. Në këtë artikull do të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i Ruthës, i Naomit dhe i Boazit.
b Për të nxjerrë më shumë dobi nga ky artikull, të inkurajojmë të lexosh kapitujt 1 dhe 2 të Ruthës.
c Meqë po shqyrtojmë shembullin e Naomit, këtu flitet për motra që kanë nevojë për ndihmë. Por mësimet e këtij artikulli vlejnë po njësoj edhe për vëllezërit.
d Për të mësuar më shumë rreth rolit të Boazit si riblerës, shih artikullin «Imitoni besimin e tyre—‘Një grua e shkëlqyer’» në Kullën e Rojës të 1 tetorit 2012, f. 20.