KASLUHIMI
Bir i Mizraimit, birit të Kamit, ose një popull me prejardhje nga Mizraimi. Bibla tregon se nga Kasluhimi «dolën filistinët». (Zn 10:6, 13, 14; 1Kr 1:8, 11, 12) Meqë shkrime të tjera thonë se filistinët vinin nga Kaftori ose nga Kreta (Jr 47:4; Am 9:7), disa studiues hedhin idenë se shprehjes «prej nga dolën filistinët» i duhet ndërruar vendi dhe duhet të dalë pas Kaftorimit, pasardhësit të fundit në radhë të Mizraimit. Megjithatë, nuk ka pse të hamendemi për ndonjë kontradiktë te këto shkrime. Tregimi i Zanafillës (që është paralel me atë të Kronikave) ka karakter gjenealogjik. Kurse shkrimet e tjera që tregojnë se filistinët vinin nga Kaftori, ka shumë mundësi të kenë karakter gjeografik, pra të bëjnë fjalë për një shpërngulje nga territori i Kaftorimit.
Populli i Kasluhimit nuk përmendet askund tjetër në Bibël dhe nuk ka lënë gjurmë të qarta në histori. Veç faktit që e kishin prejardhjen nga Mizraimi, emri i të cilit në kohët biblike ishte sinonim i Egjiptit, nuk ka ndonjë të dhënë që të tregojë në ç’vend banonin.