AMONITËT
[të Amonit].
Pasardhësit e Amonit (Ben-Amit), birit që i lindi Lotit dhe më të voglës nga dy vajzat e tij. (Zn 19:36-38) Ishin të afërm të moabitëve, pasardhësve të birit tjetër të Lotit, Moabit, dhe shpesh përmenden në historinë biblike dhe atë jobiblike së bashku me moabitët. Me izraelitët binin farefis më i largët; këtë lidhje, për të cilën flet Bibla, e mbështet fakti që gjuha e amonitëve ishte një dialekt i hebraishtes. Gjithsesi, me disa përjashtime tek-tuk, amonitët shfaqën armiqësi të tërbuar kundrejt kombit të Izraelit.
Territori i tyre. Nga respekti për stërgjyshin e tyre besnik, Lotin, Perëndia Jehova u dha në zotërim amonitëve territorin e banuar më parë nga refaimët, një popull shtatlartë që amonitët i quanin zamzumimë. (Lp 2:17-21) Ai vend shtrihej në lindje të pjesës jugore të lumit Jordan dhe fillimisht kufiri mes territorit të amonitëve dhe atij të moabitëve ndodhej në rrafshnaltën në lindje të Detit të Vdekur. Mirëpo, para se Izraeli të hynte në Kanaan, amoritët u kishin zhvatur amonitëve një pjesë toke dhe i kishin zmbrapsur në veri e në lindje, pra ishin ndërfutur mes territorit të tyre dhe atij të moabitëve (që humbën, po ashtu, goxha territor). (Nu 21:26; Js 12:2; Gjy 11:13, 22) Më pas, vendi i bijve të Amonit shtrihej kryesisht nga pjesa e sipërme e luginës gjarpërushe të përroit të Jabokut drejt lindjes, për nga shkretëtira (Nu 21:24; Js 12:2), dhe kishte kryeqytet Rabahun (Amani i sotëm), që ndodhej pranë burimeve të Jabokut. (Lp 3:11) Në ato vise, arkeologët kanë zbuluar vendbanime të lashta amonite dhe fortesa kufitare.
Të bindur ndaj urdhrit të Perëndisë, izraelitët bënë kujdes të mos i shkelnin trojet e amonitëve kur pushtuan vendin e amoritëve fqinjë. (Lp 2:37; Js 13:8-10) Kështu, ndonëse te Josiu 13:25 thuhet se fisi i Gadit mori si trashëgimi edhe ‘gjysmën e vendit të bijve të Amonit’, patjetër që bëhet fjalë për atë copë toke që amoritët ua kishin marrë dikur amonitëve, territor që ndodhej me sa duket mes lumit Jordan dhe rrjedhës së sipërme të Jabokut.
Betejat me Izraelin. Vetëm në epokën e mbretit Eglon të Moabit, amonitët dhe amalekitët u bashkuan me moabitët për të sulmuar Izraelin. Ata arritën gjer në Jeriko, në perëndim të Jordanit. (Gjy 3:12-14) Pasi gjykatësi Ehud fshiu pasojat e asaj mësymjeje (Gjy 3:26-30), amonitët nuk përbënin më ndonjë kërcënim të madh për Izraelin deri në ditët e Jefteut. Në atë kohë, izraelitët po u shërbenin sërish perëndive të kombeve, ndaj ishin të shtypur prej 18 vjetësh: amonitët u bënin presion nga lindja, kurse filistinët i kërcënonin nga perëndimi. Forcat amonite jo vetëm mbillnin terror mes izraelitëve që jetonin në Galaad, por edhe vërsuleshin në perëndim të Jordanit dhe u binin në qafë fiseve të Beniaminit, Judës dhe Efraimit. (Gjy 10:6-10) Si u pastruan më në fund nga adhurimi i rremë, izraelitët u bashkuan nën udhëheqjen e Jefteut. Pasi provoi se ishin krejt pa baza akuzat e amonitëve që Izraeli u kishte rrëmbyer tokën, Jefteu u dha dërrmën.—Gjy 10:16–11:33; shih JEFTEU.
Disa studiues i konsideronin të pasakta fjalët e Jefteut «Kemoshi, perëndia yt», pasi, siç pohonin ata, Kemoshi ishte perëndia i kombit të Moabit, jo i Amonit. (Gjy 11:24; Nu 21:29) Edhe pse perëndia i amonitëve quhet disa herë Molek, Milkom ose Malkam (1Mb 11:5, 7; Jr 49:1, 3), sipas disa studiuesve, këta terma (që kanë të gjithë si rrënjë fjalën «mbret») ishin tituj e jo emra të përveçëm, dhe ka të ngjarë që përdoreshin për perëndinë Kemosh. Sido që të jetë, amonitët ishin politeistë (Gjy 10:6) dhe adhurimi i Kemoshit mund të ketë qenë po aq i përhapur mes tyre, sa edhe mes moabitëve, të afërmve të amonitëve.
Sipas Septuagintës greke, rreth një muaj pasi Sauli u emërua mbret i Izraelit, mbreti Nahash i Amonit rrethoi qytetin e Jabeshit në Galaad dhe kërkoi që qyteti të dorëzohej. Për të bërë paqe me ta, vuri kushtin mizor që t’i nxirrte secilit syrin e djathtë. (Shih NAHASHI nr. 1.) Me të marrë vesh për rrethimin, Sauli mobilizoi forcat izraelite dhe tregoi zotësi si mbret duke i shpartalluar amonitët. (1Sa 11:1-4, 11-15) Fjalët vijuese të Samuelit nxjerrin në pah se kërcënimi në rritje i amonitëve nën komandën e Nahashit i shtyu përfundimisht izraelitët që të kërkonin një mbret për vete.—1Sa 12:12.
Gjatë sundimit të Davidit. Amonitët pësuan disfatë edhe para Davidit, i cili u mori plaçkë ose një haraç. (1Kr 18:11) Kjo histori te 2 Samuelit 8:11, 12 është pjesë e një përmbledhjeje të pushtimeve të Davidit, e cila mund të mos jetë doemos në rrjedhë kronologjike me ngjarjet e treguara më parë dhe me ato vijuese. Në fakt, 2 Samuelit 10:1, 2 lë të kuptohet se gjatë mbretërimit të Davidit, mes Izraelit dhe Amonit kishte marrëdhënie pak a shumë paqësore deri kur vdiq mbreti Nahash. Por Hanuni, biri i Nahashit, i cili hipi në fron pas të atit, e zemëroi keq Davidin, pasi poshtëroi lajmëtarët që Davidi dërgoi për ta ngushëlluar. Kur e kuptuan ç’fyerje të rëndë kishin provokuar, amonitët u kërkuan trupa mercenare sirianëve dhe u gatitën për sulm kundër Izraelit, por gjenerali izraelit Joab dhe i vëllai, Abishai, i mundën me anë të manovrave të shkathëta.—2Sa 10:1-14; 1Kr 19:6-15.
Pranverën tjetër, ushtria e Davidit rrethoi Rabahun, kryeqytetin e Amonit. Gjatë një sulmi të dëshpëruar të amonitëve të rrethuar, vdiq hititi Uriah. (2Sa 11:1, 17, 24, 26, 27; shih RABAHU nr. 1.) Është e vështirë të përcaktohet se sa zgjati ai rrethim. Lindja e birit të Betshebës si fryt i kurorëshkeljes dhe lindja e mëvonshme e Solomonit mund të përkojnë me kohën e këtij rrethimi ose mund të jenë përmendur thjesht për të plotësuar historinë e Betshebës, edhe pse ka mundësi që njëra nga lindjet ose të dyja të kenë ndodhur pas rrethimit. Ndonëse tregimi i 1 Kronikave 20:1, 2 nuk duket se flet për një rrethim të zgjatur, s’do të ishte e pazakontë që rrethimi të ketë vazhduar edhe gjatë vitit tjetër. Së fundi, kryeqytetin e amonitëve e pushtoi vetë Davidi.—2Sa 12:26-29.
‘Kurora e Malkamit’ që përmendet kur u rrëzua Rabahu, me sa duket ishte një kurorë që e mbante në kokë idhulli i perëndisë së amonitëve, i quajtur edhe Molek ose Milkom. Edhe pse në këtë rast versioni Diodati i Ri e përkthen termin hebraik Malkám si «mbretit të tyre», nuk duket logjike që të bëhet fjalë për një mbret njerëzor, pasi kurora peshonte «një talentë ari» (rr. 34 kg). Gjithashtu, ka të ngjarë që Davidit ia vunë në kokë kurorën veç për pak çaste, mbase si shenjë të fitores mbi atë perëndi të rreme.—2Sa 12:30.
Për shkak të mënyrës si përkthehet 2 Samuelit 12:31 në disa versione (KJ, AS, Dy), shumë veta e kanë kuptuar sikur Davidi i ekzekutoi mizorisht amonitët e mundur, duke i sharruar, prerë me sëpatë ose djegur. Megjithatë, përkthime të tjera (Dio, DSF, BR) përcjellin kuptimin e saktë, duke sqaruar se amonitët u vunë në punë të detyruar që të sharronin, të punonin me sëpata dhe të bënin tulla. Këtë e mbështet fakti i njohur se termi hebraik i përkthyer «furra e tullave» në disa versione, në të vërtetë nënkupton një kallëp druri ku derdhej argjila për të bërë tulla.
Jo të gjithë amonitët ishin armiq të betuar të Izraelit, siç është e dukshme nga prania e amonitit Zelek mes burrave të fuqishëm të Davidit. (2Sa 23:37) Ndër bashkëshortet e huaja të mbretit Solomon kishte edhe amonite, si për shembull ajo që u bë nëna e Rehoboamit. (1Mb 11:1; 14:31) Gjithsesi, kjo gjë e çoi Solomonin në apostazi dhe e shtyu të ndërtonte ‘vende të larta’, për të adhuruar Milkomin dhe perëndi të tjera. Së fundi, mbreti besnik Josia i rrënoi ato vende.—1Mb 11:5; 2Mb 23:13.
Pas ndarjes së mbretërisë. Amonitët e fituan sërish pavarësinë nga mbretërit e linjës davidike. Gjatë mbretërimit të Jehozafatit (936-rr. 911 p.e.s.), ata bënë aleancë me moabitët dhe banorët e rajonit malor të Seirit për t’u hedhur tok në sulm kundër Judës, por pësuan disfatë të thellë. (2Kr 20:1-4, 10-26) Sipas mbishkrimeve të mbretit asirian Shalmaneseri III, që sundoi gjatë epokës së Jehut, mbretit të Izraelit (rr. 904-877 p.e.s.), forcat ushtarake të «Baʼsait, birit të Ruhubit, nga Amoni» ishin pjesë e një koalicioni mbretërish që luftoi kundër Asirisë në betejën e Karkarit. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. B. Priçardi, 1974, f. 279) Një nga ata që komplotuan të vritnin mbretin Jehoas të Judës (rr. 859 p.e.s.) ishte Zabadi, biri i amonites Shimeata. (2Kr 24:22, 26) Qeveria e fortë e Uziahut (829-778 p.e.s.) i detyroi sërish amonitët t’i paguanin haraç Judës. (2Kr 26:8) Jotami, biri i Uziahut, e përforcoi epërsinë e Judës mbi Amonin dhe u kërkoi 100 talenta argjendi (660.600 dollarë), 10.000 korë (2.200 kl) grurë dhe 10.000 korë elb. (2Kr 27:5) Amonitët ishin në gjendje ta paguanin atë haraç të rëndë për tre vjet rresht, ndoshta falë pozitës së favorshme përgjatë një rruge kryesore tregtare nga Arabia për në Damask dhe falë tokës pjellore të luginës së Jabokut, ku gruri dhe elbi janë edhe sot e kësaj dite prodhime kryesore.
Siç duket, ndërhyrja gjithnjë e më e shpeshtë e fuqisë asiriane në Palestinë gjatë mbretërimit të Akazit (761-746 p.e.s.), pasuesit të Jotamit, u dha mundësi amonitëve të çliroheshin nga sundimi i Judës. Mirëpo vetëm sa përfunduan nën thundrën asiriane, pasi disa dokumente të Tiglath-Pileserit III tregojnë se «Sanipuja i Bit-Amonit [shtëpia e Amonit]» i paguante haraç Asirisë, tok me Akazin e Judës dhe Salamanun e Moabit. Edhe Prizmi i Senakeribit, që flet për pushtimin e Judës nga Senakeribi gjatë mbretërimit të Hezekisë, tregon se Amoni i jepte peshqeshe pushtuesit asirian; kurse biri i Senakeribit, Esar-Hadoni, bashkëkohës i Manaseut, përmend «Puduilin, mbretin e Beth-Amonit», ndër ata që çonin materiale për ndërtimin e qytetit të Ninevisë.
Ka të ngjarë që, pasi Tiglath-Pileseri III dhe një nga pasuesit e tij i çuan në mërgim banorët e mbretërisë veriore të Izraelit (2Mb 15:29; 17:6), amonitët nisën të zaptonin territorin e fisit të Gadit, për të cilin kishin luftuar më kot kundër Jefteut. (Krahaso Ps 83:4-8.) Ndaj, në mesazhin profetik që dha nëpërmjet Jeremisë, Jehovai i qortoi amonitët që u morën trashëgiminë gaditëve dhe i paralajmëroi për shkatërrimin që do të godiste Amonin dhe perëndinë e tij, Malkamin (Milkomin). (Jr 49:1-5) Vitet e fundit të mbretërisë së Judës, gjatë sundimit të mbretit Jehojakim, amonitët shkuan edhe më tej, pasi dërgonin banda kusarësh që u binin në qafë banorëve të Judës.—2Mb 24:2, 3.
Pushtimi nga babilonasit. Pas pushtimit të Judës nga Babilonia (607 p.e.s.), disa judenj kishin marrë arratinë në Amon, Moab dhe Edom, por u kthyen me të dëgjuar se në Judë ishte caktuar guvernator Gedaliahu. (Jr 40:11, 12) Megjithatë, mbreti i Amonit, Baalisi, thuri komplot me Ismaelin, një nga krerët e ushtrisë së Judës, që ta vritnin Gedaliahun. (2Mb 25:23; Jr 40:14; 41:1-3) Pas kësaj, Ismaeli u strehua në Amon.—Jr 41:10-15.
Amoni gëzoi për rënien e Jerusalemit, por së fundi erdhi dita kur Jehovai u kërkoi llogari amonitëve të rrethprerë, sepse ishin të parrethprerë në zemër. (Jr 9:25, 26) Ashtu siç ishte shpallur në profecitë e Jeremisë, Ezekielit dhe Amosit, amonitët filluan të pinin nga kupa e zemërimit të Jehovait kur i goditi shpata, zia e bukës e murtaja dhe vendi i tyre u shkretua.—Jr 25:17, 21; 27:1-8; Ezk 25:1-10; Am 1:13-15.
Amoni nuk iu nënshtrua kollaj zgjedhës së Babilonisë, siç e tregon përshkrimi i Ezekielit se mbreti i Babilonisë (Nabukodonosori) u ndal në udhëkryq dhe hodhi fall, për të vendosur në duhej të sulej kundër Rabahut të Amonit apo kundër Judës. (Ezk 21:19-23, 28-32) Edhe pse doli që duhej sulmuar së pari Jerusalemi, historiani jude Jozef shkruan se vitin e pestë pas shkretimit të Jerusalemit, Nabukodonosori u kthye të luftonte kundër Koele-Sirisë, Amonit dhe Moabit. (Antikitete judaike, X, 181 [ix, 7]) Siç ishte parathënë, Amoni do të shndërrohej në një ‘vend ku preheshin kopetë’ dhe Rabahu në «kullotë për devetë». (Ezk 25:5) Popujt e Lindjes që udhëtonin me deve, do të shtinin në dorë tokën e tyre e do të ngrinin atje tendat.—Ezk 25:4.
Ka shumë mundësi që Kiri, pushtuesi i Babilonisë, t’i ketë lejuar të mërguarit amonitë, bashkë me ata nga kombe të tjera, që të ktheheshin në atdhe, në përmbushje të Jeremisë 49:6.
Krushqitë me izraelitët. Pas kthimit të judenjve nga mërgimi (537 p.e.s.), një amonit i quajtur Tobia luajti rol të rëndësishëm në përçapjet për të penguar rindërtimin e mureve të Jerusalemit. (Ne 4:3, 7, 8) Prapëseprapë, më vonë ai pati pafytyrësinë të përdorte një sallë ngrënieje brenda zonës së tempullit, derisa Nehemia i indinjuar ia flaku jashtë orenditë. (Ne 13:4-8; shih TOBIA nr. 2.) Veç kësaj, shumë judenj të kthyer nga mërgimi kishin marrë gra amonite ose nga kombe të tjera. Si u qortuan rëndë për këtë, ata i larguan në masë gratë e huaja.—Ezd 9:1, 2; 10:10-19, 44; Ne 13:23-27.
Pas dëbimit të Tobisë nga zona e tempullit, u lexua dhe u zbatua ligji i Perëndisë i dokumentuar te Ligji i përtërirë 23:3-6, që ndalonte amonitët dhe moabitët të hynin në kongregacionin e Izraelit. (Ne 13:1-3) Ai kufizim ishte vënë rreth 1.000 vjet më parë, sepse amonitët dhe moabitët kishin refuzuar t’u vinin në ndihmë izraelitëve që po i afroheshin Tokës së Premtuar. Në përgjithësi mendohet se ai ligj kufizues nënkuptonte që ata popuj s’mund të bëheshin ligjërisht pjesë e kombit të Izraelit me të gjitha të drejtat dhe privilegjet që sillte kjo. Me këtë nuk nënkuptohej doemos që asnjë amonit ose moabit s’mund të shoqërohej me izraelitët a të jetonte mes tyre, duke nxjerrë dobi kështu nga bekimet që derdhte Perëndia mbi popullin e vet. Kjo duket nga fakti që Zeleku, i përmendur më sipër, ishte mes luftëtarëve kryesorë të Davidit, si edhe nga historia e moabites Ruthë.—Ru 1:4, 16-18.
Lidhur me këtë të fundit, martesa e Ruthës me Boazin tregon se burrat judenj mund të martoheshin me gratë e atyre kombeve, në rast se ato ktheheshin në adhurimin e Perëndisë së vërtetë. Meqë në tekstin hebraik të Ligjit të përtërirë 23:3-6 termat «amonit» dhe «moabit» janë në gjininë mashkullore, Mishna judaike (Jevamot 8:3) pohon se vetëm meshkujt amonitë dhe moabitë s’mund të bëheshin pjesë e Izraelit. Gjithsesi, këmbëngulja e Ezdrës që burrat judenj të largonin gratë e huaja dhe qëndrimi i ngjashëm i Nehemisë, të cilat u përmendën më lart, e bëjnë të qartë se gratë amonite dhe moabite mund të pranoheshin në gjirin e Izraelit vetëm nëse përqafonin adhurimin e vërtetë.
Dëshmitë historike, mes të cilave libri apokrif i 1 Makabenjve (5:6), tregojnë se Amoni vazhdoi të ishte një territor më vete deri në shekullin e dytë p.e.s. Por duket se në shekullin e parë p.e.s., ai rajon bënte pjesë në mbretërinë nabatease dhe në shekullin e tretë të e.s., si popull, amonitët u zhdukën nga historia, të asimiluar pa dyshim nga fiset arabe. Siç kishte profetizuar Sofonia, bijtë e Amonit u bënë «si Gomorra, . . . një vend i shkretë».—So 2:8-10.
Meqë populli amonit u zhduk në fillim të erës sonë, përmendja e Amonit në profecinë e Danielit për «kohën e fundit» duhet të ketë kuptim të figurshëm dhe duket se simbolizon disa kombe a organizata që «mbreti i veriut» nuk i vë dot nën kontroll.—Dn 11:40, 41.