Jehovai nuk e përbuz një zemër të thyer
«Flijimet e Perëndisë janë një frymë e thyer; zemrën e thyer dhe të shtypur, O Perëndi, nuk do ta përbuzësh.»—PSALMI 51:17.
1. Si i konsideron Jehovai adhuruesit e tij që kanë mëkatuar seriozisht, por që janë penduar?
JEHOVAI mund «të pengojë hyrjen tek ai vetë, si me një masë reje, që lutja të mos kalojë nëpër të.» (Vajtimet 3:44) Por ai do që populli i tij të hyjë tek ai. Edhe nëse një nga adhuruesit e tij do të gabonte seriozisht, Ati ynë qiellor nuk i harron të mirat që ka bërë ai njeri. Prandaj, apostulli Pavël mundi t’u thoshte bashkëshërbëtorëve të tij të krishterë: «Perëndia nuk është i padrejtë, aq sa të harrojë punën tuaj dhe dashurinë që ju treguat për emrin e tij.»—Hebrenjve 6:10, NW.
2, 3. Çfarë duhet të mbajnë parasysh pleqtë e krishterë kur kanë të bëjnë me bashkëbesimtarë që kanë gabuar?
2 Edhe pleqtë e krishterë duhet t’i mbajnë parasysh vitet e shërbimit besnik që bashkëbesimtarët e tyre i kanë bërë Perëndisë. Kjo përfshin shërbimin e shenjtë të kryer prej atyre që kanë bërë një hap të gabuar apo që kanë mëkatuar rëndë, por që janë penduar. Barinjtë e krishterë kërkojnë mirëqenien frymore të të gjithë pjesëtarëve të kopesë së Perëndisë.z—Galatasve 6:1, 2.
3 Një shkelës i penduar ka nevojë për mëshirën e Jehovait. Megjithatë, kërkohet më shumë. Kjo është bërë e qartë prej fjalëve të Davidit në Psalmin 51:10-19.
Nevojitet një zemër e pastër
4. Përse Davidi u lut për një zemër të pastër dhe një frymë të re?
4 Nëse një i krishterë i dedikuar ndodhet në një gjendje të keqe frymore, pasi ka mëkatuar, çfarë mund të nevojitet, përveç mëshirës dhe faljes së Jehovait? Davidi u lut: «Krijo tek unë edhe një zemër të pastër, O Perëndi, dhe vër brenda meje një frymë të re, të palëkundur.» (Psalmi 51:10) Siç duket, Davidi e bëri këtë kërkesë, sepse e kuptonte që prirja e lindur për mëkate më të mëdha ishte ende në zemrën e tij. Mbase nuk kemi rënë në atë lloj mëkati që kapi në grackë Davidin, në lidhje me Betshebën dhe Uriahun, por kemi nevojë për ndihmën e Jehovait që të mos i hapim rrugë tundimit për t’u tërhequr në ndonjë sjellje të rëndë mëkatare. Për këtë arsye, personalisht mund të kemi nevojë për ndihmën hyjnore që të largojmë nga zemra aspekte të tilla mëkatare si lakmia dhe urrejtja, krime të ngjashme me vjedhjen dhe vrasjen.—Kolosianëve 3:5, 6; 1. Gjonit 3:15.
5. (a) Ç’do të thotë të kesh një zemër të pastër? (b) Çfarë dëshironte Davidi kur kërkoi një frymë të re?
5 Jehovai kërkon që shërbëtorët e tij të kenë «një zemër të pastër», pra, pastërti motivesh apo qëllimesh. Duke e kuptuar se nuk kishte treguar një pastërti të tillë, Davidi u lut që Perëndia t’i pastronte zemrën dhe ta vinte në harmoni me rregullat hyjnore. Psalmisti kërkoi, gjithashtu, një frymë apo një prirje mendore të re dhe të drejtë. Kishte nevojë për një frymë që ta ndihmonte për t’i bërë ballë tundimit dhe për t’iu mbajtur vendosmërisht ligjeve dhe parimeve të Jehovait.
Fryma e shenjtë është e domosdoshme
6. Përse Davidi u lut që Jehovai të mos e largonte prej tij frymën e shenjtë?
6 Kur jemi të dëshpëruar prej ndonjë gabimi apo shkeljeje, mund të mendojmë se Perëndia do të na hedhë tej dhe do të na heqë frymën e shenjtë apo forcën e tij vepruese. Davidi mendoi kështu, prandaj iu lut Perëndisë: «Mos më hidh tej prej fytyrës tënde; dhe frymën tënde të shenjtë, oh, mos e largo prej meje.» (Psalmi 51:11) I penduar dhe i përulur, Davidi mendoi se mëkatet e tij e kishin bërë të padenjë për t’i shërbyer Jehovait. Të hidhesh tej prej fytyrës së Perëndisë, do të thotë të humbësh favorin, ngushëllimin dhe bekimin e tij. Që të ripërtërihej frymësisht, Davidi kishte nevojë për frymën e shenjtë të Jehovait. Duke pasur frymën e shenjtë, mbreti mund të kërkonte në lutje drejtimin hyjnor për t’i pëlqyer Perëndisë, për të shmangur mëkatet dhe për të qeverisur me zgjuarsi. I vetëdijshëm për mëkatet e veta ndaj Dhënësit të frymës së shenjtë, në mënyrë të përshtatshme Davidi u lut që Jehovai të mos e largonte frymën prej tij.
7. Përse duhet të lutemi për frymën e shenjtë dhe të kemi kujdes që të mos e hidhërojmë atë?
7 Ç’mund të thuhet për ne? Edhe ne duhet të lutemi për frymën e shenjtë dhe të kemi kujdes që të mos e hidhërojmë atë, duke mos ndjekur drejtimin e saj. (Luka 11:13; Efesianëve 4:30) Përndryshe, mund të humbim frymën dhe nuk do të jemi në gjendje të prodhojmë fryte me origjinë hyjnore si dashuria, gëzimi, shpirtmadhësia, dashamirësia, mirësia, besimi, butësia dhe vetëkontrolli. Në mënyrë të veçantë, Perëndia Jehova do të na e hiqte frymën e shenjtë nëse ne do të vazhdonim të mëkatonim kundër tij, pa u penduar.
Hareja e shpëtimit
8. Çfarë duhet të bëjmë nëse mëkatojmë dhe duam të kemi gëzimin e shpëtimit?
8 Një mëkatar i penduar që përjeton ripërtëritjen frymore, mund të gëzohet sërish për përgatitjen që ka bërë Jehovai për shpëtim. Duke pasur dëshirë për këtë, Davidi iu lut Perëndisë: «Përtërije tek unë harenë e shpëtimit prej teje dhe më mbështet edhe me një frymë të vullnetshme.» (Psalmi 51:12) Sa e mrekullueshme është të gëzohemi për shpresën e sigurt të shpëtimit nga Perëndia Jehova! (Psalmi 3:8) Pasi mëkatoi kundër Jehovait, Davidi kërkoi ta përtërinte gëzimin e shpëtimit të Tij. Kohë më vonë, Jehovai siguroi shpëtimin nëpërmjet flijimit shpërblerës të Birit të tij, Jezu Krishtit. Nëse ne, si shërbëtorë të dedikuar të Perëndisë mëkatojmë rëndë dhe nëse duam të përtërijmë gëzimin e shpëtimit, duhet të kemi një qëndrim të penduar dhe nuk duhet të shkojmë deri aty, sa të mëkatojmë kundër frymës së shenjtë.—Mateu 12:31, 32; Hebrenjve 6:4-6.
9. Cila ishte kërkesa e Davidit, kur iu lut Perëndisë për ta mbështetur «edhe me një frymë të vullnetshme»?
9 Davidi kërkoi që Jehovai ta mbështeste «edhe me një frymë të vullnetshme». Me sa duket, kjo frymë nuk i referohet gatishmërisë së Perëndisë për ta ndihmuar apo frymës së tij të shenjtë, por prirjes mendore që e vinte Davidin në veprim. Davidi kërkonte që Perëndia ta mbështeste, duke i dhënë një frymë të vullnetshme për të bërë atë çka ishte e drejtë dhe për të mos rënë sërish në mëkat. Perëndia Jehova i mbështet vazhdimisht shërbëtorët e tij dhe i ngre ata që kanë rënë prej vështirësive të ndryshme. (Psalmi 145:14) Sa ngushëlluese është që ta kuptojmë këtë, veçanërisht nëse kemi gabuar, por jemi penduar dhe duam që t’i shërbejmë Jehovait me besnikëri përgjithmonë!
Çfarë mund t’u mësonte shkelësve?
10, 11. (a) Çfarë mund t’u mësonte Davidi shkelësve izraelitë? (b) Çfarë duhet të bënte vetë Davidi, para se të mësonte mëkatarët?
10 Nëse Perëndia do ta lejonte, në mënyrë altruiste Davidi kërkonte për të bërë diçka që të tregonte vlerësimin e tij për mëshirën e Jehovait dhe për të ndihmuar të tjerët. Me ndjenja lutëse drejtuar Jehovait, mbreti i penduar deklaroi: «Unë do t’u mësoj shkelësve rrugët e tua, me qëllim që vetë mëkatarët të kthehen tek ti.» (Psalmi 51:13) Si mund t’u mësonte Davidi mëkatar Ligjin e Perëndisë shkelësve? Çfarë mund t’u thoshte atyre? Dhe çfarë të mire do të sillte kjo?
11 Kur t’u mësonte shkelësve izraelitë rrugët e Jehovait, me shpresë për t’i kthyer ata nga rruga e keqe, Davidi mund t’u shpjegonte se sa i dëmshëm është mëkati, çfarë nënkupton pendimi dhe si mund të kishin mëshirën e Perëndisë. Pasi kishte vuajtur dhimbjen e mospëlqimit të Perëndisë dhe të një ndërgjegjeje me faj, Davidi do të ishte padyshim një mësues i mëshirshëm për mëkatarët e penduar dhe zemërthyer. Natyrisht, ai mund të përdorte shembullin e tij për të mësuar të tjerët, vetëm pasi të kish pranuar ai vetë rregullat e Jehovait dhe të kish marrë faljen e Tij, sepse ata që nuk i nënshtrohen kërkesave hyjnore nuk kanë të drejtë «të emërtojnë rregullat e Perëndisë».—Psalmi 50:16, 17.
12. Si përfitoi Davidi prej njohurisë se Perëndia e kishte liruar nga faji i gjakut?
12 Duke i përsëritur qëllimet e veta në një mënyrë tjetër, Davidi tha: «Më liro prej fajit të gjakut, O Perëndi, Perëndia i shpëtimit tim, me qëllim që gjuha ime të flasë për drejtësinë tënde.» (Psalmi 51:14) Faji i gjakut sillte dënimin me vdekje. (Zanafilla 9:5, 6) Njohuria se Perëndia i shpëtimit të tij e kishte liruar prej fajit të gjakut në lidhje me Uriahun, do t’i sillte Davidit paqe në zemër dhe në mendje. Gjuha e tij mund të këndonte me gëzim për drejtësinë e Perëndisë dhe jo për drejtësinë e tij. (Eklisiastiu 7:20; Romakëve 3:10) Davidi nuk mund ta fshinte imoralitetin e bërë apo të ngjallte sërish Uriahun prej varrit, ashtu si edhe sot askush nuk mund t’ia kthejë dëlirësinë një njeriu që ai e ka joshur apo të ringjallë dikë që ka vrarë. A nuk duhet të mendojmë mbi këtë kur jemi në tundim? Dhe sa shumë duhet ta vlerësojmë mëshirën që Jehovai ka treguar për ne me drejtësi! Në fakt, vlerësimi duhet të na shtyjë që të drejtojmë edhe të tjerë tek ky Burim suprem i drejtësisë dhe i faljes.
13. Vetëm në çfarë rrethanash një mëkatar mund të hapë buzët me të drejtë për të lavdëruar Jehovain?
13 Asnjë mëkatar nuk mund t’i hapë vetë me të drejtë buzët e tij për të lavdëruar Jehovain, derisa, nëse mund të themi kështu, t’ia hapë Perëndia në mënyrë të mëshirshme për të folur mbi të vërtetat e Tij. Prandaj, Davidi këndoi: «O Jehova, hapi këto buzët e mia, që goja ime të mund të shpallë lavdinë tënde.» (Psalmi 51:15) Me ndërgjegje të liruar prej faljes së Perëndisë, Davidi do të ndihej i shtyrë për t’u mësuar shkelësve rrugët e Jehovait dhe do të mund ta lavdëronte lirshëm Atë. Ashtu si Davidi, të gjithë ata që kanë marrë faljen e mëkateve, duhet ta çmojnë dashamirësinë e pamerituar që Jehovai ka treguar për ta dhe të përfitojnë prej çdo rasti për të deklaruar të vërtetën e Perëndisë dhe «të shpallin lavdinë e tij».—Psalmi 43:3.
Flijime të pranueshme prej Perëndisë
14. (a) Cilat flijime kërkoheshin sipas besëlidhjes së Ligjit? (b) Përse do të ishte e gabuar të mendonim se mund t’i kompensojmë shkeljet e vazhdueshme, duke bërë disa gjëra të mira?
14 Davidi kishte fituar një kuptueshmëri të thellë, e cila e nxiti për të thënë: «Sepse ti [Jehova] nuk gjen kënaqësi tek flijimet, përndryshe do të ta jepja; në të gjitha flijimet e djegura nuk gjen gëzim.» (Psalmi 51:16) Besëlidhja e Ligjit kërkonte që Perëndisë t’i ofroheshin flijime. Por mëkatet e Davidit, si tradhtia bashkëshortore dhe vrasja, që dënoheshin me vdekje, nuk mund të shlyheshin me flijime të tilla. Përndryshe, ai nuk do të kursehej për të bërë flijime të tilla kafshësh për Jehovain. Pa një pendim të sinqertë, flijimet nuk kanë asnjë vlerë. Do të ishte e gabuar, pra, të mendonim se mund të kompensonim shkeljet e vazhdueshme, duke bërë disa gjëra të mira.
15. Cila është sjellja e një njeriu të dedikuar që ka një zemër të thyer?
15 Davidi shtoi: «Flijimet e Perëndisë janë një frymë e thyer; zemrën e thyer dhe të shtypur, O Perëndi, nuk do ta përbuzësh.» (Psalmi 51:17) Në rastin e një mëkatari të penduar, «flijimet [e pranuara] nga Perëndia janë një frymë e thyer». Një njeri i tillë nuk ka një qëndrim luftarak. Zemra e një njeriu të dedikuar që ka një frymë të thyer prej mëkatit të tij, është e përulur për shkak se ndjen mosmiratimin e Perëndisë dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo gjë, mjaft që të marrë përsëri favorin hyjnor. Nuk mund t’i ofrojmë Perëndisë asgjë me vlerë pa u penduar prej mëkateve tona dhe nëse nuk i japim zemrën tonë me një devotshmëri të veçantë.—Naumi 1:2.
16. Si e shikon Perëndia një njeri zemërthyer prej mëkatit të tij?
16 Perëndia nuk i hedh flijime të tilla, si një zemër të thyer dhe të shtypur. Çfarëdo vështirësie që të kalojmë, pra, si shërbëtorë të tij, le të mos i dorëzohemi dëshpërimit. Nëse jemi penguar përgjatë shtegut të gjatë të jetës, në atë mënyrë që i nxit zemrat tona për të kërkuar mëshirën hyjnore, nuk kemi humbur gjithçka. Edhe nëse kemi mëkatuar rëndë, por jemi penduar, Jehovai nuk do ta përbuzë zemrën tonë të thyer. Ai do të na falë në bazë të flijimit shpërblerës të Krishtit dhe do të na e kthejë favorin e tij. (Isaia 57:15; Hebrenjve 4:16; 1. Gjonit 2:1) Por si edhe Davidi, lutjet tona duhet të synojnë përtëritjen e favorit hyjnor dhe jo t’i shpëtojnë qortimit apo korrigjimit të nevojshëm. Perëndia e fali Davidin, por edhe e ndëshkoi.—2. Samueli 12:11-14.
Të shqetësohemi për adhurimin e pastër
17. Përveç lutjes për faljen e Perëndisë, çfarë duhet të bëjnë mëkatarët?
17 Nëse kemi kryer ndonjë mëkat të rëndë, padyshim do të jemi mjaft të shqetësuar dhe zemra e penduar do të na shtyjë për të kërkuar faljen e Perëndisë. Megjithatë, duhet të lutemi edhe për të tjerët. Edhe pse dëshironte që të kryente sërish një adhurim të pranueshëm prej Perëndisë, në psalmin e tij Davidi nuk harroi në mënyrë egoiste të tjerët. Ai i bëri këtë kërkesë Jehovait: «Me dashamirësinë tënde trajtoje mirë Sionin; ndërtoji muret e Jeruzalemit.»—Psalmi 51:18.
18. Përse Davidi i penduar u lut për Sionin?
18 Po, Davidi dëshironte të përtërinte favorin hyjnor. Megjithatë, psalmisti i përulur u lut edhe që «Perëndia, me dashamirësinë e vet ta trajtonte mirë Sionin», kryeqytetin e Izraelit, Jeruzalemin, ku Davidi kishte shpresuar të ndërtonte tempullin e Perëndisë. Mëkatet e rënda të Davidit kishin vënë në rrezik gjithë kombin, pasi mbarë populli mund të vuante prej sjelljes së gabuar të mbretit. (Krahaso 2. Samuelit, kapitulli 24.) Në fakt, mëkatet e tij kishin minuar «muret e Jeruzalemit», kështu që tani duheshin rindërtuar.
19. Nëse kemi mëkatuar dhe jemi falur, për çfarë do të ishte me vend të luteshim?
19 Nëse kemi mëkatuar rëndë, por kemi marrë faljen e Perëndisë, do të ishte me vend t’i luteshim që të ndreqte në një farë mënyre çdo dëm të shkaktuar prej sjelljes sonë. Mund t’i kemi sjellë sharje emrit të tij të shenjtë, mund të kemi minuar kongregacionin apo mund të kemi shkaktuar dhimbje në familje. Ati ynë i dashur qiellor mund të fshijë çdo lloj sharje të bërë mbi emrin e tij, mund të ndërtojë kongregacionin nëpërmjet frymës së tij të shenjtë dhe mund t’i ngushëllojë zemrat e të dashurve tanë që e duan dhe i shërbejnë atij. Natyrisht, të përfshirë apo jo në mëkat, ne duhet të shqetësohemi për shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe për të mirën e popullit të tij.—Mateu 6:9.
20. Në cilat kushte Jehovai do të kënaqej me flijimet dhe ofrimet e Izraelit?
20 Nëse Jehovai do t’i rindërtonte muret e Sionit, ç’gjë tjetër do të kish ndodhur? Davidi këndoi: «Në atë rast, ti [Jehova] do të kënaqeshe me flijimet e drejtësisë, me flijime të djegura dhe me ofrime të plota; në atë rast, dema do të ofrohen mbi vetë altarin tënd.» (Psalmi 51:19) Davidi dëshironte me të vërtetë që ai dhe populli i tij të gëzonin favorin e Jehovait, në atë mënyrë që të mund ta adhuronin Atë në mënyrë të pranueshme. Atëherë Perëndia do të kënaqej me flijimet e tyre të djegura dhe me ofrimet e plota. Dhe kjo për arsye se ato do të ishin flijime drejtësie, të ofruara nga njerëz të dedikuar, të sinqertë dhe të penduar, që gëzonin favorin e Perëndisë. Mirënjohës për mëshirën e Jehovait, ata do të ofronin në altarin e tij dema, flijimi më i mirë dhe më i kushtueshëm. Sot, ne e nderojmë Jehovain, duke i sjellë nga më e mira e asaj që kemi. Dhe flijimet tona përfshijnë «demat e rinj të buzëve tona», flijime lavdie për Perëndinë tonë të mëshirshëm, Jehova.—Hozea 14:2; Hebrenjve 13:15.
Jehovai i dëgjon thirrjet tona
21, 22. Çfarë mësimesh përmban Psalmi 51 për të mirën tonë?
21 Lutja e përzemërt e Davidit në Psalmin 51, na tregon se duhet të veprojmë me një frymë vërtet të penduar nëse mëkatojmë. Ky psalm përmban, gjithashtu, mësime të dobishme dhe të përshtatshme për ne. Për shembull, nëse mëkatojmë, por pendohemi, mund të besojmë në mëshirën e Perëndisë. Megjithatë, le të shqetësohemi pikësëpari për çdo sharje që mund të sjellim mbi emrin e Jehovait. (Vargjet 1-4) Ashtu si Davidi, ne mund t’i drejtohemi Atit tonë qiellor për mëshirë, në bazë të gjendjes sonë mëkatare të trashëguar. (Vargu 5) Duhet të jemi të drejtë dhe të kërkojmë mençuri prej Perëndisë. (Vargu 6) Nëse kemi mëkatuar, duhet t’i lutemi Jehovait që të na pastrojë dhe të na japë një zemër të pastër dhe një frymë të palëkundur.—Vargjet 7-10.
22 Prej Psalmit 51, mund të kuptojmë edhe se nuk duhet që mëkati të na ngurtësojë. Nëse kjo ndodh, Jehovai do ta largojë prej nesh frymën e tij të shenjtë apo forcën e tij vepruese. Përkundrazi, me frymën e Perëndisë, ne mund t’u mësojmë të tjerëve rrugët e tij. (Vargjet 11-13) Nëse gabojmë, por pendohemi, Jehovai do të na lejojë që të vazhdojmë ta lavdërojmë, sepse ai nuk do ta përbuzë kurrë zemrën e thyer dhe të shtypur. (Vargjet 14-17) Më tej, ky psalm tregon se lutjet tona nuk duhet të përqëndrohen vetëm mbi ne. Duhet të lutemi për bekimin dhe shëndetin frymor të të gjithë atyre që janë të lidhur me adhurimin e pastër të Jehovait.—Vargjet 18, 19.
23. Përse Psalmi 51 na nxit që të jemi të guximshëm dhe optimistë?
23 Ky psalm prekës i Davidit, duhet të na japë arsye për të qenë të guximshëm dhe optimistë. Na ndihmon të kuptojmë se nuk kemi humbur gjithçka, as edhe kur kemi rënë në mëkat. Përse? Sepse, nëse jemi penduar, mëshira e Jehovait mund të na shpëtojë prej dëshpërimit. Nëse jemi penduar dhe i jemi dedikuar plotësisht Atit tonë të dashur qiellor, ai i dëgjon thirrjet tona për mëshirë. Dhe sa ngushëlluese është të dimë që Jehovai nuk e përbuz zemrën e thyer!
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse të krishterëve u nevojitet një zemër e pastër dhe fryma e shenjtë e Perëndisë?
◻ Çfarë mund t’u mësojë një njeri i penduar shkelësve të ligjit të Jehovait?
◻ Si e shikon Jehovai një zemër të thyer dhe të shtypur?
◻ Çfarë mësimesh nxjerrim prej Psalmit 51?
[Figura në faqen 26]
A lutesh për frymën e shenjtë dhe bën kujdes që të mos e hidhërosh atë?
[Figura në faqen 28]
Vlerësoje dashamirësinë e pamerituar që tregon Jehovai, duke shpallur të vërtetën e tij