NDARJA E MBRETËRISË
VETËM 120 vjet pasi Sauli u bë mbreti i parë i Izraelit, kombi u nda në dy pjesë. Pse? Për shkak të apostazisë së mbretit Solomon. Ngaqë donte të kënaqte gratë e tij të huaja, Solomoni lejoi të futej brenda kombit idhujtaria më e neveritshme, duke ndërtuar ‘vende të larta’ për perënditë e rreme. Kjo përzierje adhurimi ishte e neveritshme për Jehovain. Megjithëse nuk i dha fund dinastisë davidike për t’i qëndruar besnik besëlidhjes me Davidin, prapëseprapë Perëndia dekretoi se do të hiqte një pjesë të kombit.—1Mb 11:7-13.
Kjo ndodhi në vitin 997 p.e.s. kur veprimet e Rehoboamit kokëfortë, birit të Solomonit, i shtynë dhjetë fise të rebeloheshin dhe të formonin një mbretëri që shtrihej kryesisht në pjesën veriore të vendit, por që përfshinte edhe qytete-enklava simeonite anembanë territorit të Judës. Mbretërisë jugore në Judë i mbetën besnike vetëm fiset e Beniaminit dhe të Levit.
Nga frika se mos humbiste besnikërinë e popullit të tij nëse këta vazhdonin të shkonin në Jerusalem për të adhuruar, Jeroboami, mbreti i parë i mbretërisë veriore, themeloi një fe të vetën. Ai vendosi viça prej ari në Dan, larg në veri, dhe në Bethel, vetëm 17 km në veri të Jerusalemit. Vendosi edhe priftërinë e vet dhe caktoi ‘ditë të shenjta’.—1Mb 12:26-33.
Kështu Izraeli u nda, qoftë nga ana politike, qoftë nga ana fetare dhe mbeti i pambrojtur nga sulmet armike e i rrënuar nga lufta civile. E larguar nga adhurimi i pastër i Jehovait, mbretëria dhjetëfisëshe u zhyt thellë në shthurje morale dhe frymore. Megjithëkëtë, Jehovai vazhdoi t’u dërgonte profetë që t’i nxiste të pendoheshin.
[Tabela]
VENDET KRYESORE dhe shkrimet përkatëse
Bethel 1Mb 12:28, 29
M. Karmel 1Mb 18:19-40
Dan 2Mb 10:29
Jerusalem 2Kr 11:1
Jezreel 2Mb 9:30-37
Samari 1Mb 16:23, 24
Tirzah 1Mb 15:33
Qytete-enklava Js 19:1-8
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
[Figurat në botimin e shtypur]
Rrënoja të pallatit të Akabit në Samari dhe fragmente fildishi të gjetura në atë zonë. Samaria ishte kryeqyteti i mbretërisë veriore për rreth 200 vjet
[Figura në botimin e shtypur]
Në mbretërinë veriore spikaste adhurimi i Baalit. Kjo figurë e atij perëndie të rremë u gjet në Ras-Shamra të Sirisë
[Figurat në botimin e shtypur]
Beitini, afër Bethelit të lashtë (jo larg Jerusalemit). Në Bethel, Jeroboami vendosi një viç prej ari që ta adhuronin (pa dyshim më i madh se ky viç bronzi i ekspozuar në Luvër)