A je i etur për të shërbyer në mënyrë më të plotë?
«ISHA e zemëruar me Jehovain,—thotë Laura.—Lutesha e lutesha pa pushim që të na ndihmonte për të zgjidhur problemet tona financiare, që të mund të vazhdoja shërbimin si pioniere, por pa dobi. Përfundimisht, m’u desh të ndërprisja shërbimin si pioniere. Duhet të pranoj, gjithashtu, se i kisha zili ata që kishin mundësi ta vazhdonin.»
Le të shohim edhe rastin e Majkëllit, një shërbëtor ndihmës në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai i kishte vënë vetes si synim pozitën e mbikëqyrësit. (1. Timoteut 3:1) Kur dëshira e tij e zjarrtë nuk u përmbush për vite me radhë, ai u hidhërua kaq shumë saqë nuk kishte më dëshirë që të merrej në shqyrtim për këtë privilegj. «Nuk mund ta duroja më dhimbjen e zhgënjimit»,—thotë ai.
A ke pasur ndonjë përvojë të ngjashme? A je detyruar të heqësh dorë nga një privilegj i dëshiruar teokratik? Për shembull, a je detyruar që të ndërpresësh shërbimin si pionier, i cili është një lajmëtar i Mbretërisë në kohë të plotë? Apo ke dëshirë të zjarrtë për disa privilegje në kongregacion që u janë besuar të tjerëve? Madje mund të jetë që ke dëshirë të madhe, për të shërbyer në Bethel apo si misionar, por rrethanat nuk të lejojnë.
«Pritja e zgjatur e ligështon zemrën»,—pranon libri i Proverbave. (Proverbat 13:12) Mund të jetë kështu, veçanërisht kur të tjerët marrin të njëjtat privilegje, për të cilat ke shpresuar edhe ti. A siguron Fjala e Perëndisë mendjehollësi, ngushëllim dhe shpresë për këdo që përjeton të tilla zhgënjime? Po, jep. Në fakt, Psalmi i 84-t shpreh ndjenjat e një shërbëtori të Jehovait, i cili kishte pasur dëshira të ngjashme të paplotësuara lidhur me shërbimin e Jehovait.
Çmueshmëria e një leviti
Kompozitorët e Psalmit 84 ishin bijtë e Korahut, levitë që shërbenin në tempullin e Jehovait dhe i nderonin shumë privilegjet e tyre të shërbimit. «Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!—thërret njëri prej tyre.—Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë së gjallë.»—Psalmi 84:1, 2.
Ky levit kishte një dëshirë kaq të zjarrtë për të shërbyer në tempullin e Jehovait, saqë edhe pamja e zakonshme përgjatë rrugës për në Jerusalem, atij i dukej tërheqëse. «Kur kalojnë luginën e Bakas,—thotë ai,—e shndërrojnë atë në një vend burimesh.» (Psalmi 84:6) Po, një zonë normalisht e thatë, në mendjen e tij ishte si një tokë e ujitur mirë.
Meqenëse psalmisti ishte një levit jopriftëror, ai mund të shërbente në tempull vetëm një javë për çdo gjashtë muaj. (1. Kronikave 24:1-19; 2. Kronikave 23:8; Luka 1:5, 8, 9) Pjesën tjetër të kohës e kalonte në shtëpi, në një nga qytetet levite. Prandaj, ai këndoi: «Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole ku të vërë të vegjlit e saj, pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.» (Psalmi 84:3) Sa i lumtur do të kishte qenë leviti, po të kishte qenë si zogjtë, të cilët kishin një vend më të qëndrueshëm banimi në tempull!
Për levitin do të kishte qenë e lehtë që të hidhërohej, ngaqë nuk mund të shërbente më shpesh në tempull. Megjithatë, ai ishte i kënaqur që shërbente aq sa kishte mundësi dhe me siguri e kuptonte se devotshmëria me gjithë zemër ndaj Jehovait ia vlen çdo përpjekje. Ç’gjë e ndihmoi atë levit besimplotë të mbetej i kënaqur me privilegjet e tij të shërbimit?
Mëso të jesh i kënaqur
«Një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu,—thotë leviti,—mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, sesa të banoj në çadrat e të pabesëve.» (Psalmi 84:10) Ai e kuptonte se të qëndrosh edhe një ditë në shtëpinë e Jehovait është një privilegj që s’ka të çmuar. Në fakt, leviti kishte më shumë se një ditë për të shërbyer në tempull. Kënaqësia e tij për privilegjet që kishte, e bënte të këndonte për gëzimin.
Po ne? A i numërojmë bekimet apo a priremi për të harruar privilegjet që tashmë kemi në shërbim të Jehovait? Për shkak të devotshmërisë së tyre ndaj tij, Jehovai i ka besuar popullit të vet një fushë të gjerë privilegjesh dhe detyrash. Këtu përfshihen përgjegjësitë më serioze të mbikëqyrjes, të kullotjes, të mësimit dhe veçori të ndryshme të shërbimit të plotë kohor. Por përfshijnë, gjithashtu, edhe gjëra të tjera të çmuara që kanë të bëjnë me adhurimin e Jehovait.
Le të marrim, për shembull, shërbimin e krishterë. Apostulli Pavël e krahason privilegjin e predikimit të lajmit të mirë si me një «thesar në enë prej balte». (2. Korintasve 4:7) A e konsideron këtë shërbim si një thesar që s’ka të çmuar? Jezu Krishti, i cili ishte pararojë lidhur me aktivitetin e predikimit të Mbretërisë, e konsideronte kështu, duke lënë shembullin e vet. (Mateu 4:17) «Duke pasur këtë shërbim . . . , ne nuk na lëshon zemra»,—tha Pavli.—2. Korintasve 4:1.
Edhe mbledhjet e krishtere janë një masë e shenjtë, që nuk duhet marrë lehtë. Nëpër mbledhjet tona, ne marrim arsimimin jetësor dhe gëzojmë shoqërinë e nevojshme. Veç kësaj, nëpër mbledhje mund të shprehim publikisht besimin dhe shpresën tonë, duke komentuar rregullisht dhe duke marrë pjesë në mënyra të tjera në program. (Hebrenjve 10:23-25) Mbledhjet tona janë një masë që duhet çmuar vërtet!
Majkëlli që përmendëm më lart, i vlerësonte shumë këto bekime dhe i çmonte ato thellësisht. Por zhgënjimi i tij për faktin se nuk ishte në gjendje të shërbente si një plak, e zvogëloi përkohësisht çmueshmërinë e tij për këto bekime. Duke u ripërqendruar mbi to, ai qe në gjendje të rifitonte ekuilibrin dhe të priste Jehovain me durim.
Në vend se të ndihemi të pakënaqur që nuk kemi një lloj privilegji, bëjmë mirë të rishqyrtojmë mënyrat, në të cilat Jehovai po na bekon, ashtu siç bëri edhe psalmisti.a Nëse nuk arrijmë të shohim shumë, duhet të shikojmë përsëri, duke i kërkuar Jehovait që të na hapë sytë, për të parë privilegjet tona dhe mënyrat në të cilat ai po na bekon dhe po na përdor për lavdinë e tij.—Proverbat 10:22.
Është, gjithashtu, e rëndësishme që të kuptojmë se privilegjet e veçanta, si pozita e mbikëqyrësit, kërkon kualifikime specifike. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Prandaj, duhet të shqyrtojmë veten, duke parë çdo aspekt, ku nevojitet përmirësim e më pas të bëjmë përpjekje të zjarrta për t’u përmirësuar.—1. Timoteut 4:12-15.
Mos u shkurajo
Nëse nuk marrim një privilegj shërbimi, nuk duhet të dalim në përfundimin se Jehovai ka më shumë dashuri për ata që e kanë apo se ai po na mban një të mirë. Sigurisht, nuk duhet të supozojmë me zili se këta të tjerët i kanë marrë privilegjet e tyre me hatër nga njerëzit pa e merituar dhe jo me emërim teokratik. Përhumbja në mendime të tilla mund të çojë në xhelozi, grindje dhe madje mund të bëjë që të dorëzohemi plotësisht.—1. Korintasve 3:3; Jakovit 3:14-16.
Laura, e cila u përmend në fillim, nuk u dorëzua. Më në fund, ajo u dha rrugë ndjenjave të saj të zemërimit dhe të xhelozisë. Laura iu lut pa reshtur Perëndisë për ndihmë, që të mposhtte reagimin e saj negativ, për faktin se nuk ishte në gjendje të shërbente si pioniere. Përveç kësaj, ajo kërkoi ndihmë nga burra të kualifikuar në kongregacion dhe u ndie e sigurt për dashurinë e Perëndisë. «Jehovai më dha paqe mendore,—tha ajo.—Edhe pse burri dhe unë nuk mund të shërbejmë si pionierë tani, mbajmë gjallë kohën kur e bënim dhe marrim forcë nga përvojat që kemi pasur. Ndihmojmë, gjithashtu, djalin tonë të rritur në shërbimin e tij si pionier.» Duke qenë e kënaqur, tani Laura është në gjendje të ‘gëzohet me ata që gëzojnë’ në shërbimin e tyre si pionierë.—Romakëve 12:15.
Vëri vetes synime të arritshme
Që të jemi të kënaqur me privilegjet e tanishme të shërbimit, nuk do të thotë që të mos vëmë më synime të mëtejshme teokratike. Në diskutimin për ringjalljen qiellore, Pavli foli për ‘zgjatjen drejt gjërave që kishte përpara’. Gjithashtu, ai tha: «Deri ku kemi bërë përparim, të vazhdojmë të ecim me rregull në po këtë rutinë.» (Filipianëve 3:13-16, BR) Synimet teokratike mund të na ndihmojnë që të zgjatemi përpara. Megjithatë, sfida qëndron në mbajtjen e tyre në një shkallë realiste.
Synimet realiste janë të arsyeshme dhe të arritshme. (Filipianëve 4:5) Kjo nuk do të thotë se një synim që kërkon disa vjet punë të palodhur, nuk është realist. Një synim i tillë largpamës mund të arrihet gradualisht, duke vënë një varg synimesh apo hapash ndërmjetës e seriozë. Këto mund të shërbejnë si një gur kilometrazhi për përparimin frymor. Përmbushja me sukses e çdo hapi do të të japë një ndjenjë kënaqësie përgjatë rrugës, në vend të asaj të zhgënjimit.
Një ekuilibër i shkëlqyer
Sidoqoftë, është e rëndësishme që të pranojmë se për shkak të rrethanave dhe kufizimeve tona, disa privilegje mund të mos merren. Vënia e tyre si synim çon vetëm në ndjenjën e zhgënjimit dhe të dështimit. Këto synime duhen shtyrë të paktën për këtë kohë. Nuk do të jetë e vështirë ta bëjmë këtë, nëse lutemi për kënaqësinë hyjnore dhe e bëjmë kryerjen e vullnetit të Jehovait shqetësimin tonë kryesor. Kur zgjatemi për privilegje, është e rëndësishme lavdia e Jehovait e jo pranimi i arritjeve tona personale. (Psalmi 16:5, 6; Mateu 6:33) Bibla në mënyrë të përshtatshme na thotë: «Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.»—Proverbat 16:3.
Duke shqyrtuar Psalmin 84, mund të shohim se psalmisti shfaqi një qëndrim të tillë karshi privilegjeve të shërbimit dhe Jehovai e bekoi atë në mënyrë të pasur. Për më tepër, ky psalm vazhdon të jetë në dobi të popullit të Jehovait deri në këto ditë.
Duke u mbështetur me lutje në Jehovain, mund të ekuilibrosh dëshirën tënde të zjarrtë për privilegje të tjera me kënaqësinë që vjen prej atyre që tashmë gëzon. Mos lejo që dëshira për të bërë më shumë të të grabisë çmueshmërinë për atë që ke tani dhe gëzimin për t’i shërbyer Jehovait përgjithmonë. Beso në Jehovain, sepse kjo çon në lumturi, siç tregohet nga fjalët e levitit: «O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!»—Psalmi 84:12.
[Shënimi]
a Të lutemi shiko artikullin «A i çmon gjërat e shenjta?», botuar në anglisht në Kullën e Rojës 15 qershor 1988.
[Kutia në faqen 11]
Synime që mund t’i vëmë vetes
Leximi i përditshëm i Biblës.—Josiu 1:8; Mateu 4:4
Përmirësimi i aftësive tona shquese përmes stërvitjes nga Shkrimet.—Hebrenjve 5:14
Zhvillimi i një marrëdhënieje më të afërt me Perëndinë.—Psalmi 73:28
Kultivimi i çdonjërit prej fryteve të frymës.—Galatasve 5:22, 23
Përmirësimi në cilësinë e lutjeve tona.—Filipianëve 4:6, 7
Efektshmëria më e madhe në predikim e mësim.—1. Timoteut 4:15, 16
Leximi e meditimi mbi çdo numër të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!—Psalmi 49:3
[Figurat në faqen 9]
Në vënien e synimeve personale, vër në vend të parë kryerjen e vullnetit të Perëndisë