ARTIKULLI I STUDIMIT 4
KËNGA 30 Perëndia, Ati dhe Miku im
Jehovai të ka shumë për zemër
«Jehovai ka shumë përzemërsi të ngrohtë.»—JAK. 5:11, shën.
FOKUSI I ARTIKULLIT
Si na afron gjithnjë e më shumë me Jehovain dashuria e tij dhe si na bën të ndihemi të sigurt, të freskuar e që s’na mungon asgjë.
1. Çfarë të vjen ndër mend kur mendon për Jehovain?
A KE provuar ndonjëherë të imagjinosh si është Jehovai? Çfarë të vjen ndër mend kur flet me të në lutje? Ndonëse Jehovai është i padukshëm, në Bibël gjejmë një larmi përshkrimesh për të. Jehovai quhet «dielli e mburoja jonë» dhe «një zjarr që përpin». (Psal. 84:11; Hebr. 12:29) Në një vegim thuhet edhe se ngjan me një gur safiri, me një metal rrëzëllues dhe me një ylber që shkëlqen. (Ezek. 1:26-28) Disa nga këto përshkrime për Jehovain ka të ngjarë të na mbushin me nderim të thellë për të ose edhe të na shtijnë pak frikë.
2. Çfarë mund t’i pengojë disa të afrohen me Jehovain?
2 Meqë nuk e shohim dot Jehovain, mund ta kemi të vështirë të besojmë se ai na do. Disave u duket e pamundur që Jehovai t’i dojë për shkak të gjërave që kanë përjetuar në të kaluarën. Ndoshta nuk e kanë provuar kurrë dashurinë e një babai të mirë. Jehovai i kupton ndjenja të tilla dhe e di si ndikojnë ato te ne. Për të na ndihmuar ta njohim, ka shpalosur në Fjalën e tij cilësitë e personalitetit të tij të bukur.
3. Pse duhet të mësojmë më shumë për dashurinë e Jehovait?
3 Nëse ka një fjalë që e përshkruan në mënyrë të përkryer Jehovain, është fjala dashuri. (1 Gjon. 4:8) Dashuria është thelbi i qenies së tij. Ajo ndikon te çdo gjë që bën. Dashuria e Perëndisë është kaq e ngrohtë dhe kaq e fuqishme, sa e tregon edhe ndaj atyre që nuk e duan. (Mat. 5:44, 45) Në këtë artikull do ta njohim më thellë Jehovain dhe dashurinë tij. Sa më shumë të mësojmë për Perëndinë, aq më shumë do ta duam.
JEHOVAI NA DO PA MASË
4. Si të bën të ndihesh përzemërsia e ngrohtë e Jehovait? (Shihni edhe figurën.)
4 «Jehovai ka shumë përzemërsi të ngrohtë.» (Jak. 5:11, shën.) Në Bibël, ai e krahason veten me një nënë zemërdhembshur. (Isa. 66:12, 13) Përfytyro një nënë teksa përkujdeset me dashuri për fëmijën e vogël. Ajo e mban në prehër, e përkund me dashuri dhe i flet me një zë të ëmbël ledhatar. Kur fëmija qan ose ka dhimbje, sigurohet që të ketë ç’i nevojitet. Kur ne kemi dhimbje, mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështjellë me dashurinë e tij. Psalmisti shkroi: «Kur kisha përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua ma ledhatonin shpirtin.»—Psal. 94:19.
5. Pse e çmon dashurinë besnike të Jehovait?
5 Jehovai është besnik. (Psal. 103:8) Ai vazhdon të na dojë edhe kur bëjmë diçka të gabuar. Kombi i Izraelit e zhgënjeu sa e sa herë Jehovain. Gjithsesi, ai e siguroi popullin e penduar për dashurinë e tij të patundur me fjalët: «Në sytë e mi je i çmuar e i nderuar, dhe unë të dua.» (Isa. 43:4, 5) Perëndia ndien të njëjtën dashuri për ne sot. Mund të jemi të sigurt se dashuria e tij nuk do të shuhet asnjëherë. Edhe nëse kemi bërë gabime serioze, Jehovai nuk na braktis. Kur pendohemi dhe kthehemi te Jehovai, do të shohim se dashuria e tij për ne nuk ka ndryshuar. Ai premton se ‘do të na falë bujarisht’. (Isa. 55:7) Shkrimet na sigurojnë se si rezultat i kësaj faljeje, ‘do të vijnë stinë freskuese nga vetë Jehovai’.—Vep. 3:19.
6. Çfarë na mëson për Jehovain Zakaria 2:8?
6 Lexo Zakarinë 2:8. Ngaqë na do, Jehovai është mjaft i ndjeshëm ndaj ndjenjave tona dhe mezi pret të na mbrojë. Kur vuajmë ne, vuan edhe ai. Prandaj mund të jemi të sigurt se do të na përgjigjet kur i lutemi: «Më ruaj si bebëzën e syrit.» (Psal. 17:8) Syri është një organ i ndjeshëm dhe shumë i çmuar i trupit. Pra, kur Jehovai na krahason me bebëzën e syrit të tij, është sikur po thotë: «Kush ju lëndon ju, shërbëtorët e mi, lëndon ata që i kam në zemër.»
7. Pse duhet ta forcojmë sigurinë se Jehovai na do?
7 Jehovai dëshiron të jesh i bindur se të do. Por ai e di se për shkak të përvojave të së kaluarës, mbase e kemi të vështirë ta besojmë se ai mund të na dojë. Ose ndoshta për shkak të situatës në të cilën ndodhemi tani, nuk jemi të sigurt nëse Jehovai na do. Si mund ta forcojmë këtë siguri? Duke parë si e shpreh Jehovai dashurinë për Jezuin, për të mirosurit dhe për secilin prej nesh.
SI E SHPREH JEHOVAI DASHURINË
8. Pse Jezui ishte i bindur se Ati i tij e donte?
8 Gjatë shekujve të panumërt, mes Jehovait dhe Birit të tij u krijua një lidhje shumë e fortë, një dashuri e përzemërsi e thellë. Kjo është marrëdhënia më e vjetër në gjithë universin. Jehovai e shprehu qartë dashurinë që ndiente për Jezuin, siç e lexojmë te Mateu 17:5. Jehovai mund të kishte thënë thjesht: «Ky është ai që kam miratuar.» Por donte që ne ta dinim sa shumë e do Jezuin, prandaj e quajti «Biri im i dashur». Jehovai ndihej krenar për llojin e personit që ishte Jezui dhe për atë që do të bënte. (Efes. 1:7) E Jezui nuk kishte fije dyshimi si ndihej Ati i tij për të. Dashuria e Jehovait ishte aq reale për Jezuin, sa mund ta ndiente deri në skutat e thella të shpirtit. Ai e tha disa herë me bindje se Ati e donte.—Gjoni 3:35; 10:17; 17:24.
9. Cila fjalë në Shkrime thekson sa e madhe është dashuria e Jehovait për të mirosurit? Shpjegoni. (Romakëve 5:5)
9 Jehovai i ka siguruar edhe të mirosurit se i do shumë. (Lexo Romakëve 5:5.) Vër re fjalën «mbush» që përdoret në këtë varg. Sipas një vepre referimi, ajo përcjell idenë se dashuria e tij «vërshon si lumë». Çfarë fjale e fuqishme për të nxjerrë në pah sa e madhe është dashuria e Jehovait për të mirosurit! Të mirosurit e dinë se janë «të dashur për Perëndinë». (Jud. 1) Apostulli Gjon i shprehu ndjenjat e tyre me këto fjalë: «Shihni sa e madhe është dashuria e Atit për ne, i cili na lejon të quhemi fëmijë të Perëndisë.» (1 Gjon. 3:1) A kufizohet dashuria e Jehovait vetëm te të mirosurit? Jo. Jehovai ka treguar qartë se e do shumë secilin prej nesh.
10. Cila është shprehja më e madhe e dashurisë së Jehovait për ty?
10 Cila është shprehja më e madhe e dashurisë së Jehovait? Shpërblesa—akti më i pashembullt i dashurisë në mbarë universin. (Gjoni 3:16; Rom. 5:8) Jehovai dha Birin e tij të shtrenjtë, lejoi që ai të vdiste për të gjithë njerëzit, në mënyrë që të na falen mëkatet e të bëhemi miq të Tij. (1 Gjon. 4:10) Sa më shumë meditojmë për çmimin që paguan Jehovai dhe Jezui, aq më mirë e kuptojmë sa e thellë është dashuria e tyre për secilin nga ne. (Gal. 2:20) Shpërblesa nuk u pagua për të përmbushur një kontratë të ftohtë ligjore. Ajo është një dhuratë e bërë nga dashuria. Jehovai ka provuar sa na do duke sakrifikuar personin më të shtrenjtë për të—Jezuin. Jehovai lejoi që Biri i tij të vuante e të vdiste për ne.
11. Çfarë mësojmë nga Jeremia 31:3?
11 Siç e kemi parë, Jehovai nuk i mban të fshehura ndjenjat, por e shpreh me ngrohtësi sa shumë na do. (Lexo Jereminë 31:3.) Jehovai na ka tërhequr drejt vetes ngaqë na do. (Krahaso Ligjin e përtërirë 7:7, 8.) Askush dhe asgjë në botë nuk na ndan dot nga dashuria e tij. (Rom. 8:38, 39) Si të bën të ndihesh ty dashuria e Jehovait? Lexo Psalmin 23 dhe shih si ndihej Davidi—e si mund të ndihesh ti vetë—nga dashuria e kujdesi i dhembshur i Jehovait.
SI TË BËN TË NDIHESH DASHURIA E JEHOVAIT?
12. Si do ta përmblidhje Psalmin 23?
12 Lexo Psalmin 23:1-6. Psalmi 23 është një këngë ku Davidi shprehu sigurinë se Jehovai e donte dhe kujdesej me dhembshuri për të. Ai përshkroi lidhjen e fortë mes tij dhe Jehovait, Bariut të tij. Davidi ndihej i sigurt ndërsa e lejonte Jehovain t’i printe dhe mbështetej plotësisht tek Ai. E dinte se dashuria e Jehovait do ta shoqëronte çdo ditë të jetës. Pse ishte kaq i sigurt?
13. Pse Davidi ishte i sigurt se Jehovai do të kujdesej gjithmonë për të?
13 «S’do të më mungojë asgjë». Davidi ndiente që s’i mungonte asgjë, sepse Jehovai i siguronte përherë çdo gjë që i nevojitej. Gjithashtu gëzonte miqësinë dhe miratimin e Jehovait. Ja pse ishte i sigurt se çfarëdo që të sillte e ardhmja, Jehovai do të kujdesej të kishte gjithçka të nevojshme. Besimi i Davidit te dashuria e ngrohtë e Jehovait ishte më i fuqishëm se çdo shqetësim që kishte dhe e mbushte me lumturi e kënaqësi të thellë.—Psal. 16:11.
14. Si mund të kujdeset Jehovai me dashuri për ne?
14 Jehovai kujdeset me dashuri për ne, sidomos kur përplasemi me dallgët e jetës. Klara,a që ka shërbyer në Bethel për më shumë se 20 vjet, s’dinte si ta ndihmonte familjen e saj kur morën disa goditje njëra pas tjetrës. Të atit i ra hemorragji cerebrale, një nga motrat u përjashtua e familja humbi biznesin e vogël dhe shtëpinë. Si u kujdes Jehovai për ta me dashuri? Klara thotë: «Ditë pas dite, Jehovai u sigurua që familja jonë të kishte çdo gjë që na nevojitej. Kushedi sa herë, ajo që na jepte Jehovai ishte përtej çdo gjëje që mund të kisha imagjinuar! I kujtoj shpesh ato momente kur provova dashurinë e ngrohtë të Jehovait dhe kanë një vend të çmuar në zemrën time. Këto kujtime të vyera më kanë ndihmuar të mos dorëzohem gjatë sprovave.»
15. Pse ndihej i freskuar Davidi? (Shihni edhe figurën.)
15 «Shpirtin ma freskon.» Hera-herës, Davidi e kishte shpirtin të dërrmuar nga gjithë hallet e sprovat që kalonte. (Psal. 18:4-6) Gjithsesi, dashuria dhe kujdesi i përzemërt i Jehovait e freskonin. Jehovai i printe mikut të tij të rraskapitur dhe e çonte në «livadhe plot bar» e në «vende të qeta plot ujë». Si rezultat, Davidit i përtëriheshin forcat dhe vazhdonte t’i shërbente me gëzim Perëndisë.—Psal. 18:28-32.
16. Si të ka freskuar ty dashuria e Jehovait?
16 Edhe sot, kur luftojmë me sprova e vështirësi, provojmë sa të vërteta janë këto fjalë: «Falë dashurisë besnike të Jehovait, nuk kemi marrë fund.» (Vajt. 3:22; Kolos. 1:11) Të mendojmë për shembullin e Rakelës. Ajo ishte e dërrmuar kur i shoqi braktisi edhe atë edhe Jehovain gjatë pandemisë së COVID-19. Çfarë bëri Jehovai për të? Rakela tregon: «Jehovai u sigurua që të ndieja dashurinë e tij dhe të të tjerëve. Ai më rrethoi me miq që kalonin kohë me mua, më sillnin ndonjë gatim, më dërgonin mesazhe të menduara mirë e shkrime inkurajuese, më buzëqeshnin dhe vazhdonin të më kujtonin se Jehovai po kujdesej për mua. E falënderoj pareshtur Jehovain që më ka dhuruar një familje të madhe e të dashur.
17. Pse Davidi ‘nuk kishte frikë nga asnjë e keqe’?
17 «Nuk kam frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua.» Davidi e kishte shpesh jetën në rrezik dhe kishte shumë armiq të fuqishëm. Por dashuria e Jehovait e bënte të ndihej i sigurt e i mbrojtur. Davidi mund ta ndiente se Jehovai ishte me të në çdo situatë, e kjo ia qetësonte zemrën. Ja pse këndoi: «Nga çdo frikë imja [Jehovai] më çliroi.» (Psal. 34:4) Frika e Davidit ishte reale, ama dashuria e Jehovait ishte më e fuqishme se çdo frikë që ndiente.
18. Kur je i frikësuar, si mund të të japë forcë siguria se Jehovai të do?
18 Kur gjendemi në situata që na ngjallin frikë, si na jep forcë siguria se Jehovai na do? Një pioniere që quhet Suzi tregon si u ndien ajo dhe i shoqi kur djali i tyre vrau veten: «Një tragjedi e papritur hap një plagë të thellë dhe mund të na bëjë të ndihemi të pafuqishëm e të pambrojtur. Por falë dashurisë së ngrohtë të Jehovait, jemi ndier të sigurt e të mbrojtur.» Rakela që u përmend më sipër, kujton: «Një natë, kur plaga e zemrës u bë më therëse dhe po më mbysnin shqetësimi e frika, iu luta Jehovait me rënkime e lot. Menjëherë ndjeva se ai ma ngushëlloi zemrën e më qetësoi, tamam siç bën një nënë me foshnjën e saj, e pas kësaj më zuri gjumi. S’kam për ta harruar kurrë atë moment.» Një plak kongregacioni që quhet Tasos bëri katër vite burg ngaqë nuk pranoi të shkonte ushtar. Si e provoi dashurinë dhe kujdesin e Jehovait? Ai thotë: «Jehovai u kujdes të kisha më tepër nga ç’më nevojitej. Kjo ma forcoi sigurinë se mund të mbështetem plotësisht tek Ai. Gjithashtu, nëpërmjet frymës së tij, Jehovai më dha gëzim edhe në një ambient që ngjallte dëshpërim. Kjo më bindi se sa më shumë të punoj përkrah Jehovait, aq më shumë do ta shijoj mirësinë e tij. Kështu fillova të shërbeja si pionier i rregullt kur isha në burg.»
AFROHU ME PERËNDINË TËND ZEMËRDHEMBSHUR
19. (a) Si mund të ndikojë te lutjet tona siguria se Perëndia na do? (b) Cili përshkrim i dashurisë së Jehovait të prek në veçanti? (Shihni kutinë «Fjalë përmes të cilave ndiejmë dashurinë e ngrohtë të Jehovait».)
19 Të gjithë shembujt që kemi parë provojnë se Jehovai, «Perëndia i dashurisë», është me ne. (2 Kor. 13:11) Ai interesohet për secilin nga ne. Jemi të bindur se ‘na rrethon dashuria e Tij besnike’. (Psal. 32:10) Sa më shumë të meditojmë si na ka treguar dashuri Jehovai, aq më real bëhet për ne dhe aq më shumë afrohemi me të. Mund t’i flasim lirshëm dhe t’i tregojmë sa nevojë kemi për dashurinë e tij. Mund t’i hapim zemrën për çdo gjë që na shqetëson, të sigurt se na kupton dhe se mezi pret të na ndihmojë.—Psal. 145:18, 19.
20. Si na afron më shumë me Jehovain dashuria e tij?
20 Ashtu siç duam të rrimë pranë një zjarri të ngrohtë në një ditë të acartë, po ashtu duam të ndiejmë ngrohtësinë e dashurisë së Jehovait. Dashuria e Jehovait është e fuqishme dhe njëkohësisht e butë. Ndaj lejoje Jehovain të të mbështjellë me dashurinë e tij të ngrohtë çdo ditë të jetës. E dashuria e tij le të na bëjë të themi me gjithë zemër: «Sa e dua Jehovain!»—Psal. 116:1.
SI DO TË PËRGJIGJESHE?
Si do ta përshkruaje dashurinë e Jehovait?
Pse mund të jesh i sigurt se Jehovai të ka shumë për zemër?
Si të bën të ndihesh dashuria e Jehovait?
KËNGA 108 Jehova, je plot dashuri besnike
a Disa emra janë ndryshuar.