Të kujtojmë Krijuesin tonë të madh!
«Kujto, tani, Krijuesin tënd të Madh . . . para se të fillojnë të vijnë ditët e mundimshme.»—EKLISIASTIU 12:1, BR.
1. Si duhet të dëshirojnë ta përdorin rininë dhe forcën e tyre të rinjtë e dedikuar ndaj Perëndisë?
JEHOVAI u jep forcë shërbëtorëve të tij që të bëjnë vullnetin e tij. (Isaia 40:28-31) Këtë ai e bën pavarësisht nga mosha e tyre. Por në veçanti të rinjtë në moshë që i janë dedikuar Perëndisë duhet të dëshirojnë ta përdorin me mençuri rininë dhe forcën e tyre. Prandaj, ata e marrin për zemër këshillën e «atij që mbledh popullin», mbretit Solomon të Izraelit të lashtë. Ai nxiti: «Kujto, tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate, para se të fillojnë të vijnë ditët e mundimshme ose të kenë arritur vitet kur do të thuash: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»—Eklisiastiu (Predikuesi) 1:1; 12:1, BR.
2. Çfarë duhet të bëjnë fëmijët e të krishterëve të dedikuar?
2 Këshilla e Solomonit për ta kujtuar Krijuesin e Madh në ditët e rinisë, iu drejtua kryesisht djemve dhe vajzave në Izrael. Ata kishin lindur në një komb të dedikuar ndaj Jehovait. Ç’të themi sot për fëmijët e të krishterëve të dedikuar? Sigurisht, ata duhet ta mbajnë në mend Krijuesin e tyre të Madh. Nëse veprojnë kështu, do ta nderojnë atë dhe do të nxjerrin dobi për veten.—Isaia 48:17, 18.
Shembuj të shkëlqyer nga e kaluara
3. Çfarë shembujsh dhanë Jozefi, Samueli dhe Davidi?
3 Shumë të rinj, për të cilët është shkruar në Bibël, kanë lënë shembuj të shkëlqyer si persona që e kanë kujtuar Krijuesin e tyre të Madh. Që nga fëmijëria e më tej, i biri i Jakobit, Jozefi, e kujtoi Krijuesin e tij. Kur gruaja e Potifarit e tundoi për të kryer imoralitet seksual me të, Jozefi refuzoi me vendosmëri dhe tha: «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9) Leviti Samuel e kujtoi Krijuesin e tij jo vetëm gjatë fëmijërisë, por gjatë gjithë jetës së tij. (1. Samuelit 1:22-28; 2:18; 3:1-5) I riu David nga Bethlehemi me siguri që e mbajti në mend Krijuesin e tij. Besimi te Perëndia qe i dukshëm kur ai përballoi gjigantin filiste, Goliadin dhe deklaroi: «Ti po vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë, kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë së ushtrisë së Izraelit, të cilin ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde; . . . dhe i gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë e gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës, sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti dhe ai do t’ju dorëzojë në duart tona.» Pas pak, Goliadi vdiq dhe filistejtë ia mbathën me vrap.—1. Samuelit 17:45-51.
4. (a) Ku duket se një robinjë izraelite në Siri dhe mbreti i ri Josia e kujtuan Krijuesin tonë të Madh? (b) Si e tregoi Jezui 12-vjeçar se e kujtonte Krijuesin e tij?
4 Një tjetër e re që kujtoi Krijuesin e madh ishte një robinjë izraelite. Ajo i dha një dëshmi kaq të shkëlqyer gruas së Naamanit, i cili ishte kreu i ushtrisë siriane, saqë ai shkoi te profeti i Perëndisë, u shërua nga lebra dhe u bë adhurues i Jehovait. (2. Mbretërve 5:1-19) Mbreti i ri Josia e përkrahu me guxim adhurimin e pastër të Jehovait. (2. Mbretërve 22:1–23:25) Por shembulli më i shkëlqyer i një personi që e kujtoi Krijuesin e tij të Madh ndërsa ishte në moshë të njomë, ishte Jezui i Nazaretit. Shqyrto se çfarë ndodhi kur ai ishte 12 vjeç. Prindërit e morën me vete në Jerusalem për Pashkën. Gjatë udhëtimit të kthimit ata vunë re se Jezui mungonte, kështu që u kthyen prapa për ta kërkuar. Ditën e tretë të kërkimeve e gjetën duke diskutuar për disa çështje rreth Shkrimeve me mësuesit në tempull. Duke iu përgjigjur pyetjes së nënës së tij të shqetësuar, Jezui pyeti: «Përse duhej të dilnit të më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim?» (Luka 2:49, BR) Jezui e shihte të dobishme marrjen e informacioneve me vlerë frymore në tempull, ‘në shtëpinë e Atit të tij’. Sot, Salla e Mbretërisë e Dëshmitarëve të Jehovait është një vend i shkëlqyer për të marrë njohuri të saktë për Krijuesin tonë të Madh.
Ta kujtojmë tani Jehovain!
5. Si do ta shprehje me fjalët e tua pohimin e ‘atij që mbledh popullin’, që e gjejmë në Eklisiastiun 12:1?
5 Ata që e adhurojnë Jehovain me gjithë zemër dëshirojnë të hyjnë sa më shpejt në shërbim të Tij dhe t’i shërbejnë Perëndisë për pjesën tjetër të ditëve të tyre. Megjithatë, cilat janë perspektivat e një personi që e kalon rininë e tij kot, për shkak se nuk kujton Krijuesin? Nën frymëzim hyjnor, ‘ai që mbledh popullin’ thotë: «Kujtoje, tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e rinisë sate, para se të fillojnë të vijnë ditët e mundimshme ose të kenë arritur vitet kur do të thuash: ‘Nuk gjej asnjë kënaqësi në to.’»—Eklisiastiu 12:1, BR.
6. Çfarë dëshmie ka që Simeoni dhe Ana e moshuar e kujtuan Krijuesin e tyre të Madh?
6 Askush nuk gjen kënaqësi në «ditët e mundimshme» të pleqërisë. Por të moshuarit që mbajnë në mend Perëndinë janë të gëzuar. Për shembull, ndërsa ishte në tempull, Simeoni i moshuar e mori foshnjën Jezu në krahë dhe deklaroi me gëzim: «Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit.» (Luka 2:25-32) Edhe 84-vjeçarja Ana e kujtoi Krijuesin e saj. Ajo ishte gjithnjë në tempull dhe qe e pranishme kur çuan atje foshnjën Jezu. «Ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jerusalem.»—Luka 2:36-38.
7. Në çfarë situate gjenden ata që janë plakur në shërbimin e Perëndisë?
7 Dëshmitarët e sotëm të Jehovait që janë plakur në shërbimin e Perëndisë mund të provojnë dhimbjet dhe kufizimet e moshës së shkuar. Megjithatë, sa të lumtur janë ata dhe sa shumë e çmojmë ne shërbimin e tyre besnik! Ata kanë ‘gëzimin e Jehovait’, sepse e dinë që ai ka marrë përsipër të përdorë fuqinë e tij të pathyeshme ndaj kësaj toke dhe ka vendosur Jezu Krishtin si një Mbret të fuqishëm qiellor. (Nehemia 8:10, BR) Tani është koha që të rinj e të moshuar t’i vënë veshin thirrjes: «Të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë. Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.»—Psalmi 148:12, 13.
8, 9. (a) Për cilët nuk janë shpërblyese «ditët e mundimshme» dhe përse? (b) Si do ta shpjegoje Predikuesin 12:2?
8 «Ditët e mundimshme» të pleqërisë jo vetëm që nuk janë shpërblyese, por ndoshta mund të jenë shumë shqetësuese për ata që nuk e mendojnë fare Krijuesin e tyre të Madh e që nuk kanë kuptueshmëri lidhur me qëllimet e tij të lavdishme. Ata nuk kanë kuptueshmërinë frymore me të cilën mund t’i kundërpeshojnë sprovat e pleqërisë dhe mjerimet që e kanë zënë njerëzimin, që kur Satanai u flak nga qielli. (Zbulesa 12:7-12) Prandaj, ‘ai që mbledh popullin’ na nxit ta kujtojmë Krijuesin tonë «para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet dhe të kthehen retë pas shiut». (Predikuesi 12:2) Cila është domethënia e këtyre fjalëve?
9 Solomoni e krahason kohën e rinisë me stinën e verës në Palestinë, kur dielli, hëna dhe yjet derdhin dritën e tyre nga një qiell pa re. Në atë kohë, gjërat duken shumë të ndritshme. Por në pleqëri, ditët e një personi janë si stina e ftohtë e me shira e dimrit, ku rrebeshet e shqetësimeve vijnë njëri pas tjetrit. (Jobi 14:1) Sa e trishtueshme do të ishte ta njihnim Krijuesin, por të mos i shërbenim atij në verën e jetës sonë! Në dimrin e jetës, në pleqëri, gjërat errësohen, veçanërisht për ata që kanë lënë t’u ikin rastet për t’i shërbyer Jehovait në rininë e tyre, për shkak të rendjes pas gjërave të kota. Gjithsesi, pavarësisht nga mosha që kemi, le të ‘ndjekim plotësisht Jehovain’ siç bëri Kalebi besimplotë, një ndihmës besnik i profetit Moisi!—Josiu (Jozueu) 14:6-9, BR.
Pasojat e moshës së shkuar
10. Çfarë paraqesin (a) «rojtarët e shtëpisë»? (b) «njerëzit e fortë»?
10 Më pas, Solomoni tregon për vështirësitë «në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen». (Predikuesi 12:3) «Shtëpia» paraqet trupin njerëzor. (Mateu 12:43-45; 2. Korintasve 5:1-8) «Rojtarët» janë krahët dhe duart që e mbrojnë trupin dhe plotësojnë nevojat e tij. Në pleqëri shpesh ato dridhen nga dobësia, nervozizmi ose nga paraliza. «Njerëzit e fortë», këmbët, nuk janë më kolona të fuqishme, por janë dobësuar dhe janë përkulur kaq shumë, saqë thjesht tërhiqen zvarrë. Megjithatë, a nuk jemi të lumtur që i shohim bashkëbesimtarët e moshuar në mbledhjet e kongregacionit?
11. Duke folur në mënyrë të figurshme, cilat janë «ato që bluajnë» dhe «ata që shikojnë nga dritaret»?
11 «Ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak», por në ç’kuptim? Dhëmbët mund të jenë prishur ose të kenë rënë dhe prej tyre kanë mbetur shumë pak ose asnjë. Ushqimin e fortë e përtypin me vështirësi ose nuk e përtypin dot fare. «Ata që shikojnë nga dritaret», sytë së bashku me aftësinë mendore me anë të së cilës shohim, mjegullohen, për të mos thënë që errësohen fare.
12. (a) Çfarë do të thotë që «portat mbi rrugë mbyllen»? (b) Çfarë mendon për lajmëtarët e moshuar të Mbretërisë?
12 «Dhe,—vazhdon ‘ai që mbledh popullin’,—portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu dhe gjithë bijat e këngës dobësohen [kanë një tingull të dobët, BR].» (Predikuesi 12:4) Dy portat e gojës, buzët, nuk hapen më edhe aq shumë ose nuk hapen fare për të shprehur atë që ka në «shtëpi» ose në trupin e atyre me moshë të shkuar, të cilët nuk i shërbejnë Perëndisë. Asgjë nuk nxirret në «rrugë», në jetën shoqërore. Por, ç’të themi për lajmëtarët e moshuar të zellshëm të Mbretërisë? (Jobi 41:14) Ata mund të ecin ngadalë nga shtëpia në shtëpi dhe disa mund të flasin me vështirësi, por patjetër që e lavdërojnë Jehovain.—Psalmi 113:1.
13. Si i përshkruan ‘ai që mbledh popullin’ problemet e tjera të të moshuarve, por ç’gjë është e vërtetë për të krishterët e moshuar?
13 Zhurma e mokrës pakësohet, ndërsa ushqimi përtypet me nofullat pa dhëmbë. Një njeri i moshuar nuk fle rehat. Edhe cicërima e një zogu e shqetëson. Të pakta janë këngët që mund të këndojë dhe melodia që mund të nxjerrë është e dobët. «Gjithë bijat e këngës», notat muzikore, «kanë një tingull të dobët». Të moshuarit mezi e dëgjojnë muzikën dhe këngën e të tjerëve. Megjithatë, të mirosurit e moshuar dhe shokët e tyre, disa prej të cilëve po ashtu nuk janë edhe aq të rinj, vazhdojnë të ngrenë zërat e tyre në këngë lavdie për Perëndinë nëpër mbledhjet e krishtere. Sa të gëzuar jemi që i kemi përkrah nesh, duke lëvduar Jehovain në kongregacion!—Psalmi 149:1.
14. Çfarë frike i zë të moshuarit?
14 Sa e trishtueshme është gjendja e të moshuarve dhe në veçanti e atyre që e kanë shpërfillur Krijuesin! ‘Ai që mbledh popullin’ thotë: «Gjithashtu, ata kanë filluar të kenë frikë thjesht nga ajo që është e lartë dhe ka tmerre në udhë. Pema e bajames çel lule, karkaleci tërhiqet zvarrë dhe fryti i kaparinës çahet, sepse njeriu ecën drejt asaj që do të jetë shtëpia e tij për një kohë të gjatë dhe vajtuesit janë endur në rrugë.» (Predikuesi 12:5) Kur gjenden në majë të një shkalle të lartë, shumë të moshuar kanë frikë se mos bien. Madje edhe kur ngrenë sytë për të parë një gjë të lartë mund t’u merren mendtë. Kur u duhet të dalin nëpër rrugët plot njerëz, ata i tmerron mendimi se mos dëmtohen ose sulmohen nga hajdutët.
15. Çfarë do të thotë që «pema e bajames çel lule» dhe në ç’mënyrë karkaleci «tërhiqet zvarrë»?
15 Në rastin e një të moshuari, «pema e bajames çel lule», me sa duket duke treguar se flokët e tij thinjen e pastaj bëhen të bardhë si bora. Flokët e thinjur bien si petalet e bardha të luleve të bajames. Ndërsa «tërhiqet zvarrë», ndoshta i kërrusur, me krahët të lëshuar poshtë ose me duart në ijë dhe bërryla të përthyer, të drejtuar lart, ai i ngjan një karkaleci. Gjithsesi, edhe nëse ndonjëri prej nesh ngjan pak me këtë përshkrim, le t’i bëjmë të tjerët të vërejnë se ne jemi në ushtrinë energjike e të shpejtë të karkalecave të Jehovait!—Shiko Kullën e Rojës, 1 maj 1998, faqet 8-13.
16. (a) Çfarë tregon ‘çarja e frytit të kaparinës’? (b) Cila është ‘shtëpia [e njeriut] për një kohë të gjatë’ dhe cilat shenja të afrimit të vdekjes bëhen të dukshme?
16 Të moshuarit nuk kanë më shumë oreks, edhe sikur ushqimi që u vihet përpara të jetë aq i shijshëm sa ç’është fryti i kaparinës. Këto fryte janë përdorur prej shumë kohësh për të nxitur oreksin. ‘Çarja e frytit të kaparinës’ lë të kuptohet se kur një të moshuari i pakësohet oreksi, as ky fryt nuk arrin dot ta zgjojë dëshirën e tij për të ngrënë. Gjëra të tilla tregojnë se ai po i afrohet «asaj që do të jetë shtëpia e tij për një kohë të gjatë», varrit. Ajo do të jetë shtëpia e tij përgjithmonë, nëse nuk e ka mbajtur në mend Krijuesin e tij dhe nëse ka ndjekur një drejtim kaq të keq, saqë Perëndia të mos e kujtojë në ringjallje. Shenjat e afrimit të vdekjes janë të dukshme nga toni i trishtuar dhe nga rënkimet ankuese që dalin nga portat e gojës së të moshuarve.
17. Si këputet «kordoni prej argjendi» dhe çfarë mund të përfaqësojë «vazoja prej ari»?
17 Jemi të nxitur të kujtojmë Krijuesin tonë «përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus». (Predikuesi 12:6) «Kordoni prej argjendi» mund të jetë shtylla kurrizore. Kur ky shteg i mrekullueshëm i kalimit të impulseve në tru dëmtohet në mënyrë të pariparueshme, vdekja është e sigurt. «Vazoja prej ari» mund të tregojë trurin, i cili mbahet në kafkën ngjashëm një vazoje, me të cilën lidhet shtylla kurrizore. I artë për nga vlera, kur truri pushon së funksionuari sjell si pasojë vdekjen.
18. Çfarë është në mënyrë të figurshme «shtamba te burimi» dhe çfarë ndodh kur ajo thyhet?
18 «Shtamba te burimi» është zemra, e cila merr rrjedhën e gjakut dhe përsëri e nxjerr jashtë për ta qarkulluar në trup. Kur një person vdes, zemra bëhet si një shtambë e thyer dhe e copëtuar te burimi, sepse nuk mund të marrë, të mbajë dhe të pompojë më gjakun kaq jetësor për ushqimin dhe freskimin e trupit. ‘Çikriku i bërë copë-copë në pus’ nuk rrotullohet më, pra merr fund qarkullimi i gjakut që mbështet jetën. Në këtë mënyrë, Jehovai ia zbuloi Solomonit qarkullimin e gjakut shumë kohë përpara se fizikani i shekullit të 17-të, Uilliam Harvej, të provonte se gjaku qarkullon.
19. Si zbatohen fjalët e Predikuesit 12:7 kur një person vdes?
19 ‘Ai që mbledh popullin’ shtoi: «Dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.» (Predikuesi 12:7) Pasi «çikriku» thyhet, trupi njerëzor, i cili ishte krijuar fillimisht nga pluhuri i tokës, kthehet prapë në pluhur. (Zanafilla 2:7; 3:19) Shpirti vdes sepse fryma ose forca e jetës, të cilën e ka dhënë Perëndia i kthehet prapë Krijuesit tonë dhe është në duart e tij.—Ezekieli 18:4, 20; Jakovit 2:26.
Çfarë e ardhme i pret ata që kujtojnë Krijuesin?
20. Çfarë kërkese bëri Moisiu në lutjen e tij që e gjejmë në Psalmin 90:12?
20 Solomoni e tregoi në mënyrë shumë të efektshme se sa e rëndësishme është të kujtojmë Krijuesin tonë të Madh. Sigurisht, një jetë relativisht e shkurtër dhe plot shqetësime nuk është gjithçka që mund të presin ata që e mbajnë në mend Jehovain dhe që bëjnë vullnetin e tij me gjithë shpirt. Qofshin të rinj ose të moshuar, ata kanë të njëjtin qëndrim me Moisiun, i cili u lut: «Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona, për të pasur një zemër të urtë.» Profeti i përulur i Perëndisë dëshironte me gjithë zemër që Jehovai t’u tregonte ose t’u mësonte, atij dhe popullit të Izraelit, që të ushtronin mençuri në vlerësimin e ‘ditëve të viteve të tyre’ dhe në përdorimin e tyre në një mënyrë që Perëndia e miratonte.—Psalmi 90:10, 12.
21. Nëse duam t’i numërojmë ditët tona për lavdi të Jehovait, çfarë duhet të bëjmë?
21 Në veçanti të rinjtë e krishterë duhet të jenë të vendosur t’i vënë veshin këshillës së «atij që mbledh popullin», për të mbajtur në mend Krijuesin. Sa mundësi të shkëlqyera kanë ata për t’i bërë shërbim të shenjtë Perëndisë! Megjithatë, pavarësisht nga mosha, nëse mësojmë të numërojmë ditët tona për lavdi të Jehovait në këtë ‘kohë të mbarimit’, mund të jemi në gjendje të vazhdojmë t’i numërojmë ato përgjithmonë. (Danieli 12:4; Gjoni 17:3) Për të bërë këtë, patjetër që duhet të kujtojmë Krijuesin tonë të Madh. Gjithashtu, duhet të përmbushim të gjithë detyrimin tonë ndaj Perëndisë.
Si do të përgjigjesh?
◻ Përse të rinjve u bëhet nxitja që të kujtojnë Krijuesin e tyre?
◻ Cilët janë disa shembuj biblikë të atyre që e kujtuan Krijuesin e tyre të Madh?
◻ Cilat janë disa pasoja të moshës së shkuar, të cilat i përshkroi Solomoni?
◻ Çfarë e ardhme i pret ata që e mbajnë në mend Jehovain?
[Figurat në faqen 15]
Davidi, robinja izraelite, Ana dhe Simeoni e kujtuan Jehovain
[Figurat në faqen 16]
Dëshmitarët e Jehovait në moshë të shkuar i bëjnë shërbim të shenjtë me gëzim Krijuesit tonë të Madh