ABIATARI
[atë i shkëlqimit; atë i më shumë nga ç’mjafton (i bollëkut)].
Bir i kryepriftit Ahimelek nga fisi i Levit, nga trungu i pasardhësve të Eliut. (1Sa 14:3; 22:11; 23:6) Ai jetoi gjatë mbretërimit të Saulit, Davidit e Solomonit dhe u bë kryeprift gjatë kohës kur mbretëroi Davidi. Pati dy djem, Jonatanin dhe Ahimelekun (që kishte emrin e babait të Abiatarit).—2Sa 15:27, 36; 8:17.
Abiatari jetonte në Nob, në ‘qytetin e priftërinjve’, jo larg nga Jerusalemi, kur mbreti Saul ngarkoi Doeg edomitin të vriste të atin e Abiatarit, kryepriftin, si dhe priftërinj të tjerë (gjithsej 85), ngaqë dyshonte se përkrahnin Davidin. Doegu vrau me shpatë edhe gjithë banorët e qytetit. Shpëtoi vetëm Abiatari, i cili ia mbathi për te Davidi i arratisur me sa duket në Kejlah, disa kilometra më në jugperëndim. Duke menduar se ishte në njëfarë mënyre përgjegjës për këtë tragjedi, Davidi i tha Abiatarit: «Atë ditë e dija mirë se Doeg edomiti, meqë ishte atje, do t’i tregonte patjetër Saulit. Unë, unë i kam bërë keq çdo shpirti të shtëpisë së atit tënd. Rri me mua, mos ki frikë, sepse kushdo që kërkon shpirtin tim kërkon shpirtin tënd. Ti ke nevojë për mbrojtjen time.»—1Sa 22:12-23; 23:6.
Që nga ai moment, Abiatari ndoqi Davidin gjatë gjithë kohës së arratisë dhe shërbeu si prift për ushtrinë e Davidit. Te 1 Samuelit 23:6 tregohet se Abiatari kishte marrë me vete një efod. Edhe pse në përgjithësi priftërinjtë mbanin një efod liri (1Sa 22:18), vargjet 9-12 të kapitullit 23 tregojnë se ky efod mund të ketë qenë i të atit, kryepriftit, dhe ishte ai ku mbahej Urimi dhe Thumimi.
Gjatë mbretërimit të Davidit dhe të Solomonit. Duket se kur më në fund Davidi hipi në fron, Abiatari u bë kryeprift. Disa studiues janë të mendimit se pas vdekjes së kryepriftit Ahimelek, mbreti Saul vuri në vend të tij Sadokun, duke treguar kështu se nuk e njihte si kryeprift Abiatarin që shoqërohej me Davidin, pasuesin e ardhshëm. Sipas tyre, pasi hipi në fron, Davidi e bëri Abiatarin kryeprift përkrah Sadokut. Këtë mendim me sa duket e mbështetin në faktin që Sadoku dhe Abiatari zakonisht përmenden bashkë sikur të kishin të njëjtën pozitë të lartë priftërore. (2Sa 15:29, 35; 17:15; 19:11; 20:25; 1Mb 1:7, 8, 25, 26; 4:4; 1Kr 15:11) Megjithatë, tregimi i frymëzuar nuk thotë askund se Sadoku u emërua kryeprift gjatë mbretërimit të Saulit. Ka mundësi që Sadoku të ketë spikatur më tepër ngaqë ishte parashikues ose profet, njësoj si profeti Samuel përmendet më shumë në tregimin e frymëzuar sesa kryeprifti i kohës së tij. (2Sa 15:27) Dëshmitë tregojnë se Abiatari ishte kryeprifti i vetëm gjatë mbretërimit të Davidit dhe se në atë kohë Sadoku ishte nënkryeprift.—1Mb 2:27, 35; Mr 2:26.
Nga vargu i 2 Samuelit 8:17 kanë lindur disa pyetje në lidhje me sa thamë më lart, pasi thotë se asokohe «Sadoku, biri i Ahitubit, dhe Ahimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj», por nuk e përmend Abiatarin si kryeprift. Disa mendojnë se një kopist ka këmbyer gabimisht emrin e Ahimelekut me atë të Abiatarit dhe vargu duhej të ishte «Abiatari, biri i Ahimelekut», siç është në Peshitën siriake. Megjithatë, tregimi i 1 Kronikave (18:16; 24:3, 6, 31) konfirmon radhën e emrave në këtë varg, siç gjenden në tekstin masoretik. Pra, ka më shumë të ngjarë që në këtë varg Sadoku dhe Ahimeleku të jenë përmendur thjesht si nënkryepriftërinj që shërbenin nën autoritetin e kryepriftit Abiatar dhe se, në këtë rast, pozita e Abiatarit vetëkuptohej.—1Kr 16:37-40; krahaso Nu 3:32.
Abiatari pati privilegjin që bashkë me priftërinj të tjerë të merrte arkën e Jehovait nga shtëpia e Obed-Edomit dhe ta çonte në Jerusalem. (2Sa 6:12; 1Kr 15:11, 12) Përveçse kryeprift, ai ishte edhe një nga këshilltarët e Davidit.—1Kr 27:33, 34.
Aty nga fundi i mbretërimit të Davidit, Absalomi kurdisi një komplot kundër të atit. Edhe këtë herë, Abiatari i qëndroi pranë Davidit kur rrethanat e detyruan mbretin t’ia mbathte nga Jerusalemi. Që të dështonin këshillat e tradhtarit Ahithofel, këshilltarit të dikurshëm të tij, Davidi dërgoi në Jerusalem priftërinjtë besnikë, Abiatarin dhe Sadokun, që ta informonin për planet e djalit të tij rebel. (2Sa 15:24-36; 17:15) Pas vdekjes së Absalomit, Abiatari dhe Sadoku shërbyen si ndërmjetës për të përgatitur kthimin e Davidit në kryeqytet.—2Sa 19:11-14.
Abiatari duroi me besnikëri vështirësi të shumta përkrah Davidit gjatë kohës që ky u detyrua t’ia mbathte nga Sauli dhe kur i biri, Absalomi, u rebelua. Kur mendon se ai gëzonte besimin, miqësinë dhe pëlqimin e Davidit për rreth katër dekada, habitesh që më vonë Abiatari bashkohet me një nga djemtë e tjerë të Davidit, Adonijahun, në një komplot tjetër për t’i marrë fronin. Komploti dështoi, megjithëse pati mbështetjen e Joabit, komandantit të ushtrisë. Me urdhër të Davidit, Solomoni u miros mbret nga prifti besnik, Sadoku. (1Mb 1:7, 32-40) Djali i Abiatarit, Jonatani, që gjatë kryengritjes së Absalomit kishte shërbyer si vrapues për t’i çuar lajme Davidit, shkoi të njoftonte Adonijahun për dështimin e komplotit. Mbreti Solomon nuk mori masa të menjëhershme kundër Abiatarit, por kur u bë e dukshme se kundërshtarët po vazhdonin me komplotin, urdhëroi që Adonijahu dhe Joabi të ekzekutoheshin, si dhe dëboi nga Jerusalemi priftin Abiatar, duke i thënë: «Shko në Anatoth tek arat e tua! Ti meriton vdekjen, por sot nuk do të të vras, sepse mbarte arkën e Zotërisë Sovran Jehova para Davidit, atit tim, dhe vuajte gjatë gjithë kohës që vuajti edhe im atë.» (1Mb 2:26) Sadoku u caktua prift në vend të Abiatarit, dhe kështu detyra e kryepriftit u kaloi përsëri pasardhësve të Eleazarit, birit të Aaronit, kurse priftëria e shtëpisë së Eliut mori fund përgjithmonë sipas profecisë së 1 Samuelit 2:31.—1Mb 2:27; 1Sa 3:12-14.
Edhe pse më vonë, te 1 Mbretërve 4:4, «Sadoku dhe Abiatari» përmenden përsëri si priftërinj gjatë mbretërimit të Solomonit, ka të ngjarë që Abiatari këtu të përmendet vetëm si njeri i nderuar ose si figurë historike. Disa studiues janë të mendimit se, pasi Solomoni e uli në detyrë Abiatarin, e emëroi mëkëmbës të Sadokut dhe gjatë kohës që njëri kryente shërbesat në Malin e Sionit ku mbahej Arka, tjetri shërbente në tabernakull, që ishte në Gibeon derisa u ndërtua tempulli. (Shih 1Kr 16:37-40.) Megjithatë, 1 Mbretërve 2:26 tregon se Solomoni e dërgoi Abiatarin tek arat e veta në Anatoth dhe, megjithëse Anatothi nuk ishte larg nga Gibeoni, urdhri i Solomonit tregon se Abiatari ishte zhveshur nga çdo detyrë priftërore.
Sipas pjesës më të madhe të përkthimeve te Marku 2:26 Jezui tha se Davidi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes kur ‘kryeprift ishte Abiatari’. Përderisa kjo ngjarje ndodhi kur kryeprift ishte Ahimeleku, i ati i Abiatarit, ky përkthim do të ishte i pasaktë nga pikëpamja historike. Vlen të përmendet se disa dorëshkrime të hershme nuk e përfshijnë këtë frazë, e cila nuk gjendet as në vargjet paralele të Mateut 12:4 dhe të Lukës 6:4. Megjithatë, një ndërtim i ngjashëm në greqisht gjendet edhe te Marku 12:26 dhe Luka 20:37, dhe shumë përkthime këtu përdorin shprehje si «në fragmentin mbi», «në pjesën e» dhe «tregimin e». (Dio; DSF; ECM) Pra, duket se Marku 2:26 mbështet me të drejtë versionin e Përkthimit Bota e Re, ku lexojmë: «Se si hyri në shtëpinë e Perëndisë, në tregimin për Abiatarin, kreun e priftërinjve.» Përderisa tregimi për bëmat e para të Abiatarit fillon menjëherë pas tregimit për hyrjen e Davidit në shtëpinë e Perëndisë për të ngrënë bukët e paraqitjes dhe përderisa Abiatari u bë kryeprift i Izraelit më vonë, gjatë mbretërimit të Davidit, ky përkthim pasqyron saktësinë historike të ngjarjeve.