Kur i vdekur do të thotë i vdekur
«Një qen i gjallë është më mirë se një luan i ngordhur. Sepse të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin; por sa për të vdekurit, ata nuk janë të vetëdijshëm për asgjë fare, as nuk kanë më pagesë, sepse kujtimi i tyre është harruar.»—Predikuesi 9:4, 5, BR.
SHUMË njerëz kanë një besim të mjegullt për shpirtërat që jetojnë pas vdekjes ose që kalojnë nëpër ciklet e rimishërimit. Disa madje besojnë se të vdekurit mund të kthehen përsëri, pasi të kenë përjetuar vdekjen. Tomas Linç, një sipërmarrës varrimesh, u pyet kohët e fundit se çfarë mendonte mbi çështjen e jetës së përtejme. Ai tha: «Ata njerëz që shohin tunele drite e kështu me radhë nuk kanë ardhur nga vdekja, ata thjesht shkuan përtej aftësisë sonë për të matur shenjat e jetës në ta. Sepse ‘i vdekur’ je atëherë kur nuk kthehesh më.»—The New York Times Magazine.
Bibla e ka thënë të vërtetën për mijëvjeçarë të tërë. «Një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur. Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; për ta nuk ka më asnjë shpërblim, sepse kujtimi i tyre harrohet.» (Predikuesi 9:4, 5) Një shëtitje e shkurtër përreth ndonjë varreze të lashtë do ta verifikojë menjëherë këtë të vërtetë.
A do të thotë kjo se nuk ka absolutisht asnjë shpresë për të vdekurit? Sigurisht, Bibla nuk ofron asnjë bazë për besimin në një shpirt të pavdekshëm që mbijeton në vdekje. (Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4, 20) Megjithatë, Jezu Krishti predikoi për ringjalljen në jetë në një parajsë të rivendosur tokësore. Ithtarja e tij hebreje, Marta, vëllai i së cilës, Lazri, sapo kishte vdekur, besonte në ringjalljen, sepse ajo tha për Lazrin: «E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.» (Gjoni 11:24) Këtyre fjalëve Jezui iu përgjigj: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë edhe pse vdes, do të vijë në jetë; dhe gjithkush që jeton dhe ushtron besim tek unë nuk do të vdesë kurrë. A e beson këtë?» (Gjoni 11:25, 26, BR) Më parë ai kishte thënë: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre [përkujtimore, BR] do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira në ringjallje të jetës dhe ata që kanë bërë të liga në ringjalljen e dënimit.» Por vëreni, Jezui nuk përmendi asnjë shpirt të pavdekshëm!—Gjoni 5:28, 29; Luka 23:43.
[Diçitura në faqen 31]
«‘I vdekur’ je atëherë kur nuk kthehesh më.» Tomas Linç, sipërmarrës varrimesh