JEDAJAHU
Emra hebraikë me shqiptim dhe kuptim të ndryshëm që transliterohen në të njëjtën mënyrë në shqip.
[1, 2: heb., Jedhajáh.]
1. Simeonit; pasardhësi i tij, Ziza, ishte prijës gjatë kohës që mbretëronte Hezekia.—1Kr 4:24, 37, 38, 41.
2. Banor i Jerusalemit pas periudhës së mërgimit; meremetoi murin e qytetit përballë shtëpisë së tij; bir i Harumafit.—Ne 3:10.
[3-8: heb., Jedhaʽjáh, Jah di.]
3. Shtëpi atërore priftërinjsh e zgjedhur me short si e 2-ta nga 24 grupet në të cilat e ndau Davidi priftërinë.—1Kr 24:1, 6, 7.
Më poshtë përmenden disa priftërinj me emrin Jedajah pas periudhës së mërgimit. Disa prej tyre ka shumë të ngjarë të kenë qenë pjesëtarë të së njëjtës shtëpi atërore, megjithëse kjo është e vështirë të përcaktohet.
4. Prift ose ndoshta pjesëtarët e shtëpisë atërore të lartpërmendur që banuan në Jerusalem pas kthimit nga Babilonia. Te Nehemia 11:10 Jedajahu quhet «biri» i Jojaribit, por nëse krahasohet me 1 Kronikave 9:10, ky term mund të jetë shtuar gjatë kopjimit. Jedajahu dhe dy të tjerët (Jojaribi ose Jehojaribi dhe Jakini) në krye të listave te Nehemia dhe te Kronikave përkojnë me emrat e shtëpive atërore në kohën e Davidit. (1Kr 24:6, 7, 17) Pra, ka mundësi që këta emra u referohen thjesht shtëpive atërore, për të treguar që ishin përfaqësues të tyre, kurse emrat më pas mund të jenë të individëve; ose ndoshta të gjithë emrat ishin të individëve që jetonin asokohe.—1Kr 9:10-12; Ne 11:10-13.
5. Paraardhës i 973 priftërinjve që u kthyen nga Babilonia me Zorobabelin. (Ezd 2:1, 2, 36; Ne 7:39) Nëse shprehja «nga shtëpia e Jeshuait» nuk tregon ndonjë lidhje me vijën gjenealogjike të kryepriftërinjve, ka të ngjarë që ata të kenë qenë pjesëtarë të së njëjtës shtëpi atërore (nr. 3).
6, 7. Dy priftërinj me këtë emër përmenden në listën e atyre që u kthyen me Jeshuan dhe Zorobabelin në vitin 537 p.e.s. (Ne 12:1, 6, 7) Gjatë shërbimit si prift të Jojakimit, pasuesit të Jeshuas, të dy përmenden si shtëpi atërore, njëra me përfaqësues Uzin dhe tjetra Netanelin. (Ne 12:12, 19, 21) Nuk mund të thuhet me siguri nëse njëri ose të dy këta individë lidhen me shtëpinë atërore të përmendur në fillim (nr. 3).
8. Një prej të kthyerve nga mërgimi, të cilit i morën ar dhe argjend për të bërë një kurorë për kryepriftin Josia. (Za 6:10-14) Nuk saktësohet nëse kishte lidhje me priftërinjtë e përmendur më lart.