Çfarë do të të kushtojë biznesi?
GRUAJA e presidentit të një vendi të Amerikës Jugore u akuzua se kishte futur qindra e mijëra dollarë në xhepat e pjesëtarëve të familjes së saj, duke lidhur kontrata me kompani të rreme që ishin pronë e tyre. Në Indi, një agjent 38-vjeçar i shitjeve të aksioneve, u arrestua dhe u detyrua të linte apartamentin e tij luksoz dhe 29 makinat, pasi ishte përfshirë në një skandal bankar dhe aksionar. Në Filipine, qindra banorë të një ishulli sigurojnë jetesën e tyre duke prodhuar ilegalisht pistoleta. Për të vazhduar të përfitojnë nga ky treg fitimprurës, është raportuar që ata rregullisht u japin rryshfete zyrtarëve që këta të mos ndërhyjnë.
Po, pandershmëria dhe mashtrimet në biznes janë të pandalshme kudo në botë. Dhe shpesh kjo u kushton njerëzve që përfshihen, pozitën, nderin, si edhe paratë.
Ç’mund të thuhet për ty? A merresh me biznes? Apo po mendon t’i futesh biznesit? Çfarë do të të kushtojë? Në mënyrë të pashmangshme, biznesi do të të kushtojë diçka. Dhe kjo nuk është medoemos diçka e keqe. Megjithatë, është e mençur të llogaritësh çmimin përpara se t’i futesh një aventure biznesi apo përpara se të marrësh vendime në lidhje me ndonjë punë që tashmë ke filluar. (Luka 14:28) Kutia në faqen 31 tregon disa gjëra që duhet të marrësh në konsideratë.
Është e qartë se të merresh me biznes nuk është e lehtë. Një i krishterë duhet të shqyrtojë detyrimet frymore dhe morale. A mund t’i plotësosh harxhet e biznesit e të qëndrosh i ekuilibruar frymësisht? A shkojnë disa prej tyre përtej asaj që ti mund të pranosh si të moralshme? Cilat janë disa parime që do të të ndihmojnë për të përcaktuar se cilat shpenzime janë të pranueshme e cilat jo?
Paratë të zënë vendin e duhur
Për t’u futur në një biznes paratë janë të nevojshme dhe shpresohet që biznesi do të sjellë fonde të mjaftueshme për të mbështetur familjen. Sidoqoftë, synimet për para mund të shtrembërohen me lehtësi. Lakmia mund të futet në skenë. Për shumë njerëz, kur paratë janë në mes, çdo gjë tjetër lihet mënjanë. Por, një shkrimtar i librit biblik të Proverbave, Aguri, shprehu këtë pikëpamje të ekuilibruar, kur tha: «Mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme.» (Proverbat 30:8) Ai e kuptoi sa e vlefshme ishte të kënaqej me një sasi të mjaftueshme ushqimi; nuk dëshironte «të vinte pasuri», siç thonë disa në biznes.
Megjithatë, lakmia mund të bëjë që dikush ta harrojë këtë parim, kur paraqitet e ashtuquajtura mundësi e artë. Një shërbëtor udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait në një nga vendet në zhvillim raportoi për një rast të tillë. Një kompani që kishte nevojë për kapitale në investim dha përshtypjen se investuesit do t’i dyfishonin shpejt paratë e tyre, mbase në pak muaj. Kjo ofertë për të bërë para me kaq lehtësi, i shtyu shumë veta të investonin. Shërbëtori udhëtues thotë: «Shumë veta u treguan tepër të paduruar për t’u futur në valle. Ata nuk pyetën mjaft në lidhje me çështjen dhe morën para hua [për të investuar].»
Përkundrazi, dy persona shkuan për të pyetur në zyrën e kësaj kompanie përpara se të investonin. Kërkesa e tyre për të parë fabrikat e prodhimit nuk u mor parasysh. Kjo bëri që ata të dyshonin në reputacionin e kompanisë. Dhe kjo doli një mbrojtje për ta, pasi në pak javë, u zbulua një plan i dukshëm mashtrimi dhe njerëzit u arrestuan. Vetëm mendo pak se çfarë u kushtoi kjo atyre që nuk bënë kërkime. Ata nuk humbën vetëm paratë, por ndoshta edhe miqtë që u kishin dhënë para hua e të cilat nuk mund t’ua kthenin kur plani u zbulua. Sa e mençur do të ishte që në çështjet e parave të zbatohej parimi i Proverbave 22:3: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.»
Përmbajuni marrëveshjes
Ç’mund të bësh nëse biznesi merr për keq? Psalmi 15:4 e lavdëron një person që i përmbahet marrëveshjes, edhe pse duke bërë kështu mund të mos ketë përfitim: «Edhe sikur te jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet.» Është e lehtë t’u përmbahesh fjalëve të dikujt, kur gjithçka shkon mbarë. Por, kur kjo sjell humbje financiare, për dikë bëhet një provë për integritetin.
Kujto një shembull biblik nga koha e Josiut. Gabaonitët vepruan në atë mënyrë që krerët e Izraelit të lidhnin besën me ta e të mos i shkatërronin. Në fakt, ata ishin pjesë e një kombi që ishte konsideruar si kërcënim për Izraelin. Kur dinakëria e tyre u zbulua «bijtë e Izraelit nuk i vranë, sepse krerët e asamblesë u ishin betuar atyre në emër të Zotit». (Josiu 9:18) Edhe pse ky grup vinte nga territor armik, krerët e konsideruan të rëndësishme mbajtjen e fjalës. Dhe ngjarjet e mëvonshme treguan se kjo i pëlqeu Jehovait.—Josiu 10:6-11.
A do t’i përmbahesh edhe ti marrëveshjeve dhe kontratave të biznesit, madje edhe sikur gjërat të mos shkojnë ashtu siç prisje?a Duke vepruar kështu, do të jesh edhe më shumë ngjashëm Jehovait, i cili gjithmonë i përmbahet fjalës së tij.—Isaia 55:11.
Ji i ndershëm
Në botën e sotme të biznesit, ndershmërinë, nëse nuk është shuar ende, e kërcënon zhdukja. Në një biznes ngjashëm me tuajin, ndoshta të tjerët mund të përdorin mjete të pandershme për të rritur fitimet e tyre. Mund të jenë të pandershëm në reklamat. Ata mund të vjedhin emrin e një kompanie tjetër e ta vënë atë mbi prodhimet e tyre. Ose mund të paraqesin një prodhim të dobët, sikur të ishte me një cilësi më të lartë. Të gjitha këto janë forma pandershmërie. Ata që veprojnë kështu janë si «të pabesët», të cilët, sipas Asafit «i shtojnë pasuritë e tyre», me sa duket në mënyrë mashtruese.—Psalmi 73:12.
A do të përdorje ti si i krishterë metoda të palejueshme? Ose përkundrazi do të udhëhiqeshe nga parimet biblike, të tilla si: «Ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi korruptuar askënd, nuk ia hodhëm askujt»; «ne kemi hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi, duke mos ecur me dinakëri»; «peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë»? (2. Korintasve 4:2; 7:2; Proverbat 20:23) Mos harro, nismëtari i pandershmërive nuk është askush tjetër përveç Satana Djallit, «ati i rrenës».—Gjoni 8:44.
Disa mund të kundërshtojnë e të thonë: «Është e vështirë të qëndrosh në biznes nëse nuk përdor metoda të pandershme, siç bëjnë edhe të tjerët.» Ky është momenti kur një i krishterë mund të tregojë besimin e tij në Jehovain. Ndershmëria vihet në provë, kur na kushton diçka. Të thuash se një person nuk mund të jetojë po të mos jetë i pandershëm, është sikur të thuash se Perëndia nuk kujdeset për ata që e duan atë. Një njeri që beson me të vërtetë në Jehovain, e di se Perëndia mund të sigurojë për shërbëtorët e tij në çdo vend e në çdo situatë. (Hebrenjve 13:5) Vërtet, duhet ndoshta të kënaqemi me ca të ardhura më të pakta se ato që mund të kenë të pandershmit, por, a s’është një çmim që ia vlen të paguhet për të pasur bekimin e Perëndisë?
Mos harro, pandershmëria është si një bumerang që, pasi flaket, kthehet përsëri prapa tek ai që e flaku. Nëse një afarist është treguar i pandershëm, klientët dhe furnitorët do ta harrojnë shpejt. Ai mund t’ua hedhë ndonjëherë, por ajo do të jetë hera e fundit. Nga ana tjetër, një afarist i ndershëm zakonisht fiton respektin e të tjerëve. Bëj kujdes që të mos ndikohesh nga arsyetimi i gabuar: «Të gjithë të tjerët e bëjnë, pra është në rregull.» Parimi i Biblës është: «Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen.»—Të Dalët 23:2.
Ta zëmë se partneri që ke pasur për një kohë të gjatë në biznes nuk është i krishterë dhe nuk u përmbahet gjithmonë parimeve të Biblës. A do të ishte e përshtatshme ta përdorje këtë fakt si një justifikim për të shmangur përgjegjësinë tënde, kur bëhet diçka në kundërshtim me Shkrimet? Mos harro shembuj të tillë si Adami dhe Sauli. Në vend se të shmangnin mëkatin, ata u dorëzuan përpara presionit të të tjerëve e më pas ua hodhën fajin atyre. Çfarë çmimi të lartë që paguan!—Zanafilla 3:12, 17-19; 1. Samuelit 15:20-26.
Trajto siç duhet me të bashkëkrishterët
A ekziston ndonjë çmim që duhet marrë parasysh kur hyn në marrëdhënie biznesi me adhurues të tjerë të Jehovait? Kur profeti Jeremia bleu një fushë në qytetin e tij të lindjes, Anathoth, nga kushëriri i tij, ai nuk u mjaftua me dhënien e parave dhe me një shtrëngim dore. Përkundrazi, ai tha: «E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore.» (Jeremia 32:10) Nëse bëhen marrëveshje të tilla të shkruara, mund të parandalohen keqkuptime, të cilat mund të lindin më vonë nëse rrethanat ndryshojnë.
Por ç’mund të bësh nëse një vëlla i krishterë duket se ka trajtuar me ty në biznes në një mënyrë të padrejtë? A duhet ta zgjidhni çështjen me gjyq? Bibla është shumë e qartë në këtë pikë. «Kur njëri nga ju ka padi kundër një bashkëbesimtari tjetër, si guxon ai të dalë para gjykatësve të pafe, në vend që të pranojë që të vendoset çështja para bashkësisë?»—pyeti Pavli. Si i bëhet nëse ndonjë problem nuk zgjidhet menjëherë në mënyrë të kënaqshme? Pavli shtoi: «Tanimë është mjaft keq që bëni procese kundër njëri-tjetrit? Përse nuk pranoni që t’ju bëhet padrejtësi? Përse nuk pranoni të mashtroheni?» Vetëm mendo pak se ç’njollë e zezë do të vihej mbi organizatën e krishterë nëse njerëzit nga jashtë do të dëgjonin që të krishterët e vërtetë i zgjidhin çështjet e tyre nëpër gjyqe! A mund të ndodhë që në raste të tilla dashuria për para të jetë bërë më e fortë se dashuria për vëllain? Apo mos ndoshta nderi i dikujt është njollosur dhe hakmarrja është e para gjë në mendje? Këshilla e Pavlit tregon se në raste të tilla do të ishte më mirë të duroje humbjen se të shkoje në gjyq.—1. Korintasve 6:1, 7, ECM; Romakëve 12:17-21.
Natyrisht që ekziston një mënyrë biblike për të trajtuar mosmarrëveshje të tilla brenda kongregacionit. (Mateu 5:37; 18:15-17) Për të ndihmuar vëllezërit e përfshirë që të ndjekin hapat e rekomanduar, mbikëqyrësit e krishterë mund të ofrojnë disa këshilla të dobishme për të gjithë të interesuarit. Mund të duket e lehtë gjatë këtyre bisedave që të biesh dakort me parimet e Biblës, por më pas, a do të tregosh vërtet se ke dëgjuar, duke e zbatuar këshillën që të është dhënë? Dashuria për Perëndinë dhe për vëllezërit tanë të krishterë do të na nxisë për të vepruar kështu.
Pa dyshim, marrja me biznes do të të kushtojë diçka. Shpresohet që çmimi do të jetë i arsyeshëm. Kur përballon vendime apo ndonjë situatë të diskutueshme, mos harro se në jetë ekzistojnë gjëra që janë shumë më të vlefshme se paratë. Duke i mbajtur paratë në vendin e duhur, duke iu përmbajtur marrëveshjes, duke qenë të ndershëm e duke trajtuar me ortakët në biznes në mënyrë të krishterë, mund të jemi të sigurt se biznesi nuk do të na kushtojë më shumë kohë e para se sa është e nevojshme dhe në të njëjtën kohë mund të ruajmë shoqërinë, një ndërgjegje të mirë dhe një marrëdhënie të shkëlqyer me Jehovain.
[Shënimi]
a Për një shembull modern të mbajtjes së fjalës në biznes, shiko artikullin «My Word My Bond», në revistën Awake! të 8 majit 1988, faqe 11-13.
[Kutia në faqen 31]
Gjëra që biznesi mund të të kushtojë
Kohë: Duke pasur një biznes tëndin personal, pothuajse gjithmonë të ha më shumë kohë, sesa po të punosh si nëpunës në ndonjë kompani. A mund të futet ai në programin tënd, duke të lënë më pak kohë për aktivitetet më të rëndësishme frymore? Në krahun pozitiv, a do të jesh në gjendje t’i rregullosh punët e tua për të harxhuar më shumë kohë në kryerjen e vullnetit të Perëndisë? Nëse po, shumë mirë. Por ki kujdes! Është më e lehtë të flasësh se të veprosh.
Para: Për të bërë para, duhen para. Çfarë investimesh kërkon biznesi yt? A i ke tashmë fondet? Apo duhet të marrësh hua? A mund ta përballosh humbjen e disa parave? Apo kostoja do të jetë më e madhe se ajo që mund të mbash nëse punët nuk dalin siç ke pritur?
Miq: Për shkak të problemeve që lindin në veprimet e përditshme, shumë punëdhënës humbin miqtë e tyre. Edhe pse është shumë e mundshme të zësh miq, mundësia e marrëdhënieve të acaruara është gjithmonë shumë reale. Po sikur këta miq të jenë vëllezërit tanë të krishterë?
Një ndërgjegje e mirë: Metoda e përgjithshme me të cilën njerëzit futen në botën e sotme të biznesit është: «Peshku i madh e ha të voglin», ose «Çfarë fitoj unë?» Nga një hetim i bërë në Evropë, 70 për qind e studentëve pohojnë se etika zë pak ose aspak vend në jetën e biznesit. Nuk ka pse të habitemi që mashtrimi, pandershmëria dhe praktikat afariste të dyshimta janë bërë të zakonshme. A do të ndiheshe i tunduar për të ndjekur shumicën?
Marrëdhënia jote me Jehovain: Çdo veprim në biznes që është kundër ligjeve dhe parimeve të Perëndisë, edhe pse i zakonshëm në punët e biznesit, do të shkatërronte marrëdhënien e dikujt me Krijuesin e tij. Kjo do t’i kushtonte perspektivën e jetës së përhershme. A nuk do të ishte ky për një të krishterë një çmim tepër i lartë, pavarësisht se sa do të përfitonte materialisht?
[Figurat në faqen 31]
Çfarë do t’i parandalonte keqkuptimet e mëvonshme? Një marrëveshje e bazuar në fjalën e dhënë, apo një kontratë e shkruar?