Libri i parë i Samuelit
3 Ndërkohë djaloshi Samuel i shërbente+ Jehovait nën mbikëqyrjen e Eliut. Në ato ditë fjala e Jehovait ishte rralluar dhe vegimet*+ ishin diçka e pazakontë.
2 Një ditë Eliu po flinte në dhomën e tij. Sytë e kishin lënë e nuk ishte në gjendje të shihte.+ 3 Llamba në shtëpinë e Perëndisë+ nuk ishte shuar ende, dhe Samueli po flinte në tempullin*+ e Jehovait, ku gjendej Arka e Perëndisë. 4 Atëherë Jehovai i thirri Samuelit. Ai u përgjigj: «Ja ku jam.» 5 Ai vrapoi për tek Eliu dhe i tha: «Ja ku jam, se ti më thirre.» Por Eliu i tha: «Nuk të thirra. Shko të flesh përsëri.» Kështu ai shkoi e fjeti. 6 Jehovai thirri përsëri: «Samuel!» Atëherë Samueli u ngrit, shkoi tek Eliu dhe i tha: «Ja ku jam, se ti më thirre.» Por ai ia ktheu: «Nuk të thirra, biri im. Shko të flesh përsëri.» 7 (Samueli nuk e kishte njohur ende Jehovain dhe fjala e Jehovait nuk i ishte zbuluar akoma.)+ 8 Kështu Jehovai thirri sërish, për herë të tretë: «Samuel!» Prandaj ai u ngrit, shkoi tek Eliu dhe i tha: «Ja ku jam, se ti më thirre.»
Atëherë Eliu e kuptoi se ai që po e thërriste djaloshin, ishte Jehovai, 9 prandaj i tha Samuelit: «Shko e fli, dhe nëse të thërret, ti përgjigjju: ‘Të lutem, fol me mua, o Jehova, sepse shërbëtori yt po të dëgjon.’» Atëherë Samueli shkoi dhe fjeti.
10 Jehovai erdhi, ndenji aty dhe thirri si herët e tjera: «Samuel, Samuel!» Atëherë Samueli u përgjigj: «Të lutem, fol me mua, sepse shërbëtori yt po të dëgjon.» 11 Jehovai i tha: «Ja, unë po bëj në Izrael diçka që do të tronditë këdo që do ta dëgjojë.+ 12 Atë ditë do të bëj kundër Eliut gjithçka që thashë për shtëpinë e tij, që nga fillimi deri në fund.+ 13 Thuaji që do të sjell një gjykim të përhershëm mbi familjen e tij, sepse ai e dinte+ që djemtë e tij po e mallkonin Perëndinë me veprimet e tyre,+ por nuk i qortoi.+ 14 Ja pse i jam betuar shtëpisë së Eliut që shtëpia e tij nuk do ta shlyejë kurrsesi fajin, as me anë të flijimit, as me anë të blatimit.»+
15 Samueli fjeti deri në mëngjes; pastaj hapi dyert e shtëpisë së Jehovait. Ai kishte frikë t’ia tregonte vegimin Eliut. 16 Por Eliu e thirri Samuelin: «Samuel, biri im!» Atëherë ai iu përgjigj: «Ja ku jam.» 17 Eliu e pyeti: «Çfarë të tha? Të lutem, mos ma fshih. Perëndia të ndëshkoftë ashpër, nëse më fsheh një fjalë të vetme nga të gjitha ato që të tha!» 18 Kështu Samueli i tregoi gjithçka e nuk i fshehu asgjë, dhe Eliu tha: «Është vullneti i Jehovait. Le të bëjë si t’i duket atij më mirë.»
19 E ndërsa Samueli rritej, Jehovai ishte me të+ dhe nuk la pa përmbushur* asnjë nga fjalët e Samuelit. 20 Tërë Izraeli, nga Dani në Ber-Shebë, e mori vesh se Jehovai kishte zgjedhur Samuelin si profetin e tij. 21 Dhe Jehovai vazhdoi të shfaqej në Shiloh, sepse Jehovai ia bënte të njohur veten Samuelit në Shiloh me anë të fjalës së Jehovait.+