«Jezu Krishti është Zotëri»—Si dhe kur?
«ZOTËRIA i tha Zotërisë tim: Ulu në të djathtën time, derisa unë t’i kem vënë armiqtë e tu, stol në këmbët e tua.» Ky është citimi i Psalmit 110:1 sipas përkthimit King James Version. Kush është «ZOTËRIA» i parë në këtë rast dhe kujt po i flet?
Një përkthim më i saktë i tekstit hebre i përgjigjet menjëherë pyetjes së parë. «Fjala e Jehovait ndaj Zotërisë tim është: . . . » Prandaj, «ZOTËRI» në shkronja të mëdha i referohet Perëndisë së gjithëfuqishëm, vetë Jehovait. Edhe pse përkthimi King James Version e njeh emrin hyjnor duke përdorur «ZOTËRI» në vend se «Zotëri», nuk është hera e parë që ngatërrohen këta tituj, sepse versioni i lashtë grek Septuaginta i përkthyer nga hebraishtja përdorte në kopjet e tij të lashta «Zotëri» për Jehova. Përse? Sepse titulli «Zotëri» ishte zëvendësuar nga emri hyjnor, tetragrami (יהוה). Studiuesi A. E. Garvie, thotë: «Përdorimi i titullit Zotëri [kyʹri·os] është më i lehtë dhe ndoshta shpjegohet nga përdorimi i këtij titulli në sinagogën hebreje, në vend të emrit përkatës Jahve [Jehova], kur lexoheshin Shkrimet.»
Bibla e identifikon Jehovain si «Zotëria Sovran». (Zanafilla 15:2, 8; Veprat 4:24; Zbulesa 6:10) Ai është quajtur, gjithashtu, «Zotëria i vërtetë» dhe «Zotëria i gjithë tokës». (Të Dalët 23:17; Josiu 3:13; Zbulesa 11:4) Kush, atëherë, është «Zotëria» tjetër i Psalmit 110:1 dhe si u pranua si «Zotëri» nga Jehovai?
Jezu Krishti si «Zotëri»
Jezui është quajtur «Zotëri» në të katër ungjijtë, por më shpesh tek Luka dhe Gjoni. Në shekullin e parë të e.s., ky ishte një titull respekti e nderimi, i barasvlershëm me titullin respektues «zoti». (Gjoni 12:21; 20:15, Kingdom Interlinear) Në ungjillin sipas Markut, termi «Mësues» apo Rab·bo΄ni, përdoret më shpesh kur bëhet fjalë për Jezuin. (Krahaso Markun 10:51 me Lukën 18:41.) Edhe pyetja e Saulit gjatë rrugës për në Damask: «Kush je ti, Zotëri?»—hyn në të njëjtin kuptim të përgjithshëm respektues. (Veprat 9:5) Por është e dukshme se pak nga pak që ithtarët e Jezuit e njihnin më mirë Mësuesin e tyre, përdorimi i titullit «Zotëri» nga ana e tyre, shprehte diçka më shumë se respekti i thjeshtë.
Pas vdekjes e ringjalljes dhe përpara ngritjes së tij në qiell, Jezui iu shfaq dishepujve të tij dhe bëri këtë lajmërim alarmues: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.» (Mateu 28:18) Më pas, në ditën e Rrëshajëve, nën ndikimin e derdhjes së frymës së shenjtë, Pjetri iu referua Psalmit 110:1 dhe tha: «Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.» (Veprat 2:34-36) Duke qenë se mbeti besnik deri në vdekje—në një vdekje të turpshme mbi një shtyllë mundimesh—Jezui u ringjall dhe mori një shpërblim shumë të madh. Atëherë ai filloi sundimin në qiell.
Apostulli Pavël i përforcoi fjalët e Pjetrit, kur shkroi se Perëndia e kishte «vënë [Krishtin] të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme». (Efesianëve 1:20, 21) Sundimi i Jezu Krishtit është mbi çdo sundim tjetër dhe do të vazhdojë në botën e re. (1. Timoteut 6:15) Ai është ngritur në «një pozitë superiore» dhe ka marrë «emrin që është mbi çdo emër tjetër», në mënyrë që çdokush të dijë «se Jezu Krishti është Zotëri në lavdi të Atit Perëndi». (Filipianëve 2:9-11, BR) Kështu, pjesa e parë e Psalmit 110:1 u plotësua dhe «engjëj, pushtet e fuqi» i janë nënshtruar sundimit të Jezuit.—1. Pjetrit 3:22; Hebrenjve 8:1.
Në Shkrimet Hebreje, shprehja «Zotëri i zotërinjve» aplikohet vetëm për Jehovain. (Ligji i përtërirë 10:17; Psalmi 136:2, 3) Kurse Pjetri i frymëzuar tha për Jezu Krishtin: «Ky është Zotëri i të gjithë të tjerëve [ose «Zotëri për të gjithë ne», Goodspreed].» (Veprat 10:36) Ai është vërtet «Zotëri për të vdekurit dhe të gjallët». (Romakëve 14:8, 9, BR) Të krishterët e njohin menjëherë Jezu Krishtin si Zotërinë dhe Pronarin e tyre dhe me gatishmëri tregohen të bindur ndaj tij si nënshtetas të blerë me gjakun e tij të çmuar. Jezu Krishti ka sunduar si Mbret i mbretërve dhe Zotëri i zotërinjve mbi kongregacionin e tij që nga Rrëshajët e vitit 33 të e.s. Por tani, që nga viti 1914, atij i është dhënë autoritet mbretëror për të sunduar si i tillë mbi armiqtë e tij të vendosur si ‘stol në këmbët e tij’. Për të ka ardhur koha ‘që të sundojë në mes të tyre’ në plotësim të Psalmit 110:1, 2.—Hebrenjve 2:5-8; Zbulesa 17:14; 19:16.
Si duhen kuptuar atëherë fjalët e Jezuit «të gjitha gjërat më janë dhënë nga Ati im» të thëna para vdekjes dhe ringjalljes së tij? (Mateu 11:25-27, BR; Luka 10:21, 22) Kjo nuk është një deklaratë e gjerë si ato që diskutuam pak më parë. Si tek Mateu, ashtu edhe tek Luka konteksti zbulon se Jezui po fliste për njohurinë që i është fshehur të zgjuarve nga bota, por që zbulohet përmes tij, sepse ai «e njeh plotësisht» Atin. Kur u pagëzua në ujë dhe lindi si Bir frymor i Perëndisë, Jezui mundi të kujtonte ekzistencën e tij paranjerëzore në qiell dhe të gjithë njohurinë që përfshinte, por kjo ishte diçka e ndryshme nga sundimi i tij i mëvonshëm.—Gjoni 3:34, 35.
Dallimi i Jezu Krishtit si Zotëri
Disa versione të Shkrimeve të Krishtere Greke paraqesin një problem në përkthimin e citimeve nga Shkrimet Hebreje, në të cilat «ZOTËRI» i referohet me qartësi Perëndisë Jehova. Krahaso, për shembull, Lukën 4:19 me Isaian 61:2 në përkthimin King James Version apo The New Jerusalem Bible. Disa njerëz mendojnë se Jezui e mori titullin «Zotëri» nga Jehovai dhe se Jezui në trup ishte në të vërtetë Jehovai. Por ky është një pohim, për të cilin nuk ekzistojnë baza në Shkrime. Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezu Krishti, gjithmonë dallohen me kujdes nga njëri—tjetri në Shkrime. Jezui bëri të njohur emrin e Atit dhe e paraqiti atë.—Gjoni 5:36, 37.
Në shembujt e mëposhtëm, vëre se si shfaqen citimet nga Shkrimet Hebreje në ato Greke. Perëndia Jehova dhe i Mirosuri i tij apo Mesia, përmenden që të dy tek Veprat 4:24-27, të cilat citohen nga Psalmi 2:1, 2. Konteksti i Romakëve 11:33, 34 i referohet me qartësi Perëndisë, Burimit të çdo mençurie e njohurie, duke cituar Isaian 40:13, 14. Kur i shkroi kongregacionit të Korintit, Pavli përsëriti citimin «Kush e ka njohur mendjen e Jehovait?» dhe pastaj shtoi: «Por ne kemi mendjen e Krishtit.» Zotëria Jezu u zbuloi ithtarëve mendjen e Jehovait në shumë çështje.—1. Korintasve 2:16, BR.
Shpesh, një pjesë që në Shkrimet Hebreje i referohet Jehovait, plotësohet në Jezu Krishtin, për faktin se Jehovai i ka besuar fuqi e pushtet. Për shembull, Psalmi 34:8 na fton të «provojmë ta shikojmë se Jehovai është i mirë». Kurse Pjetri i aplikon këto tek Zotëria Jezu Krisht, kur thotë: «E keni provuar se Zotëria është i mirë.» (1. Pjetrit 2:3, BR) Pjetri merr një cilësi dhe tregon se si ajo vërehet edhe tek Jezu Krishti. Duke marrë njohuri për Perëndinë Jehova e Jezu Krishtin dhe duke e vënë në praktikë, të krishterët mund të marrin bekime të mëdha nga Ati dhe nga Biri i tij. (Gjoni 17:3) Aplikimi i Pjetrit nuk e konsideron Zotërinë Sovran Jehova të njëjtë me Zotërinë Jezu Krisht.—Shiko shënimin tek 1. Pjetrit 2:3.
Pozitat përkatëse të Perëndisë Jehova dhe të Birit të tij, Jezu Krishtit, janë bërë plotësisht të qarta nga apostulli Pavël, kur tha: «Për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij.» (1. Korintasve 8:6; 12:5, 6) Kur i shkroi kongregacionit të Efesit, Pavli identifikoi «Zotërinë» Jezu Krisht dhe e dalloi nga «Perëndia dhe Ati i të gjithë personave».—Efesianëve 4:5, 6, BR.
Jehovai, Suprem mbi gjithçka
Që nga viti 1914, janë vërtetuar fjalët e Zbulesës 11:15: «Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë [Perëndisë Jehova] dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.» Një fjalor thotë: «Kur Krishti të ketë mposhtur çdo fuqi (1. Kor. 15:25), ai vetë do t’i nështrohet Perëndisë, Atit. Kështu, sundimi i Jezuit do t’i ketë arritur synimet e tij dhe Perëndia do të jetë gjithçka në të gjithë (1. Kor. 15:28).» (The New International Dictionary of New Testament Theology [Volumi 2, faqe 514]) Në fund të këtij Mbretërimi Mijëvjeçar, Jezu Krishti do t’ia kthejë Atit të tij, Perëndisë së Gjithëfuqishëm, fuqinë dhe pushtetin që ai ia kishte besuar më parë. Në këtë mënyrë, gjithë lavdia dhe adhurimi do t’i jepen me të drejtë Jehovait, «Perëndisë së Zotërisë sonë Jezu Krisht».—Efesianëve 1:17.
Megjithëse Jezui tani është Zotëri i zotërinjve, ai kurrë nuk është quajtur Perëndi i perëndive. Jehovai mbetet suprem mbi gjithçka. Në këtë mënyrë, Jehovai do të jetë «gjithçka për të gjithë». (1. Korintasve 15:28, BR) Sundimi i Jezuit, me të drejtë i jep vend atij si Kreu i kongregacionit të krishterë. Edhe pse në këtë botë mund të shohim shumë «zotërinj» të pushtetshëm që përmbushin detyra të rëndësishme në këtë botë, ne e mbështesim besimin tonë tek ai që është Zotëri i zotërinjve. Megjithatë, edhe në pozitën e tij të lartë, Jezu Krishti i nënshtrohet Atit të tij «që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë». (1. Korintasve 15:28) Ç’shembull të shkëlqyer përulësie la Jezui për dishepujt e tij, të cilët e njohin si Zotëria i tyre!
[Kutia në faqen 30]
«Kur flasin për Perëndinë, shkrimtarët e Besëlidhjes së Re kanë parasysh Perëndinë dhe Atin e Zotërisë tonë Jezu Krisht. Kur flasin për Jezu Krishtin, nuk flasin sikur të ishte Perëndia dhe as e mbajnë për të tillë. Ai është Krishti i Perëndisë, Biri i Perëndisë, Mençuria e Perëndisë, Fjala e Perëndisë. Edhe Prologu i Shën Gjonit, që më shumë i afrohet doktrinës nicene mund të konsiderohet nën dritën e nënshtrimit haptazi të Ungjijve në tërësinë e tyre; dhe në greqisht Prologu me [the·osʹ] pa nyjë shquese, është shprehur me qartë se në anglisht.»—John Martin Creed, «The Divinity of Jesus Christ».