«Zotimin që merr, mbaje»
«Mbaji zotimet që ke marrë para Jehovait.»—MAT. 5:33.
1. (a) Çfarë kishin të përbashkët gjykatësi Jefte dhe Hana? (Shih figurat hapëse.) (b) Cilat pyetje do të marrin përgjigje në këtë artikull?
AI ISHTE udhëheqës i guximshëm; ajo një bashkëshorte e nënshtruar. Ai ishte luftëtar sypatrembur; ajo një shtëpiake e përulur. Përveçse adhuronin të njëjtin Perëndi, ç’gjë tjetër vallë mund të kishin të përbashkët gjykatësi Jefte dhe Hana, gruaja e Elkanahut? Secili i kishte bërë një zotim Perëndisë, dhe që të dy e plotësuan besnikërisht zotimin ndaj tij. Këta janë shembuj të shkëlqyer për ata burra e gra sot që vendosin t’i bëjnë zotime Jehovait. Megjithatë, lindin disa pyetje të rëndësishme: çfarë është një zotim? Sa serioze është të marrësh një zotim para Perëndisë? Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga Jefteu dhe Hana?
2, 3. (a) Çfarë është një zotim? (b) Çfarë thonë Shkrimet për zotimet që bëjmë para Perëndisë?
2 Në Bibël, fjala «zotim» përdoret në kuptimin e një premtimi solemn që i bëhet Perëndisë. Me zotimin që merr, një njeri premton të kryejë diçka, të ofrojë ndonjë dhuratë, të nisë një lloj shërbimi ose të frenohet e të mos bëjë disa gjëra. Zotimet bëhen me dëshirë, me vullnet të lirë. Gjithsesi, në sytë e Perëndisë ato janë të shenjta dhe të detyrueshme të plotësohen, sepse kanë vlerën e një betimi—e një deklarate me të cilën dikush betohet se do të bëjë ose nuk do të bëjë një gjë të caktuar. (Zan. 14:22, 23; Hebr. 6:16, 17) Çfarë thonë Shkrimet për seriozitetin e zotimeve që bëjmë para Perëndisë?
3 Ligji i Moisiut thoshte: «Në rast se një burrë zotohet për ndonjë gjë para Jehovait ose betohet . . . , ai nuk duhet ta shkelë fjalën, por të plotësojë të gjitha ato për të cilat është zotuar me gojën e vet.» (Num. 30:2) Më vonë, Solomoni shkroi nën frymëzim: «Sa herë të marrësh një zotim para Perëndisë, mos ngurro ta mbash, sepse budallenjtë nuk janë të pëlqyeshëm. Zotimin që merr, mbaje.» (Ekl. 5:4) Jezui e ritheksoi sa serioze është të marrësh një zotim kur tha: «Të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos u beto më kot, por mbaji zotimet që ke marrë para Jehovait.’»—Mat. 5:33.
4. (a) Sa serioze është t’i bësh një zotim Perëndisë? (b) Çfarë duam të mësojmë nga Jefteu dhe Hana?
4 Pra, duket qartë se është një çështje goxha serioze t’i bëjmë premtime Perëndisë. Ajo që bëjmë me zotimet tona ndikon te marrëdhënia jonë me Jehovain. Davidi shkroi: «Kush mund të ngjitet në malin e Jehovait? Kush mund të shkojë në vendin e tij të shenjtë? Ai që . . . nuk bën betime të rreme.» (Psal. 24:3, 4) Çfarë zotimesh morën Jefteu dhe Hana, dhe a e patën të lehtë t’i plotësonin zotimet e tyre?
I MBAJTËN BESNIKËRISHT ZOTIMET NDAJ PERËNDISË
5. Çfarë zotimi mori Jefteu, dhe cili ishte rezultati?
5 Jefteu e mbajti besnikërisht premtimin që i kishte bërë Jehovait kur doli të luftonte me amonitët, të cilët terrorizonin popullin e Perëndisë. (Gjyk. 10:7-9) Me një dëshirë të zjarrtë që ta fitonte luftën, Jefteu u zotua: «Nëse vërtet m’i jep në dorë bijtë e Amonit, atëherë kush të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më takuar kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t’i përkasë Jehovait.» Rezultati? Amonitët u mundën dhe, kur Jefteu u kthye me fitore, njeriu që doli ta priste ishte vajza e tij e shtrenjtë. Pikërisht ajo ‘do t’i përkiste Jehovait’. (Gjyk. 11:30-34) Çfarë nënkuptonte kjo për vajzën?
6. (a) A e patën të lehtë Jefteu dhe e bija të plotësonin zotimin që i bëri ai Perëndisë? (b) Çfarë të ngulitin në mendje Ligji i përtërirë 23:21, 23 dhe Psalmi 15:4 për një zotim që i bëhet Perëndisë?
6 Për të mbajtur zotimin e të atit, vajza e Jefteut duhej t’i shërbente Jehovait në kohë të plotë në shenjtëroren e tij. Mos ishte i ngutur zotimi që kishte bërë Jefteu? Jo, pasi ai mund ta dinte fare mirë se njeriu që do të dilte në derë për ta takuar mund të ishte e bija. Prapëseprapë, ishte një situatë e vështirë nga ana emocionale për babë e bijë—një sakrificë e vërtetë për të dy. Kur e pa, Jefteu ‘shqeu rrobat’ dhe tha se iu copëtua zemra. E bija ‘qau virgjërinë e saj’. Pse? Jefteu nuk kishte djalë, dhe bija e tij e vetme s’do të kishte kurrë mundësi të martohej dhe t’i lindte nipër e mbesa. Nuk kishte asnjë mënyrë që të ruheshin brez pas brezi emri dhe trashëgimia e familjes. Megjithatë, meraku kryesor për ta s’ishte ky. Jefteu tha: «Tani që fola me gojën time para Jehovait, nuk mund ta kthej pas.» Dhe e bija u përgjigj: «Bëj me mua si the.» (Gjyk. 11:35-39) Ata ishin njerëz besnikë që s’do t’u shkonte kurrë ndër mend të shkelnin një zotim që i kishin bërë Perëndisë Më të Lartë—pavarësisht se sa u kushtonte kjo personalisht.—Lexo Ligjin e përtërirë 23:21, 23; Psalmin 15:4.
7. (a) Çfarë zotimi mori Hana, për ç’arsye dhe çfarë rezultati pati? (b) Çfarë nënkuptonte për Samuelin zotimi i Hanës? (Shih shënimin.)
7 Hana ishte një tjetër që mbajti besnikërisht betimin që i kishte bërë Jehovait. Ajo e bëri atë premtim kur e kishte mbytur ankthi dhe dëshpërimi për shkak të shterpësisë së saj dhe të fyerjeve të pareshtura. (1 Sam. 1:4-7, 10, 16) Hana ia zbrazi zemrën Perëndisë dhe u zotua: «O Jehova i ushtrive, nëse vërtet do ta shohësh brengën e skllaves sate e do të më kujtosh, nëse nuk do ta harrosh skllaven tënde e do t’i japësh një pasardhës mashkull, unë do të ta jap ty, o Jehova, derisa të ketë jetë dhe në kokën e tij nuk do të kalojë brisku.»a (1 Sam. 1:11) Kërkesa e Hanës u plotësua dhe ajo solli në jetë të parëlindurin e saj—një djalë. Sa shumë e lumturoi kjo! Ama nuk e harroi zotimin që i kishte bërë Perëndisë. Kur lindi djalin, ajo tha me plot gojën: «Ia kërkova Jehovait.»—1 Sam. 1:20.
8. (a) A e pati të lehtë Hana të mbante zotimin e saj? (b) Pse fjalët e Davidit te Psalmi 61 të sjellin ndër mend qëndrimin shembullor të Hanës?
8 Sapo i hoqi gjirin Samuelit të vogël kur ishte afro tre vjeç, Hana bëri tamam siç i ishte zotuar Perëndisë. Nuk i shkoi ndër mend aspak të vepronte ndryshe. E çoi Samuelin te kryeprifti Eli në tabernakullin e Shilohut dhe tha: «Për këtë djalë u luta, e Jehovai ma plotësoi kërkesën që i bëra. Prandaj unë ia kam taksur Jehovait. Sa të ketë jetë, do t’i kushtohet Jehovait.» (1 Sam. 1:24-28) Atje, «djaloshi Samuel rritej me Jehovain». (1 Sam. 2:21) Por çfarë nënkuptonte kjo për Hanën? Ajo e donte me shpirt vogëlushin e saj, por tani s’do të kishte mundësi të rrinte me të çdo ditë ndërsa rritej. Imagjino si i digjej zemra ta përkëdhelte, të lozte me të, ta ushqente—të kishte gjithë ato kujtime të ëmbla që janë të shtrenjta për një nënë të dashur ndërsa sheh të voglin e saj të rritet. Prapëseprapë, Hana nuk ishte aspak pishman që mbajti zotimin ndaj Perëndisë. Zemra e saj gëzonte falë Jehovait.—1 Sam. 2:1, 2; lexo Psalmin 61:1, 5, 8.
9. Cilat pyetje kërkojnë përgjigje tani?
9 Tani që e kemi kuptuar sa serioze është të marrësh një zotim para Perëndisë, le të shqyrtojmë këto pyetje: ç’lloj zotimesh, ose betimesh, mund të bëjmë si shërbëtorë të Perëndisë? Gjithashtu, sa të vendosur duhet të jemi që t’i mbajmë zotimet tona?
BETIMI YT I KUSHTIMIT
10. Cili është zotimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shërbëtor i Perëndisë, dhe çfarë përfshin?
10 Zotimi më i rëndësishëm që mund të marrë një shërbëtor i Perëndisë është betimi që bën për t’i kushtuar jetën Jehovait. Pse themi kështu? Sepse, në një lutje personale, i premton solemnisht Jehovait se do ta përdorë jetën që t’i shërbejë përgjithmonë atij, çfarëdo që të ndodhë. Për ta thënë me fjalët e Jezuit, në këtë mënyrë ‘mohon veten’, heq dorë nga gjithë të drejtat që ka mbi veten, dhe betohet të vërë mbi gjithçka tjetër në jetë vullnetin e Perëndisë. (Mat. 16:24) Që nga ajo ditë e tutje, ‘i përket Jehovait’. (Rom. 14:8) Kushdo që bën betimin e kushtimit duhet ta marrë shumë seriozisht këtë zotim, njësoj si psalmisti i cili tha për zotimet që i kishte bërë Perëndisë: «Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë? Zotimet që i kam bërë Jehovait, do t’i plotësoj, po, do t’i plotësoj para tërë popullit të tij.»—Psal. 116:12, 14.
11. Çfarë u bë e qartë ditën e pagëzimit tënd?
11 A ia ke kushtuar jetën Jehovait dhe a je pagëzuar në simbol të kushtimit tënd? Nëse po, kjo është një gjë e shkëlqyer! Sill ndër mend se ditën që u pagëzove, para shumë dëshmitarëve që vëzhgonin, t’u drejtuan pyetjet nëse i ishe kushtuar Jehovait dhe nëse e kuptoje se ‘kushtimi dhe pagëzimi të identifikonin si Dëshmitar të Jehovait që shoqërohet me organizatën e drejtuar nga fryma e Perëndisë’. Përgjigjet e tua pohuese shërbyen si shpallje publike e kushtimit tënd pa rezerva dhe treguan se ishe i kualifikuar të pagëzoheshe si shërbëtor i emëruar zyrtarisht i Jehovait. Sa shumë do t’i ketë gufuar zemra Jehovait për ty!
12. (a) Cilat pyetje është mirë t’i bëjmë vetes? (b) Çfarë cilësish na nxit Pjetri të kërkojmë te vetja?
12 Megjithatë, pagëzimi është veç fillimi. Pas kësaj, duam të vazhdojmë të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë duke i shërbyer besnikërisht Perëndisë. Prandaj, mund të pyesim veten: «Si ka përparuar marrëdhënia ime me Perëndinë që nga koha e pagëzimit? A po vazhdoj t’i shërbej Jehovait me gjithë shpirt? (Kolos. 3:23) A lutem, a lexoj Fjalën e Perëndisë, a ndjek mbledhjet e kongregacionit dhe a dal në shërbim sa më shpesh të jetë e mundur? Apo më është mpakur disi zelli në këto drejtime?» Apostulli Pjetër shpjegoi se po të vazhdojmë t’i shtojmë besimit tonë njohurinë, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin hyjnor, kjo s’do të na lërë të bëhemi joaktivë në shërbim.—Lexo 2 Pjetrit 1:5-8.
13. Çfarë duhet të ketë të qartë një i krishterë i kushtuar e i pagëzuar?
13 Nuk ka asnjë mënyrë për ta anuluar betimin e kushtimit e për ta kthyer mbrapsht atë që i premtuam Perëndisë. Nëse dikush lodhet duke i shërbyer Jehovait ose duke jetuar si shërbëtor i tij, nuk mund të pohojë se nuk ishte kushtuar kurrë me të vërtetë dhe se pagëzimi i tij ishte i pavlefshëm.b Ai e paraqiti veten si një njeri plotësisht të kushtuar ndaj Perëndisë. Ai do të japë llogari përpara Jehovait dhe kongregacionit për çfarëdo mëkati serioz që mund të kryejë. (Rom. 14:12) Kurrë mos u thëntë për ne se ‘e lamë dashurinë e fillimit’! Përkundrazi, duam që Jezui të ketë mundësi të thotë për ne: «I njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë tënde, dhe e di që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet.» (Zbul. 2:4, 19) Vazhdofshim plot zell të jetojmë në lartësinë e betimit tonë të kushtimit, duke ia bërë zemrën mal Jehovait!
BETIMI YT I MARTESËS
14. Cili është zotimi i dytë më i rëndësishëm që mund të bëjë njeriu, dhe pse është kaq serioz?
14 Zotimi i dytë më i rëndësishëm që mund të bëjë një njeri është betimi i martesës. Pse themi kështu? Sepse martesa është e shenjtë. Nusja dhe dhëndri i thonë betimet e martesës para Perëndisë dhe para dëshmitarëve të pranishëm. Zakonisht ata bëjnë premtimin se do ta duan, do ta çmojnë e do ta respektojnë njëri-tjetrin dhe se do ta bëjnë këtë ‘për sa kohë që të jetojnë të dy së bashku në tokë, në përputhje me rregullin martesor të Perëndisë’. Të tjerë mbase nuk thonë fiks këto fjalë, por gjithsesi bëjnë një betim para Perëndisë. Pas kësaj, ata janë burrë e grua dhe martesa e tyre duhet të jetë një lidhje për tërë jetën. (Zan. 2:24; 1 Kor. 7:39) «Prandaj,—siç u shpreh Jezui,—atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë», as burri, as gruaja e as ndokush tjetër. Kështu, çiftet që martohen duhet të kenë pikëpamjen se divorci nuk është kurrsesi një alternativë.—Mar. 10:9.
15. Pse shërbëtorët e Perëndisë nuk duhet të përvetësojnë qëndrimin moskokëçarës të botës ndaj martesës?
15 Sigurisht, nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë martesë e përsosur. Çdo martesë përbëhet nga dy njerëz të papërsosur. Ja pse Bibla thotë se hera-herës të martuarit «do të kenë shtrëngim». (1 Kor. 7:28) Është për të ardhur keq që shumë veta në botë kanë një qëndrim moskokëçarës ndaj martesës. Kur krijohen tensione, ata thjesht dorëzohen dhe e lënë bashkëshortin. Por kjo s’është aspak rruga që duhet të ndjekë një shërbëtor i Perëndisë. Të shkelësh betimin e martesës është njësoj si të gënjesh Perëndinë, dhe Perëndia i urren gënjeshtarët! (Lev. 19:12; Prov. 6:16-19) Apostulli Pavël shkroi: «A je i lidhur me një grua? Mos kërko më të zgjidhesh.» (1 Kor. 7:27) Pavli mund ta thoshte këtë pasi e dinte se Jehovai urren edhe një divorc të kurdisur me pabesi.—Mal. 2:13-16.
16. Çfarë thotë Bibla për divorcin dhe për ndarjen?
16 Jezui mësoi se e vetmja bazë biblike për të zgjidhur betimin martesor është kur bashkëshorti i pafajshëm zgjedh të mos e falë bashkëshortin tjetër që ka kryer kurorëshkelje. (Mat. 19:9; Hebr. 13:4) Po ç’të themi për ndarjen? Edhe në këtë pikë, Bibla është e qartë. (Lexo 1 Korintasve 7:10, 11.) Vërtet, në Shkrime nuk specifikohen arsyet pse mund të ndahen bashkëshortët. Megjithatë, disa të krishterë të martuar i kanë konsideruar disa situata si shkak për ndarje, si për shembull rastet kur vihet në rrezik ekstrem jeta ose marrëdhënia me Perëndinë nga bashkëshorti abuzues ose apostat.c
17. Si mund ta bëjnë martesën e tyre një marrëdhënie të qëndrueshme një çift i krishterë?
17 Kur pjesëtarët e kongregacionit u drejtohen pleqve për këshilla rreth problemeve martesore, pleqtë bëjnë mirë të pyesin nëse çifti e ka parë kohët e fundit videon Çfarë është dashuria e vërtetë? dhe nëse e kanë studiuar së bashku broshurën Familja jote mund të jetë e lumtur. Pse? Sepse këto mjete e drejtojnë vëmendjen te parimet hyjnore që i kanë ndihmuar shumë veta ta forcojnë martesën. Një çift tha: «Që kur kemi filluar të studiojmë këtë broshurë, martesa jonë është më e lumtur se kurrë.» Një grua tha për martesën e saj 22-vjeçare që ishte buzë shkatërrimit: «Të dy jemi të pagëzuar, por nuk pajtoheshim gjëkundi me njëri-tjetrin nga ana emocionale. Videoja erdhi tamam në kohë! Tani shkojmë shumë më mirë si çift.» Nëse je i martuar, bëj çmos të zbatosh parimet e Jehovait në martesën tënde. Kjo do të të ndihmojë të jetosh në lartësinë e betimit të martesës—e të jesh i lumtur ndërsa e bën këtë!
BETIMI I SHËRBËTORËVE SPECIALË NË KOHË TË PLOTË
18, 19. (a) Çfarë kanë bërë shumë prindër Dëshmitarë? (b) Ç’mund të thuhet për ata që janë në shërbimin special të plotkohor?
18 A e dallove ç’gjë tjetër kishin të përbashkët Jefteu dhe Hana? Si rezultat i zotimit që mori secili prej tyre, vajza e Jefteut dhe djali i Hanës iu përkushtuan shërbimit të shenjtë special në tabernakull. Pra, bënë një jetë të bukur që u solli shumë gëzim. Sot, shumë prindër Dëshmitarë i kanë inkurajuar fëmijët të fillojnë shërbimin e plotkohor dhe ta përqendrojnë jetën te shërbimi i Perëndisë. Ata që e kanë bërë këtë meritojnë t’i lavdërojmë nga zemra.—Gjyk. 11:40; Psal. 110:3.
19 Sot ka rreth 67.000 anëtarë të Urdhrit Mbarëbotëror të Shërbëtorëve Specialë në Kohë të Plotë të Dëshmitarëve të Jehovait. Disa shërbejnë në Bethel, të tjerë marrin pjesë në veprën e ndërtimit ose në veprën qarkore, shërbejnë si instruktorë në fushëd ose si pionierë specialë, si misionarë a si shërbëtorë të godinave të shkollave biblike ose të Sallave të Asambleve. Të gjithë këta kanë bërë «Betimin e Bindjes dhe të Varfërisë» nëpërmjet të cilit pranojnë të bëjnë çfarëdo që u caktohet për të mbështetur Mbretërinë, të bëjnë një jetë të thjeshtë dhe të mos punojnë në botë pa pasur leje për këtë. Ajo që konsiderohet speciale nuk janë njerëzit, por caktimet e tyre. Ata e kuptojnë sa serioze është të jetojnë përulësisht në lartësinë e zotimit të tyre solemn për sa kohë të jenë në shërbimin special të plotkohor.
20. Ç’duhet të bëjmë «ditë për ditë», dhe pse?
20 Sa prej zotimeve ose betimeve që kemi shqyrtuar i ke bërë Perëndisë—një, dy apo që të tria? Pa dyshim që e kupton se s’duhet t’i marrësh lehtë zotimet e tua. (Prov. 20:25) Kur dikush nuk e mban fjalën që i ka dhënë Jehovait dhe nuk e plotëson një zotim, mund të ketë pasoja serioze. (Ekl. 5:6) Prandaj, plot gëzim le ‘të këndojmë gjithmonë për emrin e Jehovait, [ndërsa] plotësojmë zotimet tona ditë për ditë’.—Psal. 61:8.
a Sipas zotimit të Hanës, fëmija i saj do të bëhej nazire për tërë jetën, domethënë do të veçohej, do të kushtohej ose do të ndahej mënjanë për shërbimin e shenjtë të Jehovait.—Num. 6:2, 5, 8.
b Kur mban parasysh hapat që bëjnë pleqtë për t’u siguruar se një person kualifikohet për pagëzim, do të ishte një gjë tepër e rrallë që pagëzimi i dikujt të ishte i pavlefshëm.
c Shih shtojcën «Pikëpamja e Biblës për divorcin dhe ndarjen» në librin ‘Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’ f. 219-221.
d Instruktorët në fushë janë vëllezër që japin mësim në Shkollën për Ungjillëzuesit e Mbretërisë, në Shkollën për Pleqtë e Kongregacionit ose në Shkollën për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre. Në përgjithësi, ata japin mësim në Sallat e Asambleve, në Sallat e Mbretërisë ose në godinat e Shkollës.