Ti mund të bësh progres frymor
VLERA e vërtetë mund të jetë e vëshirë të njihet. Kështu ndodh me diamantet. Megjithëse një diamant i lëmuar vezullon, një diamant i papërpunuar, thjesht mugëllon. Megjithatë, në thellësitë e diamantit të papërpunuar ndodhet premtimi i pagabueshëm i një margaritari të bukur.
Të krishterët u ngjajnë diamanteve të papërpunuara në shumë aspekte. Megjithëse jemi ende shumë larg përsosmërisë, ne kemi një vlerë të brendshme, të cilën e vlerëson Jehovai. Ashtu si diamantet, të gjithë ne kemi cilësitë tona të veçanta. Gjithashtu, secili prej nesh mund të bëjë progres të mëtejshëm frymor, nëse kjo është dëshira jonë nga zemra. Personalitetet tona mund të lëmohen, që të shkëlqejnë më fort në lavdi të Jehovait.—1. Korintasve 10:31.
Pasi pritet dhe lëmohet, diamanti vendoset në një sfond që i shton cilësitë e tij reflektuese. Ngjashëm, Jehovai mund të na përdorë në sfonde ose caktime të ndryshme, nëse «veshim personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë, në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë».—Efesianëve 4:20-24, BR.
Një progres i tillë frymor mund të mos vijë natyrshëm, ashtu si një diamant në gjendjen e tij natyrore, rrallë vezullon si margaritar. Ndoshta na duhet të heqim qafe ndonjë dobësi që zvarritet ende, të ndreqim qëndrimin tonë ndaj marrjes përsipër të përgjegjësive ose edhe të ushtrohemi për të dalë nga një rutinë monotone frymore. Por mund të bëjmë progres nëse këtë e dëshirojmë me të vërtetë, përderisa Perëndia Jehova mund të na japë «fuqinë përtej asaj që është normale».—2. Korintasve 4:7; Filipianëve 4:13.
Jehovai forcon shërbëtorët e tij
Prerja e diamanteve kërkon një siguri që rezulton nga njohuria e saktë, sepse pasi një pjesë e diamantit të papërpunuar pritet, zakonisht s’duhet më. Materiali i kushtueshëm, i cili hera-herës përbën 50 për qind të gurit të paprerë, duhet prerë pak e nga pak që të marrë formën e dëshiruar. Edhe ne kemi nevojë për sigurinë, e cila rezulton nga njohuria e saktë, që t’i japim formë personalitetit tonë dhe të bëjmë progres frymor. Sidomos, duhet të kemi sigurinë se Jehovai do të na japë fuqi.
Megjithatë, mund të ndihemi të paaftë ose të mendojmë se nuk jemi në gjendje të bëjmë më shumë. Disa shërbëtorë besimplotë të Perëndisë, hera-herës u ndjenë kështu në të kaluarën. (Eksodi 3:11, 12; 1. Mbretërve 19:1-4) Kur u caktua nga Perëndia për të qenë «profet i kombeve», Jeremia tha me gjithë forcën: «Mjerisht unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh.» (Jeremia 1:5, 6) Megjithatë, pavarësisht nga natyra e tij e mbyllur, Jeremia u bë një profet i guximshëm që i shpalli mesazhe të thëna troç një populli armiqësor. Si qe e mundur kjo? Ai mësoi të mbështetej te Jehovai. Më vonë, Jeremia shkroi: «I bekuar është njeriu i shëndetshëm që e vë besimin e tij te Jehovai dhe siguria e të cilit është bërë Jehovai.»—Jeremia 17:7, BR; 20:11.
Sot, Jehovai forcon në mënyrë të ngjashme ata që e vënë besimin tek ai. Eduardi,a babai i katër fëmijëve, i cili ishte i ngadaltë në bërjen e progresit frymor, vërejti se kjo është e vërtetë. Ai shpjegon: «Isha Dëshmitar i Jehovait që prej nëntë vjetësh, por dukej se në aspektin frymor po bëja në vend numëro. Problemi ishte se kisha një motivim të paktë dhe aspak siguri në vetvete. Pasi u transferova në Spanjë, u gjenda në një kongregacion të vogël që kishte vetëm një plak dhe një shërbëtor ndihmës. Duke pasur parasysh nevojën që ekzistonte, plaku më kërkoi të merresha me shumë caktime. Kur mbaja fjalimet dhe pjesët e para në mbledhje, dridhesha. Por megjithatë, mësova të mbështetem te Jehovai. Plaku më lavdëronte gjithmonë dhe më ofronte me takt sugjerime për t’u përmirësuar.
Në të njëjtën kohë, shtova aktivitetin tim të shërbimit në fushë dhe mora një drejtim më të mirë frymor në familje. Si rezultat, e vërteta pati një domethënie më të madhe për të gjithë familjen dhe u ndjeva shumë më tepër i kënaqur. Tani jam një shërbëtor ndihmës dhe po punoj shumë për të zhvilluar cilësitë e një mbikëqyrësi të krishterë.»
«Zhvishni personalitetin e vjetër»
Siç e kuptoi Eduardi, progresi frymor kërkon besim në Jehovain. Edhe zhvillimi i «personalitetit të ri» ngjashëm Krishtit është thelbësor. Si mund të bëhet kjo? Një hap i parë është ‘zhveshja’ e atyre aspekteve, të cilat janë pjesë e personalitetit të vjetër. (Kolosianëve 3:9, 10) Ashtu si papërsosmëritë, të tilla si mineralet e huaja, duhen hequr nga diamanti i papërpunuar, për ta bërë atë një margaritar vezullues, kështu edhe qëndrimet «që i përkasin botës» duhen flakur, që personaliteti ynë i ri të shkëlqejë dukshëm.—Galatasve 4:3.
Një prej qëndrimeve të tilla është ngurrimi për të pranuar përgjegjësitë, nga frika se do të na kërkohet tepër. Vërtet, përgjegjësi do të thotë punë, por kjo është një punë e kënaqshme. (Krahaso Veprat 20:35.) Pavli e pranoi se devocioni hyjnor kërkon që të ‘punojmë shumë dhe të ushtrohemi’. Ai tha që këtë e bëjmë me kënaqësi «sepse e kemi vendosur shpresën tonë te një Perëndi i gjallë», një Perëndi që nuk harron kurrë punën që bëjmë në dobi të bashkë të krishterëve dhe të të tjerëve.—1. Timoteut 4:9, 10; Hebrenjve 6:10, BR.
Disa diamante vuajnë nga «tensioni» i krijuar gjatë formimit të tyre dhe duhen punuar me kujdes. Megjithatë, me ndihmën e një instrumenti të quajtur polariskop, lëmuesi mund të gjejë se ku ndodhet tensioni dhe të punojë me sukses me gurin. Ndoshta vuajmë nga një tension i brendshëm ose një e metë e personalitetit, për shkak të prejardhjes sonë ose të një përvoje traumatike. Ç’mund të bëjmë? Së pari, duhet t’ia pranojmë këtë problem vetes dhe të vendosim ta kapërcejmë deri në masën e mundshme. Sigurisht që duhet ta shkarkojmë nga vetja këtë barrë, duke iu drejtuar në lutje Jehovait, mundësisht duke kërkuar edhe ndihmë frymore nga një plak i krishterë.—Psalmi 55:22; Jakovit 5:14, 15.
Një tension i tillë i brendshëm ndikoi te Nikola. «Babai im ishte i alkoolizuar dhe na shkaktoi shumë vuajtje mua dhe motrës sime,—shpjegon ai.—Kur lashë shkollën u futa në ushtri, por damari im rebel më futi shpejt në telashe. Autoritetet ushtarake më futën në burg për shitje drogash, ndërsa në një rast tjetër dezertova. Së fundi lashë ushtrinë, por ende pata telashe. Megjithëse jeta ime ishte një çorbë, për shkak të abuzimit me drogën dhe teprimit në të pirë, më interesonte Bibla dhe dëshiroja fort të kisha një qëllim në jetë. Më në fund, rashë në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait, ndryshova mënyrën time të të jetuarit dhe përqafova të vërtetën.
Megjithatë, u deshën vite që ta pranoja dhe të merresha me një defekt të personalitetit tim. Kisha një antipati të madhe për autoritetin dhe turfulloja kur më jepej ndonjë këshillë. Megjithëse dëshiroja të përdoresha plotësisht nga Jehovai, kjo dobësi më tërhiqte nga pas. Më në fund, me ndihmën e dy pleqve që më kuptonin, e pranova problemin tim dhe fillova të aplikoja këshillat e tyre të dashura biblike. Ndonëse hera-herës shkrepëtin ndonjë inat i vogël, tani e kam nën kontroll natyrën time rebele. Jam shumë mirënjohës për mënyrën e duruar me të cilën më ka trajtuar Jehovai dhe për ndihmën e dashur të pleqve. Për shkak të progresit tim frymor, kohët e fundit jam emëruar si shërbëtor ndihmës.»
Siç zbuloi Nikola, të ndryshosh qëndrime të rrënjosura thellë nuk është e lehtë. Ne mund të hasim një sfidë të ngjashme. Ndoshta jemi tepër të ndjeshëm. Ndoshta jemi duke ushqyer një arsye për t’u ankuar ose po e vëmë tepër theksin te pavarësia. Kështu, progresi ynë i krishterë mund të jetë i kufizuar. Lëmuesit e diamanteve provojnë diçka të ngjashme me gurët që ata i quajnë naats. Këta janë në të vërtetë dy gurë të bërë njësh gjatë formimit të diamantit. Si rezultat, naats kanë dy stile rritjeje në konflikt me njëra-tjetrën, të cilat e bëjnë shumë të vështirë prerjen sipas damarit. Në rastin tonë, ne vërejmë «damarin» e frymës së gatshme, në përleshje me «damarin» e mishit të papërsosur. (Mateu 26:41; Galatasve 5:17) Herë pas here mund të ndihemi të prirur për t’u dorëzuar plotësisht në këtë betejë, duke arsyetuar se papërsosmëritë në personalitetin tonë, gjithsesi nuk janë të rëndësishme. ‘Në fund të fundit,—mund të themi,—familja dhe miqtë më duan ende.’
Megjithatë, nëse duam t’u shërbejmë vëllezërve tanë dhe t’i japim lavdi Atit tonë qiellor, duhet të ‘rinovohemi në forcën që vë në veprim mendjen tonë’, duke veshur personalitetin e ri. Kjo përpjekje ia vlen, siç mund ta vërtetojnë Nikola dhe shumë e shumë të tjerë. Një lëmues diamantesh e di se një e metë mund ta prishë të gjithë diamantin. Ngjashëm, duke lënë pas dore një aspekt të dobët të personalitetit tonë, mund të prishim pamjen tonë frymore. Më keq akoma, një dobësi serioze mund të çojë në rrënimin tonë frymor.—Fjalët e urta 8:33.
Si «zjarr» brenda nesh
Lëmuesi i diamantit përpiqet të fiksojë zjarrin brenda diamantit. Kjo bëhet duke i rregulluar faqet, në atë mënyrë që të shkaktojnë të ashtuquajturin efekt ylber. Brenda diamantit drita shumëngjyrëshe reflektohet para dhe prapa, duke prodhuar ‘zjarrin’, i cili e bën diamantin të vezullojë. Ngjashëm, fryma e Perëndisë, mund të jetë si një «zjarr» brenda nesh.—1. Thesalonikasve 5:19; Veprat 18:25; Romakëve 12:11.
Po sikur të ndjejmë nevojën për t’u motivuar frymësisht? Si mund të bëhet kjo? Duhet të ‘shqyrtojmë rrugët tona’. (Psalmi 119:59, 60, BR) Ky shqyrtim duhet të përfshijë identifikimin e atyre gjërave që na ngadalësojnë frymësisht dhe më pas përcaktimin e aktiviteteve teokratike që duhet t’i ndjekim më energjikisht. Mund të thellojmë çmueshmërinë frymore nëpërmjet studimit të rregullt personal dhe lutjes së zjarrtë. (Psalmi 119:18, 32; 143:1, 5, 8, 10) Për më tepër, duke u shoqëruar me ata që punojnë shumë në besim, do ta forcojmë më tej vendosmërinë tonë për t’i shërbyer me zell Jehovait.—Titit 2:14.
Luiza, një e re e krishterë, pranoi: «Shërbimin si pioniere e rregullt e mora në shqyrtim për dy vjet, para se të regjistrohesha me të vërtetë si pioniere ose lajmëtare në kohë të plotë e Mbretërisë. Nuk më pengonte asgjë, por kisha një rutinë të rehatshme dhe thjesht s’bëja përpjekje për të dalë prej saj. Më pas, papritur më vdiq babai. E kuptova se sa e brishtë është jeta dhe se nuk po e përdorja jetën time në mënyrën më të mirë. Kështu, ndryshova pikëpamjen time frymore, shtova shërbimin dhe u bëra një pioniere e rregullt. Një ndihmë e veçantë në lidhje me këtë ishte ajo e vëllezërve të mi frymorë dhe e motrave të mia frymore, që mbështetnin gjithmonë rregullimet e shërbimit dhe që më shoqëronin rregullisht në shërbim. Kam mësuar se qoftë për mirë, qoftë për keq, ne marrim nga vlerat dhe synimet e shokëve tanë.»
Të mprehur si nga hekuri
Diamantet janë materiali natyror më i fortë që ekziston në tokë. Kështu që për të prerë një diamant duhet një tjetër. Kjo mund t’u sjellë ndër mend studentëve të Biblës proverbin që thotë: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Fjalët e urta 27:17) Si «mprehet» fytyra e një personi? Një individ mund t’ia dalë të mprehë gjendjen intelektuale dhe frymore të një tjetri, ashtu si një copë hekur mund të përdoret për të mprehur një teh të bërë nga i njëjti metal. Për shembull, nëse biem në depresion për shkak të ndonjë zhgënjimi, inkurajimi prej një personi tjetër mund të na ngrejë shumë moralisht. Pamja jonë e trishtuar mund të ndryshojë kështu për mirë dhe mund të gjallërohemi për një aktivitet të zellshëm të ripërtërirë. (Fjalët e urta 13:12) Sidomos pleqtë e kongregacionit mund të ndihmojnë për të na mprehur, duke siguruar inkurajim dhe këshilla nga Shkrimet, që të përmirësohemi. Ata ndjekin parimin e pohuar nga Solomoni: «Jepi një personi të mençur dhe ai do të bëhet akoma më i mençur. Jepi njohuri dikujt që është i drejtë dhe ai do të rritet në të mësuar.»—Fjalët e urta 9:9, BR.
Sigurisht, stërvitja frymore kërkon kohë. Për më shumë se dhjetë vjet, apostulli Pavël ndau me Timoteun përvojën dhe metodat e tij të mësimdhënies. (1. Korintasve 4:17; 1. Timoteut 4:6, 16) Stërvitja e gjatë që Moisiu i dha Josiut për një periudhë më shumë se 40-vjeçare, qe në dobi të Izraelit për një kohë të gjatë. (Jozueu 1:1, 2; 24:29, 31) Eliseu e shoqëroi profetin Elija ndoshta për 6 vjet, duke siguruar kështu një bazë të shkëlqyer për shërbimin e tij, që do të zgjaste rreth 60 vjet. (1. Mbretërve 19:21; 2. Mbretërve 3:11) Duke siguruar me durim stërvitje të vazhdueshme, pleqtë ndjekin shembullin e Pavlit, të Moisiut dhe të Elijas.
Dhënia e lavdërimit është një pjesë jetësore e stërvitjes. Shprehjet e sinqerta të çmueshmërisë për caktimet e përmbushura mirë ose për vepra që meritojnë të lavdërohen, mund t’i nxitin të tjerët të kenë dëshirë t’i shërbejnë më plotësisht Perëndisë. Lavdërimi ndërton sigurinë, e cila nga ana e vet, siguron një stimul për të punuar me dobësitë. (Krahaso 1. Korintasve 11:2.) Inkurajimi për të bërë progres në të vërtetën vjen edhe kur jemi të zënë intensivisht me veprën e predikimit të Mbretërisë dhe me aktivitetet e tjera të kongregacionit. (Veprat 18:5) Kur pleqtë u caktojnë vëllezërve përgjegjësi që janë në përputhje me progresin e tyre frymor, kjo gjë u jep këtyre burrave një përvojë të vlefshme dhe ka të ngjarë që të forcojë dëshirën e tyre për të vazhduar të bëjnë progres frymor.—Filipianëve 1:8, 9.
Arsye të shëndosha për të bërë progres frymor
Diamantet konsiderohen të çmuar. E njëjta gjë është e vërtetë për ata që tani shoqërohen me familjen mbarëbotërore të adhuruesve të Jehovait. Në fakt, vetë Perëndia i quan ata gjërat «e dëshirueshme» ose «të çmuara» të kombeve. (Hageu 2:7, shënimi, BR) Vitin e kaluar, 375.923 veta u bënë Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait. Për të strehuar këtë rritje, ka nevojë të ‘zgjerohet tenda’. Duke bërë progres frymor dhe duke synuar për privilegje të krishtere shërbimi, është e mundur të marrim pjesë në përkujdesjen për këtë zgjerim.—Isaia 54:2; 60:22.
Ndryshe nga shumë diamantë të çmuar që mbahen nëpër dhomat e siguruara të bankave dhe që shihen rrallë, vlera jonë frymore mund të shkëlqejë fort. Ndërsa lëmojmë dhe shfaqim rregullisht cilësitë tona të krishtere, i japim lavdi Perëndisë Jehova. Jezui u bëri thirrje ithtarëve të tij: «Le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:16) Sigurisht, kjo na jep arsye të shëndosha për të bërë progres frymor.
[Shënimi]
a Në këtë artikull janë përdorur emra zëvendësues.