ARTIKULLI I STUDIMIT 46
Çifte të sapomartuara—Mbani si bosht të jetës shërbimin e Jehovait
«Jehovai është forca ime, . . . zemra ime tek ai ka besim.»—PSAL. 28:7.
KËNGA 131 ‘Atë që Jehovai e ka bashkuar’
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Pse duhet të mbështeten me besim te Jehovai çiftet e sapomartuara? (Psalmi 37:3, 4) (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?
A JE në prag të martesës ose i sapomartuar? Nëse po, pa dyshim që mezi pret të gëzosh jetën me njeriun e zemrës. S’do mend, martesa ka vështirësitë e veta; ka edhe vendime të rëndësishme që duhen marrë. Mënyra si i përballoni vështirësitë dhe si i merrni vendimet, do të ndikojë te lumturia juaj si çift për shumë e shumë vjet. Po të mbështeteni me besim te Jehovai, do të merrni vendime të mençura, martesa juaj do të bëhet më e fortë e do të jeni më të lumtur. Po të mos e merrni parasysh mënyrën si mendon Perëndia, ka shumë gjasa të hasni probleme që do të krijojnë tensione në martesë e do t’ju vjedhin lumturinë.—Lexo Psalmin 37:3, 4.
2 Edhe pse ky artikull përqendrohet te çiftet e sapomartuara, do të shqyrtojmë vështirësi që mund t’i hasin të gjitha çiftet e martuara. Do të shohim ç’mund të mësojmë nga shembujt e disa besnikëve të përmendur në Bibël. Mësimet që nxjerrim nga shembulli i tyre mund t’i zbatojmë në aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë edhe martesën. Do të shohim edhe çfarë mund të mësojmë nga shembulli i disa çifteve në kohën tonë.
CILAT VËSHTIRËSI MUND TË HASIN ÇIFTET E SAPOMARTUARA?
3-4. Cilat vështirësi mund të hasin çiftet e sapomartuara?
3 Disa mund t’i nxitin të sapomartuarit të bëjnë «një jetë normale», siç e konsideron shumica. Për shembull, prindërit dhe të afërmit mund t’i bëjnë presion çiftit që të bëhen sa më shpejt me fëmijë. Ose miq dhe familjarë të nisur nga e mira, mund t’i nxitin të sapomartuarit të blejnë shtëpi e ta pajisin mirë e bukur.
4 Po të mos bëjnë kujdes, të sapomartuarit mund të marrin vendime që do t’i zhytin në borxhe. Si rrjedhojë, ka shumë të ngjarë që të dyve do t’u duhet të punojnë orar pa orar për të shlyer borxhet. Puna mund të fillojë t’u grabitë kohën e studimit personal të Biblës, e adhurimit familjar dhe të shërbimit. Madje mund të humbasin hera-herës mbledhjet, ngaqë punojnë pas orarit për të fituar më shumë para ose për të mos humbur punën. Kështu u ikin nga duart mundësi fantastike për të dhënë më shumë në shërbim të Jehovait.
5. Çfarë të mëson shembulli i Klausit dhe Marisës?
5 Përvoja tregon se kur jeta vërtitet rreth fitimit të gjërave materiale, nuk jemi të lumtur. Të shohim si e mësoi këtë një çift, Klausi dhe Marisa.b Në fillim të martesës, të dy punonin me orar të plotë që të bënin një jetë të rehatshme. Ama, thellë-thellë nuk ndiheshin të lumtur. Klausi pranon: «Kishim më shumë se ç’na nevojitej nga ana materiale, por nuk kishim asnjë synim në adhurim të Jehovait. Me thënë të drejtën, jeta jonë ishte plot strese dhe një rrëmujë e vërtetë.» Ndoshta edhe ti je përqendruar te fitimi i gjërave materiale dhe ke vërejtur se kjo nuk të ka sjellë lumturi. Nëse është kështu, mos u shkurajo. Meditimi për disa shembuj të mirë mund të të ndihmojë të bësh ndryshimet e nevojshme. Së pari, le të shohim çfarë mund të mësojnë burrat nga shembulli i mbretit Jehozafat.
SI MBRETI JEHOZAFAT, MBËSHTETUNI TE JEHOVAI
6. Në harmoni me këshillën e Proverbave 3:5, 6, si e përballoi mbreti Jehozafat një problem serioz?
6 Si kryefamiljar, a ndihesh ndonjëherë sikur po të zënë frymën përgjegjësitë? Nëse po, mund të nxjerrësh dobi nga shembull i mbretit Jehozafat. Si mbret, Jehozafati ishte përgjegjës për mirëqenien e tërë kombit. Si ia doli ta mbante atë përgjegjësi kolosale? Jehozafati u përpoq me mish e me shpirt që ta mbronte popullin e tij. Fortifikoi qytetet e Judës dhe mobilizoi një ushtri të fuqishme me më shumë se 1.160.000 ushtarë. (2 Kron. 17:12-19) Më vonë, Jehozafati u përball me një problem serioz. Një ushtri e madhe me amonitë, moabitë e luftëtarë nga rajoni malor i Seirit kërcënonte të shfaroste atë vetë, familjen e tij dhe popullin e tij. (2 Kron. 20:1, 2) Si veproi Jehozafati? U mbështet te Jehovai për ndihmë dhe forcë. Kjo ishte në harmoni me këshillën e mençur që jepet te Proverbat 3:5, 6. (Lexoje.) Lutja e përulur e Jehozafatit, që është dokumentuar te 2 Kronikave 20:5-12, tregon sa shumë besim kishte tek Ati i tij i dashur. Si iu përgjigj Jehovai lutjes së Jehozafatit?
7. Si iu përgjigj Jehovai lutjes së Jehozafatit?
7 Jehovai i foli Jehozafatit nëpërmjet një leviti që quhej Jahaziel, dhe i tha: «Zini vend, rrini pa lëvizur dhe shihni se si do t’ju shpëtojë Jehovai!» (2 Kron. 20:13-17) Çfarë veprimesh të pazakonta për dikë që dilte në betejë! Ama, ato udhëzime nuk vinin nga një njeri; vinin nga Jehovai. Me besim të patundur te Perëndia i tij, Jehozafati iu bind udhëzimeve. Kur doli kundër armikut me gjithë njerëzit e vet, Jehozafati nuk nxori në ballë ushtarët më të zotë, por këngëtarët e paarmatosur. E Jehovai nuk e la në baltë; Ai e shpartalloi ushtrinë armike.—2 Kron. 20:18-23.
8. Çfarë mund të mësojnë burrat nga shembulli i Jehozafatit?
8 Si bashkëshort, mund të mësosh nga shembulli i Jehozafatit. Ti je përgjegjës për mirëqenien e familjes sate, ndaj përpiqesh me të gjitha forcat t’i mbrosh e t’u sigurosh gjërat e nevojshme. Kur ndesh probleme, ndoshta mendon se je i zoti t’i zgjidhësh vetë. Sidoqoftë, rezistoji prirjes për t’u mbështetur te forcat e tua. Në vend të kësaj, lutju Jehovait për ndihmë. Gjithashtu lutu me zjarr bashkë me gruan tënde. Kërko drejtimin e Jehovait duke studiuar Biblën e botimet që siguron organizata e tij dhe zbatoji këshillat që gjen në to. Të tjerët mund të mos jenë dakord me vendimet e tua të bazuara te Bibla, e madje mund të të thonë se po bën një budallallëk. Ndoshta të thonë se mbrojtja më e mirë për familjen tënde janë paratë dhe gjërat që blihen me to. Por mos harro shembullin e Jehozafatit. Ai kishte besim te Jehovai dhe e tregoi besimin me vepra. Jehovai nuk e braktisi atë besnik e nuk ka për të të braktisur as ty. (Psal. 37:28; Hebr. 13:5) Çfarë mund t’i ndihmojë çiftet të gëzojnë një jetë të lumtur së bashku?
SI PROFETI ISAIA DHE GRUAJA E TIJ, BËJENI SHËRBIMIN E JEHOVAIT BOSHTIN E JETËS
9. Çfarë mund të themi për profetin Isaia dhe gruan e tij?
9 Profeti Isaia dhe gruaja e tij kishin në qendër të jetës shërbimin e Jehovait. Isaia ishte profet dhe ka shumë gjasa që gruaja e tij të ketë pasur një caktim si profeteshë, përderisa në Shkrime quhet ‘profetesha’. (Isa. 8:1-4) Pra si çift, Isaia dhe e shoqja e mbanin adhurimin e Jehovait në vend të parë. Çfarë shembulli i shkëlqyer për çiftet e martuara sot!
10. Si mund ta ndihmojë studimi i profecive një çift të martuar që të jenë të vendosur të japin maksimumin për Jehovain?
10 Çiftet e martuara mund të imitojnë shembullin e Isaisë dhe të gruas së tij duke dhënë maksimumin në shërbim të Jehovait. Ata mund ta forcojnë besimin te Jehovai duke studiuar së bashku profecitë e Biblës dhe duke vërejtur si përmbushen ato një për një.c (Titit 1:2) Mund të reflektojnë për rolin që mund të luajnë në plotësimin e disa profecive. Për shembull, mund të ndihmojnë në plotësimin e profecisë së Jezuit se lajmi i mirë do të predikohet në gjithë tokën para se të vijë fundi. (Mat. 24:14) Sa më të fortë ta kenë besimin se po përmbushen profecitë e Biblës, aq më të vendosur do të jenë si çift që të japin pa kursyer për Jehovain.
SI PRISHILA DHE AKUILA, VINI TË PARËN NË JETË MBRETËRINË
11. Çfarë arritën të bënin Prishila e Akuila, dhe pse?
11 Çiftet e martuara nga pak kohë, mund të mësojnë nga Prishila dhe Akuila, një çift jude që jetonte në Romë. Ata e kishin dëgjuar lajmin e mirë për Jezuin dhe ishin bërë të krishterë. Pa dyshim, Akuila dhe Prishila ishin të kënaqur me jetën që bënin. Mirëpo, jeta e tyre mori një kthesë të papritur kur perandori Klaud urdhëroi që të gjithë judenjtë të largoheshin nga Roma. Të mendojmë ç’do të thoshte kjo për Akuilën dhe Prishilën. U duhej të largoheshin nga një ambient ku ndiheshin rehat, të gjenin shtëpi dhe ta nisnin biznesin e bërjes së tendave në një vend të panjohur. A do ta kalonin në plan të dytë veprën e Mbretërisë për shkak të atyre rrethanave të vështira? Me siguri e di përgjigjen e kësaj pyetjeje. Në Korint, ku u vendosën me banim, Akuila dhe Prishila u përfshinë plotësisht në aktivitetet e kongregacionit dhe punuan krah apostullit Pavël për të forcuar vëllezërit atje. Më vonë u transferuan në qytete të tjera ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë. (Vep. 18:18-21; Rom. 16:3-5) Çfarë jete të pasur dhe shpërblyese duhet të kenë gëzuar së bashku!
12. Pse duhet të vënë synime teokratike çiftet e martuara?
12 Çiftet sot mund të imitojnë Prishilën dhe Akuilën duke vënë të parën në jetë Mbretërinë e Perëndisë. Momenti më i mirë që të bisedojnë për synimet e tyre është gjatë kohës që po njihen. Kur vënë së bashku synime në shërbim të Jehovait dhe bëjnë çmos t’i arrijnë këto synime, kanë më shumë mundësi të shohin si vepron fryma e Jehovait në jetën e tyre. (Ekl. 4:9, 12) Të mendojmë për shembullin e Rasëllit dhe Elizabetës. Rasëlli tregon: «Kur po njiheshim, biseduam gjerë e gjatë për synimet teokratike.» Elizabeta thotë: «E bëmë atë bisedë që, kur të merrnim më vonë vendime, të ishim të sigurt se zgjedhjet tona nuk do të na pengonim t’i arrinim ato synime.» Rrethanat ia lejuan Rasëllit dhe Elizabetës të transferoheshin në Mikronezi, që të shërbenin atje ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë.
13. Sipas Psalmit 28:7, çfarë bekimesh shijojmë kur mbështetemi me besim te Jehovai?
13 Ashtu si Rasëlli dhe Elizabeta, mjaft çifte kanë vendosur të mos angazhohen me tepër gjëra, që t’i kushtojnë sa më shumë kohë veprës së Mbretërisë. Ndërsa vënë synime për të dhënë më të mirën në shërbim të Jehovait dhe bashkëpunojnë për t’i arritur ato synime, çifti do të shijojë shumë bekime. Do të shohin si kujdeset Jehovai për ta, do t’u forcohet besimi dhe do të jenë vërtet të lumtur.—Lexo Psalmin 28:7.
SI APOSTULLI PJETËR DHE GRUAJA E TIJ, BESOJINI PREMTIMET E JEHOVAIT
14. Si e treguan apostulli Pjetër dhe gruaja e tij se e besonin premtimin që gjendet te Mateu 6:25, 31-34?
14 Çiftet e martuara mund të mësojnë edhe nga shembulli i apostullit Pjetër dhe gruas së tij. Rreth gjashtë muaj deri në një vit pas takimit të parë me Jezuin, apostullit Pjetër iu desh të merrte një vendim të rëndësishëm. Ai mbante familjen me biznesin e peshkimit. Prandaj, kur Jezui e ftoi të bëhej dishepull i tij në kohë të plotë, Pjetri duhej të peshonte situatën e vet familjare. (Luka 5:1-11) Pjetri zgjodhi të shoqëronte Jezuin në veprën e predikimit. Sa vendim i mençur! E me të drejtë mund të nxjerrim përfundimin se e shoqja e mbështeti vendimin e tij. Bibla tregon se pas ringjalljes së Jezuit, ajo udhëtoi me Pjetrin të paktën për njëfarë kohe. (1 Kor. 9:5) Pa dyshim, falë shembullit të saj si bashkëshorte e krishtere, Pjetri kishte liri fjale kur dha këshillat për burrat dhe gratë e krishtere. (1 Pjet. 3:1-7) Është e qartë se edhe Pjetri, edhe gruaja e tij kishin besim te premtimi i Jehovait se do t’u siguronte gjërat e nevojshme po të vinin të parën në jetë Mbretërinë.—Lexo Mateun 6:25, 31-34.
15. Çfarë të mëson shembulli i Tiagut dhe Esterës?
15 Nëse keni disa vjet të martuar, si mund ta ushqeni dëshirën që të bëni më shumë për Jehovain? Një mënyrë është duke medituar për shembullin e çifteve të tjera. Pse të mos lexoni rubrikën «U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer»? Këta artikuj i ndihmuan Tiagun dhe Esterën, një çift i martuar nga Brazili, të zhvillonin një dëshirë të zjarrtë për të shërbyer ku kishte më shumë nevojë. Tiagu shpjegon: «Ndërsa lexonim si i ka ndihmuar Jehovai shërbëtorët e tij në kohën tonë, donim ta ndienim edhe ne dorën e Jehovait që të na udhëhiqte e të na ledhatonte.» Me kohë, ata u transferuan në Paraguai, ku kanë shërbyer në fushën e gjuhës portugeze që nga viti 2014. Estera thotë: «Një shkrim që e kemi të dy për zemër është Efesianëve 3:20. E kemi përjetuar sa e sa herë plotësimin e këtyre fjalëve në shërbim të Jehovait.» Në letrën që u shkroi efesianëve, Pavli premtoi se Jehovai do të na jepte shumë më tepër nga sa kërkonim. Sa i vërtetë ka dalë ky premtim!
16. Kujt mund t’u kërkojnë këshilla çiftet e reja kur shqyrtojnë synimet e tyre?
16 Çiftet e reja sot mund të nxjerrin dobi nga përvoja e atyre që kanë mësuar të mbështeten te Jehovai. Disa çifte mund të kenë shërbyer për dekada të tëra në kohë të plotë. Nëse e shihni të nevojshme t’i shqyrtoni synimet tuaja, pse të mos u kërkoni ndonjë këshillë? Kjo është një mënyrë tjetër si mund të tregoni se po mbështeteni te Jehovai. (Prov. 22:17, 19) Edhe pleqtë mund t’i ndihmojnë çiftet e reja të vënë dhe të arrijnë synime në adhurimin e Jehovait.
17. Çfarë ndodhi me Klausin e Marisën, dhe çfarë mësojmë nga shembulli i tyre?
17 Por ndonjëherë mund të ndodhë që një vendim për të zgjeruar shërbimin të mos dalë ashtu si shpresonim. Kështu ndodhi me Klausin dhe Marisën, që u përmendën në fillim. Pas tre vitesh martesë, ata u transferuan dhe dolën vullnetarë për një projekt ndërtimi në degën e Finlandës. Mirëpo morën vesh se do të qëndronin atje jo më shumë se gjashtë muaj. Në fillim mbetën të zhgënjyer. Por s’kaloi shumë e i ftuan të ndiqnin një kurs të gjuhës arabe dhe sot shërbejnë të lumtur në fushën e gjuhës arabe në një shtet tjetër. Kur hedh vështrimin pas, Marisa pranon: «Është e frikshme të ecësh drejt së panjohurës dhe ke nevojë të mbështetesh plotësisht te Jehovai. Por e kam parë se Jehovai na ka ndihmuar gjithnjë në mënyra të papritura. Ngaqë e kam përjetuar vetë këtë, besimi im te Jehovai është bërë më i fortë.» Edhe ti mund të jesh i sigurt se po të mbështetesh plotësisht te Jehovai, ai do të të shpërblejë gjithmonë.
18. Ç’mund të bëjnë çiftet e martuara që të vazhdojnë të mbështeten me besim te Jehovai?
18 Martesa është dhuratë nga Jehovai. (Mat. 19:5, 6) Ai do që çiftet e martuara ta gëzojnë këtë dhuratë. (Prov. 5:18) Nëse jeni çift i ri, pse të mos ndaleni e të mendoni si po e përdorni jetën tuaj? A po bëni më të mirën për t’i treguar Jehovait sa thellë i çmoni dhuratat që ju ka dhënë? Flitni për këtë me Jehovain në lutje. Kërkoni në Fjalën e tij parime që zbatohen në situatën tuaj. Pastaj vëruani veshin këshillave që ju jep Jehovai. Mund të jeni të sigurt se po ta keni shërbimin e Jehovait boshtin e martesës suaj, do të gëzoni një jetë të lumtur e të pasur!
KËNGA 132 Një trup ne të dy!
a Disa vendime që marrim, mund të ndikojnë te koha dhe energjitë që kemi për t’i shërbyer Jehovait. Çiftet e sapomartuara në veçanti, gjenden para vendimeve që mund të ndikojnë te gjithë jeta e tyre. Ky artikull do t’i ndihmojë të marrin vendime të mençura, të cilat e bëjnë jetën të lumtur e domethënëse.
b Disa emra janë ndryshuar.
c Për shembull, mund të shqyrtoni mësimet te kapitujt 6, 7 dhe 19 të librit Jehovai rivendos adhurimin e pastër!