Jehovai—Miku ynë më i shtrenjtë
«[Abrahami] u quajt ‘mik i Jehovait’.»—JAK. 2:23.
1. Çfarë mund të bëjmë, meqë jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë?
«BËMË baba të të ngjaj»,—thotë një shprehje e njohur. S’diskutohet, shumë kalamaj janë kopje e prindërve. Tekefundit, gjenetikisht fëmija merr si nga babai, si nga mamaja. Jehovai, Ati ynë qiellor, është Dhënësi i jetës. (Psal. 36:9) Dhe ne, si fëmijë të tij njerëzorë, i ngjajmë deri në njëfarë pike. Ngaqë jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij, mund të arsyetojmë e të nxjerrim përfundime, të zhvillojmë e të mbajmë miqësi.—Zan. 1:26.
2. Mbi ç’bazë mund të bëhet Jehovai Miku ynë?
2 Jehovai mund të jetë Miku ynë më i shtrenjtë. Kjo miqësi bazohet te dashuria e Perëndisë për ne dhe te besimi ynë tek ai e te Biri i tij. Jezui tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Shumë njerëz kanë gëzuar marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Le të shohim dy nga këta shembuj.
‘ABRAHAMI, MIKU IM’
3, 4. Tregoni ndryshimin mes Abrahamit e pasardhësve të tij kur bëhet fjalë për miqësinë me Jehovain.
3 Jehovai foli për patriarkun dhe paraardhësin e izraelitëve si ‘Abrahami, miku im’. (Isa. 41:8) Abrahami quhet mik i Perëndisë edhe në Librin e Dytë të Kronikave 20:7 (Diodati i Ri; Filipaj). Cila ishte baza e miqësisë jetëgjatë mes këtij besniku dhe Krijuesit? Ishte besimi i Abrahamit.—Zan. 15:6; lexo Jakovin 2:21-23.
4 Në fillim pasardhësit e Abrahamit, pra, Izraeli i lashtë, e kishin Jehovain Atë dhe Mik. Por, mjerisht, e humbën miqësinë me Perëndinë. Pse? Ngaqë nuk vazhduan të tregonin besim te premtimet e Jehovait.
5, 6. (a) Si është bërë Jehovai Miku ynë? (b) Cilat pyetje ia vlen të shqyrtojmë?
5 Sa më shumë mësojmë për Jehovain, aq më shumë na forcohet besimi tek ai dhe na thellohet dashuria për të. Të kujtojmë momentin kur mësuam se Perëndia është një Person real, me të cilin mund të lidheshim ngushtë. Mësuam edhe se të gjithë ne lindim mëkatarë për shkak të mosbindjes së Adamit. Kuptuam se njerëzimi në tërësi është i ndarë nga Perëndia. (Kolos. 1:21) Veç këtyre, kuptuam qartë se Ati ynë i dashur qiellor nuk është një mospërfillës që nuk i bëhet vonë për ne. Kur mësuam se ka siguruar flijimin shpërblyes të Jezuit dhe treguam besim te kjo masë, filluam të ndërtonim miqësinë me Perëndinë.
6 Teksa kujtojmë këto momente, bëjmë mirë të pyesim veten: «A po e thelloj gjithnjë e më shumë miqësinë me Perëndinë? A kam besim të fortë te Miku im i shtrenjtë, Jehovai, dhe a po e rrit dita-ditës dashurinë për të?» Dikush tjetër nga lashtësia që kishte një lidhje të ngushtë me Jehovain, ishte Gideoni. Le të shqyrtojmë shembullin e tij të shkëlqyer e ta lejojmë të na drejtojë.
«JEHOVAI ËSHTË PAQE»
7-9. (a) Ç’përvojë të jashtëzakonshme pati Gideoni, dhe si përfundoi ajo? (Shih figurën hapëse.) (b) Si mund të gëzojmë miqësi me Jehovain?
7 Gjykatësi Gideon i shërbeu Jehovait gjatë një periudhe plot trazira në historinë e Izraelit, pasi populli kishte hyrë në Tokën e Premtuar. Kapitulli 6 i Gjykatësve tregon se engjëlli i Jehovait shkoi te Gideoni në Ofrah. Në atë kohë, midianitët fqinjë ishin një kërcënim i madh për Izraelin. Prandaj, Gideoni nuk po e shinte grurin në fushë të hapur, por në një shtypëse rrushi ku mund ta fshihte në çast atë drithë jetësor. I çuditur kur engjëlli u shfaq dhe e quajti «o trim i fuqishëm», Gideoni ngriti pyetjen nëse Jehovai, që kishte çliruar izraelitët nga Egjipti, vërtet do t’i ndihmonte tani. Duke folur në emër të Krijuesit, engjëlli e siguroi Gideonin se Jehovain e kishte krah vërtet.
8 Gideoni vriste mendjen si do t’ia dilte ‘të shpëtonte Izraelin nga duart e Midianit’. Përgjigjja e Jehovait ishte troç: «Po do të jem unë me ty e ti do ta mundësh Midianin si të ishte një njeri i vetëm.» (Gjyk. 6:11-16) Ende duke u hamendur si do ta arrinte këtë, Gideoni kërkoi një shenjë. Vini re se kjo bisedë tregon se Gideoni nuk kishte pikë dyshimi që Jehovai është Person real.
9 Ajo çka ndodhi më pas ia forcoi besimin Gideonit dhe e lidhi edhe më ngushtë me Perëndinë. Gideoni përgatiti një vakt dhe ia vuri para engjëllit. Kur ushqimin e përpiu zjarri me ta prekur shkopi i engjëllit, Gideoni e kuptoi se engjëlli patjetër që ishte përfaqësues i Jehovait. I trembur, Gideoni thirri: «Medet, o Zotëri Sovran Jehova! Unë e paskam parë sy më sy engjëllin e Jehovait!» (Gjyk. 6:17-22) Por, a ngriti një mur mes Gideonit e Perëndisë së tij ky takim? Kurrsesi! Ndodhi krejt e kundërta. Gideoni e njohu Jehovain në një mënyrë që u ndie në paqe me Të. E dimë këtë nga emri që iu vu altarit që ngriti Gideoni në këtë vend—«Jehova-Shalom». Ky emër në hebraisht do të thotë «Jehovai është paqe». (Lexo Gjykatësit 6:23, 24.) Kur meditojmë për atë që bën Jehovai për ne çdo ditë, shohim qartë se ai është Mik i vërtetë. Ndërsa i lutemi Perëndisë rregullisht, na shtohet paqja e brendshme dhe na forcohet miqësia me Të.
KUSH DO TË JETË ‘MYSAFIR NË TENDËN E JEHOVAIT’?
10. Sipas Psalmit 15:3, 5, çfarë kërkon Jehovai nga ne që të jemi miq të tij?
10 Megjithatë, duhet të plotësojmë disa kushte që Jehovai të jetë Miku ynë. Në këngën e tij te Psalmi 15, Davidi tregon se çfarë kërkohet nga ne që të jemi ‘mysafirë në tendën e Jehovait’, pra, të bëhemi miq të Perëndisë. (Psal. 15:1) Le të ndalemi në dy nga këto kërkesa: të mos shpifim e të sillemi me ndershmëri në çdo gjë. Duke folur për këto, Davidi tha për dikë që është mysafir në tendën e Jehovait: «Nuk shpif me gjuhën e tij . . . Nuk merr ryshfet për t’i bërë keq të pafajshmit.»—Psal. 15:3, 5.
11. Pse nuk duhet të shpifim për askënd?
11 Në një psalm tjetër, Davidi paralajmëroi: «Ruaje gjuhën nga e keqja.» (Psal. 34:13) Po të mos e zbatojmë këtë këshillë të frymëzuar, do të hapim hendek mes nesh dhe Atit tonë të drejtë qiellor. Faktikisht, shpifja është karakteristikë e Satanait, armikut të madh të Jehovait. Termi «Djall» vjen nga një fjalë greke që do të thotë «shpifës». Duke e frenuar gjuhën kur flasim me të tjerët dhe për ta, mund të ruajmë marrëdhënien e ngushtë me Jehovain. Kjo vlen sidomos kur bëhet fjalë për qëndrimin tonë ndaj burrave të emëruar në kongregacion.—Lexo Hebrenjve 13:17; Judën 8.
12, 13. (a) Pse duhet të jemi të ndershëm në çdo gjë? (b) Si mund të ndikojë ndershmëria jonë te të tjerët?
12 Po ashtu, shërbëtorët e Jehovait njihen për ndershmërinë dhe jo për shfrytëzimin e të tjerëve. Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të luteni për ne, sepse jemi të bindur që kemi një ndërgjegje të pastër, pasi duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebr. 13:18) Jemi të vendosur «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë», prandaj nuk përfitojmë nga vëllezërit tanë. Për shembull, nëse i kemi punësuar, sigurohemi të mos u bëhet asnjë padrejtësi dhe të paguhen sipas marrëveshjes që kemi lidhur. Si të krishterë, sillemi me ndershmëri me punonjësit tanë dhe me të tjerët. Dhe, nëse jemi të punësuar te një bashkëbesimtar, bëjmë kujdes të mos përfitojmë nga ai, duke pretenduar ndonjë privilegj të veçantë.
13 Sa e sa herë dëgjojmë lavdërime prej njerëzve nga bota që i lidh puna me Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, drejtori i një kompanie të madhe vërejti se Dëshmitarët e Jehovait e mbajnë fjalën. «Ju nuk e shkelni kurrë marrëveshjen që bëni»,—tha ai. (Psal. 15:4) Një sjellje e tillë na ndihmon të ruajmë miqësinë me Jehovain. Për më tepër, i jep lavdi Atit tonë të dashur qiellor.
T’I NDIHMOJMË TË TJERËT TË BËHEN MIQ TË JEHOVAIT
14, 15. Kur jemi në shërbim, si mund t’i ndihmojmë të tjerët të bëhen miq të Jehovait?
14 Edhe pse shumë njerëz që takojmë në shërbim besojnë se ka një Zot, nuk e shohin si Mikun e tyre më të shtrenjtë. Si mund t’i ndihmojmë? Të mendojmë për udhëzimet që u dha Jezui 70 dishepujve kur i dërgoi të predikonin dy e nga dy: «Kudo që të hyni në një shtëpi, më parë thoni: ‘Paqja qoftë në këtë shtëpi!’ E nëse atje ka një mik të paqes, paqja juaj do të prehet mbi të. Por, nëse nuk ka, ajo do t’ju kthehet juve.» (Luka 10:5, 6) Me qëndrimin tonë miqësor mund t’i tërheqim njerëzit drejt së vërtetës. Edhe përballë kundërshtarëve, ky qëndrim mund t’u fashitë inatin, e kështu mund të jenë më të gatshëm për të dëgjuar herën tjetër.
15 Jemi miqësorë e paqësorë edhe kur takojmë njerëz që janë zhytur kokë e këmbë në fenë e rreme ose që ndjekin tradita jobiblike. Presim krahëhapur në mbledhjet tona këdo që, i zhgënjyer nga bota e sotme, i është zgjuar dëshira të mësojë më shumë për Perëndinë që adhurojmë. Në rubrikën «Bibla të ndryshon jetën» gjejmë plot shembuj të shkëlqyer.
TË PUNOJMË KRAH PËR KRAH ME MIKUN TONË MË TË SHTRENJTË
16. Në ç’kuptim mund të quhemi edhe miq të Jehovait, edhe «bashkëpunëtorë» të tij?
16 Njerëzit që punojnë së bashku, shpesh zënë miqësi të ngushtë. Të gjithë ata që i janë kushtuar Jehovait kanë privilegjin të quhen edhe miq, edhe «bashkëpunëtorë» të tij. (Lexo 1 Korintasve 3:9.) S’diskutohet, teksa predikojmë dhe punojmë për të bërë dishepuj, i dallojmë më qartë cilësitë e mrekullueshme të Atit tonë qiellor. Vërejmë se si fryma e tij e shenjtë na jep mundësi të kryejmë caktimin për të predikuar lajmin e mirë.
17. Si na tregon ushqimi frymor që serviret në asamble e kongrese se Jehovai është Miku ynë?
17 Sa më shumë marrim pjesë në këtë vepër, aq më afër Jehovait ndihemi. Për shembull, vërejmë si ua prish planet atyre që e kundërshtojnë. Të kthejmë kokën pas. A nuk e shohim qartë si na ka prirë Perëndia gjatë viteve të fundit? Mahnitemi nga ushqimi i pasur frymor që s’na mungon kurrë. Programet e kongreseve e të asambleve tregojnë qartë sa thellë i kupton Ati ynë i dashur problemet e nevojat tona. Pas një kongresi, një familje shprehu mirënjohjen në këtë letër: «Programi na preku vërtet. Ndiem sa fort e do Jehovai secilin prej nesh dhe sa shumë do që t’ia dalim mbanë.» Pasi ndoqën një kongres special në Irlandë, një çift nga Gjermania shprehën mirënjohjen për kujdesin dhe mikpritjen e ngrohtë të vëllezërve. Pastaj shtuan: «Por, mbi të gjitha falënderojmë Jehovain dhe Mbretin e tij, Jezu Krishtin. Ata na kanë ftuar të jemi pjesë e këtij kombi vërtet të bashkuar. S’bëhet fjalë vetëm për llafe të bukura për unitetin, por e shijojmë çdo ditë. Ajo që përjetuam në kongresin special në Dublin do të na kujtojë gjithmonë ç’privilegj të çmuar kemi që i shërbejmë Perëndisë tonë madhështor tok me të gjithë ju.»
MIQTË KOMUNIKOJNË
18. Ç’pyetje mund t’i bëjmë vetes për komunikimin me Jehovain?
18 Miqësia forcohet kur ka komunikim të mirë. Në këtë epokë të Internetit dhe të telekomunikacionit përdoren tej mase rrjetet shoqërore dhe mesazhet me celular. Por, të mendojmë pak: në krahasim me këtë, sa komunikojmë me Mikun tonë më të shtrenjtë, Jehovain? Patjetër që ai është ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psal. 65:2) Mirëpo, sa shpesh marrim iniciativën të flasim me të?
19. Çfarë ndihme kemi nëse nuk gjejmë dot fjalët për t’i zbrazur zemrën Atit tonë qiellor?
19 Disa shërbëtorë të Perëndisë e kanë të vështirë t’ia zbrazin zemrën dikujt dhe të shprehin ndjenjat më të thella. Sidoqoftë, këtë do Jehovai kur i lutemi. (Psal. 119:145; Vajt. 3:41) Edhe nëse nuk gjejmë dot fjalët për të shprehur atë që kemi në zemër, kemi ndihmë. Pavli u shkroi të krishterëve në Romë: «Edhe atëherë kur kemi nevojë, ne nuk dimë për çfarë të lutemi, por vetë fryma përgjërohet për ne me rënkime të pathëna. Megjithatë, ai që shqyrton zemrat, e di se cili është qëllimi i frymës, sepse ajo ndërmjetëson në pajtim me Perëndinë për të shenjtët.» (Rom. 8:26, 27) Meditimi për fjalët që gjejmë në librat biblikë, si Jobi, Psalmet dhe Proverbat na ndihmon t’i shprehim Jehovait atë që kemi në skutat më të thella të zemrës.
20, 21. Si na ngushëllojnë fjalët e Pavlit te Filipianëve 4:6, 7?
20 Kur përballemi me situata që na zënë frymën, le t’i vëmë veshin këshillës së frymëzuar të Pavlit drejtuar filipianëve: «Mos jini në ankth për asgjë, por për çdo gjë, bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja me lutje, përgjërime dhe falënderime.» Pa dyshim që ky komunikim i çiltër me Mikun tonë më të shtrenjtë na sjell ngushëllim dhe lehtësim, sepse Pavli shtoi: «Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.» (Filip. 4:6, 7) Le ta çmojmë gjithnjë ‘paqen e Perëndisë’ që s’ka të krahasuar, e cila vërtet na ruan zemrën dhe fuqitë mendore!
21 Lutja na ndihmon të ndërtojmë miqësinë me Jehovain. Ndaj, le ‘të lutemi pa pushim’. (1 Sel. 5:17) Ky studim le të na forcojë marrëdhënien e vyer me Perëndinë dhe vendosmërinë që t’u përmbahemi kërkesave të tij të drejta. Gjithashtu, të veçojmë kohë për të medituar rreth bekimeve që shijojmë ngaqë Jehovai është vërtet Ati ynë, Perëndia ynë dhe Miku ynë.