FYTYRA
Fjala hebraike dhe greke për «fytyrë» (heb., panéh; gr., prósopon) është përdorur në kuptime të ndryshme, njësoj si edhe fjala shqipe.
Shpesh, ato nënkuptojnë fytyrën në kuptimin e mirëfilltë, pra pjesën e përparme të kokës. (Zn 50:1; Mt 6:16, 17; Jk 1:23) Në mënyrë të ngjashme, mund të nënkuptojnë pjesën e përparme të diçkaje. (Da 26:9; 2Sa 10:9; Ezk 2:9, 10, ku termi hebraik për «fytyrë» është përkthyer «pjesën e përparme» ose «përpara».) Mund t’i referohen edhe sipërfaqes (Is 14:21; Jb 38:30; Ve 17:26, ku termi hebraik dhe grek për «fytyrë» është përkthyer «faqe») ose pamjes së jashtme të diçkaje.—Lu 12:46; Jk 1:11, Dio.
Sjellje ose pozicion. Shprehjet e fytyrës janë një tregues i rëndësishëm i humorit dhe ndjenjave të një njeriu. Për këtë arsye, shpesh fjala «fytyrë» përshkruan qëndrimin e Perëndisë e të njerëzve në rrethana të ndryshme ose pozicionin e dikujt nga pikëpamja e Perëndisë ose e të tjerëve. Më poshtë tregohen disa nga përdorimet më të shpeshta.
‘Të kërkosh fytyrën’ do të thotë të kërkosh të paraqitesh para dikujt, për shembull, para Perëndisë ose një sundimtari njerëzor, e të lutesh për pëlqimin a ndihmën e tij. (Ps 24:6, shën.; Ps 27:8, 9, shën.; Ps 105:4, shën.; Pr 29:26, shën.; Ho 5:15, shën.) Hebrenjtë përdornin shprehjen ‘të ngresh fytyrën e dikujt’, me të cilën nënkuptonin ‘ta vlerësoje’ atë person.—1Sa 25:35; shih PAANËSIA.
‘Të zbutësh fytyrën’ do të thotë të fashitësh zemërimin e dikujt ose të kërkosh pëlqimin a miratimin e tij.—Da 32:11, shën.; Ps 45:12, shën.
‘Që fytyra e dikujt të ndriçojë’ mbi dikë tjetër tregon shprehje pëlqimi (Nu 6:25; krahaso Ps 80:7) dhe ‘të vësh dikë përpara faqes sate’ nënkupton miratim e vëmendje.—Ps 41:12, NW; krahaso Ps 140:13, Kris.
«Fytyrë për fytyrë» mund të tregojë një marrëdhënie ose komunikim të ngushtë. Për shembull, Moisiu pati privilegjin të gëzonte një marrëdhënie të tillë me Perëndinë e të përdorej prej tij në mënyrë aq të fuqishme, sa u quajt një profet të cilin Jehovai «e njohu faqe për faqe». (Lp 34:10-12, Kris) Ndonëse thuhet se Moisiu shihte «pamjen e Jehovait» dhe se Jehovai fliste me të «gojë më gojë», ai nuk e pa kurrë në kuptimin e mirëfilltë fytyrën e Jehovait. Përkundrazi, sikurse tregon konteksti, Perëndia komunikonte me Moisiun hapur dhe gojarisht përmes një zëdhënësi engjëllor (e jo përmes vegimeve a ëndrrave), dhe kjo përbënte bazën për përdorimin e kësaj shprehjeje. (Nu 12:6-8; Da 33:20; Ve 7:35, 38; Ga 3:19; krahaso Zn 32:24-30; Ho 12:3, 4.) Moisiu u kujtoi izraelitëve se Perëndia foli «faqe për faqe» me ta, pasi e dëgjuan zërin e fuqishëm në malin Sinai, ndonëse askush prej tyre nuk e pa vërtet Jehovain.—Lp 5:4, Kris; 4:11-15; He 12:19.
Në kontrast me këtë, gjatë ekzistencës së tij paranjerëzore, Jezui kishte qenë personalisht me Atin dhe theksoi se edhe engjëjt, bijtë frymorë të Perëndisë, shohin «fytyrën» e Perëndisë teksa shërbejnë në oborret e tij qiellore. (Gjo 1:18; 8:57, 58; Mt 18:10; krahaso Lu 1:19.) Po ashtu, edhe ata që thirren si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin në qiell, në kohën e duhur, e shohin Perëndinë Jehova.—1Gjo 3:1-3.
Teksa krahasoi kuptueshmërinë që kishin pjesëtarët e kongregacionit të hershëm të krishterë për qëllimin e Perëndisë me kuptueshmërinë më të plotë që do të kishin kur të merrnin shpërblimin qiellor, e më tej, kur të arrinin të kuptonin në tërësi qëllimin hyjnor ndërkohë që përmbushej profecia, apostulli Pavël tha: «Tani për tani, ne shohim me konture të mjegullta me anë të një pasqyre të metaltë, por atëherë do të jetë fytyrë për fytyrë.»—1Ko 13:12; krahaso 2Ko 3:18; 4:6.
Të thuash a të bësh diçka ‘në fytyrë të dikujt’ do të thotë të jesh i drejtpërdrejtë ose tregon një përplasje ballazi (Jb 21:31) dhe, në kuptimin negativ, mund të nënkuptojë pafytyrësi dhe mungesë respekti. (Jb 1:11, DSF) Një shprehje e ngjashme është ‘kërcënimi i fytyrës’.—Ps 80:16.
‘Të kthesh ose të drejtosh fytyrën’ do të thotë të kesh një synim, qëllim ose dëshirë (2Mb 12:17, shën.) dhe përcjell idenë e një qëllimi dhe vendosmërie të patundur. (2Kr 20:3, shën.; Dn 11:16-19, shën.; Lu 9:51-53, shën.) Danieli ‘e ktheu fytyrën nga Jehovai’, në kuptimin që e kërkoi me ngulm, duke kërkuar ndihmën e tij. (Dn 9:3, shën.) Shpesh, vendosmëria e patundur pasqyrohet në pamjen e fytyrës kur shtrëngojmë buzët e nofullat, si dhe kur ia ngulim sytë dikujt a diçkaje. Isaia ishte aq i vendosur të mos i lejonte armiqtë ta pengonin në caktimin e tij, saqë ‘e bëri fytyrën si gur stralli’. (Is 50:7) Me kryeneçësinë dhe refuzimin e tyre për të pranuar korrigjimin, judenjtë rebelë «e bënë fytyrën më të fortë se shkrepi». (Jr 5:3) Në krahun tjetër, Jehovai ‘e ktheu fytyrën kundër’ shkelësve të ligjit të tij të drejtë dhe kjo nënkuptonte se i kishte hedhur poshtë dhe i kishte dënuar, me pasojë gjëmat ose vdekjen.—Le 17:10, shën.; Le 20:3-6, shën.; Jr 21:10; krahaso 1Pj 3:12.
Shprehja ‘të fshehësh fytyrën’ ka një shumëllojshmëri kuptimesh, në varësi të rrethanave. Shpesh, kur Perëndia Jehova e fshihte fytyrën, kjo nënkuptonte heqje të pëlqimit ose të fuqisë së tij mbështetëse. Kjo mund të jetë pasojë e mosbindjes së një individi ose një grupi njerëzish, si në rastin e kombit të Izraelit. (Jb 34:29; Ps 30:5-8; Is 54:8; 59:2) Në disa raste, shprehja mund të tregojë se Jehovai nuk shfaqet, pra nuk vepron ose nuk përgjigjet, në pritje të kohës së duhur. (Ps 13:1-3) Kërkesa e Davidit «fshihe fytyrën tënde nga mëkatet e mia», ishte një lutje që Perëndia t’i falte ose t’i linte mënjanë ato shkelje.—Ps 51:9; krahaso Ps 10:11.
Kur një njeri ose engjëll fsheh a mbulon fytyrën, mund të jetë shprehje e përulësisë ose e frikës a respektit me përnderim. (Da 3:6; 1Mb 19:13; Is 6:2) Mund të jetë edhe një shenjë zie. (2Sa 19:4) Ndërsa Elifazi la të kuptohej në mënyrë të rreme se begatia e kishte bërë Jobin arrogant, aq sa ‘fytyrën ia kishte mbuluar dhjami’. (Jb 15:27) Kur dikush i mbulonte fytyrën një tjetri, si në rastin e Hamanit, gjesti mund të tregonte turp e, me gjasë, edhe dënim.—Es 7:8; krahaso Ps 44:15; Jr 51:51, Dio.
‘Të kthesh fytyrën’ në anën tjetër mund të jetë një shfaqje indiference ose përbuzjeje e pacipë. (2Kr 29:6, shën.; Jr 32:33) Perëndia e tregon përçmimin për ata që hedhin poshtë këshillat e tij duke ‘u kthyer shpinën, e jo fytyrën’ ditën e katastrofës.—Jr 18:17.
‘Të pështyje në fytyrë’ dikë ishte një veprim mjaft domethënës sharjeje dhe poshtërimi.—Nu 12:14; Lp 25:9; Is 50:6; Mt 26:67.
Personi ose prania e tij. Fytyra është pjesa më e dukshme e njeriut, që e identifikon atë më shumë se çdo veçori tjetër e trupit, si dhe tipari më shprehës i personalitetit të tij. Për këtë arsye, fjala «fytyrë» është përdorur disa herë në mënyrë metonimike për vetë personin. Për shembull, shih 2 Samuelit 17:11 dhe Veprat 3:19, ku fjalët origjinale hebraike dhe greke për «fytyrë» janë përkthyer «vetë».
«Bukët e paraqitjes» në tabernakull, fjalë për fjalë në hebraisht quheshin «bukët e fytyrës» (Da 25:30), domethënë, ishin bukët e pranisë së Jehovait. Kjo shprehje theksonte sa afër ishte ai me popullin, pasi shenjtërorja përfaqësonte praninë e Tij.
Terma dhe përdorime të tjera. Termi grek për «fytyrë» (prósopon) përcakton disa herë edhe «pamjen e jashtme» që tregon një person, për shkak të pasurisë ose varfërisë, pozitës së lartë ose të ulët, dhe gjëra të tjera të ngjashme.—Mt 22:16; 2Ko 5:12; Ga 2:6.
Disa herë, fjala hebraike ʼaf (hundë; flegrat) i referohet vendndodhjes së hundës, prandaj përkthehet «fytyrë», zakonisht në kontekstin e përkuljes.—Zn 19:1; 48:12.