EZDRA
[ndihmë].
1. Prift nga linja e Aaronit; pasardhës i Eleazarit dhe i Finehasit. Ishte studiues, mjeshtër në zanatin e kopistit dhe mësues i Ligjit; njohës i mirë i hebraishtes dhe i aramaishtes. Ezdra kishte zell të vërtetë për adhurimin e pastër dhe «e kishte përgatitur zemrën e tij për t’u këshilluar me ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë». (Ezd 7:1-6, 10) Përveçse shkroi librin që mban emrin e tij, Ezdra me sa duket shkroi edhe dy Librat e Kronikave. Gjithashtu, sipas traditës judaike, ai filloi të mblidhte e të katalogonte librat e Shkrimeve Hebraike. Ezdra ka merita edhe si hulumtues i shquar; në dy Librat e Kronikave ai përmend 20 burime informacioni. Në kohën e tij judenjtë ishin shpërndarë në të katër anët, ndaj kishte nevojë për shumë kopje të Shkrimeve Hebraike dhe ka të ngjarë që Ezdra të ketë qenë i pari që çeli udhën në këtë fushë.
Bibla nuk jep asnjë hollësi për të kaluarën e Ezdrës. Ai jetoi në Babiloni. Rridhte nga një familje kryepriftërinjsh, por jo nga dega e veçantë nga vinin kryepriftërinjtë menjëherë pas kthimit nga mërgimi në vitin 537 p.e.s. Paraardhësi i fundit i Ezdrës që kishte shërbyer si kryeprift ishte Serajahu, në kohën e Zedekisë, mbretit të Judës. Atë e kishte vrarë Nabukodonosori pas pushtimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. (Ezd 7:1, 6; 2Mb 25:18, 21) Judenjtë në Babiloni vazhduan ta respektonin priftërinë, ndaj familjet priftërore e ruajtën identitetin. Veç kësaj, komuniteti jude ruajti të njëjtin organizim me në krye pleqtë. (Ezk 20:1) Ka të ngjarë që jo vetëm Ezdra, por edhe familja e tij donte që ai të njihte ligjin e Perëndisë. Kështu, Ezdra ishte mjaft i arsimuar në këtë fushë.
Nëse një burrë s’mund të bëhej skrib para moshës 30-vjeçare, sipas disa studiuesve, Ezdra mund të ketë qenë më shumë se 30 vjeç në vitin 468 p.e.s., kur shkoi në Jerusalem. Ai duhet të ketë jetuar gjatë kohës së mbretit Asuer, në kohën e Mordekait dhe të Esterës, kur doli dekreti për të shfarosur judenjtë në mbarë Perandorinë Perse. Në Babiloni kishte shumë judenj, prandaj kjo krizë e rëndë për kombin duhet të ketë lënë gjurmë të pashlyeshme tek Ezdra dhe duhet t’i ketë forcuar besimin se Jehovai kujdesej për popullin e tij e ishte në gjendje ta çlironte. Gjithashtu duhet ta ketë ndihmuar të piqej në gjykim dhe të aftësohej për të përmbushur detyrën e jashtëzakonshme që iu besua më vonë.—Es 1:1; 3:7, 12, 13; 8:9; 9:1.
Në Jerusalem. Ishte viti 468 p.e.s. Kishin kaluar 69 vjet që kur mbetja e judenjve besnikë ishte kthyer nga Babilonia nën drejtimin e Zorobabelit. Pikërisht në këtë vit, mbreti pers Artakserks Dorëgjati i plotësoi Ezdrës gjithçka që i kërkoi për të shkuar në Jerusalem e për t’i dhënë shtysë adhurimit të pastër. Sipas letrës zyrtare të mbretit, izraelitët që dëshironin të ktheheshin në Jerusalem, ishin të lirë të shkonin me Ezdrën.—Ezd 7:1, 6, 12, 13.
Pse judenjtë që ikën nga Babilonia kishin nevojë për besim të fortë edhe në kohën e Ezdrës?
Shumë judenj ishin pasuruar në Babiloni dhe Jerusalemi nuk ofronte shumë në kuptimin material. Qyteti kishte pak banorë. Pas një fillimi të mbarë nën drejtimin e Zorobabelit, dukej se gjendja kishte marrë teposhtën. Din Stenli, komentues, thotë: «Jerusalemi ishte tek-tuk i populluar dhe shpresa për një të ardhme e të riatdhesuarve të parë, dukej se ishte shuar. . . . Me siguri nga brishtësia e komunitetit të ri apo nga ndonjë sulm i befasishëm jo shumë kohë më parë i fiseve fqinje, për të cilat nuk dimë asgjë me saktësi, muret e Jerusalemit kishin mbetur të papërfunduara; portat e djegura e të pariparuara krijonin çarje të mëdha; shpatet e kodrave shkëmbore ishin mbuluar nga rrënojat. Tempulli kishte përfunduar, por ishte kompletuar dhe stolisur varfër.» (Ezra and Nehemiah: Their Lives and Times, nga Xhorxh Rolinsoni, Londër, 1890, f. 21, 22) Pra të ktheheshe në Jerusalem do të thoshte humbje pozite, shkëputje lidhjesh, braktisje e një jete pak a shumë të rehatshme dhe fillim i një jete të re në një vend të largët në kushte të mundimshme, të vështira e ndoshta të rrezikshme, pa përmendur udhëtimin e gjatë e plot rreziqe për shkak të fiseve arabe armiqësore dhe keqdashësve të tjerë që mund të ndesheshin rrugës. Shpërngulja në Jerusalem kërkonte guxim, zell për adhurimin e vërtetë dhe besim te Jehovai. Vetëm rreth 1.500 burra me familjet e tyre, mbase 6.000 vetë gjithsej, deshën dhe ishin gati të niseshin. Ezdra, në krye të tyre, kishte një detyrë shumë të vështirë, por e kaluara e kishte përgatitur dhe dora e Jehovait që ishte mbi të i dha forcë.—Ezd 7:10, 28; 8:1-14.
Perëndia Jehova u siguroi ndihmën e nevojshme materiale, pasi kushtet në Jerusalem nuk ishin të mira dhe ata që udhëtonin me Ezdrën ishin të kufizuar ekonomikisht. Mbreti Artakserks dhe shtatë këshilltarët e tij u nxitën të jepnin një kontribut vullnetar për të blerë kafshë flie dhe blatimet e tyre në drithë e në pije. Gjithashtu, ata e autorizuan Ezdrën të pranonte kontributet që do të jepeshin për këtë qëllim në provincën e Babilonisë. Nëse tepronin fonde, Ezdra dhe njerëzit e tij do të vendosnin si t’i përdornin. Enët për shërbimin në tempull duheshin dorëzuar të gjitha në Jerusalem. Nëse lindte nevoja, mund të merreshin fonde të tjera nga thesari i mbretit. Nëpunësit e thesarit matanë Lumit ishin njoftuar që Ezdra mund t’u kërkonte argjend, grurë, verë e vaj deri në një sasi të caktuar, si dhe kripë pa masë, dhe kërkesa e tij duhej plotësuar pa vonesë. Veç kësaj, priftërinjtë dhe punëtorët e tempullit ishin përjashtuar nga taksat. Gjithashtu, Ezdrën e autorizuan të emëronte krerë e gjykatës që të dënonin «me vdekje a me syrgjynosje, me gjobë në para a me burgim» të gjithë ata që nuk i bindeshin ligjit të Perëndisë dhe ligjit të mbretit.—Ezd 7:11-26.
Duke dalluar drejtimin e Jehovait, Ezdra iu fut menjëherë punës. Ai mblodhi izraelitët buzë lumit Ahava dhe e këqyri popullin për tri ditë. Ai pa se mes popullit kishte edhe disa priftërinj, por nuk ishte ofruar asnjë levit nga radhët e linjës jopriftërore, ndërkohë që ata nevojiteshin shumë për shërbimin në tempull. Atëherë Ezdra shfaqi dhuntinë e tij si drejtues. Para kësaj situate, ai nuk e lëshoi veten, por nisi menjëherë një përfaqësi zyrtare te judenjtë në Kasifi, të cilët iu përgjigjën kërkesës duke dërguar 38 levitë dhe 220 nethinimë. Bashkë me familjet e tyre, kjo e çoi në më shumë se 7.000 veta numrin e ndjekësve që do të rrugëtonin me Ezdrën.—Ezd 7:27, 28; 8:15-20.
Më pas, Ezdra shpalli një agjërim për t’i kërkuar Jehovait t’i çonte shëndoshë e mirë. Karvani i tij do të transportonte shumë pasuri, por Ezdra nuk donte në asnjë mënyrë t’ia zbehte lavdinë emrit të Jehovait duke kërkuar një shpurë, sepse i kishte thënë mbretit që kishte besim të plotë se Jehovai do t’i mbronte shërbëtorët e tij. Pasi iu lut me përgjërim Perëndisë, thirri 12 nga krerët e priftërinjve, peshoi me kujdes në duart e tyre kontributin, që sot mund të vlente më shumë se 43.000.000 dollarë, dhe ua besoi atyre.—Ezd 8:21-30.
Dora e Jehovait ishte vërtet me Ezdrën dhe njerëzit e tij. Ajo i mbrojti nga ‘armiku në udhë’ dhe ata arritën shëndoshë e mirë në Jerusalem. (Ezd 8:22) Priftërinjtë dhe levitët që shërbenin në tempull nuk i hapën probleme Ezdrës, por e pranuan dhe ai u dha gjërat me vlerë që kishte sjellë.—Ezd 8:31-34.
I nxit izraelitët të largojnë gratë e huaja. Pasi paraqiti flijime në tempull, Ezdra mori vesh nga princat se shumë nga populli, priftërinjtë dhe levitët që banonin atje, kishin marrë gra të huaja. Kur e dëgjoi, Ezdra shqeu rrobën dhe petkun e tij pa mëngë, filloi të shkulte qimet e kokës e të mjekrës dhe qëndroi ulur i shtangur deri në kohën e blatimit në drithë të mbrëmjes. Më pas, si ra në gjunjë dhe shtriu pëllëmbët drejt Jehovait, në prani të izraelitëve të mbledhur, ai rrëfeu mëkatet e popullit duke filluar që nga koha e paraardhësve të tyre.—Ezd 8:35–10:1.
Pas kësaj, duke folur në emër të popullit, Shekaniahu propozoi të bënin një besëlidhje me Jehovain që të largonin gratë e huaja dhe fëmijët e tyre, si dhe i tha Ezdrës: «Ngrihu, sepse kjo të takon ty dhe ne jemi me ty. Ji i fortë dhe vepro.» Atëherë Ezdra e vuri popullin të betohej dhe të gjithë ish-të mërguarve iu kërkua të mblidheshin në Jerusalem brenda tri ditësh për të ndrequr këtë faj. Ezdra i nxiti izraelitët e mbledhur të rrëfeheshin para Jehovait dhe të ndaheshin nga gratë e huaja. Për shkak se këtë shkelje e kishin bërë shumë nga populli, ishte e pamundur të rregullohej gjithçka aty për aty, por gradualisht për tre muaj papastërtia u eliminua.—Ezd 10:2-17.
Me Neheminë. Nuk dihet me siguri nëse Ezdra qëndroi në Jerusalem apo u kthye në Babiloni. Megjithatë, gjendja e mjerë e qytetit dhe korrupsioni që kishte molepsur priftërinë, me sa duket tregojnë se ai nuk ishte aty. Ndoshta Nehemia i kërkoi të kthehej pas rindërtimit të mureve të Jerusalemit. Sidoqoftë, ai shfaqet përsëri në Jerusalem kur i lexon Ligjin popullit të mbledhur dhe e mëson. Ditën e dytë të asamblesë krerët e popullit mbajtën një mbledhje të veçantë me Ezdrën për t’u thelluar në fjalët e Ligjit. Populli festoi hareshëm edhe festën e Kasolleve. Pas tetë ditë festimesh u vendos që 24 tishri të ishte dita e agjërimit, e rrëfimit të mëkateve dhe e lutjes. Nën drejtimin dhe urdhrat e Ezdrës e të Nehemisë, u bë ‘një marrëveshje e denjë për besim’, këtë herë jo thjesht me fjalë, por me shkrim dhe e vulosur nga princat, levitët e priftërinjtë.—Ne 8:1-9, 13-18; kap. 9.
Shkrimet. Libri që mban emrin e Ezdrës dhe Librat e Kronikave dëshmojnë se Ezdra ishte një hulumtues i palodhur, i aftë për të dalluar cilin variant të zgjidhte ndërmjet kopjeve të ndryshme të Ligjit që ekzistonin asokohe. Ai kërkoi me zell të pashoq në dokumentet zyrtare të kombit dhe, pa dyshim, falë përpjekjeve të tij kemi sot në dorë tregimin e saktë të Kronikave. Megjithatë s’duhet të harrojmë se atë e frymëzoi fryma e Perëndisë dhe se pati drejtimin e Tij në atë që bëri, me qëllim që të ruhej për dobinë tonë një pjesë e madhe e historisë së Izraelit.
Zelli i Ezdrës për drejtësinë, mbështetja te Jehovai me anë të lutjes, besnikëria me të cilën i mësonte ligjin e Perëndisë Izraelit dhe papërtueshmëria për të përkrahur adhurimin e vërtetë, e bëjnë atë pjesë të ‘resë së madhe të dëshmitarëve’ dhe një shembull të shkëlqyer.—He 12:1.
2. Prift që u kthye me Zorobabelin nga Babilonia në Jerusalem në vitin 537 p.e.s.—Ne 12:1, 13.