Organizata e Jehovait mbështet shërbimin tënd
«Pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe kishte një lajm të mirë të përhershëm, për ta shpallur si sihariq.»—ZBULESA 14:6, BR.
1. Si janë sprovuar Dëshmitarët e Jehovait dhe pse kanë mbijetuar ata?
PSE është kaq e rëndësishme ta pranosh rolin e organizatës qiellore të Jehovait në mbështetjen e shërbimit të krishterë? E pra, a do ta kryenin Dëshmitarët e Jehovait predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë përmes një bote armiqësore, pa mbështetjen e morive qiellore të Jehovait? Dëshmitarët e kanë bërë një predikim të tillë përgjatë një shekulli të nacionalizmit ekstrem, sistemeve politike totalitare, luftërave botërore dhe mundimeve të ndryshme. Pa ndihmën e Jehovait, a do të kishin mbijetuar Dëshmitarët nga breshëria ndërkombëtare e paragjykimeve, njëanshmërisë dhe shpesh e persekutimit të dhunshëm, që është derdhur kundër tyre?—Psalmi 34:7.
Mbijetesë pavarësisht nga kundërshtimi mbarëbotëror
2. Cila paralele ekziston ndërmjet të krishterëve të vërtetë të shekullit të parë dhe atyre të sotëm?
2 Në këtë shekull të 20-të, armiqtë, si fetarë, ashtu edhe politikë, kanë ngritur çdo pengesë të mundshme, ligjore ose jo, në përpjekje për të penguar ose mbytur veprën e Jehovait. Vëllezërit e krishterë dhe motrat e krishtere janë persekutuar, i kanë paraqitur keq, për ta janë botuar shpifje dhe janë përgojuar, madje shumë i kanë vrarë, shpesh me shtytjen e klerit të Babilonisë së Madhe. Mund të thuhet, siç u tha për të krishterët e parë, se «me të vërtetë, për sa i përket këtij sekti, dimë se kudo flitet kundër». Ashtu si kleri judaik i kohës së Jezuit luftoi me mish e me shpirt për ta ndaluar këtë shërbim, po kështu kleri dhe apostatët, në aleancë me dashnorët e tyre politikë, janë përpjekur t’i zënë frymën veprës së madhe të dëshmisë arsimuese të popullit të Jehovait.—Veprat 28:22, BR; Mateu 26:59, 65-67.
3. Çfarë mund të mësojmë nga integriteti i Henrika Zhur?
3 Merr si shembull atë që ndodhi në Poloni, më 1 mars 1946. Henrika Zhur, një Dëshmitare 15-vjeçare nga një vend pranë Kelmit, shoqëronte një Dëshmitar për të shkuar te njerëzit e interesuar të një fshati të afërt. Ata u kapën nga anëtarët e një skuadre ushtarake katolike të quajtur Narodowe Siły Zbrojne (Forcat e Armatosura Kombëtare). Vëllain e rrahën egërsisht, por shpëtoi. Nuk ndodhi kështu me Henrikën. Ajo u torturua tmerrësisht për shumë orë, ndërsa përpiqeshin ta detyronin të bënte shenjën e kryqit katolik. Një prej torturuesve i tha: «Me vete mendo çfarë të duash, por vetëm bëj shenjën e kryqit katolik. Përndryshe, të pret plumbi!» A u dobësua integriteti i saj? Jo. Frikacakët fetarë e tërhoqën zvarrë drejt një pylli diku afër dhe shtinë mbi të. Megjithatë, ajo ishte fitimtare! Ata nuk kishin arritur t’ia thyenin integritetin.a—Romakëve 8:35-39.
4. Si janë përpjekur elementët politikë dhe fetarë ta ndalojnë veprën e predikimit të Mbretërisë?
4 Për më shumë se njëqind vjet, shërbëtorët e Perëndisë në kohët moderne janë trajtuar ashpërsisht dhe pa respekt. Meqenëse Dëshmitarët e Jehovait nuk janë dhe nuk dëshirojnë të jenë pjesë e feve më të përhapura të Satanait, konsiderohen si pre e përshtatshme për çdo kritik me paragjykime ose kundërshtar fanatik. Ata janë sulmuar mizorisht nga elementet politike. Shumë Dëshmitarë janë martirizuar për besimin e tyre. Edhe të ashtuquajturat demokraci janë përpjekur ta pengojnë predikimin e lajmit të mirë. Në vitin 1917, në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara, kleri u dha shtytje akuzave për subversion kundër Studentëve të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët. Zyrtarët e Shoqatës Watch Tower u burgosën padrejtësisht dhe vetëm më vonë u liruan.—Zbulesa 11:7-9; 12:17.
5. Cilat fjalë kanë shërbyer për të inkurajuar shërbëtorët e Jehovait?
5 Satanai ka përdorur çdo mjet që ka në dispozicion, në përpjekje për të ndalur veprën e dëshmisë të vëllezërve të Krishtit dhe të shokëve të tyre besnikë. Por megjithatë, siç tregohet nga shumë përvoja, as kërcënimet, as frikësimi, as dhuna fizike, as burgjet, as kampet e përqendrimit, as edhe vdekja, nuk i kanë bërë Dëshmitarët e Jehovait të heshtin. Në fakt, kështu ka ndodhur në rrjedhën e historisë. Herë pas here, fjalët e Eliseut kanë shërbyer si inkurajim: «Mos ki frikë, sepse janë më të shumtë ata që janë me ne, sesa ata që janë me ta.» Një arsye është se engjëjt besimplotë ua kalojnë në numër hordhive të Djallit!—2. Mbretërve 6:16, BR; Veprat 5:27-32, 41, 42.
Jehovai bekon predikimin e zellshëm
6, 7. (a) Cilat përpjekje të hershme u bënë për të predikuar lajmin e mirë? (b) Cili ndryshim dobiprurës ndodhi duke filluar nga viti 1943?
6 Në rrjedhën e shekullit të 20-të, Dëshmitarët e Jehovait kanë përdorur shumë përparime në teknologji, që të zgjerojnë dhe përshpejtojnë veprën e madhe të dëshmisë, përpara se të vijë fundi. Në vitin 1914, pastori Russell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, i dha shtytje përdorimit të hershëm të diapozitivave dhe filmit, të sinkronizuar këta me një koment të bazuar në Bibël, të regjistruar në disqe gramafoni, në një vepër biblike prej tetë orësh të quajtur «Fotodrama e Krijimit». Në atë kohë, kjo vepër habiti auditorët e shumë vendeve. Më vonë, në vitet 30 dhe 40, Dëshmitarët u bënë të njohur për predikimin e tyre nga shtëpia në shtëpi me gramafonë dore, duke përdorur fjalime biblike të regjistruara, të mbajtura nga J. F. Rutherford, kryetari i dytë i Shoqatës.
7 Në vitin 1943, u ndërmor një hap i guximshëm nën drejtimin e Nathan H. Knorr-it, kryetarit të tretë të Shoqatës, kur u vendos që në çdo kongregacion të hapej një shkollë. Dëshmitarët do të stërviteshin për të predikuar dhe mësuar nga shtëpia në shtëpi, pa përdorimin e disqeve të gramafonit. Që atëherë, janë organizuar shkolla të tjera, për stërvitjen e misionarëve, shërbëtorëve pionierë në kohë të plotë, pleqve të kongregacionit dhe mbikëqyrësve përgjegjës në degët e Shoqatës Watch Tower. Cili ka qenë rezultati?
8. Si treguan besim të madh Dëshmitarët në vitin 1943?
8 Në vitin 1943, në mes të Luftës II Botërore, kishte vetëm 129.000 Dëshmitarë aktivë në 54 vende. Por ata kishin besimin dhe vendosmërinë se Mateu 24:14 do të përmbushej përpara se të vinte fundi. Ishin të bindur se Jehovai do të bënte që përpara vijimit të ngjarjeve, të cilat do t’i jepnin fund këtij sistemi të korruptuar gjërash, të shpallej së pari mesazhi i rëndësishëm paralajmërues. (Mateu 24:21; Zbulesa 16:16; 19:11-16, 19-21; 20:1-3) A janë shpërblyer përpjekjet e tyre?
9. Cilat fakte tregojnë se vepra e predikimit ka lulëzuar?
9 Tani ka të paktën 13 vende që kanë më shumë se 100.000 Dëshmitarë aktivë secili. Disa prej tyre janë vende ku mbizotëron Kisha Katolike. Megjithatë, shiko se si është situata. Brazili ka rreth 450.000 lajmëtarë të lajmit të mirë dhe në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në vitin 1997, morën pjesë mbi 1.200.000 veta. Meksiko është një shembull tjetër, me pothuajse 500.000 Dëshmitarë dhe me mbi 1.600.000 veta në kremtimin e Përkujtimit. Vende të tjera katolike janë Italia (rreth 225.000 Dëshmitarë), Franca (rreth 125.000), Spanja (mbi 105.000) dhe Argjentina (më shumë se 115.000). Në Shtetet e Bashkuara, ku mbizotërojnë fetë protestante, katolike dhe judaike, ka rreth 975.000 Dëshmitarë dhe të pranishëm në Përkujtim ishin mbi 2.000.000 veta. Sigurisht, turma të mëdha po vërshojnë jashtë Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme me mësimet e saj mistike, dhe po u drejtohen premtimeve të thjeshta dhe të sigurta të Perëndisë, për «qiej të rinj dhe tokë të re».—2. Pjetrit 3:13; Isaia 2:3, 4; 65:17; Zbulesa 18:4, 5; 21:1-4.
U përshtaten nevojave të njerëzve
10. Si kanë ndryshuar rrethanat në disa zona?
10 Shumë prej atyre që i janë drejtuar Jehovait nëpërmjet Jezu Krishtit, janë gjetur nga shtëpia në shtëpi. (Gjoni 3:16; Veprat 20:20) Por janë përdorur edhe metoda të tjera. Kohët kanë ndryshuar dhe kushtet ekonomike janë të tilla që shumë gra janë në punë. Shpesh, gjatë javës, në shtëpi mund të gjenden pak njerëz. Kështu, Dëshmitarët e Jehovait i janë përshtatur situatës. Ashtu si Jezui dhe dishepujt e hershëm, ata shkojnë ku dhe kur gjenden njerëzit.—Mateu 5:1, 2; 9:35; Marku 6:34; 10:1; Veprat 2:14; 17:16, 17.
11. Ku po predikojnë sot Dëshmitarët e Jehovait dhe me çfarë rezultati?
11 Dëshmitarët po marrin iniciativën dhe po u predikojnë me maturi njerëzve në vende të mëdha parkimi, qendra tregtare, uzina, zyra dhe qendra biznesi, shkolla, rajone policie, pika karburanti, hotele dhe restorante, si edhe në rrugë. Në fakt, ata predikojnë kudo ku mund të gjenden njerëz. Gjithashtu, kur njerëzit janë në shtëpi, Dëshmitarët vazhdojnë t’u shkojnë aty. Kjo mënyrë afrimi e përshtatshme dhe praktike po sjell si rezultat një shpërndarje më të madhe të literaturës biblike. Po gjenden persona të tjerë ngjashëm deleve. Po fillohen studime të reja biblike. Vepra më e madhe arsimuese në historinë njerëzore po kryhet me zell nga më shumë se pesë milionë e gjysmë shërbëtorë vullnetarë! A e ke privilegjin të jesh një prej tyre?—2. Korintasve 2:14-17; 3:5, 6.
Çfarë i motivon Dëshmitarët e Jehovait?
12. (a) Si po e mëson Jehovai popullin e tij? (b) Çfarë efekti ka ky mësim?
12 Në ç’mënyrë përfshihet organizata qiellore në gjithë këtë? Isaia profetizoi: «Të gjithë bijtë e tu do të jenë persona të mësuar nga Jehovai dhe paqja e bijve të tu do të jetë e bollshme.» (Isaia 54:13, BR) Jehovai po e mëson këtë vëllazëri të bashkuar mbarëbotërore me anë të organizatës së tij të dukshme, nëpër Salla Mbretërie, në kongrese dhe në asamble. Rezultati janë uniteti dhe paqja. Mësimi i Jehovait ka bërë të formohet një popull unik, i mësuar për ta dashur njëri-tjetrin dhe të afërmin e tyre si veten dhe jo për të urryer të afërmit e tyre, kudo që jetojnë në këtë botë përçarëse dhe të përçarë.—Mateu 22:36-40.
13. Si mund të jemi të sigurt se në veprën e predikimit përfshihet drejtimi engjëllor?
13 Dashuria është ajo që motivon Dëshmitarët e Jehovait për të vazhduar predikimin, pavarësisht nga apatia ose persekutimi. (1. Korintasve 13:1-8) Ata e dinë se vepra e tyre jetëshpëtuese po drejtohet nga qielli, siç pohohet në Zbulesën 14:6. Cili është mesazhi që po shpallet nën drejtimin engjëllor? «Druani Perëndinë e jepini lavdi, sepse ora e gjykimit prej tij ka mbërritur dhe adhuroni Atë që bëri qiellin, tokën, detin dhe burimet e ujërave.» Predikimi i lajmit të mirë të Mbretërisë lartëson emrin e Jehovait. Njerëzit po i ftojnë për t’i dhënë lavdi Krijuesit, Perëndisë, jo krijesave dhe evolucionit të verbër. Po pse është kaq urgjente vepra e predikimit? Sepse ora e gjykimit ka mbërritur: gjykimi kundër Babilonisë së Madhe dhe të gjitha aspekteve të tjera të sistemit të dukshëm të gjërave të Satanait.—Zbulesa 14:7, BR; 18:8-10.
14. Kush përfshihet në këtë fushatë të madhe mësimi?
14 Asnjë i krishterë i dedikuar nuk është i përjashtuar nga kjo vepër predikimi. Pleqtë frymorë marrin drejtimin në predikimin me kongregacionin. Pionierët e stërvitur janë plotësisht të zënë në këtë vepër. Lajmëtarët e zellshëm të mesazhit të Mbretërisë, edhe nëse predikojnë pak ose shumë orë në muaj, po e shpërndajnë mesazhin në çdo cep të tokës.—Mateu 28:19, 20; Hebrenjve 13:7, 17.
15. Cili është një tregues i përshtypjes që ka bërë predikimi i Dëshmitarëve të Jehovait?
15 A i ka bërë përshtypje botës e gjithë kjo përpjekje? Një provë e thjeshtë se po, është numri i herëve që është folur për Dëshmitarët e Jehovait në programet televizive dhe në faqet e gazetave. Shpesh, këto nxjerrin në pah ngulmimin dhe vendosmërinë tonë për të arritur këdo. Po, zelli ynë dhe vizitat e vazhdueshme bëjnë një përshtypje të thellë, edhe nëse shumica e njerëzve e refuzojnë lajmin dhe lajmëtarët.
Zelli ynë për të plotësuar dëshminë
16. Cili qëndrim duhet manifestuar tani, në kohën e kufizuar që mbetet?
16 Ne nuk e dimë se sa kohë i ka mbetur këtij sistemi gjërash dhe as që kemi nevojë ta dimë, për sa kohë motivi për të cilin i shërbejmë Jehovait është i pastër. (Mateu 24:36; 1. Korintasve 13:1-3) Por dimë se që të manifestohen dashuria, fuqia, drejtësia e Jehovait, «së pari» duhet predikuar lajmi i mirë. (Marku 13:10) Prandaj, pavarësisht se për sa vjet mund të kemi pritur me padurim fundin e kësaj bote të ligë, të padrejtë dhe të dhunshme, duhet që të jetojmë me zell në lartësinë e dedikimit tonë në përputhje me rrethanat tona. Mund të jemi të moshuar ose të sëmurë, por megjithatë, mund t’i shërbejmë Jehovait me zellin që patëm në ditët kur ishim më të rinj ose më të shëndetshëm. Ndoshta nuk mund t’ia dalim më që të kalojmë në shërbim po aq kohë sa kalonim më parë, por me siguri mund të ruajmë cilësinë e sakrificës sonë për të lavdëruar Jehovain.—Hebrenjve 13:15.
17. Trego një përvojë inkurajuese, që mund të na ndihmojë të gjithëve.
17 Prandaj, qofshim të rinj a të moshuar, le të tregojmë zell dhe le ta ndajmë lajmin tonë pozitiv të botës së re, me të gjithë ata që takojmë! Le të jemi si vogëlushja shtatëvjeçare në Australi, e cila shkoi në dyqan me nënën e saj. Në Sallën e Mbretërisë kishte dëgjuar se sa e rëndësishme ishte që të gjithë të predikojnë, kështu që futi në çantën e vet dy broshura biblike. Ndërsa e ëma ishte e zënë në banak, vogëlushja u zhduk. Kur mamaja po e kërkonte, ja tek e sheh që po i ofronte një zonje një broshurë! E ëma shkoi menjëherë që t’i kërkonte ndjesë për bezdinë që mund t’i kishte shkaktuar. Por zonja e kishte pranuar broshurën me përzemërsi. Kur mamaja mbeti vetëm me të bijën, e pyeti se si mori guximin për t’iu afruar një personi të panjohur. «Thashë vetëm: ‘Gati, nisu!’ Dhe u nisa!»
18. Si mund të tregojmë një frymë të admirueshme?
18 Të gjithë ne kemi nevojë për një frymë si ajo e vogëlushes australiane, sidomos për t’iu afruar me lajmin e mirë personave të panjohur apo edhe zyrtarëve. Mund të kemi frikë se nuk na pranojnë. Le të mos harrojmë atë që tha Jezui: «Mos jini në ankth për atë se si ose se çfarë do të flitni për t’u mbrojtur, ose se çfarë do të thoni, sepse fryma e shenjtë do t’ju mësojë në po atë orë gjërat që duhet të thoni.»—Luka 12:11, 12, BR.
19. Si ndihesh në lidhje me shërbimin tënd?
19 Pra, beso në ndihmën e frymës së Perëndisë, ndërsa me mirësjellje u drejtohesh me lajmin e mirë njerëzve. Miliona njerëz e vënë besimin e tyre në burra e gra shpesh të padenjë, që sot janë e nesër s’janë. Ne kemi besim në Jehovain dhe në organizatën e tij qiellore: Krishti Jezu, engjëjt e shenjtë dhe të krishterët e mirosur të ringjallur, që janë gjallë përgjithmonë! Prandaj, mos harro: «Janë më të shumtë ata që janë me ne, sesa ata që janë me ta!»—2. Mbretërve 6:16, BR.
[Shënimi]
a Për shembuj të tjerë, shiko Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait 1994, faqet 217-220, anglisht.
Si përgjigjesh?
◻ Çfarë roli ka luajtur organizata qiellore e Perëndisë në mbijetesën e popullit të Jehovait?
◻ Cilat elemente politike dhe fetare i kanë sulmuar Dëshmitarët e Jehovait në shekullin e 20-të?
◻ Si ua kanë përshtatur Dëshmitarët e Jehovait shërbimin e tyre nevojave të kohës?
◻ Çfarë të motivon për të predikuar?
[Figura në faqen 17]
Henrika Zhur
[Figurat në faqen 18]
Japoni
Martinik
Shtetet e Bashkuara
Kenia
Shtetet e Bashkuara
Dëshmitarët e Jehovait predikojnë kurdo dhe kudo që gjenden njerëzit
[Figura në faqen 20]
Në fillimet e këtij shekulli, për përhapjen e mesazhit të Mbretërisë përdoreshin gramafonë