ELIJA
[Perëndia im është Jehovai].
1. Një nga profetët më të mëdhenj të Izraelit. Me sa duket ishte nga Tishbehu, që sipas disave ishte një fshat në Galaad, në lindje të lumit Jordan. (1Mb 17:1) E filloi karrierën e tij të gjatë si profet në Izrael gjatë mbretërimit të Akabit, që hipi në fron rreth vitit 940 p.e.s., dhe vazhdoi gjatë mbretërimit të djalit të Akabit, Ahaziahut (që filloi rr. vitit 919 p.e.s.). (1Mb 22:51) Përmendet për herë të fundit si profet (këtë herë në Judë) aty nga fundi i mbretërimit 8-vjeçar të Jehoramit, mbretit të Judës, që filloi të mbretëronte në vitin 913 p.e.s.—2Kr 21:12-15; 2Mb 8:16.
Jehovai i siguroi Izraelit Elijan që të shërbente si një shtyllë për adhurimin e vërtetë në një kohë kur gjendja frymore dhe morale kishte rënë jashtëzakonisht poshtë. Mbreti Akab, biri i Omrit, kishte ndjekur kultin e viçit të vendosur nga Jeroboami, dhe më keq akoma, ishte martuar me Jezebelën, bijën e Etbaalit, mbretit të Sidonit. I ndikuar prej saj, Akabi mëkatoi më shumë se të gjithë mbretërit e mëparshëm të Izraelit duke futur adhurimin e Baalit në një shkallë të gjerë. Priftërinjtë dhe profetët e Baalit u shtuan dhe korrupsioni arriti kulmin. Urrejtja e Jezebelës për Jehovain shkaktoi përndjekjen dhe vrasjen e profetëve që u detyruan të fshiheshin nëpër shpella.—1Mb 16:30-33; 18:13.
E ushqejnë korbat. Elija përmendet për herë të parë në tregim kur Jehovai e dërgon të njoftojë Izraelin se do të ndëshkohet për mëkatet e tij. Fjalët e para që thotë janë: «Ashtu siç është e vërtetë që rron Jehovai, Perëndia i Izraelit, përpara të cilit qëndroj.» Elija tregon se Jehovai, Perëndia i gjallë i Izraelit, ka vendosur që të mos bjerë as shi, as vesë për disa vjet, përveçse me urdhër të Elijas. Kjo periudhë zgjat tre vjet e gjashtë muaj. (1Mb 17:1; Jk 5:17) Pas këtij njoftimi, Jehovai i thotë Elijas të shkojë në luginën e përroit të Kerit, në lindje të Jordanit, në territorin e fisit të Gadit. Këtu Jehovai përdor korbat që t’i çojnë ushqim. Për të pirë, pi nga përroi, i cili me kalimin e kohës shteron nga thatësira. Jehovai vazhdon ta udhëheqë dhe e nis jashtë territorit të Izraelit, në Zarefat, një qytet fenikas që asokohe varej nga Sidoni. Atje, afër qytetit të Sidonit, ku mbretëron Etbaali, vjehrri i mbretit Akab (1Mb 16:31), Elija takon një vejushë që përgatit vaktin e fundit për vete dhe të birin me atë pak miell e vaj që i ka mbetur. Ai i kërkon një kulaç dhe i premton se Jehovai do t’i sigurojë ushqim gjatë thatësirës. Meqenëse e pranon Elijan si njeriun e Perëndisë, ajo bën si i thotë ai dhe bekohet. (Krahaso Mt 10:41, 42.) Gjatë qëndrimit të Elijas në shtëpinë e saj, i vdes djali. Elija i lutet Perëndisë, i cili e kthen djalin përsëri në jetë. Kjo është ringjallja e parë që përmendet në Bibël dhe e treta nga tetë mrekullitë e Elijas.—1Mb 17.
Çfarë bëri Elija që Izraeli ta kuptonte se Jehovai është Perëndia i vërtetë?
Ndërkohë, Akabi s’ka lënë vend pa e kërkuar Elijan, pa dyshim për ta vrarë, por më kot. (1Mb 18:10) Në fund, Perëndia i thotë Elijas të dalë para Akabit. Elija paraqitet te mbreti dhe i kërkon të organizojë një takim me 450 profetët e Baalit dhe 400 profetët e shtyllës së shenjtë (Asherahut). Akabi i mbledh profetët në malin Karmel, jo shumë larg nga deti Mesdhe. (FIGURA, vëll. 1, f. 950 në botimin anglisht) Atëherë Elija i propozon popullit një provë për të treguar se cili është Perëndia i vërtetë që duhet ndjekur. Ai që përgjigjet duke përpirë demin që do t’i flijohet, duhet të pranohet nga të gjithë. Populli pranon. Në fillim thirret Baali, por më kot. Nuk ka zjarr, asnjë provë se Baali është perëndi i gjallë, sado që profetët e tij i luten e i luten, madje edhe priten sipas zakonit të tyre. Për pjesën më të madhe të ditës, ata kërcejnë çalë-çalë rreth altarit nën diellin përvëlues, kurse Elija tallet me ta pa mëshirë duke ua shtuar tërbimin.—1Mb 18:18-29.
Tani i vjen radha Elijas. Me 12 gurë, ai ndreq një nga altarët që ishin prishur, ndoshta me urdhër të Jezebelës. Pastaj i kërkon popullit të derdhë tri herë ujë mbi altarin dhe mbi blatimin; mbushet me ujë edhe hendeku rreth altarit që qarkon rreth 32 m2 vend. (1Mb 18:30-35) Rreth kohës kur paraqitet blatimi i përditshëm në drithë, Elija i bën një lutje të vetme Jehovait, i cili dërgon zjarr nga qielli dhe përpin jo vetëm blatimin, por edhe drutë, gurët e altarit dhe ujin që është në hendek. (1Mb 18:36-38) Kur e shohin këtë, njerëzit përkulen me fytyrë përtokë dhe thonë: «Jehovai është Perëndia i vërtetë! Jehovai është Perëndia i vërtetë!» Pastaj Elija jep urdhër që 450 profetët e Baalit të vriten në luginën e përroit të Kishonit. Në përgjigje të lutjes së Elijas, Jehovai i jep fund thatësirës me një rrebesh shiu. Pastaj, me fuqinë që i jep Jehovai, Elija arrin në Jezreel para karrocës së Akabit, duke vrapuar ndoshta për 30 km.—1Mb 18:39-46.
Ia mbath nga Jezebela. Kur merr vesh për vdekjen e profetëve të Baalit, mbretëresha Jezebelë betohet se nuk do ta lërë gjallë Elijan. Nga frika Elija ia mbath në Beer-Shebë, rreth 150 km drejt jugperëndimit, në perëndim të skajit jugor të Detit të Vdekur. (HARTA, vëll. 1, f. 949 në botimin anglisht) Pasi lë shërbëtorin atje, shkon edhe më thellë në shkretëtirë ku lutet që të vdesë. Atje i shfaqet një engjëll i Jehovait që ta përgatitë për një udhëtim të gjatë deri në Horeb, «në malin e Perëndisë së vërtetë». Ushqimi që ha, e mban për 40 ditë rrugë, kohë gjatë së cilës përshkon më shumë se 300 km. Në Horeb, Jehovai i flet pasi i shfaq në mënyrë të mahnitshme fuqinë e tij nëpërmjet një ere të fortë, një tërmeti dhe një zjarri. Jehovai nuk është as në erë, as në tërmet, as në zjarr; ai nuk është perëndi i natyrës dhe as thjesht mishërim i forcave të natyrës. Këto forca natyrore nuk janë vetë Jehovai, por thjesht shprehje të forcës së tij vepruese. I Plotfuqishmi i tregon se detyra e tij si profet ende s’ka mbaruar. Jehovai ia ndreq mendimin Elijas që thotë se është adhuruesi i vetëm i Perëndisë së vërtetë në gjithë Izraelin, duke i treguar se ka edhe 7.000 të tjerë që nuk janë përkulur para Baalit. Ai e nis në caktimin e tij, duke i dhënë emrat e tre burrave që duhet të mirosë ose t’u ngarkojë një detyrë nga Jehovai: Hazaelin si mbret të Sirisë, Jehun si mbret të Izraelit dhe Eliseun si pasuesin e vet.—1Mb 19:1-18.
Emëron Eliseun si pasuesin e vet. Më pas, Elija merr rrugën për në vendlindjen e Eliseut, Abel-Meholah, dhe e gjen Eliseun duke lëruar. I hedh sipër veshjen e vet zyrtare në shenjë të emërimit ose të mirosjes. Që nga kjo kohë, Eliseu bëhet shërbëtor i Elijas dhe e shoqëron kudo. Ai është pa dyshim me Elijan kur paraqitet një rast tjetër për të profetizuar kundër Akabit. Ky mbret i pangopur, adhurues i Baalit, ka shtënë në dorë në mënyrë të paligjshme një vresht që e kishte trashëguar Naboti, jezreliti. Për t’ia arritur qëllimit, ai lejon gruan e tij, Jezebelën, të ngrejë akuza të rreme, të përdorë dëshmitarë të rremë dhe gjykatës të padrejtë për të vrarë Nabotin. Elija e takon Akabin te vreshti dhe i thotë se gjakun e tij do ta lëpijnë qentë në të njëjtin vend ku kanë lëpirë gjakun e Nabotit. Ai tregon se të njëjtin short do të ketë edhe Jezebela.—1Mb 19:19; 21:1-26.
Rreth tre vjet më vonë, Akabi vdes në betejë. Karrocën e tij të luftës e lajnë te rezervuari i Samarisë dhe gjakun e tij e lëpijnë qentë. Kurse ekzekutimi i Jezebelës ka mundësi të jetë kryer 15 vjet më vonë. Akabin e pason në fron i biri, Ahaziahu. Ky mbret ndjek gjurmët e babait të tij të lig, sepse kur plagoset në një aksident ai kthehet te Baal-Zebubi, perëndia i rremë i Ekronit, për ta pyetur a do ta merrte veten. Elija i përcjell fjalën e Jehovait duke i thënë se meqë ka vepruar kështu, do të vdesë. Më pas, Ahaziahu nis tri grupe radhazi për të kapur Elijan (secili grup i përbërë nga 50 burra dhe një kapiten). Profeti kërkon të zbresë zjarr nga qiejt për të shfarosur dy grupet e para dhe, pas përgjërimit të kapitenit të tretë, ai shkon me të për t’ia thënë në sy Ahaziahut gjykimin e Jehovait kundër tij.—1Mb 22:1, 37, 38; 2Mb 1:1-17.
Eliseu bëhet pasuesi i tij. Vite më parë Elija i dha një emërim Eliseut dhe tani vjen koha kur duhet t’i japë veshjen që e identifikon si profet. Ndërkohë Eliseu është stërvitur mjaft mirë. Kjo ndodh gjatë kohës kur në Izrael mbretëron Jehorami, vëllai dhe pasuesi i Ahaziahut. Kështu, me Eliseun përkrah gjatë gjithë kohës, Elija shkon deri në Bethel, pastaj në Jeriko e më pas zbret në Jordan. Ndërsa është në Jordan, Eliseu shpërblehet për besnikërinë e tij duke parë një karrocë lufte të zjarrtë dhe kuaj të zjarrtë, si dhe Elijan që ngjitet në qiell me anë të një stuhie. Eliseu merr veshjen zyrtare që i bie Elijas dhe «dy pjesë» (si pjesa e të parëlindurit) nga fryma e Elijas, një frymë guximi dhe «zelli për Jehovain, Perëndinë e ushtrive».—2Mb 2:1-13; 1Mb 19:10, 14; krahaso Lp 21:17.
Elija nuk vdes në këtë kohë dhe as nuk shkon në ndonjë botë të padukshme frymërash, por shpërngulet për një caktim tjetër profetik. (Gjo 3:13) Kjo duket nga fakti që Eliseu nuk mban zi për zotërinë e tij. Disa vjet pasi ikën me anë të stuhisë, Elija është ende gjallë dhe duke shërbyer si profet, por këtë herë ballë për ballë Jehoramit, mbretit të Judës. Meqenëse ky ka vepruar me ligësi, Elija i shkruan një letër ku i bën të ditur dënimin e Jehovait, i cili përmbushet pak kohë më pas.—2Kr 21:12-15; shih QIELLI (Ngjitja në qiell).
Mrekullitë. Bibla i atribuon Elijas tetë mrekulli: (1) nuk la të binte shi, (2) bëri që mielli dhe vaji i vejushës nga Zarefati të mos shteronin, (3) ringjalli djalin e kësaj vejushe, (4) bëri të zbriste zjarr nga qielli në përgjigje të një lutjeje, (5) bëri të binte shi në përgjigje të një lutjeje për t’i dhënë fund thatësirës, (6) bëri të binte zjarr mbi kapitenin e mbretit Ahaziah dhe 50 burrat e tij, (7) bëri të binte zjarr mbi kapitenin e dytë dhe 50 burrat e tij dhe (8) ndau ujërat e lumit Jordan me veshjen e tij zyrtare. Edhe ngjitja e tij në qiell ishte një mrekulli, por ajo u bë drejtpërdrejt nga Perëndia, dhe jo nga ndonjë lutje ose shpallje e Elijas.
Elija e mbrojti me forcë adhurimin e vërtetë të Jehovait. Ai luftoi pa u epur dhe arriti të shkatërronte baalizmin në Izrael; veprën që filloi ai e vazhdoi Eliseu, dhe ekzekutimin e Jezebelës, bashkë me shkatërrimin e adhurimit të papastër të Baalit me çerdhe në Sidon, e përfundoi Jehu. Në kohën e Elijas 7.000 veta, mes të cilëve edhe Abdia, administratori i shtëpisë së Akabit, u treguan besnikë ndaj Jehovait; pa dyshim, Elija duhet të ketë qenë një burim i madh force për shumë prej tyre. Ai emëroi si pasuesin e tij Eliseun, i cili mirosi Hazaelin dhe Jehun.
Apostulli Pavël iu referua pa dyshim Elijas kur foli për «Samuelin e profetët e tjerë, që nëpërmjet besimit . . . vunë në veprim drejtësinë. . . . Gratë i morën prapë të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes». Pra, ai bën pjesë në ‘renë’ e dëshmitarëve besnikë të lashtësisë. (He 11:32-35; 12:1) Dishepulli Jakov e përmend rastin e Elijas për të treguar se sa peshë kanë lutjet e ‘një njeriu me ndjenja si tonat’ që i shërben Perëndisë me besnikëri.—Jk 5:16-18.
Një vepër që paralajmëronte gjërat që do të vinin. Rreth 450 vjet pas kohës së Elijas, Malakia profetizoi se do të shfaqej profeti Elija «përpara ardhjes së ditës së madhe e të frikshme të Jehovait». (Ma 4:5, 6) Judenjtë e kohës së Jezuit ishin në pritje të Elijas që të përmbushte këtë profeci. (Mt 17:10) Disa menduan se Elija ishte Jezui. (Mt 16:14) Gjon Pagëzori, që vishej me një rrobë leshi dhe mbante në ijë një brez lëkure si Elija, e mohoi se ishte Elija. (2Mb 1:8; Mt 3:4; Gjo 1:21) Engjëlli nuk i kishte thënë Zakarisë, të atit të Gjonit, se i biri do të ishte Elija, por se do të kishte ‘frymën dhe fuqinë e Elijas . . . që të bënte gati për Jehovain një popull të përgatitur’. (Lu 1:17) Jezui tregoi se Gjoni e kishte kryer atë vepër, por judenjtë nuk e kishin pranuar. (Mt 17:11-13) Pas vdekjes së Gjonit, gjatë shpërfytyrimit të Jezuit, Elija u shfaq në vegim me Moisiun. Kjo tregonte se duhej të ndodhte ende diçka që portretizohej nga vepra e Elijas.—Mr 9:1-8.
2. Bir i beniaminitit Jeroham; banor i Jerusalemit dhe kreu i shtëpisë së tij.—1Kr 8:1, 27, 28.
3. Prift levit nga «bijtë e Harimit» (1Kr 24:8; Ezd 2:1, 2, 39); një nga ata që ndoqën këshillën e Ezdrës për të larguar gratë e huaja.—Ezd 10:21, 44.
4. Pasardhës i Elamit; një nga ata që zbatuan këshillën e Ezdrës për të larguar gratë e huaja.—Ezd 10:26, 44.