ABIMELEKU
[ati im është mbret].
Emër i përveçëm ose titulli zyrtar i disa mbretërve filistinë, ndoshta njësoj si faraoni për egjiptianët dhe cezari për romakët.
1. Mbreti i qytetit të Gerarit, ku rreth vitit 1919 p.e.s. banuan përkohësisht Abrahami dhe Sara. Duke menduar se ishin vëlla e motër, Abimeleku e mori Sarën që të bëhej gruaja e tij, por falë ndërhyrjes hyjnore, nuk e preku. I paralajmëruar nga Jehovai në një ëndërr, mbreti ia ktheu Sarën Abrahamit dhe i dha si dëmshpërblim bagëti e skllevër, si dhe 1.000 sikla argjendi (rr. 2.200 dollarë) si garanci se nuk e kishte prekur Sarën. Pak kohë më vonë, ky mbret bëri një besëlidhje paqeje dhe besimi reciprok me Abrahamin në Beer-Shebë.—Zn 20:1-18; 21:22-34.
2. Ndoshta një mbret tjetër i Gerarit në kohën kur Isaku shkoi atje për shkak të një zie buke. Kjo ndodhi pas vdekjes së Abrahamit, në vitin 1843 p.e.s. Isaku, njësoj si i ati, Abrahami, u përpoq ta paraqiste Rebekën si motrën e tij, por, kur mbreti zbuloi rastësisht se ajo ishte gruaja e Isakut, nxori një dekret që u siguronte mbrojtje të dyve. Pas njëfarë kohe, mbreti filloi ta kishte zili Isakun për shkak të begatisë që i dha Perëndia dhe i kërkoi të largohej. Ca kohë më vonë, ky mbret i Gerarit bëri një besëlidhje paqeje me Isakun, të ngjashme me atë që kishte bërë paraardhësi i tij me Abrahamin.—Zn 26:1-31.
3. Mbreti filistin i qytetit të Gathit në kohën e Davidit.—Ps 34:Mbishk.; shih AKISHI.
4. Djali që i lindi gjykatësit Gideon në Sikem nga konkubina e tij. Pas vdekjes së të atit, Abimeleku kërkoi me paturpësi dhe arrogancë të bëhej mbret. Nëpërmjet familjes me ndikim të së ëmës, ai u kërkoi me dinakëri pronarëve të tokave të Sikemit mbështetje financiare. Sapo e siguroi, punësoi disa horra, shkoi në shtëpinë e të atit në Ofrah dhe masakroi gjysmëvëllezërit e tij mbi një gur të vetëm. Nga 70 gjysmëvëllezërit e tij shpëtoi vetëm njëri, Jotami që ishte më i vogli.
Kështu, Abimeleku u shpall mbret, por Jehovai lejoi që mes banorëve të Sikemit dhe «mbretit» të tyre të ri të zhvillohej një frymë e keqe, me qëllim që të merrej hak për masakrën, për të cilën mbanin përgjegjësi të gjithë ata që u përzien në komplot. Një burrë me emrin Gaal, organizoi një revoltë, të cilën Abimeleku e shtypi menjëherë. Ai shtiu në dorë qytetin e Sikemit, e shkatërroi dhe hodhi atje kripë. Pastaj, sulmoi bodrumin e shtëpisë ose shenjtëroren e El-Beritit dhe i vuri zjarrin. Rreth një mijë nga bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm, pronarë të tokave të kullës së Sikemit që ishin strehuar atje, vdiqën të shkrumbuar. Menjëherë pas kësaj fitoreje, Abimeleku u vërsul kundër Tebezit në veri, ku një grua që gjendej mbi kullën e qytetit i hodhi mbi kokë gurin e sipërm të mullirit. Gjoja mbretërimi trevjeçar i Abimelekut mori fund kur, në përputhje me kërkesën e tij të fundit, shqytari i vet ia nguli shpatën tejpërtej që të mos thoshin se e kishte vrarë një grua.—Gjy 8:30, 31; 9:1-57; 2Sa 11:21.
5. Në tekstin masoretik, në të cilin bazohen disa përkthime (si Dio; KJ), te 1 Kronikave 18:16 përdoret emri ‘Abimelek’. Kurse Septuaginta greke, Vulgata latine, Peshita siriake dhe 12 dorëshkrime hebraike përdorin emrin ‘Ahimelek’, që është në përputhje me 2 Samuelit 8:17.