Kur godasin grabitësit e armatosur
NË Ikoi, një lagje pasanikësh në Afrikën Perëndimore, banesat janë kthyer në fortesa. Shumë prej tyre kanë mure që arrijnë mbi tre metra lartësi, të mbuluara në pjesën e sipërme me shufra hekuri me majë, me copa xhami të mprehta ose me spirale telash me gjemba. Portat e rënda që mbyllen hermetikisht me bulona, lloze, zinxhirë dhe dryna përforcohen me roja. Dritareve u vihen hekura. Dyer çeliku ndajnë dhomat e gjumit nga pjesa tjetër e shtëpisë. Natën, qen të mëdhenj stani të racave gjermane, Alsatian dhe Rotueiler, nxirren nga vendet ku mbahen mbyllur. Drita të fuqishme largojnë errësirën dhe sisteme të kompjuterizuara vrojtimi lëshojnë një sinjal të ëmbël kur gjithçka është në rregull.
Asnjë nuk e vë në dyshim nevojën për ta bërë shtëpinë të sigurt. Titujt e gazetave ankohen: «Grabitësit e armatosur plaçkitin komunitetin»; «Fëmijët grabitës shfrenohen» dhe «Panik, ndërsa bandat e rrugëve marrin nën kontroll [një komunë]». Kjo është situata në shumë vende. Siç paratha Bibla, jetojmë me të vërtetë në kohë kritike.—2. Timoteut 3:1.
Niveli i krimit, përfshirë edhe atë të grabitjeve me armë, po rritet në mënyrë marramendëse në shkallë globale. Gjithnjë e më tepër, qeveritë janë të paafta ose nuk kanë dëshirë të mbrojnë shtetasit e tyre. Në shumë vende policia, e cila në krahasim me kriminelët është më e paktë në numër dhe më pak e armatosur, nuk është në gjendje t’u përgjigjet thirrjeve për ndihmë. Shumë nga të pranishmit e rastësishëm ngurrojnë të ndërhyjnë.
Viktimat, që nuk mund të mbështeten në ndihmën e policisë ose të publikut, lihen të mbrojnë vetveten. Një plak i krishterë në një nga vendet në zhvillim tha: «Nëse jep alarmin, grabitësit të sakatojnë ose të vrasin. Mos prit ndihmë nga jashtë. Nëse ndihma vjen, shkëlqyeshëm, por mos e prit ose mos thirr për të, sepse thirrja për ndihmë mund të jetë vetëm një thirrje për më shumë telashe.»
Mbrojtja dhe Fjala e Perëndisë
Edhe pse të krishterët nuk janë pjesë e botës, ata janë në botë. (Gjoni 17:11, 16) Prandaj, si gjithë të tjerët ata marrin masa të arsyeshme për sigurinë e tyre. Megjithatë, ndryshe nga shumë njerëz që nuk i shërbejnë Jehovait, shërbëtorët e Perëndisë e kërkojnë mbrojtjen brenda kuadrit të parimeve të krishtere.
Në kontrast, njerëzit në disa vende afrikane përdorin magjinë në përpjekje për të mbrojtur veten nga grabitjet. Një shërues magjistar bën një prerje në kyçin e dorës, në kraharorin ose në kurrizin e një klienti. Pastaj me një përzierje magjike fërkon pjesën e prerë, reciton disa formula magjike dhe mendohet se personi është i imunizuar nga sulmet e grabitësve. Të tjerë vënë në shtëpi hajmali ose përzierje magjike, duke besuar se një «siguri» e tillë do të bëjë që grabitësit t’i lënë të qetë.
Të krishterët e vërtetë nuk kanë fare të bëjnë me asnjë lloj magjie. Bibla i dënon të gjitha format e spiritizmit dhe me të drejtë, pasi këto praktika mund t’i vënë njerëzit në kontakt me demonët, të cilët janë pikërisht ata që nxitin dhunën në tokë. (Zanafilla 6:2, 4, 11) Bibla pohon haptas: «Nuk duhet të praktikosh magjinë.»—Levitiku 19:26, BR.
Disa njerëz në mënyrë të dëshpëruar e kërkojnë sigurinë duke u armatosur. Por të krishterët i marrin seriozisht fjalët e Jezuit, i cili tha: «Ata që marrin shpatën nga shpata do të vdesin.» (Mateu 26:52, BR) Shërbëtorët e Perëndisë ‘shpatat e tyre i kanë kthyer në plugje’ dhe nuk blejnë armë për të mbrojtur veten nga grabitjet ose nga sulmet.—Mikea 4:3, BR.
Ç’të themi në lidhje me punësimin e rojave të armatosura për arsye sigurie? Edhe pse kjo është çështje që kërkon një vendim personal, kujto se një gjë e tillë e vendos armën në duart e një tjetri. Çfarë do të priste një punëdhënës nga rojat nëse do të vinte një grabitës? A do të priste prej rojave që ta qëllonin vjedhësin, nëse do të ishte e nevojshme, për të mbrojtur njerëzit dhe pronat që po ruheshin?
Qëndrimi që marrin të krishterët, duke refuzuar magjinë dhe armët si mjete mbrojtjeje mund të duket një qëndrim prej budallai në sytë e atyre që nuk e njohin Perëndinë. Por Bibla na siguron: «Ai që beson në Jehovain do të jetë i mbrojtur.» (Proverbat 29:25, BR) Megjithëse Jehovai e mbron popullin e tij si një të tërë, ai nuk ndërhyn në çdo rast për të mbrojtur shërbëtorët e tij nga grabitja. Jobi dallohej për besnikërinë e tij, megjithatë Perëndia lejoji që kusarët të plaçkitnin gjënë e gjallë që i përkiste, me pasojë humbjen e jetës së shërbëtorëve. (Jobi 1:14, 15, 17) Perëndia lejoji, gjithashtu, që apostulli Pavël të përjetonte «rreziqe nga banditët e rrugës». (2. Korintasve 11:26, BR) Megjithatë, Perëndia i mëson shërbëtorët e tij që të jetojnë sipas disa parimeve që e zvogëlojnë rrezikun e grabitjes. Gjithashtu, ai i pajis ata me njohuri, e cila i ndihmon që të reagojnë ndaj tentativave për grabitje në mënyra të tilla që e zvogëlojnë mundësinë e dëmtimit.
Të zvogëlojmë mundësinë e grabitjes
Një njeri i mençur, shumë kohë më parë vërejti: «Bollëku që i përket të pasurit nuk e lejon atë të flejë.» (Eklisiastiu 5:12, BR) Me fjalë të tjera, ata që zotërojnë shumë gjëra mund të jenë kaq në ankth për humbjen e zotërimeve të tyre, saqë mbeten pa gjumë duke u shqetësuar për to.
Kështu, një mënyrë për të zvogëluar jo vetëm ankthin, por edhe mundësinë e grabitjes është shmangia e grumbullimit të një bollëku gjërash të kushtueshme. Apostulli i frymëzuar shkroi: «Gjithçka në botë: dëshira e mishit, dëshira e syve dhe shfaqja për t’u dukur e mjeteve të jetës, nuk e kanë origjinën nga Ati, por e kanë origjinën nga bota.» (1. Gjonit 2:16, BR) Të njëjtat dëshira që i shtyjnë njerëzit të blejnë gjëra të kushtueshme i shtyjnë të tjerët që të vjedhin dhe një «shfaqje për t’u dukur e mjeteve të jetesës» mund të jetë një ftesë për ata që janë të prirur për të plaçkitur.
Përveç përpjekjes për të rënë sa më pak në sy, një mënyrë tjetër për t’u mbrojtur nga grabitja është duke demonstruar se je një i krishterë i vërtetë. Nëse tregon dashuri ndaj të tjerëve, nëse je i ndershëm në marrëdhëniet e tua dhe nëse je aktiv në shërbimin e krishterë, mund të krijosh në komunitet reputacionin e një njeriu të mirë, e një njeriu që meriton respekt. (Galatasve 5:19-23) Një reputacion i tillë i krishterë mund të jetë një mbrojtje shumë herë më e mirë sesa një armë.
Kur vijnë grabitësit e armatosur
Megjithatë, çfarë duhet të bësh nëse grabitësit arrijnë të hyjnë në shtëpinë tënde dhe të dalin përballë? Mos harro që jeta jote është më e rëndësishme sesa zotërimet. Jezu Krishti tha: «Mos i rezisto të ligut, madje në qoftë se dikush të qëllon në faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën, dhe në qoftë se dikush do . . . të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.»—Mateu 5:39, 40.
Kjo është një këshillë e mençur. Ndonëse të krishterët nuk janë të detyruar t’u japin kriminelëve të dhëna mbi pasuritë, ka më shumë mundësi që grabitësit të bëhen të dhunshëm, nëse ndiejnë rezistencë, mungesë bashkëpunimi ose mashtrim. Shumë prej tyre duke qenë se kanë «tejkaluar çdo kuptim moral» nxiten lehtë për të kaluar në sjellje brutale dhe mizore.—Efesianëve 4:19, BR.
Samueli jeton në një kompleks apartamentesh. Grabitësit bllokuan hyrjet e ndërtesës dhe shkuan apartament më apartament duke plaçkitur. Samueli dëgjoi të shtëna armësh, dyer që shkallmoheshin dhe njerëz që thërritnin, qanin e vajtonin. Largimi ishte i pamundur. Samueli i tha gruas dhe tre fëmijëve të binin në gjunjë, të ngrinin duart lart, të mbyllnin sytë dhe të pritnin. Kur grabitësit mësynë brenda, Samueli u foli atyre me sytë të ulur pasi e dinte se nëse do t’i shikonte në fytyrë, ata mund të mendonin se ai do t’i identifikonte më vonë. «Hyni,—tha ai.—Merrni çfarë të doni. Jeni të lirë të merrni çdo gjë. Ne jemi Dëshmitarë të Jehovait dhe nuk do t’ju rezistojmë.» Grabitësit u befasuan nga kjo. Pas kësaj, pak a shumë brenda një ore, erdhën në grupe gjithsej 12 burra të armatosur. Edhe pse bizhuteritë, paratë dhe pajisjet elektronike u vodhën, familja nuk u rrah dhe as u godit mizorisht me hanxhar siç u ndodhi të tjerëve në atë ndërtesë. Familja e Samuelit falënderoi Jehovain për jetën.
Ky është një shembull që tregon se kur është fjala për para dhe për gjëra materiale, viktimat e grabitjes që nuk rezistojnë mund të zvogëlojnë mundësinë e dëmtimit.a
Disa herë një i krishterë mund të mbrohet nga dëmtimi duke dhënë dëshmi. Kur grabitësit sulmuan shtëpinë e Adeit, ai u tha: «E di që gjërat janë të vështira për ju dhe kjo është arsyeja për të cilën merreni me këtë punë. Si Dëshmitarë të Jehovait ne besojmë se një ditë çdo njeri do të ketë mjaft për të ngrënë për veten e vet dhe për familjen. Çdo njeri do të jetojë në paqe dhe lumturi nën Mbretërinë e Perëndisë.» Kjo e zbuti agresionin e grabitësve. Njëri prej tyre tha: «Na vjen keq që kemi ardhur në shtëpinë tënde, por duhet ta kuptosh që jemi të uritur.» Edhe pse i përlanë zotërimet e Adeit, ata nuk e prekën atë ose familjen e tij.
Ruani qetësinë
Nuk është e lehtë të jesh i qetë në një situatë të rrezikshme, sidomos kur një nga qëllimet kryesore të grabitësve është terrorizimi i viktimave deri sa të nënshtrohen. Lutja do të na ndihmojë. Thirrja jonë për ndihmë, edhe pse në heshtje dhe e shkurtër, mund të dëgjohet nga Jehovai. Bibla na siguron: «Sytë e Jehovait janë drejt të drejtëve dhe veshët e tij janë drejt thirrjes së tyre për ndihmë.» (Psalmi 34:15, BR) Jehovai na dëgjon dhe mund të na japë mençuri për të vepruar me qetësi në çdo situatë.—Jakovi 1:5, BR.
Përveç lutjes, një gjë tjetër që ndihmon për të qenë i qetë është përcaktimi që përpara i asaj që do të bësh dhe që nuk do të bësh, nëse të grabitin. Sigurisht nuk është e mundur të dish që përpara se në çfarë situate do të gjendesh. Megjithatë, është mirë të kesh ndër mend disa parime, ashtu siç është e mençur të kesh ndër mend disa mënyra shpëtimi në rast se je në një ndërtesë që merr flakë. Të menduarit që përpara të ndihmon të ruash qetësinë, të shmangësh panikun dhe t’i shpëtosh dëmtimit.
Pikëpamja e Perëndisë mbi grabitjen shprehet qartë: «Unë, Jehovai, e dua drejtësinë, urrej grabitjen bashkë me padrejtësinë.» (Isaia 61:8, BR) Jehovai e frymëzoi profetin e tij Ezekiel që ta rendiste grabitjen si një mëkat shumë serioz. (Ezekieli 18:18) Megjithatë, i njëjti libër biblik tregon, gjithashtu, se Perëndia do ta falë në mënyrë të mëshirshme personin që pendohet dhe kthen atë që është marrë gjatë grabitjes.—Ezekieli 33:14-16.
Megjithëse jetojnë në një botë të mbushur plot me krime, të krishterët gëzojnë në shpresën për një jetë nën Mbretërinë e Perëndisë, kur grabitjet nuk do të jenë më. Në lidhje me atë kohë, Bibla premton: «[Njerëzit e Perëndisë] do të ulen në fakt secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i bëjë të dridhen, sepse vetë goja e Jehovait të ushtrive e ka thënë këtë.»—Mikea 4:4, BR.
[ShënimI]
a Sigurisht bashkëpunimi ka kufij. Shërbëtorët e Jehovait nuk bashkëpunojnë në asnjë gjë që dhunon ligjin e Perëndisë. Për shembull, një i krishterë nuk do t’i nënshtrohej vullnetarisht përdhunimit.