Jehovai është strehimi ynë
«Meqenëse the: ‘Jehovai është strehimi im’, . . . nuk do të të bjerë asnjë gjëmë.»—PSALMI 91:9, 10, BR.
1. Përse mund të themi që Jehovai është strehimi ynë?
JEHOVAI është një strehim i vërtetë për popullin e tij. Nëse i jemi përkushtuar plotësisht atij, mund të jemi ‘të shtrënguar në çdo mënyrë, por jo aq ngushtë sa të mos lëvizim; ndërdyshas, por jo fare pa rrugëdalje; të persekutuar, por jo të lënë në baltë; të hedhur poshtë, por jo të shkatërruar’. Përse? Sepse Jehovai na jep ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7-9) Po, Ati ynë qiellor na ndihmon që të bëjmë një jetë të perëndishme dhe mund të marrim për zemër fjalët e psalmistit: «Meqenëse the: ‘Jehovai është strehimi im’, e ke bërë Më të Lartin banesën tënde; nuk do të të bjerë asnjë gjëmë.»—Psalmi 91:9, 10, BR.
2. Çfarë mund të thuhet për Psalmin 91 dhe çfarë premton ai?
2 Këto fjalë të Psalmit 91 mund t’i ketë shkruar Moisiu. Një mbishkrim e quan atë kompozitorin e Psalmit 90 dhe Psalmi 91 vijon pa asnjë pohim në mes që të përmendë ndonjë shkrimtar tjetër. Ndoshta Psalmi 91 këndohej në formë antifonike, domethënë, një person mund të ketë kënduar i pari (91:1, 2) dhe kori përgjigjej (91:3-8). Ka mundësi që më pas të dëgjohej një zë i vetëm (91:9a) dhe një grup i përgjigjej (91:9b-13). Pastaj, një këngëtar mund të ketë kënduar fjalët përfundimtare (91:14-16). Sido që të këndohej, Psalmi 91 u premton siguri frymore të krishterëve të mirosur si klasë dhe jep një siguri të ngjashme për shokët e tyre të dedikuar, si grup.a Le ta shqyrtojmë këtë psalm nga këndvështrimi i të gjithë këtyre shërbëtorëve të Jehovait.
Të sigurt në ‘vendin e fshehtë të Perëndisë’
3. (a) Çfarë është ‘vendi i fshehtë i Më të Lartit’? (b) Çfarë provojmë duke ‘u strehuar nën hijen e të Plotfuqishmit’?
3 Psalmisti këndon: «Kushdo që banon në vendin e fshehtë të Më të Lartit do të sigurojë për vete strehë nën hijen e të Plotfuqishmit. Do t’i them Jehovait: ‘Ti je strehimi dhe kalaja ime, Perëndia im tek i cili do të kem besim.’» (Psalmi 91:1, 2, BR) ‘Vendi i fshehtë i Më të Lartit’ është një vend figurativ mbrojtjeje për ne, e veçanërisht për të mirosurit, të cilët janë shënjestra të veçanta të Djallit. (Zbulesa 12:15-17) Ai do të na kishte shkatërruar të gjithëve po të mos ishte për mbrojtjen që gëzojmë meqë strehohemi te Perëndia si mysafirë frymorë. Duke ‘u strehuar nën hijen e të Plotfuqishmit’, provojmë hijen mbrojtëse të Perëndisë. (Psalmi 15:1, 2; 121:5) Nuk ka strehim më të sigurt ose kala më të pathyeshme sesa Zotëria ynë Sovran, Jehovai.—Fjalët e urta (Proverbat) 18:10.
4. Çfarë dredhish përdor ‘gjahtari i zogjve’, Satanai, dhe si shpëtojmë ne?
4 Psalmisti shton: «Ai vetë [Jehovai] do të të çlirojë nga gracka e gjahtarit të zogjve, nga murtaja që shkakton mundime.» (Psalmi 91:3, BR) Në Izraelin e lashtë, një gjahtar zogjsh shpesh i zinte zogjtë duke përdorur çarqe ose gracka. Ndër grackat e «gjahtarit të zogjve», Satanait, janë organizata e tij e ligë dhe «veprat dinake». (Efesianëve 6:11, shënimi, BR) Gracka të fshehta vihen në shtegun tonë për të na tërhequr drejt ligësisë dhe për të na shkaktuar rrënim frymor. (Psalmi 142:3) Megjithatë, për shkak se kemi hequr dorë nga padrejtësia, ‘shpirti ynë është si një zog që shpëton nga laku’. (Psalmi 124:7, 8) Sa mirënjohës jemi që Jehovai na çliron nga ‘gjahtari i lig i zogjve’!—Mateu 6:13.
5, 6. Cila ‘murtajë’ ka shkaktuar «mundime», por, përse populli i Jehovait nuk bie pre e kësaj murtaje?
5 Psalmisti përmend ‘murtajën që shkakton mundime’. Ngjashëm një sëmundjeje ngjitëse epidemike, ka diçka që i shkakton «mundime» familjes njerëzore dhe atyre që përkrahin sovranitetin e Jehovait. Lidhur me këtë, historiani Arnold Tojnbi shkroi: «Që kur mbaroi Lufta II Botërore, nacionalizmi e ka dyfishuar numrin e shteteve sovrane të pavarura . . . Tani njerëzimi ka një qëndrim gjithnjë e më shumë përçarës.»
6 Gjatë shekujve, disa sundimtarë u kanë fryrë flakëve të konflikteve përçarëse ndërkombëtare. Gjithashtu, kanë kërkuar që përnderimi t’u drejtohej atyre ose shëmbëlltyrave a simboleve të ndryshme. Por Jehovai nuk ka lënë kurrë që populli i tij besnik të bjerë pre e kësaj ‘murtaje’. (Danieli 3:1, 2, 20-27; 6:7-10, 16-22) Si një vëllazëri e dashur ndërkombëtare, ne i japim Jehovait devocion ekskluziv, mbajmë asnjanësinë biblike dhe pranojmë pa asnjë anshmëri se «në çdo komb njeriu që i frikësohet [Perëndisë] dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm». (Veprat 10:34, 35; Eksodi [Dalja] 20:4-6; Gjoni 13:34, 35; 17:16; 1 Pjetrit 5:8, 9) Ndonëse si të krishterë vuajmë «mundime» në formë përndjekjesh, jemi të gëzuar dhe të sigurt frymësisht «në vendin e fshehtë të Më të Lartit».
7. Si na mbron Jehovai «me pendët e tij»?
7 Duke e pasur Jehovain strehimin tonë, nxjerrim ngushëllim nga fjalët: «Me pendët e tij ai do të bllokojë hyrjen për te ti dhe poshtë krahëve të tij do të strehohesh. Vërtetësia e tij do të jetë një mburojë e madhe dhe një ledh.» (Psalmi 91:4, BR) Perëndia na mbron, ashtu si një zog prind sillet rrotull në pozicion mbrojtjeje mbi të vegjlit e vet. (Isaia 31:5) ‘Me pendët e tij ai e bllokon hyrjen për te ne.’ Përgjithësisht, ‘pendët’ e një zogu janë krahët e tij. Me to një zog mbulon të vegjlit e vet, për t’i mbrojtur nga grabitqarët. Si zogj të vegjël, ne jemi të sigurt nën pendët e figurshme të Jehovait, sepse kemi gjetur strehim në organizatën e tij të vërtetë të krishterë.—Rutha 2:12; Psalmi 5:1, 11.
8. Në ç’mënyrë «vërtetësia» e Jehovait është një mburojë e madhe dhe një ledh?
8 Ne kemi besim në ‘vërtetësinë’ ose besnikërinë. Ajo është si një mburojë e madhe që përdorej në kohët e lashta, e cila shpesh kishte formën e një drejtkëndëshi për së gjati dhe ishte mjaft e madhe sa ta mbulonte gjithë trupin e personit. (Psalmi 5:12) Siguria në një mbrojtje të tillë na çliron nga frika. (Zanafilla 15:1; Psalmi 84:11) Ashtu si besimi ynë, vërtetësia e Perëndisë është një mburojë e madhe mbrojtëse që i ndal shigjetat e zjarrta të Satanait dhe i zmbraps goditjet e armikut. (Efesianëve 6:16) Ajo është edhe një ledh, një sfrat i fortë mbrojtës pas të cilit qëndrojmë të palëkundur.
‘Nuk do të kemi frikë’
9. Përse nata mund të jetë një kohë e frikshme, por, përse nuk kemi frikë?
9 Duke pasur parasysh mbrojtjen e Perëndisë, psalmisti thotë: «Nuk do të kesh frikë nga asgjë e tmerrshme natën, as nga shigjeta që fluturon ditën, as nga murtaja që ecën në terr, as nga shkatërrimi që plaçkit në mesditë.» (Psalmi 91:5, 6, BR) Meqë shumë vepra të liga kryhen nën velin e errësirës, nata mund të jetë një kohë e frikshme. Në mes të errësirës frymore që mbulon tani tokën, armiqtë tanë shpesh u drejtohen veprimeve tinëzare në përpjekje për të na e shkatërruar karakterin frymor dhe për ta ndaluar veprën tonë të predikimit. Por ‘ne nuk kemi frikë nga asgjë e tmerrshme natën’ sepse Jehovai na ruan.—Psalmi 64:1, 2; 121:4; Isaia 60:2,
10. (a) Për çfarë duket se bën fjalë «shigjeta që fluturon ditën» dhe si reagojmë ndaj saj? (b) Cila është natyra e ‘murtajës që ecën në terr’ dhe përse nuk kemi frikë prej saj?
10 «Shigjeta që fluturon ditën» duket se bën fjalë për sulmet gojore. (Psalmi 64:3-5; 94:20) Ndërkohë që ngulmojmë me paraqitjen e informacioneve të vërteta, ky kundërshtim i hapur ndaj shërbimit tonë të shenjtë del se është i kotë. Për më tepër, nuk kemi frikë nga «murtaja që ecën në terr». Kjo është një murtajë e figurshme, e prodhuar në terrin e kësaj bote të sëmurë nga ana morale e fetare, e cila dergjet nën pushtetin e Satanait. (1 Gjonit 5:19) Ajo sjell një gjendje vdekjeprurëse të mendjes dhe të zemrës, duke i lënë njerëzit në errësirë lidhur me Jehovain, qëllimet e tij dhe masat e dashura që ka marrë. (1 Timoteut 6:4) Në mes të kësaj errësire, ne nuk kemi frikë, sepse gëzojmë dritë frymore me bollëk.—Psalmi 43:3.
11. Çfarë u ndodh atyre që pësojnë ‘plaçkitje në mesditë’?
11 As «shkatërrimi që plaçkit në mesditë» nuk na frikëson. ‘Mesdita’ mund të tregojë të ashtuquajturin ndriçim të botës. Ata që bëhen pre e pikëpamjeve materialiste të botës pësojnë shkatërrim frymor. (1 Timoteut 6:20, 21) Ndërsa e shpallim me guxim mesazhin e Mbretërisë, nuk kemi frikë nga asnjë prej armiqve tanë, sepse Jehovai është Mbrojtësi ynë.—Psalmi 64:1; Fjalët e urta 3:25, 26.
12. Në krahun e kujt «bien» mijëra veta dhe në cilën mënyrë?
12 Psalmisti vazhdon: «Një mijë do të bien pikërisht në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde; ty nuk do të të afrohet. Vetëm do të shikosh me sytë e tu e do të shohësh shpagimin e të ligjve.» (Psalmi 91:7, 8, BR) Meqenëse nuk e bëjnë Jehovain strehimin e tyre, shumë veta «bien» në vdekje frymore ‘pikërisht në krahun tonë’. Në të vërtetë, «dhjetë mijë» kanë rënë «në të djathtën» e izraelitëve të sotëm frymorë. (Galatasve 6:16) Por, edhe nëse jemi të krishterë të mirosur, edhe nëse jemi shokët e tyre të dedikuar, jemi të sigurt në «vendin e fshehtë» të Perëndisë. Thjesht ‘shikojmë dhe shohim shpagimin e të ligjve’ që po korrin telashe në fushën tregtare, fetare e të tjera.—Galatasve 6:7.
‘Asnjë gjëmë nuk do të na bjerë’
13. Cilat gjëma nuk na bien dhe përse?
13 Ndonëse siguria e kësaj bote po bie, ne vëmë Perëndinë në vend të parë dhe marrim guxim nga fjalët e psalmistit: «Meqenëse the: ‘Jehovai është strehimi im’, e ke bërë Më të Lartin banesën tënde; nuk do të të bjerë asnjë gjëmë, as edhe një plagë nuk do të afrohet pranë tendës sate.» (Psalmi 91:9, 10, BR) Po, Jehovai është strehimi ynë. Megjithatë, ne e bëjmë Perëndinë Më të Lartë edhe ‘banesën tonë’ ku gjejmë siguri. I thurim lavdi Jehovait si Sovran Universal, ‘banojmë’ në të si Burimi ynë i sigurisë dhe shpallim lajmin e mirë të Mbretërisë së tij. (Mateu 24:14) Prandaj, ‘nuk do të na bjerë asnjë gjëmë’, asnjë nga gjëmat e përshkruara më sipër në këtë psalm. Edhe kur pësojmë si të tjerët gjëma të tilla, si: tërmete, uraganë, përmbytje, zi buke dhe dëmet e mëdha të luftërave, këto nuk na e shkatërrojnë besimin ose sigurinë tonë frymore.
14. Përse shërbëtorët e Jehovait nuk preken nga plagët vdekjeprurëse?
14 Të krishterët e mirosur janë si banorë të ardhur që jetojnë në tenda, të ndarë nga ky sistem. (1 Pjetrit 2:11) ‘As edhe një plagë nuk afrohet pranë tendës së tyre.’ Cilado qoftë shpresa jonë, qiellore a tokësore, ne s’jemi pjesë e botës dhe nuk na prekin plagë vdekjeprurëse frymore të tilla, si: imoraliteti, materializmi, feja e rremë dhe adhurimi i ‘bishës’ e i ‘shëmbëlltyrës’ së saj, që është Organizata e Kombeve të Bashkuara.—Zbulesa 9:20, 21; 13:1-18; Gjoni 17:16.
15. Në cilat fusha gëzojmë ndihmën e engjëjve?
15 Për sa i përket mbrojtjes që gëzojmë, psalmisti shton: «Ai [Jehovai] do t’u japë engjëjve të tij një urdhër për ty, që të të ruajnë në të gjitha udhët e tua. Në duart e tyre ata do të të mbajnë, që të mos e godasësh këmbën pas ndonjë guri.» (Psalmi 91:11, 12, BR) Engjëjve u është dhënë fuqi që të na mbrojnë. (2 Mbretërve 6:17; Psalmi 34:7-9; 104:4; Mateu 26:53; Luka 1:19) Ata na ruajnë ‘në të gjitha udhët tona’. (Mateu 18:10) Gëzojmë udhëheqjen dhe mbrojtjen engjëllore si lajmëtarë të Mbretërisë dhe nuk pengohemi frymësisht. (Zbulesa 14:6, 7) Edhe ‘gurët’ siç mund të jenë ndalimet e vëna për veprën tonë, nuk na kanë bërë të pengohemi dhe të humbasim miratimin hyjnor.
16. Si ndryshon sulmi i ‘një luani të ri’ nga ai i një ‘kobre’ dhe si reagojmë ndaj tyre?
16 Psalmisti vazhdon: «Mbi luanin e ri dhe mbi kobrën do të ecësh; luanin e ri me krifë dhe gjarprin e madh do ta shkelësh.» (Psalmi 91:13, BR) Ashtu si një luan i ri bën sulme të hapura e ballore, disa nga armiqtë tanë e tregojnë hapur kundërshtimin e tyre, duke miratuar ligje që kanë si synim të ndalojnë veprën tonë të predikimit. Por na bëhen edhe sulme të papritura si ato të një kobre që sulmon nga një vend i fshehur. I fshehur pas skene, kleri disa herë na sulmon me anë të ligjvënësve, gjyqtarëve dhe të tjerëve. Por me mbështetjen e Jehovait, ne kërkojmë në mënyrë paqësore zgjidhje në gjykata e, në këtë mënyrë, ‘mbrojmë dhe themelojmë ligjërisht lajmin e mirë’.—Filipianëve 1:7; Psalmi 94:14, 20-22.
17. Në ç’mënyrë shkelim mbi «luanin e ri me krifë»?
17 Psalmisti flet për shkeljen e ‘luanit të ri me krifë dhe të gjarprit të madh’. Një luan i ri me krifë mund të jetë shumë i egër dhe një gjarpër i madh mund të jetë një zvarranik me përmasa të mëdha. (Isaia 31:4) Pavarësisht se sa i egër mund të jetë luani i ri me krifë në sulmin e tij ballor, në mënyrë të figurshme ne shkelim mbi të kur i bindemi Perëndisë në vend që t’u bindemi njerëzve ose organizatave ngjashëm luanit. (Veprat 5:29) Prandaj, ‘luani’ kërcënues nuk na shkakton dëme frymore.
18. Kë mund të na sjellë ndër mend ‘gjarpri i madh’ dhe çfarë duhet të bëjmë nëse na sulmon?
18 Në Septuagintën greke, ‘gjarpri i madh’ quhet ‘dragua’. Kjo mund të na sjellë fare mirë ndër mend ‘dragoin e madh . . . , gjarprin e hershëm, atë që quhet Djall dhe Satana’. (Zbulesa 12:7-9; Zanafilla 3:15) Ai është si një zvarranik përbindësh, në gjendje për ta dërrmuar dhe për ta gëlltitur prenë e vet. (Jeremia 51:34) Kur Satanai përpiqet të na mbështillet rrotull si gjarpër, të na dërrmojë me presionet e kësaj bote dhe të na gëlltitë, le të çlirohemi prej tij dhe ta shkelim këtë ‘gjarpër të madh’. (1 Pjetrit 5:8) Mbetja e mirosur duhet ta bëjë këtë në mënyrë që të marrë pjesë në përmbushjen e Romakëve 16:20.
Jehovai—Burimi i shpëtimit tonë
19. Përse gjejmë strehim te Jehovai?
19 Psalmisti paraqet fjalët që thotë Perëndia për adhuruesin e vërtetë: «Duke qenë se ai më ka për zemër, edhe unë do t’i siguroj shpëtim. Do ta mbroj, sepse ai ka njohur emrin tim.» (Psalmi 91:14, BR) Fraza «do ta mbroj» fjalë për fjalë do të thotë «do ta vendos lart», domethënë ku nuk mund ta arrijnë. Ne strehohemi te Jehovai si adhurues të tij veçanërisht sepse ‘e kemi për zemër atë’. (Marku 12:29, 30; 1 Gjonit 4:19) Nga ana e tij, Perëndia ‘na siguron shpëtim’ nga armiqtë tanë. Nuk do të zhdukemi kurrë nga toka. Përkundrazi, do të shpëtojmë, sepse njohim emrin hyjnor dhe e thërrasim atë me besim. (Romakëve 10:11-13) Gjithashtu, jemi të vendosur të ‘ecim përgjithmonë në emrin e Jehovait’.—Mikea 4:5; Isaia 43:10-12.
20. Në përfundim të Psalmit 91, çfarë i premton Jehovai shërbëtorit të tij besnik?
20 Në përfundim të Psalmit 91, Jehovai thotë për shërbëtorin e tij besnik: «Ai do të më thërrasë e unë do t’i përgjigjem. Do të jem me të në vuajtje. Do ta çliroj e do t’i jap lavdi. Me gjatësi ditësh do ta ngop e do ta bëj që të shohë shpëtimin prej meje.» (Psalmi 91:15, 16, BR) Kur e thërrasim Perëndinë në lutje në përputhje me vullnetin e tij, ai na përgjigjet. (1 Gjonit 5:13-15) Tashmë kemi kaluar shumë vuajtje për shkak të armiqësisë që nxit Satanai. Por fjalët «unë do të jem me të në vuajtje» na përgatitin për sprova të ardhshme dhe na sigurojnë se Perëndia do të na mbështetë kur ky sistem i lig të shkatërrohet.
21. Si kanë marrë tashmë lavdi të mirosurit?
21 Me gjithë kundërshtimin e furishëm të Satanait, e gjithë pjesa e fundit e të mirosurve që janë mes nesh do të lartësohet në qiell në kohën e duhur të Jehovait, pas një ‘gjatësie ditësh’ në tokë. Gjithsesi, shpëtimet e jashtëzakonshme nga Perëndia tashmë u kanë sjellë lavdi frymore të mirosurve. E çfarë nderi është për ta të marrin drejtimin si Dëshmitarë të Jehovait në tokë në këto ditë të fundit! (Isaia 43:10-12) Shpëtimi më i madh që do t’i bëjë Jehovai popullit të tij do të ndodhë gjatë luftës së tij të madhe të Harmagedonit, kur të shfajësojë sovranitetin e tij dhe të shenjtërojë emrin e tij të shenjtë.—Psalmi 83:18; Ezekieli 38:23; Zbulesa 16:14, 16.
22. Kush do të ‘shohë shpëtimin nga Jehovai’?
22 Qofshim të krishterë të mirosur, qofshim shokët e tyre të dedikuar, ne i drejtohemi Perëndisë për shpëtim. Gjatë ‘ditës së madhe e të tmerrshme të Zotit’, ata që i shërbejnë me besnikëri Perëndisë do të shpëtohen. (Joeli 2:30-32) Ata prej nesh që do të përbëjnë ‘shumicën e madhe’ të të mbijetuarve në botën e re të Perëndisë dhe që mbeten besnikë në sprovën përfundimtare, ‘ai do t’i kënaqë me gjatësi ditësh’—me jetën e pafundme. Gjithashtu, ai do të ringjallë shumë njerëz. (Zbulesa 7:9; 20:7-15) Jehovai do të gjejë vërtet shumë kënaqësi duke ‘na bërë të shohim shpëtimin’ nëpërmjet Jezu Krishtit. (Psalmi 3:8) Me këto perspektiva madhështore para nesh, le të vazhdojmë t’i drejtohemi Perëndisë për ndihmë që t’i numërojmë ditët tona në lavdi të tij! Me fjalë e me vepra, le të vazhdojmë të provojmë se Jehovai është strehimi ynë!
[Shënimi]
a Shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke nuk e trajtuan Psalmin 91 nga këndvështrimi i profecive mesianike. Sigurisht, Jehovai ishte strehim dhe kala për njeriun Jezu Krisht, ashtu siç është edhe për ithtarët e mirosur të Jezuit e për shokët e tyre të dedikuar, si grup, në këtë ‘kohë të mbarimit’.—Danieli 12:4.
Si do të përgjigjeshit?
• Çfarë është ‘vendi i fshehtë i Më të Lartit’?
• Përse nuk kemi frikë?
• Në ç’mënyrë ‘nuk do të na bjerë asnjë gjëmë’?
• Përse mund të themi që Jehovai është burimi ynë i shpëtimit?
[Figura në faqen 17]
A e dini në ç’mënyrë vërtetësia e Jehovait është një mburojë e madhe për ne?
[Figurat në faqen 18]
Jehovai i ndihmon shërbëtorët e tij ta kryejnë shërbimin pavarësisht nga sulmet e papritura dhe nga kundërshtimi i hapur
[Burimi]
Kobra: A. N. Jagannatha Rao, Trustee, Madras Snake Park Trust