«Kush do të më kallë tmerrin?»
«Edhe sikur të bëhej luftë kundër meje, do të kisha besim te ti.»—PSAL. 27:3.
ÇFARË MUND TË NA NDIHMOJË TË SHTOJMË GUXIMIN, SIPAS KËTYRE VARGJEVE:
1. Çfarë do të na ndihmojë të kuptojmë Psalmi i 27-të?
PËRSE aktiviteti ynë i predikimit vazhdon të rritet, pavarësisht se kushtet e botës po keqësohen? Pse ne japim falas nga koha dhe energjitë tona, ndërkohë që shumë njerëz përjetojnë vështirësi ekonomike? Si mund të vazhdojmë të jemi të guximshëm në një kohë kur shumë të tjerë i tremben së ardhmes? Përgjigjet na i jep një këngë e frymëzuar e mbretit David, e regjistruar në Psalmin 27.
2. Si mund të ndikojë ndjenja e tmerrit, por çfarë sigurie kemi?
2 Davidi e fillon këtë psalm me fjalët: «Jehovai është drita dhe shpëtimi im. Nga kush do të kem frikë? Jehovai është kalaja e jetës sime. Kush do të më kallë tmerrin?» (Psal. 27:1) Ndonëse frika mund të ketë një ndikim dobësues, tmerri është edhe më i keq. Megjithatë, asnjë ndjenjë e fshehur tmerri nuk ka pse t’i trazojë ata që i frikësohen Jehovait. (1 Pjet. 3:14) Nëse e bëjmë Jehovain kalanë tonë, ‘do të banojmë të sigurt dhe të patrazuar nga tmerri i gjëmës’. (Prov. 1:33; 3:25) Përse?
«JEHOVAI ËSHTË DRITA DHE SHPËTIMI IM»
3. Në ç’kuptim Jehovai është drita jonë, por ç’duhet të bëjmë ne?
3 Metafora ‘Jehovai është drita ime’, e drejton vëmendjen te fakti që Jehovai na çliron nga padija dhe errësira frymore. (Psal. 27:1) Drita mund të na zbulojë ndonjë rrezik a pengesë që ndeshim udhës, por nuk e heq atë. Jemi ne që duhet të veprojmë me mençuri për të shmangur rrezikun. Ngjashëm, Jehovai na zbulon se ç’nënkuptojnë në thelb ngjarjet botërore që shohim të ndodhin. Ai na sinjalizon për rreziqet e këtij sistemi. Na jep parime biblike që kanë gjithmonë sukses, por jemi ne që duhet t’i zbatojmë ato që mësojmë. Nëse e bëjmë këtë, mund të fitojmë mençuri, ashtu si psalmisti që u bë ‘më i mençur se armiqtë e tij’ dhe me ‘më shumë gjykim të thellë se tërë mësuesit e tij’.—Psal. 119:98, 99, 130.
4. (a) Pse Davidi mundi të thoshte me bindje: «Jehovai është . . . shpëtimi im»? (b) Në veçanti kur do të bëhet Jehovai shpëtimi ynë?
4 Fjalët e Davidit te Psalmi 27:1 tregojnë se ai duhet të ketë kujtuar si e kishte çliruar, ose shpëtuar, Jehovai në raste të mëparshme. Për shembull, Jehovai e kishte çliruar «nga panxha e luanit dhe nga panxha e ariut». Po ashtu, Jehovai e kishte nxjerrë fitimtar mbi Goliadin gjigant. Më vonë, mbreti Saul ishte përpjekur ta vriste Davidin me heshtë, por Jehovai e çliroi në çdo rast. (1 Sam. 17:37, 49, 50; 18:11, 12; 19:10) Ja pse Davidi mundi të thoshte me bindje: «Jehovai është . . . shpëtimi im!» Jehovai do të jetë përsëri shpëtim për shërbëtorët e tij, ashtu siç ishte për Davidin. Si? Duke i çliruar adhuruesit e tij që të dalin nga «shtrëngimi i madh» që po vjen.—Zbul. 7:14; 2 Pjet. 2:9.
KUJTO ÇDO SUKSES
5, 6. (a) Ç’rol luajnë kujtimet për të shtuar guximin? (b) Si na shtohet guximi kur kujtojmë si e ka ndihmuar Jehovai popullin e tij në të kaluarën?
5 Psalmi 27:2, 3 (lexoje) na tregon një faktor të rëndësishëm për të shtuar guximin. Davidi kujtonte ngjarje kur kishte përjetuar çlirimin me ndihmën e Jehovait. (1 Sam. 17:34-37) Ato kujtime e mbushnin me siguri për të përballuar vështirësi edhe më të mëdha. A nxjerr përfundime të ngjashme nga përvojat e tua? Për shembull, a je lutur me zjarr për ndonjë problem shqetësues e më pas ke parë se si Jehovai të ka dhënë mençurinë ose fuqinë për ta përballuar atë sprovë? A të kujtohet si të ndihmoi Jehovai të zgjidhje probleme që ta bënin të vështirë t’i shërbeje me gëzim? Ose, a të kujtohet si të dha mundësi të reja për t’i shërbyer? (1 Kor. 16:9) Si ndikon tani te ti kur i sjell ndër mend këto gjëra? A nuk të bindin këto kujtime se Jehovai mund të të ndihmojë të kapërcesh apo t’u bësh ballë vështirësive dhe problemeve edhe më të mëdha?—Rom. 5:3-5.
6 Po sikur ndonjë qeveri e fuqishme të thurte një komplot për t’i shfarosur Dëshmitarët e Jehovait si organizatë? Në kohët tona shumë janë përpjekur ta bëjnë këtë, por kanë dështuar. Kur kujtojmë si e ka ndihmuar Jehovai popullin e tij në të kaluarën, na shtohet edhe më shumë siguria se mund ta përballojmë të ardhmen.—Dan. 3:28.
VLERËSO ADHURIMIN E PASTËR
7, 8. (a) Sipas Psalmit 27:4, çfarë i kërkoi Davidi Jehovait? (b) Çfarë është tempulli i madh frymor i Jehovait dhe si adhurojmë atje?
7 Diçka tjetër që do të na ndihmojë të kemi guxim, është dashuria për adhurimin e vërtetë. (Lexo Psalmin 27:4.) Në kohën e Davidit, ‘shtëpia e Jehovait’ ishte tabernakulli. Vetë Davidi mori masa për përgatitjen me hollësi të strukturës së tempullit, të cilin do ta ndërtonte i biri, Solomoni. Shekuj më vonë, Jezui zbuloi se adhurimi i pastër i Jehovait nuk do të kishte më nevojë për një strukturë të madhe të bekuar nga Perëndia. (Gjoni 4:21-23) Apostulli Pavël tregoi te kapitujt 8 deri në 10 të Hebrenjve se një tempull i madh frymor erdhi në ekzistencë në vitin 29 të e.s., kur Jezui u pagëzua dhe e paraqiti veten për të bërë vullnetin e Jehovait. (Hebr. 10:10) Ky tempull i madh frymor është masa që ka marrë Jehovai që, nëpërmjet besimit te flijimi shpërblyes i Jezuit, t’i afrohemi Perëndisë në mënyrë të pranueshme. Si adhurojmë në këtë tempull? Duke u lutur «me zemër të sinqertë, me siguri të plotë e me besim» dhe duke e shpallur publikisht shpresën tonë pa u lëkundur. Në tempullin frymor adhurojmë edhe kur interesohemi, kur i nxitim dhe kur i inkurajojmë bashkadhuruesit në mbledhjet e kongregacionit, si dhe kur bëjmë adhurimin familjar. (Hebr. 10:22-25) Vlerësimi për këtë masë të adhurimit të vërtetë na forcon në këto ditë të fundit kritike.
8 Anembanë botës, shërbëtorët besnikë të Jehovait po e shtojnë pjesëmarrjen në shërbim, duke mësuar gjuhë të huaja dhe duke u transferuar në zona ku ka më shumë nevojë për predikues të Mbretërisë. Veprat e tyre tregojnë se, ashtu si psalmisti, ata i kërkojnë vetëm një gjë Jehovait. Duan të shohin hijeshinë e Jehovait dhe të marrin pjesë në shërbimin e shenjtë, të ndodhë ç’të ndodhë.—Lexo Psalmin 27:6.
KI BESIM TE NDIHMA E PERËNDISË
9, 10. Cila është domethënia e fjalëve plot siguri të Psalmit 27:10?
9 Davidi e shpreh qartë dhe me forcë besimin te ndihma e Jehovait kur thotë: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» (Psal. 27:10) Nga ngjarjet e treguara te kapitulli i 22-të i 1 Samuelit mund të kuptojmë se prindërit nuk e braktisën Davidin. Megjithatë, shumë veta sot janë mohuar fare nga familjet e tyre. Sidoqoftë, shumë nga këta kanë gjetur ndihmë e mbrojtje në gjirin e ngrohtë të kongregacionit të krishterë.
10 Meqë Jehovai është gati t’i mbështetë shërbëtorët e vet kur të tjerët i braktisin, a nuk do t’i mbështetë edhe në çdo shtrëngim tjetër? Për shembull, nëse jemi të shqetësuar se si do të kujdesemi materialisht për familjen, a nuk mund të jemi të sigurt se Jehovait do të na ndihmojë? (Hebr. 13:5, 6) Ai i kupton rrethanat dhe nevojat e të gjithë shërbëtorëve të tij besnikë.
11. Si mund të ndikojë te të tjerët besimi ynë te Jehovai? Ilustroje.
11 Të shohim rastin e Viktorias, një studenteje të Biblës në Liberi. Ndërsa përparonte drejt pagëzimit, burri me të cilin jetonte e braktisi atë dhe tre fëmijët e saj. Ndonëse ishte pa shtëpi dhe pa punë, ajo vazhdoi të përparonte frymësisht. Pasi Viktoria u pagëzua, vajza e saj 13-vjeçare gjeti një portofol plot me pará. Që të mos tundoheshin, ato vendosën të mos i numëronin fare paratë. Përkundrazi, kontaktuan menjëherë me ushtarin që kishte humbur portofolin. Ai u tha se, sikur të ishin të gjithë kaq të ndershëm sa Dëshmitarët e Jehovait, tërë bota do të ishte më e mirë dhe më paqësore. Viktoria i tregoi ushtarit nga Bibla premtimin e Jehovait për një botë të re. I habitur nga integriteti i saj, ushtari i dha Viktorias një shumë mjaft të madhe nga paratë e gjetura. Në të vërtetë, besimi i patundur tek aftësia e Jehovait për të siguruar gjërat e nevojshme, ka bërë që Dëshmitarët e Jehovait të kenë një reputacion të shkëlqyer si njerëz të ndershëm.
12. Ç’tregojmë kur vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait pavarësisht nga humbjet materiale? Ilustroje.
12 Ose imagjinoni si mund të jetë ndier Tomasi, një lajmëtar i papagëzuar në Sierra-Leone. Ai nisi të punonte si mësues në një shkollë të mesme, por nuk mund të merrte rrogën për afro një vit derisa të plotësonte të gjitha kërkesat. Cila ishte kërkesa e fundit që duhej të plotësonte para se të merrte rrogën dhe paratë e prapambetura? Një intervistë me administratorin e shkollës, i cili ishte prift. Prifti i shpjegoi se bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait nuk përputheshin me ato të institutit. Këmbënguli që Tomasi të zgjidhte ose punën, ose bindjet e tij biblike. Tomasi e la punën dhe humbi rrogën e pothuajse një viti, megjithatë gjeti një punë tjetër ku riparonte radio dhe telefonë celularë. Siç tregon ky shembull dhe shumë të tjerë të ngjashëm, njerëzit në përgjithësi i tmerron mendimi se mund të humbasin gjërat e nevojshme, por kjo frikë nuk përputhet me besimin tonë të fortë te Krijuesi i gjithçkaje dhe Mbrojtësi i popullit të tij.
13. Si po përparon vepra e predikimit për Mbretërinë në vendet ku të mirat materiale janë të pakta?
13 Në shumë vende ku kushtet e jetesës janë të vështira, shpesh lajmëtarët e Mbretërisë janë mjaft aktivë. Përse? Një zyrë dege shkruan: «Shumë njerëz që pranojnë të studiojnë Biblën, janë të papunë, prandaj kanë më shumë kohë për të studiuar gjatë ditës. Edhe vëllezërit kanë më shumë kohë për të predikuar. Sidomos në zonat më të varfra, njerëzve nuk ka nevojë t’u thuash se po jetojmë në ditët e fundit; ata i shohin vetë kushtet.» Një misionar që shërben prej më shumë se 12 vjetësh në një vend ku çdo lajmëtar drejton mesatarisht mbi tri studime, shkruan: «Përderisa mjaft lajmëtarë kanë një mënyrë jetese të thjeshtë, me më pak shpërqendrime, në përgjithësi kanë më tepër kohë për të predikuar dhe për të drejtuar studime biblike.»
14. Në cilat mënyra shumica e madhe mund të gëzojë mbrojtjen hyjnore?
14 Jehovai ka premtuar se do ta ndihmojë, do ta mbrojë e do ta çlirojë popullin e vet si grup, fizikisht dhe frymësisht; dhe ne kemi besim tek ai. (Psal. 37:28; 91:1-3) Shumica që mbijeton ‘shtrëngimin e madh’, do të jetë vërtet e madhe. (Zbul. 7:9, 14) Si grup, ajo shumicë do të gjejë mbrojtje e nuk do të shfaroset gjatë këtyre ditëve të fundit që kanë mbetur. Ata do të kenë çdo gjë të nevojshme për të duruar sprovat e për të ruajtur marrëdhënien me Jehovain. Dhe gjatë gjithë fazës së fundit të shtrëngimit të madh, Jehovai do ta mbrojë popullin e tij.
«MË MËSO, O JEHOVA, NË UDHËN TËNDE»
15, 16. Si nxjerrim dobi kur i vëmë veshin mësimit hyjnor? Ilustroje.
15 Që të vazhdojmë të jemi të guximshëm, kemi nevojë që Perëndia të na mësojë vazhdimisht në udhën e tij. Kjo është e dukshme nga lutja e Davidit: «Më mëso, o Jehova, në udhën tënde, dhe më udhëhiq në shtegun e drejtësisë, që të mbrohem nga armiqtë e mi.» (Psal. 27:11) Të veprojmë në harmoni me këtë lutje, do të thotë t’i kushtojmë shumë vëmendje çdo drejtimi biblik që marrim nga organizata e Jehovait e ta zbatojmë menjëherë. Shumë nga ata që kanë hequr qafe borxhe të kota, mund të dëshmojnë se si zbatimi i këshillave të mençura për të thjeshtuar jetën u ka sjellë dobi gjatë krizave të fundit ekonomike. Në vend që të ndihen të rënduar nga zotërime të shumta të cilat nuk mund t’ia lejojnë dot vetes, janë të lirë të zgjerojnë shërbimin. Secili nga ne bën mirë të pyesë veten: «A e zbatoj menjëherë çdo gjë që lexoj në Bibël e në botimet e klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur, edhe kur më duhet të bëj sakrifica personale?»—Mat. 24:45.
16 Nëse e lejojmë Jehovain të na mësojë e të na drejtojë në shtegun e drejtësisë, nuk do të kemi shkak për t’u frikësuar. Kur një pionier i rregullt në Shtetet e Bashkuara aplikoi për një punë që do ta ndihmonte të mbante gjithë familjen në shërbimin e plotkohor, përgjegjësi i tha se nuk do ta fitonte kurrë atë vend pune po të mos kishte diplomën e kolegjit. Sikur kjo të të kishte ndodhur ty, a do të të kishte ardhur keq që zgjodhe shërbimin e plotkohor dhe jo arsimin e lartë? Dy javë më vonë, atë përgjegjës e hoqën nga puna dhe një menaxher tjetër e pyeti vëllanë se ç’synime kishte. Ai i shpjegoi menjëherë se bashkë me të shoqen ishin Dëshmitarë të Jehovait në shërbim të plotkohor dhe donin të vazhdonin si të tillë. Pa pritur që vëllai të thoshte më shumë, menaxheri ia ktheu: «E dija që kishte diçka të ndryshme te ti! Kur im atë ishte në shtratin e vdekjes, dy besimtare nga ju vinin dhe i lexonin Biblën çdo ditë. U betova se po të kisha ndonjëherë mundësi të ndihmoja ndonjë Dëshmitar të Jehovait, do ta bëja.» Të nesërmen, vëllai filloi pikërisht në atë vend pune që përgjegjësi i mëparshëm nuk ia kishte dhënë. Po, kur në jetën tonë vëmë në radhë të parë interesat e Mbretërisë, Jehovai e mban premtimin se nuk do të na lërë pa gjërat e nevojshme materiale.—Mat. 6:33.
BESIMI DHE SHPRESA JANË THELBËSORE
17. Çfarë do të na ndihmojë ta presim të ardhmen me besim?
17 Më pas, Davidi thekson sa të nevojshme janë besimi dhe shpresa, duke thënë: «Po të mos kisha besuar se do të shihja mirësinë e Jehovait në vendin e të gjallëve . . . » (Psal. 27:13) Në fakt, ku do të ishim pa shpresën që na ka dhënë Perëndia dhe pa çmueshmërinë për gjërat e trajtuara në Psalmin 27! Prandaj, le të vazhdojmë të lutemi me besim për forcë e çlirim, ndërsa përballojmë ngjarjet që do të çojnë deri në Harmagedon.—Lexo Psalmin 27:14.
[Figura në faqen 23]
Davidi merrte forcë kur kujtonte veprat çliruese të Jehovait
[Figura në faqen 25]
A i konsiderojmë vështirësitë ekonomike si mundësi për të zgjeruar shërbimin?