SOLOMONI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «paqe»].
Bir i mbretit David nga linja e Judës; mbret i Izraelit nga viti 1037 deri në vitin 998 p.e.s. Pasi raporton vdekjen e birit të Davidit të lindur nga marrëdhënia e paligjshme me Betshebën, Bibla shton: «Pastaj Davidi filloi të ngushëllonte të shoqen, Betshebën. Ai hyri tek ajo dhe u shtri me të. Pas ca kohësh ajo lindi një djalë, të cilit ia vunë emrin Solomon. Dhe Jehovai e deshi vërtet atë. Ai çoi fjalë nëpërmjet profetit Natan dhe për hir të Jehovait ia vunë emrin Jedidiah.» (2Sa 12:24, 25) Më vonë, Solomoni pati tre vëllezër më të vegjël, bij të Davidit dhe të Betshebës: Shimean, Shobabin dhe Natanin.—1Kr 3:5.
Premtimi që Jehovai i bëri Davidit. Para lindjes së Solomonit, Jehovai i kishte thënë Davidit se do t’i lindte një djalë i cili do të quhej Solomon dhe do të ndërtonte një shtëpi për emrin e Tij. Duket se emri Jedidiah (që do të thotë «i dashur për Jah») iu vu për t’i treguar Davidit se tani Jehovai e bekonte martesën e tij me Betshebën dhe se e miratonte frytin e këtij bashkimi. Megjithatë fëmija nuk njihej me këtë emër. Pa dyshim, emri Solomon (që vjen nga rrënja e fjalës që do të thotë «paqe») lidhej me besëlidhjen që kishte bërë Jehovai me Davidin, ku Ai tha se Davidi, edhe pse ia donte zemra, nuk do t’i ndërtonte një shtëpi, sepse kishte derdhur shumë gjak nëpër beteja. (1Kr 22:6-10) Kjo s’do të thoshte se betejat e Davidit kishin qenë të padrejta. Mbretëria e Jehovait në tokë në thelb kishte natyrë dhe synime paqësore; luftërat e saj kishin për synim të zhduknin ligësinë dhe kundërshtarët e sovranitetit të Jehovait, të zgjeronin territorin e Izraelit deri në kufijtë e përcaktuar nga Perëndia dhe të vinin drejtësinë e paqen. Këto ishin objektivat që arriti Izraeli nëpërmjet luftërave të Davidit. Mbretëria e Solomonit në thelb ishte një mbretëri paqeje.
Adonijahu orvatet të marrë fronin. Pas lindjes, Solomoni përmendet sërish në Shkrime kur Davidi është tashmë i thyer në moshë. Davidi, duke mbajtur parasysh premtimin e Jehovait, i ishte betuar Betshebës se Solomoni do ta pasonte në fron. Këtë e dinte edhe profeti Natan. (1Mb 1:11-13, 17) Nga ana tjetër, nuk dihet nëse Adonijahu, gjysmëvëllai i Solomonit, ishte në dijeni të këtij betimi apo qëllimi të Davidit. Sido të ketë qenë, Adonijahu u orvat të merrte fronin në të njëjtën mënyrë si Absalomi. Mbase për shkak të pafuqisë së mbretit a ngaqë kishte mbështetjen e Joabit, kreut të ushtrisë, dhe të priftit Abiatar, Adonijahu ishte i bindur se do t’ia dilte. Megjithatë kjo ishte një tradhti, një tentativë për të marrë fronin ndërsa i ati ishte ende gjallë, aq më tepër pa miratimin e tij ose të Jehovait. Gjithashtu, Adonijahu zbuloi tinëzinë e tij kur organizoi një flijim në En-Rogel, ku synonte të shpallej mbret. Ai ftoi të gjithë bijtë e mbretit, burrat e Judës e shërbëtorët e mbretit, përveç Solomonit, profetit Natan, priftit Sadok dhe atyre që kishin luftuar përkrah Davidit, ndër ta edhe Benajahun, komandantin e tyre. Kjo tregonte se Adonijahu e konsideronte Solomonin rival dhe pengesë për ambiciet e tij.—1Mb 1:5-10.
Solomoni hipën në fron. Profeti Natan, përherë besnik ndaj Jehovait dhe ndaj Davidit, i bënte sytë katër. Në fillim, ai dërgoi Betshebën të njoftonte mbretin për komplotin, pastaj shkoi vetë te Davidi dhe e pyeti nëse shpallja e Adonijahut mbret ishte e autorizuar prej tij. Davidi veproi shpejt dhe me vendosmëri. Ai i kërkoi priftit Sadok dhe Natanit ta çonin Solomonin në Gihon, nën mbrojtjen e Benajahut dhe të burrave të tij. Ata duhej ta hipnin Solomonin në mushkën e mbretit (shenjë e një nderimi të madh që në këtë rast tregonte se ai ishte pasuesi i mbretit). (Krahaso Es 6:8, 9.) Urdhrat e Davidit u çuan në vend dhe Solomoni u miros e u shpall mbret.—1Mb 1:11-40.
Kur dëgjuan popullin që thërriste: «Rroftë mbreti Solomon» dhe muzikën që vinte nga Gihoni, jo shumë larg En-Rogelit, Adonijahu dhe komplotuesit e tjerë ia mbathën të frikësuar dhe të pështjelluar. Solomoni dha një ide të paqes që do të karakterizonte sundimin e tij, duke mos dashur ta njolloste me hakmarrje kurorëzimin e tij si mbret. Po të kishte qenë Adonijahu në vend të tij, ka shumë të ngjarë që do t’ia kishte marrë jetën Solomonit. Adonijahu ia mbathi drejt shenjtërores për të kërkuar mbrojtje, kështu Solomoni çoi njerëz që ta merrnin e ta sillnin para tij. Ai i bëri të ditur se, nëse tek ai nuk gjendej diçka e keqe, nuk do të vdiste e pastaj e nisi në shtëpinë e vet.—1Mb 1:41-53.
Porositë e Davidit. Para se të vdiste, Davidi e porositi solemnisht Solomonin ‘të përmbushte detyrimet që kishte ndaj Jehovait, Perëndisë së tij, duke ecur në udhët e tij, duke zbatuar ligjet e tij, urdhërimet e tij, vendimet e tij gjyqësore dhe përkujtuesit e tij’. Gjithashtu i kërkoi të mos e linte Joabin e Shimein ‘të zbritnin në paqe në Sheol’, si dhe t’u tregonte dashamirësi bijve të galaditit Barzilai. (1Mb 2:1-9) Ka të ngjarë që më përpara, Davidi t’i ketë dhënë udhëzime Solomonit për ndërtimin e tempullit dhe t’i ketë përcjellë projektin arkitekturor «që kishte marrë kur ishte nën frymëzim». (1Kr 28:11, 12, 19) Davidi i urdhëroi princat e Izraelit të pranishëm aty ta ndihmonin të birin, Solomonin, dhe të bashkëpunonin me të për ndërtimin e shenjtërores së Jehovait. Gjatë këtij rasti, populli e mirosi përsëri Solomonin si mbret dhe Sadokun si prift. (1Kr 22:6-19; kap. 28; 29:1-22) Bekimi që i dha Perëndia Solomonit u bë i dukshëm që në fillimet e mbretërimit të tij, sapo u ul «në fronin e Jehovait e filloi të mbretëronte në vend të atit të tij, Davidit», sepse ai nisi të «kishte sukses» dhe të forcohej në mbretërinë e tij.—1Kr 29:23; 2Kr 1:1.
Kërkesa rebele e Adonijahut. S’kaloi shumë dhe Solomonit iu desh të kryente porosinë e Davidit për Joabin. Për këtë u bë shkas një veprim i Adonijahut, i cili shfaqte akoma ambicie ndonëse Solomoni kish treguar mëshirë për të. Adonijahu iu afrua nënës së Solomonit dhe i tha: «Ti e di mirë se mbretëria duhej të ishte bërë imja dhe se gjithë Izraeli priste të bëhesha unë mbret. Mirëpo mbretëria i kaloi tim vëllai dhe u bë e tija, sepse ia dha Jehovai.» Me këto fjalë Adonijahu tregoi se e pranonte që në kurorëzimin e Solomonit kishte dorë Jehovai, mirëpo kërkesa që bëri më pas ishte një tentativë tjetër dinake për të marrë mbretërinë. Ai i tha Betshebës: «Të lutem, thuaji mbretit Solomon . . . që të më japë për grua shunamiten Abishaga.» Adonijahu mund të ketë menduar se, përveç mbështetjes së Joabit dhe të Abiatarit, kishte mjaft ndjekës. Veç kësaj, duke marrë gruan që u kujdes për Davidin, (e cila konsiderohej konkubinë e tij, megjithëse nuk pati marrëdhënie me të), Adonijahu mund të niste një revoltë për të rrëzuar nga froni Solomonin. Sipas zakonit, gratë dhe konkubinat e një mbreti i merrte vetëm pasuesi i tij ligjor; kështu, ai që merrte këto gra konsiderohej si pretendent për fronin. (Krahaso 2Sa 16:21, 22.) Betsheba, që nuk e pikasi dyfytyrësinë e Adonijahut, ia përcolli kërkesën e tij Solomonit, i cili e kuptoi menjëherë se ishte një orvatje për të marrë fronin, kështu pa e bërë të gjatë dërgoi Benajahun që të vriste Adonijahun.—1Mb 2:13-25.
Abiatari shkarkohet; Joabi vritet. Pas kësaj, Solomoni u mor me ata që kishin komplotuar me Adonijahun. Ai e shkarkoi Abiatarin nga detyra e priftit, siç kishte thënë Jehovai kundër shtëpisë së Eliut (1Sa 2:30-36), por nuk e ekzekutoi sepse kishte mbajtur Arkën para Davidit dhe kishte vuajtur me të. Vendin e Abiatarit e zuri Sadoku. Ndërkohë Joabi, që kishte dëgjuar ç’po bënte Solomoni, ia mbathi drejt altarit dhe mbërtheu fort brirët e tij, por pikërisht aty e vrau Benajahu me urdhër të Solomonit.—1Mb 2:26-35.
Shimei ekzekutohet. Meqë kishte mallkuar të atin, Davidin, Solomoni e detyroi Shimein me një betim që t’u nënshtrohej disa kufizimeve. Rreth tre vjet më vonë ai i theu kufizimet dhe Solomoni urdhëroi të vritej. Kështu u çua plotësisht në vend urdhri që i dha Davidi Solomonit.—1Mb 2:36-46.
Kërkesa e mençur e Solomonit. Në fillim të mbretërimit të Solomonit, populli i bënte flijimet në shumë ‘vende të larta’, sepse nuk kishte një shtëpi për Jehovain, ndonëse tabernakulli gjendej në Gibeon dhe arka e besëlidhjes në një tendë në Sion. Megjithëse kishte thënë se emri i tij duhej të vihej në Jerusalem, me sa duket Jehovai e toleroi këtë praktikë derisa të ndërtohej tempulli. (1Mb 3:2, 3) Në Gibeon, që njihej si «vendi i lartë më i rëndësishëm», Solomoni bëri një mijë flijime të djegura. Atje Jehovai iu shfaq në një ëndërr dhe i tha: «Më thuaj: ç’dëshiron të të jap?» Ai nuk i kërkoi pasuri, lavdi dhe fitore, por kërkoi një zemër të mençur, të bindur e plot kuptueshmëri që të ishte në gjendje të gjykonte Izraelin. Kërkesa e përulur e Solomonit i pëlqeu aq shumë Jehovait, sa nuk i dha vetëm aq sa kërkoi, por edhe pasuri e lavdi ‘gjatë gjithë jetës, si asnjë mbreti para tij’. Megjithatë, Jehovai shtoi: «Jo vetëm kaq, por do të të zgjas edhe jetën nëse do të ecësh në udhët e mia, duke zbatuar rregullat dhe urdhërimet e mia, ashtu siç eci Davidi, ati yt.»—1Mb 3:4-14.
Pak kohë më pas, dy prostituta i parashtruan Solomonit një problem të ndërlikuar. Ato vajtën para tij që ai të vendoste se kujt i përkiste një fëmijë dhe Solomoni tregoi se Perëndia i kishte dhënë vërtet mençuri për të gjykuar. Kjo e përforcoi shumë autoritetin e Solomonit në sytë e popullit.—1Mb 3:16-28.
Projektet e ndërtimit. (FIGURAT, vëll. 1, f. 748, 750, 751 në botimin anglisht) Vitin e katërt të mbretërimit të tij, muajin e dytë (muajin ziv [prill-maj]) të vitit 1034 p.e.s., Solomoni filloi të ndërtonte shtëpinë e Jehovait në malin Moriah. (1Mb 6:1) Ndërtimi i tempullit shkoi qetë; gurët priteshin në formën e duhur para se të çoheshin në kantier, kështu që nuk dëgjohej asnjë zhurmë çekani, sëpate ose vegle tjetër hekuri. (1Mb 6:7) Hirami, mbreti i Tirit, bashkëpunoi duke e furnizuar me dru cedri e dëllinje në këmbim të grurit e të vajit. (1Mb 5:10-12; 2Kr 2:11-16) Gjithashtu i siguroi Solomonit punëtorë, si edhe një mjeshtër të zotin, Hiramin, birin e një tirasi dhe të një hebreje. (1Mb 7:13, 14) Solomoni rekrutoi 30.000 burra për punë të detyruar dhe i dërgoi në Liban me radhë, 10.000 burra çdo muaj. Secili grup kthehej në shtëpi për dy muaj. Veç këtyre, kishte edhe 70.000 hamej e 80.000 gurprerës që nuk ishin izraelitë.—1Mb 5:13-18; 2Kr 2:17, 18.
Përurimi i tempullit. Ky projekt ndërtimi i stërmadh zgjati shtatë vjet e gjysmë dhe përfundoi muajin e tetë (muaji bul) të vitit 1027 p.e.s. (1Mb 6:37, 38) Duket se u desh edhe ca kohë më shumë që të silleshin pajisjet dhe të vihej në vend çdo gjë, pasi Solomoni e shenjtëroi dhe e përuroi tempullin muajin e shtatë (muaji ethanim), në kohën e festës së Kasolleve. (1Mb 8:2; 2Kr 7:8-10) Pra, tempulli duhet të jetë përuruar muajin e shtatë të vitit 1026 p.e.s., 11 muaj pas përfundimit të ndërtesës, dhe jo një muaj para përfundimit të saj (në vitin 1027 p.e.s.), siç mendojnë disa.
Disa kanë nxjerrë teorinë se përurimi u bë vitin 24-t të mbretërimit të Solomonit (1014 p.e.s.), pasi përfundoi shtëpinë e tij dhe ndërtesa të tjera zyrtare, punë që zgjati edhe 13 vite të tjera ose gjithsej 20 vjet ndërtim. Kjo teori mbështetet në Septuagintën greke, ku janë shtuar disa fjalë që nuk gjenden në tekstin masoretik te 1 Mbretërve 8:1 (3 Mbretërve 8:1 te LXX, Bagster): «Pas njëzet vjetësh, kur kishte përfunduar ndërtimin e shtëpisë së Zotërisë dhe shtëpinë e vet, mbreti Solomon mblodhi të gjithë pleqtë e Izraelit në Sion për të nxjerrë arkën e besëlidhjes së Zotërisë nga qyteti i Davidit, domethënë Sioni, në muajin athanin.» Megjithatë, krahasimi i tregimit të Mbretërve me atë të Kronikave tregon se ky përfundim nuk është i saktë.
Tregimi i 1 Mbretërve në kapitujt 6 deri në 8 flet për ndërtimin e tempullit dhe përfundimin e tij; pastaj përmend ndërtesat zyrtare që ngriti Solomoni në 13 vjet; dhe në fund, pasi flet përsëri gjerë e gjatë për ndërtimin e tempullit dhe për sjelljen e ‘gjërave që kishte shenjtëruar Davidi, ati i tij’, tregimi vazhdon të flasë për përurimin. Me sa duket, kjo tregon që përshkrimi i ndërtesave zyrtare të ngritura nga Solomoni (1Mb 7:1-8) është ndërfutur thjesht për të plotësuar dhe përfunduar përshkrimin e projekteve të ndërtimit të Solomonit. Megjithatë, 2 Kronikave 5:1-3 duket se tregon në mënyrë më të drejtpërdrejtë se përurimi u bë sapo tempulli dhe pajisjet e tij ishin gati, pasi aty thuhet: «Më në fund, përfundoi gjithë puna që Solomonit iu desh të bënte për shtëpinë e Jehovait. Solomoni filloi të fuste brenda gjërat që kishte shenjtëruar Davidi, ati i tij. Argjendin, arin dhe gjithë pajisjet i vuri në thesarin e shtëpisë së Perëndisë së vërtetë. Atëherë Solomoni mblodhi në Jerusalem pleqtë e Izraelit dhe gjithë krerët e fiseve.» Pasi përshkruan deri në hollësi vendosjen e arkës së besëlidhjes në tempull nga priftërinjtë që e mbartën nga Qyteti i Davidit deri në kodrën e tempullit, tregimi vazhdon të flasë për përurimin.—2Kr 5:4-14; kap. 6, 7.
Disa e kanë vënë në dyshim teorinë e lartpërmendur, (pra, që përurimi u bë një vit pas përfundimit të tempullit), sepse te 1 Mbretërve 9:1-9 thuhet se Jehovai iu shfaq Solomonit pas ndërtimit «të shtëpisë së mbretit» dhe i tha se e kishte dëgjuar lutjen e tij. (Krahaso 2Kr 7:11-22.) Kjo ndodhi vitin e 24-t të mbretërimit të Solomonit, pas 20 vjet punimesh. Mos do të thotë kjo se Perëndia iu përgjigj pas 12 vjetësh lutjes që bëri Solomoni gjatë përurimit të tempullit? Jo, sepse gjatë përurimit, në fund të lutjes së Solomonit, «zbriti zjarr nga qiejt dhe përpiu blatimin e djegur e flijimet, dhe lavdia e Jehovait mbushi shtëpinë». Me anë të kësaj shfaqjeje të fuqishme Jehovai tregoi se e dëgjoi lutjen dhe u përgjigj me një veprim konkret, e pikërisht kështu e interpretoi edhe populli. (2Kr 7:1-3) Herën tjetër që iu shfaq Solomonit, Perëndia tregoi se nuk e kishte harruar lutjen e bërë 12 vjet më parë, dhe këtë herë e siguroi duke iu përgjigjur me zë. Gjatë kësaj shfaqjeje të dytë, Perëndia e këshilloi sërish Solomonin të vazhdonte besnik si i ati, Davidi.
Lutja e Solomonit. Në lutjen që bëri me rastin e përurimit të tempullit, Solomoni tha se Jehovai ishte Perëndi mbi gjithçka, Perëndi dashamirës e besnik, Plotësuesi i premtimeve të veta. Ndonëse tempulli ishte shtëpia e Jehovait, Solomoni e kuptonte se «qiejt, po, qiejt e qiejve» nuk e mbanin dot. Ai është Perëndi që dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve, Perëndi i drejtësisë që shpërblen të drejtin dhe i kërkon shpagim të ligut, por që e fal mëkatarin që pendohet dhe kthehet tek Ai. Nuk është «perëndi i natyrës», megjithatë ka në dorë dukuritë atmosferike, jetën shtazore, e madje kombet e tokës. Nuk është thjesht Perëndi i hebrenjve, por i të gjithë atyre që e kërkojnë. Në lutjen e tij, Solomoni shfaqi dëshirën ta shihte emrin e Jehovait të madhërohej në mbarë tokën; ai shprehu dashurinë e tij për drejtësinë dhe për atë që është e drejtë, dashurinë për Izraelin, popullin e Perëndisë, dhe për të huajt që do të kërkonin Jehovain.—1Mb 8:22-53; 2Kr 6:12-42.
Gjatë përurimit kryen shërbesa të gjithë priftërinjtë; në këtë rast nuk kishte nevojë të ruheshin ndarjet e organizuara nga Davidi. (2Kr 5:11) Ishte e nevojshme të shërbenin të gjithë sepse, përveç blatimeve në drithë, gjatë asaj feste që zgjati shtatë ditë dhe u mbyll me një asamble solemne ditën e tetë, u paraqitën si flijime të djegura dhe flijime në bashkësi 22.000 kokë gjedhë dhe 120.000 kokë dhen. U bënë aq shumë flijime, sa altari i madh prej bakri nuk mjaftoi, prandaj Solomonit iu desh të shenjtëronte një pjesë të oborrit për paraqitjen e flijimeve.—1Mb 8:63, 64; 2Kr 7:5, 7.
Më vonë, Solomoni u caktoi shërbimet përkatëse ndarjeve të priftërinjve dhe u besoi levitëve detyrat siç i kishte përcaktuar Davidi. Kështu tempulli u bë vendi ku të gjithë izraelitët duhej të mblidheshin për festat e tyre periodike dhe për t’i bërë flijime Jehovait.
Ndërtesat zyrtare. Pas përfundimit të tempullit, për 13 vjet Solomoni ndërtoi një pallat të ri mbretëror në malin Moriah, në jug të tempullit, ngjitur me oborrin e tij të jashtëm, por një nivel më poshtë. Afër tij ndërtoi Portikun e Fronit, Portikun e Shtyllave dhe Shtëpinë e Pyllit të Libanit. Të gjitha këto ndërtesa ngriheshin në pjerrinën që gjendej mes majës së kodrës së tempullit dhe kurrizit më të ulët të Qytetit të Davidit. Ai i ndërtoi një shtëpi edhe gruas së tij egjiptiane; ajo nuk u lejua ‘të banonte në shtëpinë e Davidit, mbretit të Izraelit, pasi’, siç tha Solomoni, «vendet ku ka ardhur arka e Jehovait janë të shenjta».—1Mb 7:1-8; 3:1; 9:24; 11:1; 2Kr 8:11.
Ndërtime në shkallë kombëtare. Pasi përfundoi ndërtesat zyrtare, Solomoni ndërmori një program ndërtimi në shkallë kombëtare. Ai përdori për punë të detyruar pasardhësit e kananitëve që izraelitët nuk i kishin shfarosur gjatë pushtimit të Kanaanit, por nuk ktheu në skllav asnjë izraelit. (1Mb 9:20-22; 2Kr 8:7-10) Ai ndërtoi dhe fortifikoi Gezerin (që faraoni ua kishte marrë kananitëve dhe ia kishte bërë dhuratë së bijës, gruas së Solomonit), Beth-Horonin e Sipërm dhe të Poshtëm, Baalathin e Tamarën; gjithashtu ndërtoi qytete-depo, qytete për karrocat dhe qytete për kalorësit. Gjithë mbretëria, bashkë me territorin në lindje të Jordanit, përfitoi nga këto ndërtime. Ai fortifikoi edhe Bregoren. Gjithashtu ‘mbylli të çarën e murit të Qytetit të Davidit’. (1Mb 11:27) Kjo mund t’i referohet ndërtimit ose zgjerimit të «murit rreth e qark Jerusalemit». (1Mb 3:1) Fortifikoi mirë Hazorin dhe Megidon; arkeologët kanë nxjerrë në dritë pjesë muresh të forta dhe portash të fortifikuara që mendojnë se janë rrënoja të ndërtimeve të Solomonit në këto qytete, tani të kthyera në gërmadha.—1Mb 9:15-19; 2Kr 8:1-6.
Pasuria dhe lavdia e tij. Solomoni u mor shumë me tregti. Flota e tij, në bashkëpunim me atë të Hiramit, sillte sasi të mëdha ari nga Ofiri, si edhe «dru algumi» e gurë të çmuar. (1Mb 9:26-28; 10:11; 2Kr 8:17, 18; 9:10, 11) Kuajt dhe karrocat e luftës importoheshin nga Egjipti dhe tregtarë nga çdo cep i botës së atëhershme sillnin mallra me bollëk. Të ardhurat vjetore të Solomonit arrinin në 666 talenta ari (rr. 256.643.000 dollarë), përveç argjendit, arit dhe sendeve të tjera me vlerë që sillnin tregtarët. (1Mb 10:14, 15; 2Kr 9:13, 14) Veç këtyre, «tërë mbretërit e tokës» sillnin çdo vit dhurata nga vendet e tyre: sende ari e argjendi, vaj balsami, armaturë, kuaj, mushka dhe gjëra të tjera me vlerë. (1Mb 10:24, 25, 28, 29; 2Kr 9:23-28) Madje, anijet e Tarshishit importonin edhe majmunë e pallonj. (1Mb 10:22; 2Kr 9:21) Solomoni pati 4.000 stalla kuajsh, karroca (1Mb 10:26 thotë 1.400 karroca) dhe 12.000 kuaj lufte (ose ndoshta kalorës).—2Kr 9:25.
Në mbarë tokën nuk kishte mbret aq të kamur sa Solomoni. (1Mb 10:23; 2Kr 9:22) Salloni ku gjendej froni i tij ia kalonte për nga madhështia çdo gjëje në mbretëritë e tjera. Froni ishte prej fildishi i veshur me ar të kulluar dhe prapa kishte një strehë të harkuar; deri te froni kishte gjashtë shkallë me gjashtë statuja luanësh në secilin krah, si dhe dy luanë të tjerë anash krahëve të fronit. (1Mb 10:18-20; 2Kr 9:17-19) Për të pirë përdorte vetëm enë prej ari; madje Bibla saktëson se «s’kishte asgjë prej argjendi, sepse në ditët e Solomonit atë s’e llogariste njeri». (2Kr 9:20) Në shtëpinë e tij dhe në tempull kishte harpa dhe vegla me tela të bëra me dru algumi. Në Judë nuk ishte parë kurrë më parë një sasi e tillë algumi.—1Mb 10:12; 2Kr 9:11.
Sigurimi i ushqimit për shtëpinë e tij. Sasia ditore e ushqimit për shtëpinë mbretërore të Solomonit arrinte në «tridhjetë kora [6,6 m3] majë mielli dhe gjashtëdhjetë kora [13,2 m3] miell i zakonshëm, dhjetë gjedhë të majmë, njëzet gjedhë kullote, njëqind dele, si dhe drerë, gazela, kaproj dhe qyqe të majme». (1Mb 4:22, 23) Sigurimi i ushqimit mbikëqyrej nga dymbëdhjetë nëpunës, një për çdo muaj të vitit. Secili mbikëqyrte një trevë të caktuar që nuk ishte ndarë sipas kufijve të fiseve, por sipas zonave të prodhimit bujqësor. Në këto furnizime futej edhe ushqimi për kuajt e shumtë të Solomonit.—1Mb 4:1-19, 27, 28.
Vizita e mbretëreshës së Shebës. Një ndër vizitorët më të shquar të vendeve të tjera që shkuan të shihnin lavdinë dhe pasurinë e Solomonit ishte mbretëresha e Shebës. Meqenëse «njerëz nga mbarë bota» kishin dëgjuar për famën e Solomonit, ajo u nis nga mbretëria e saj e largët ‘për ta vënë në provë me pyetje të ndërlikuara’. Ajo foli me të «për gjithçka që kishte në zemër» dhe «nuk pati asgjë aq të vështirë sa mbreti të mos dinte t’i jepte përgjigje».—1Mb 10:1-3, 24; 2Kr 9:1, 2.
Veç kësaj, kur pa madhështinë e tempullit dhe të shtëpisë së Solomonit, tryezën dhe enët me të cilat pinte, petkat e kamerierëve, si dhe flijimet e djegura që bëheshin rregullisht në tempull, mbretëresha «ngeli pa mend» dhe tha: «Ja, nuk më kishin treguar as gjysmën. Mençuria dhe begatia jote ua kanë kaluar gjërave që kam dëgjuar». Pastaj tha: ‘Lum shërbëtorët e këtij mbreti!’ E gjithë kjo e shtyu t’i thurte lavde e të bekonte Perëndinë Jehova, i cili ishte treguar i dashur me Izraelin duke caktuar Solomonin mbret për të gjykuar dhe për të vendosur drejtësinë.—1Mb 10:4-9; 2Kr 9:3-8.
Pastaj ajo i bëri Solomonit një dhuratë madhështore prej 120 talentash ari (46.242.000 dollarë), një numër të madh gurësh të çmuar dhe vaj balsami në sasi jashtëzakonisht të mëdha. Kurse Solomoni i dha mbretëreshës gjithçka që kërkoi, pa përmendur ato që zemra e shtyu t’i jepte e që ndoshta ishin më shumë se ato që i kishte çuar ajo.—1Mb 10:10, 13; 2Kr 9:9, 12.
Begatia e mbretërisë së tij. Për sa kohë Solomoni qëndroi besnik në adhurimin e vërtetë Jehovai e bekoi me mençuri, lavdi e pasuri, dhe kombi i Izraelit gëzoi miratimin e Perëndisë. Nëpërmjet Davidit Jehovai nënshtroi armiqtë e Izraelit dhe e bëri të patundur mbretërinë deri në kufijtë e saj më të skajshëm. Tregimi thotë: «Solomoni ishte sundimtar mbi të gjitha mbretëritë, që nga Lumi [Eufrati] deri në vendin e filistinëve dhe deri në kufirin e Egjiptit. Këto mbretëri i sollën dhurata dhe i shërbyen Solomonit gjatë gjithë jetës së tij.» (1Mb 4:21) Gjatë mbretërimit të Solomonit kishte paqe e «Juda dhe Izraeli ishin të shumtë sa kokrrizat e rërës buzë detit. Ata hanin, pinin dhe gëzonin». «Gjatë gjithë jetës së Solomonit, Juda dhe Izraeli banonin të sigurt, secili nën hardhinë dhe nën fikun e vet, që nga Dani deri në Beer-Shebë.»—1Mb 4:20, 25; HARTA, vëll. 1, f. 748 në botimin anglisht.
Mençuria e Solomonit. «Perëndia i jepte Solomonit mençuri e kuptueshmëri mjaft të madhe, dhe gjykim të thellë zemrës së tij, aq shumë sa rëra që gjendet në breg të detit. Mençuria e Solomonit ia kalonte mençurisë së gjithë atyre që jetonin në Lindje dhe gjithë mençurisë së Egjiptit.» Më pas, përmenden burra të tjerë jashtëzakonisht të mençur: Etani, ezrahiti (me sa duket këngëtar në kohën e Davidit dhe shkrimtari i Psalmit 89) bashkë me tre burra të tjerë të Izraelit. Por Solomoni ishte më i mençur; faktikisht «fama e tij u përhap në të gjitha kombet rreth e përqark. Ai tha tre mijë proverba dhe bëri një mijë e pesë këngë». Lëmi i dijeve të tij përfshinte bimët e kafshët, dhe proverbat bashkë me shkrimet e tij tek Eklisiastiu e te Kënga e Solomonit zbulojnë se kishte njohje të thellë për natyrën njerëzore. (1Mb 4:29-34) Nga Eklisiastiu mësojmë se ai meditoi shumë që «të gjente fjalë të këndshme dhe të shkruante fjalë të sakta të së vërtetës». (Ek 12:10) Ai fitoi shumë përvojë, duke u shoqëruar me njerëz të thjeshtë e me pozitë, duke vëzhguar me kujdes jetën, punën, shpresat e synimet e tyre, si dhe dallgët e jetës. Ai lartësoi njohurinë për Perëndinë dhe ligjet e tij e mbi të gjitha theksoi se ‘frika nga Jehovai është hapi i parë drejt njohurisë e mençurisë’ dhe se gjithë detyrimi i njeriut është ‘t’i frikësohet Perëndisë së vërtetë dhe të përmbushë urdhërimet e tij’.—Pr 1:7; 9:10; Ek 12:13; shih EKLISIASTIU.
Largohet nga drejtësia. Për aq kohë sa i qëndroi besnik adhurimit të Jehovait, Solomoni pati mbarësi. Me sa duket, ai i tha proverbat e tij dhe shkroi librin e Eklisiastiut e të Këngës së Solomonit, si dhe të paktën një Psalm (Ps 127), gjatë kohës kur i shërbente Jehovait me besnikëri. Megjithatë, ai filloi ta shpërfillte ligjin e Perëndisë. Bibla thotë: «Përveç bijës së faraonit, mbreti Solomon dashuroi shumë gra të huaja: moabite, amonite, edomite, sidonite dhe hitite. Këto ishin nga kombet për të cilat Jehovai u kishte thënë bijve të Izraelit: ‘Mos u përzieni me ata dhe as ata me ju. Me siguri ata kanë për ta kthyer zemrën tuaj që të ndjekë perënditë e tyre.’ Pikërisht me to u lidh Solomoni dhe i dashuroi. Ai pati shtatëqind gra, princesha, dhe treqind konkubina. Pak e nga pak gratë e tij ia kthyen zemrën. Kur Solomoni u plak, gratë ia kishin kthyer zemrën që të ndiqte perëndi të tjera. Kështu ai nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait, Perëndisë së vet, si kishte bërë Davidi, ati i vet. Solomoni filloi të ndiqte Ashtorethin, perëndeshën e sidonitëve, dhe Milkomin, gjënë e neveritshme të amonitëve. Solomoni filloi të bënte atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe nuk iu bind në çdo gjë Jehovait si Davidi, ati i tij. Në atë kohë Solomoni ndërtoi një vend të lartë për Kemoshin, gjënë e neveritshme të Moabit, në malin që gjendej përballë Jerusalemit, si dhe për Molekun, gjënë e neveritshme të bijve të Amonit. Kështu bëri për të gjitha gratë e tij të huaja, të cilat paraqitnin tymin e blatimeve dhe u bënin flijime perëndive të tyre.»—1Mb 11:1-8.
Megjithëse kjo ndodhi «kur Solomoni u plak», s’duhet të nxjerrim përfundimin se ai u largua nga adhurimi i pastër për shkak të matufosjes nga pleqëria, pasi Solomoni ishte relativisht i ri kur hipi në fron dhe mbretëroi 40 vjet. (1Kr 29:1; 2Kr 9:30) Tregimi nuk thotë se Solomoni e la plotësisht adhurimin dhe paraqitjen e flijimeve në tempull. Me sa duket, ai u përpoq të praktikonte një lloj besimi të përzier, që t’u pëlqente grave të huaja. Për këtë «Jehovait iu ndez zemërimi kundër Solomonit, sepse zemra e tij ishte larguar nga Jehovai, Perëndia i Izraelit, nga ai që iu shfaq dy herë». Jehovai i tha Solomonit se si pasojë do t’i hiqte një pjesë nga mbretëria, por jo gjatë kohës së tij, nga respekti për Davidin dhe për hir të Jerusalemit. Kjo gjë do të ndodhte në kohën e birit të Solomonit, kur do t’i linte vetëm një fis përveç Judës, fisin e Beniaminit.—1Mb 11:9-13.
Kundërshtarët e Solomonit. Që nga ajo kohë, Jehovai filloi t’i nxirrte kundërshtarë Solomonit, duke filluar me Jeroboamin nga fisi i Efraimit i cili, në kohën e Rehoboamit, bëri për vete dhjetë fise që nuk i qëndruan besnike mbretit dhe ngriti mbretërinë veriore që u quajt Izrael. Solomoni e kishte caktuar Jeroboamin në krye të gjithë shërbimit të detyruar për shtëpinë e Jozefit, meqë ishte treguar punëtor i palodhur kur ishte i ri. Veç tij, Solomonit po i sillnin telashe edhe Hadadi, edomiti, dhe Rezoni, një armik i Davidit që u bë mbret i Sirisë.—1Mb 11:14-40; 12:12-15.
Largimi i Solomonit nga Perëndia pati pasoja të këqija te sundimi i tij që u bë shtypës. Pa dyshim kjo kishte ardhur nga shterimi i të ardhurave për shkak se shpenzimet e qeverisë së tij kishin arritur kulmin. Gjithashtu kishte pakënaqësi mes atyre që ishin rekrutuar për punë të detyruar e, pa diskutim, edhe mes mbikëqyrësve të tyre izraelitë. Përderisa nuk e adhuronte Perëndinë me gjithë zemër, Solomoni nuk do të kishte më bekimin e Jehovait dhe as begati e mençuri që të vazhdonte të qeveriste me drejtësi e të zgjidhte problemet që lindnin. Vetë ai kishte thënë: «Kur të drejtët bëhen shumë, populli gëzon, por kur sundon njeriu i lig, populli psherëtin.»—Pr 29:2.
Fjalët e tij dolën shumë të vërteta, siç tregojnë ngjarjet që ndodhën pak pas vdekjes së Solomonit, nën mbretërinë e Rehoboamit. Nëpërmjet profetit Akijah, Perëndia i kishte thënë Jeroboamit se do t’i jepte dhjetë fise dhe, nëse do të zbatonte urdhërimet e Tij, Perëndia do t’i ngrinte një shtëpi të qëndrueshme, siç kishte bërë për Davidin. Pas kësaj, Solomoni kërkonte rastin për ta vrarë Jeroboamin, por ky ia mbathi në Egjipt ku sundonte pasuesi i babait të gruas egjiptiane të Solomonit. Jeroboami qëndroi atje deri kur vdiq Solomoni. Pastaj e shtyu popullin të ankohej para Rehoboamit dhe në fund u vu në krye të revoltës.—1Mb 11:26-40; 12:12-20.
Megjithëse zemra e tij ishte larguar nga Jehovai, Solomoni «u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit, atit të vet».—1Mb 11:43; 2Kr 9:31.
Jezui, trashëgimtar i ligjshëm i Solomonit. Mateu përmend njëri pas tjetrit pasardhësit e Solomonit deri te Jozefi, babai adoptues i Jezuit, dhe tregon se Jezui, duke pasur prejardhje mbretërore, kishte të drejtën ligjore për të trashëguar fronin e Davidit. (Mt 1:7, 16) Luka përmend njëri pas tjetrit paraardhësit e Jezuit deri te Heli, me sa duket i ati i Marisë. Ky ishte pasardhës i Natanit, një biri tjetër të Davidit dhe të Betshebës, pra i vëllait të një gjaku me Solomonin. (Lu 3:23, 31) Të dyja gjenealogjitë bashkohen te Zorobabeli dhe Shealtieli dhe pastaj ndahen përsëri në dy degë. (Mt 1:12, 13; Lu 3:27) Maria, nëna e Jezuit, ishte pasardhëse e Davidit nëpërmjet Natanit, kurse Jozefi, babai adoptues i Jezuit, ishte pasardhës i Davidit nëpërmjet Solomonit. Pra, Jezui ishte qoftë pasardhës gjaku, qoftë pasardhës i ligjshëm i Davidit, prandaj gëzonte të drejtën e plotë për të qenë mbret.—Shih GJENEALOGJIA E JEZU KRISHTIT.
Duhej të ruante zemrën. Për aq kohë sa pati një «zemër të bindur», siç merakosej në fillim, Solomoni gëzoi miratimin e Jehovait dhe pati mbarësi. Mirëpo, pasojat e hidhura që i erdhën tregojnë se njohuria, aftësitë e mëdha, fuqia, pasuria dhe fama nuk janë gjërat më të rëndësishme, dhe se kur largohesh nga Jehovai, ke braktisur mençurinë. Doli e vërtetë këshilla që dha vetë ai: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» (1Mb 3:9; Pr 4:23) Rasti i tij ilustron se sa e pabesë dhe e rrezikshme është zemra e njeriut mëkatar, por akoma më shumë, tregon se edhe zemra më e mirë mund të mashtrohet nëse nuk tregohet vigjilencë e vazhdueshme. Mund të kesh mbrojtje të sigurt vetëm kur do atë që do Jehovai dhe urren atë që urren ai, kërkon vazhdimisht drejtimin e tij dhe bën atë që i pëlqen atij.—Jr 17:9; Pr 8:13; He 1:9; Gjo 8:29.
Profecitë mesianike. Siç është profetizuar në Shkrime, ka shumë ngjashmëri ndërmjet mbretërisë së Solomonit dhe asaj të Mbretit të madh, Jezu Krishtit. Në shumë aspekte, sundimi i Solomonit, për aq kohë sa iu bind Jehovait, është në një shkallë të vogël model i Mbretërisë mesianike. Jezu Krishti, Solomoni më i Madh, erdhi si njeri i paqes dhe kreu dukshëm një vepër ndërtimi frymor që lidhej sidomos me rivendosjen e adhurimit të vërtetë mes ithtarëve të tij të mirosur në tempullin e madh frymor të Jehovait. (Mt 12:42; 2Ko 6:16; Gjo 14:27; 16:33; Ro 14:17; Jk 3:18) Solomoni ishte nga linja e Davidit siç ishte edhe Jezui. Emri i Solomonit (që vjen nga rrënja e fjalës që do të thotë «paqe») përputhet shumë mirë me Jezu Krishtin e lavdishëm si «Princ i Paqes». (Is 9:6) Emri i tij Jedidiah (që do të thotë «i dashur për Jah») përputhet me fjalët që tha vetë Perëndia për Birin e tij, Jezuin, kur u pagëzua: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.»—Mt 3:17.
Psalmi 72 është një lutje për mbretërinë e Solomonit: «Malet dhe kodrat le t’i sjellin popullit paqen. . . . Në ditët e tij, i drejti do të lulëzojë, dhe paqja do të jetë pa fund derisa të mos ketë më hënë. Do të ketë nënshtetas nga deti në det [me sa duket nga Deti Mesdhe deri në Detin e Kuq (Da 23:31)], dhe nga Lumi [Eufrati] deri në skajet e tokës.»—Ps 72:3-8.
Për shprehjen «derisa të mos ketë më hënë» në Psalmin 72:7, një studiues thotë: «Ky fragment është i rëndësishëm pasi tregon se në mendjen e psalmistit ishte qartësisht e pranishme ideja e një Mbreti, mbretëria e të cilit do të qëndronte deri në fund të gjithë kohërave. Fjalët përcaktojnë karakterin mesianik të të gjithë veprës.» Për vargun 8 ai vëren: «Mbretëria duhej të shtrihej në mbarë botën deri në çdo cep të tokës. Shtrirja e territorit izraelit gjatë mbretërimit të Davidit dhe të Solomonit mjaftonte për të ngjallur këtë shpresë, dhe për psalmistin mund të përbënte një garanci për realizimin e saj, por nën dritën e vargjeve të mëparshme, kjo deklaratë është ngushtësisht mesianike.»—Commentary, nga F. Kuku.
Profeti Mikea, në një profeci të pranuar gati botërisht si mesianike, përshkroi kushtet që ekzistonin në kohën e Solomonit: «Gjatë gjithë jetës së Solomonit, Juda dhe Izraeli banonin të sigurt, secili nën hardhinë dhe nën fikun e vet.» (1Kr 4:25; Mi 4:4) Profecia e Zakarisë (Za 9:9, 10) citon Psalmin 72:8 dhe Mateu e zbaton profecinë e Zakarisë për Jezu Krishtin.—Mt 21:4, 5.