BARKU
1. Pjesa e përparme e trupit të njeriut, nga gjoksi e poshtë, ku ndodhen aparati tretës dhe organe të tjera.
Fjala hebraike béten përveçse përkufizon barkun në përgjithësi (Gjy 3:21, 22; Pr 13:25), përdoret disa herë edhe për formimin e fëmijës në trupin e nënës. (Zn 25:23, 24; Jb 1:21; Ps 127:3; Ek 11:5; Is 44:2; Ho 9:11) Fëmijët janë fryt i mitrës që ndodhet në bark. Megjithatë, një fjalë tjetër hebraike, réħem (ose ráħam), i referohet në mënyrë të veçantë mitrës, sikurse vërehet te Jobi 31:15: «Ai që më bëri mua në bark [béten] të nënës, a nuk bëri edhe atë? Në barkun [réħem] e nënës, a nuk na gatoi po Ai?»—Shih edhe Zn 49:25; Ps 22:10; Pr 30:16.
Fjala hebraike béten është përdorur edhe si term arkitektural («pjesët e fryra») te 1 Mbretërve 7:20, ku i referohet një gunge, një të dale rrumbullake.
Në Shkrimet e Krishtere Greke, fjala koilía do të thotë «zgavër» dhe, në përputhje me kontekstin, është përkthyer në mënyra të ndryshme, si ‘bark’ (Lu 1:15, 41; 1Ko 6:13; Fi 3:19), «zorrë» (Mt 15:17) dhe «thellësia e qenies».—Gjo 7:38.
Në kuptimin e figurshëm, «barku» është përdorur për të treguar urinë ose dëshirat e mishit (Ro 16:18; Fi 3:19), si dhe burimin e fjalëve ose të debateve. (Jb 15:2; 32:18, 19) Jonai e krahasoi me Sheolin barkun e peshkut në të cilin u gjend—«nga barku i Sheolit thirra për ndihmë»—pasi ishte vërtet i vdekur, po të mos e kishte çliruar Jehovai në mënyrë të mrekullueshme.—Jn 2:2; shih ZORRËT.
2. Organi që ndodhet në zgavrën e poshtme të trupit të femrës, në të cilin zhvillohet embrioni para se të lindë. Jehovai është Krijuesi i këtij organi (Zn 2:22) dhe Ai mund ta bëjë të frytshëm (Zn 29:31; 30:22; 49:25) ose ta mbyllë. (Zn 20:18) Barku i Sarës ishte ‘i vdekur’, ose s’kishte më fuqi riprodhuese kur Jehovai ia ktheu asaj këtë fuqi. (Ro 4:19; Zn 18:11, 12; 21:1-3) Bibla thekson se procesi i formimit të embrionit në bark ekziston falë Jehovait, dhe kjo tregon se projektimi i njeriut në bark është bërë sipas modelit të Perëndisë e jo rastësisht apo me evolucion. (Jb 31:15; krahaso Jb 10:8; Ps 139:13-16; Is 45:9.) Përderisa mitra është krijuar në mënyrë specifike për shtimin e njerëzimit, «barku shterp» është renditur ndër katër gjërat që s’thonë: «Mjaft!»—Pr 30:15, 16.
Meqë mitra ndodhet në atë pjesë të trupit që përgjithësisht njihet si barku, fjala hebraike për «bark» përdoret shpesh duke iu referuar së pari mitrës, si për shembull, te Zanafilla 25:23, Ligji i përtërirë 7:13 dhe Psalmi 127:3.
Si Projektues i barkut, Perëndia mund të shohë saktësisht se çfarë formohet brenda tij. Ai mund të lexojë tiparet e trashëguara që po formohen te fëmija akoma i palindur dhe, nëse dëshiron, mund të përcaktojë se si do ta përdorë atë individ.—Jr 1:5; Lu 1:15; krahaso Ro 9:10-13.
Jehovai i dha këtë urdhër Izraelit: «Më shenjtëro çdo mashkull të parëlindur, që çel çdo bark të bijve të Izraelit, të njerëzve dhe të kafshëve. Është imi.» (Da 13:2) Kur bëhej fjalë për njerëzit, kjo lidhej me të parëlindurin mashkull të babait.—Shih PARËLINDURI (I), PJELLA E PARË.
Jezui theksoi se nëna e tij, Maria, nuk duhej nderuar më shumë se shërbëtorët e tjerë të Perëndisë. Në një rast, kur ai po mësonte njerëzit, një grua bërtiti: «Lum barku që të mbajti dhe gjinjtë ku u mënde!» Jezui ia ktheu: «Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» (Lu 11:27, 28) Më vonë, kur po e çonin në shtyllën e torturës, Jezui dha një profeci për shkatërrimin e ardhshëm të Jerusalemit dhe u tha grave që po qanin për të se po vinin ditët kur njerëzit do të thoshin: «Lum shterpat, barqet që nuk lindën!» (Lu 23:27-29) Kjo u përmbush në vitin 70 të e.s. kur vdiqën mbi një milion judenj, përfshirë edhe fëmijë të vegjël, dhe mijëra të tjerë u çuan në robëri e u shitën si skllevër.
Kur dëgjoi pohimin e Jezuit se «në qoftë se dikush nuk lind përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë», Nikodemi, farise dhe një nga krerët e judenjve, e pyeti: «Si . . . ? A mund të hyjë dot për së dyti në barkun e nënës e të lindë?» Atëherë, Jezui i shpjegoi se kjo lindje e re nuk vjen nga barku i nënës, por «nga uji dhe fryma».—Gjo 3:1-8.
Përdorimi i figurshëm. Disa herë termi «bark» është përdorur për burimin e diçkaje. Kur po fliste për veprat e krijimit në tokë, Jehovai tha se deti doli vrullshëm si «nga barku i nënës». (Jb 38:8) Jehovai i thotë Zotërisë së Davidit se ditën kur do t’u prijë në luftë forcave të tij ushtarake, do të ketë vullnetarë të gatshëm si «bulëza vese» nga «gjiri [barku, NW] i agimit» (prej nga vjen vesa e mëngjesit).—Ps 110:1-3.