-
BabiloniaGjykim i thellë nga Shkrimet
-
-
Në kohën kur Asiria ishte fuqi botërore, Babilonia u përfshi në disa përleshje e kryengritje. Pastaj, kur perandoria e dytë botërore ra, kaldeasi Nabopolasar themeloi një dinasti të re në Babiloni, rreth vitit 645 p.e.s. I biri, Nabukodonosori II, që përfundoi restaurimin e qytetit dhe e çoi në kulmin e lavdisë së tij, u mburr: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar?!» (Dn 4:30) Lavdia e saj si kryeqytet i fuqisë së tretë botërore vazhdoi deri natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s. (sipas kalendarit gregorian), kur Babilonia ra para sulmit të ushtrive medo-perse nën komandën e Kirit të Madh.
Atë natë fatale, Belshazari shtroi një gosti në qytetin e Babilonisë për një mijë nga fisnikët e tij. Nabonidi nuk ishte i pranishëm që të shihte shkrimin ogurzi në suvanë e murit: «MÉNE, MÉNE, TÉKEL dhe PÁRSIN.» (Dn 5:5-28) Pas disfatës me persët, Nabonidi ishte strehuar në qytetin e Borsipës, në jugperëndim. Por natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s., në Babiloni ndodhej Danieli, profeti i Jehovait. Ai shpjegoi kuptimin e asaj që ishte shkruar në mur. Në kampin e ngritur rreth mureve të Babilonisë, që dukeshin të pamposhtshme, burrat e ushtrisë së Kirit nuk kishin rënë në gjumë. Atë natë atyre s’u zinin këmbët dhé. Me një strategji brilante, inxhinierët e ushtrisë së Kirit devijuan rrjedhën e lumit të fuqishëm Eufrat që kalonte nëpër qytetin e Babilonisë. Pas kësaj, persët çanë nëpër shtratin e lumit dhe u ngjitën në breg, që ta zinin qytetin në befasi, duke hyrë nga portat përgjatë molit. Pasi kaluan vetëtimthi rrugët, duke vrarë të gjithë ata që bënin rezistencë, pushtuan pallatin dhe ekzekutuan Belshazarin. Gjithçka mori fund. Brenda një nate të vetme, Babilonia ra, e kështu përfunduan shekuj të tërë të epërsisë semitike; Babilonia u vu nën sundimin arian dhe fjala profetike e Jehovait u plotësua.—Is 44:27; 45:1, 2; Jr 50:38; 51:30-32; shih FIGURËN, vëll. 2, f. 325 në botimin anglisht; KIRI nr. 1.
-
-
BabiloniaGjykim i thellë nga Shkrimet
-
-
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Qyteti i Babilonisë së lashtë
Qyteti i Ri
Kanal
Pallati Veror
Porta e Ishtarit
Kopshtet e Varura
Pallati i Qytetit
Zigurat
Porta e Lumit
Muri i Lumit
Lumi Eufrat
Muri i brendshëm i qytetit
Kanal
Muri i jashtëm i Nabukodonosorit
Kanal
-
-
KiriGjykim i thellë nga Shkrimet
-
-
1. Themeluesi i Perandorisë Perse dhe pushtuesi i Babilonisë; i quajtur «Kiri i Madh» për ta dalluar nga gjyshi, Kiri I.
Pasi mposhti Perandorinë Babilonase, sipas një dokumenti me shkrim kuneiform të quajtur cilindri i Kirit, ai tha: «Unë jam Kiri, mbreti i botës, mbreti i madh, mbreti i ligjshëm, mbreti i Babilonisë, mbreti i Sumerit dhe i Akadit, mbreti i katër skajeve (të tokës), biri i Kambisit (Ka-am-bu-zi-ia), mbreti i madh, mbreti i Anshanit, nipi i Kirit [I] , . . . pasardhës i Teispit . . . nga një familje (që) gjithmonë ka mbretëruar.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 316) Pra tregohet se Kiri i përkiste dinastisë së mbretërve të Anshanit, një qytet a krahinë që nuk dihet me siguri ku gjendej. Disa besojnë se ndodhej në malet në veri të Elamit, por në përgjithësi mendohet se ndodhej në lindje të Elamit. Ajo dinasti quhej Dinastia Akaemene, sipas Akaemenesit, të atit të Teispit.
Historia e hershme e Kirit II është pak e mjegullt, sepse bazohet kryesisht në tregimet disi imagjinare të Herodotit (historian grek i shekullit të pestë p.e.s.) dhe të Ksenofonit (shkrimtar tjetër grek, që shkroi rreth gjysmë shekulli më vonë). Gjithsesi, që të dy tregojnë se Kiri ishte biri i sundimtarit pers Kambisit dhe i gruas së tij, Mandanes, e bija e Astiagjit, mbretit të medëve. (Herodoti, I, 107, 108; Kiropedia nga Ksenofoni, I, ii, 1) Kurse Ktesiasi, një tjetër historian grek i së njëjtës periudhë, e mohon këtë lidhje gjaku të Kirit me medët dhe pohon se Kiri u bë dhëndër i Astiagjit kur u martua me bijën e tij Amitisën.
Kiri pasoi të atin, Kambisin I, në fronin e Anshanit, që atëherë ishte nën hegjemoninë e mbretit të medëve, Astiagjit. Sipas historianit Diodor (shekulli i parë p.e.s), Kiri nisi të mbretëronte vitin e parë të Olimpiadës së 55-të, pra 560-559 p.e.s. Herodoti tregon se Kiri ngriti krye kundër sundimit të medëve dhe, falë dezertimit të trupave të Astiagjit, korri me lehtësi fitore dhe mori Ekbatanën, kryeqytetin e medëve. Sipas Kronikës së Nabonidit, mbreti Ishtumegu (Astiagji) «mblodhi trupat dhe marshoi kundër Kirit, mbretit të Anshanit, që të përballej me të në betejë]. Ushtria e Ishtumegut u rebelua kundër tij, pastaj e lidhën me vargonj dhe [ia dorëzuan] Kirit.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 305) Kiri fitoi besnikërinë e medëve dhe pas kësaj medët e persët luftuan të bashkuar nën udhëheqjen e tij. Vitet pasuese, Kiri u vu në lëvizje që të shtrinte sundimin në pjesën perëndimore të Perandorisë Mede dhe arriti gjer në kufirin lindor të Perandorisë Lidiane, në lumin Halis të Azisë së Vogël.
Më tej, Kiri mundi mbretin e Lidisë, Kresin, i cili kishte pasuri përrallore, dhe pushtoi Sardën. Pastaj zaptoi qytetet e jonëve dhe e përfshiu mbarë Azinë e Vogël në Perandorinë Perse. Kështu, brenda pak vjetësh, Kiri u bë rivali kryesor i Babilonisë dhe i mbretit të saj, Nabonidit.
Pushtimi i Babilonisë. Tani Kiri u gatit të luftonte me Babiloninë e fuqishme dhe, sidomos nga ky moment e tutje, u përfshi në plotësimin e profecisë biblike. Në profecinë e frymëzuar të Isaisë për rindërtimin e Jerusalemit dhe të tempullit të tij, ky mbret pers përmendej me emër si ai që Perëndia Jehova do ta caktonte të mposhtte Babiloninë dhe të çlironte judenjtë e mërguar atje. (Is 44:26–45:7) Profecia ishte shkruar më se një shekull e gjysmë para se Kiri të merrte pushtetin dhe kur u shkretua Juda, Kiri as që kishte lindur. Megjithatë, Jehovai kishte shpallur se Kiri do të ishte «bariu» i Tij për popullin jude. (Is 44:28; krahaso Ro 4:17.) Për shkak të atij caktimi paraprak, Kiri u quajt ‘i mirosuri’ i Jehovait (një formë e fjalës hebraike mashíaħ, pra mesia, dhe e fjalës greke khristós, pra krisht). (Is 45:1) Fakti që Perëndia ‘e thirri në emër’ (Is 45:4) shumë kohë përpara, nuk do të thotë se i vuri emrin Kirit kur lindi, por tregon se Jehovai e dinte që më parë se do të dilte një njeri me atë emër dhe se Jehovai nuk do të thërriste një person anonim, por thirrja do të ishte e drejtpërdrejtë dhe specifike, pra me emër.
Ndonëse mbreti Kir (që mund të ketë qenë një pagan i dhënë pas zoroastrianizmit) nuk ishte i vetëdijshëm, Perëndia Jehova «e kapi nga dora e djathtë», në kuptimin e figurshëm, për ta udhëhequr a forcuar, ia ngjeshi ijët për luftë dhe përgatiti ose sheshoi udhën, që Kiri të plotësonte qëllimin e Tij: të pushtonte Babiloninë. (Is 45:1, 2, 5) Perëndia i Plotfuqishëm, «Ai që thotë përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur», ndikoi në çështjet njerëzore që të përmbushte deri më një qëllimin e vet. Ai e thirri Kirin «nga lindja e diellit», nga Persia (në lindje të Babilonisë), ku ndodhej kryeqyteti i preferuar i Kirit, Pasargada; Kiri do të lëshohej vrik kundër Babilonisë si «një zog grabitqar». (Is 46:10, 11) Vlen të përmendet ajo që thotë një enciklopedi: «Në majat e heshtave, persët kishin një shqiponjë; edhe dielli, një hyjni e tyre, paraqitej në flamujt që . . . i ruanin me xhelozi të madhe burrat më sypatrembur të ushtrisë.»—The Encyclopædia Britannica, 1910, vëll. X, f. 454.
Si i devijoi Kiri ujërat e Eufratit?
Profecitë biblike për pushtimin e Babilonisë nga Kiri parathoshin se lumenjtë e saj do të thaheshin dhe portat nuk do të mbylleshin, se qyteti do të sulmohej papandehur dhe ushtarët babilonas nuk do të bënin qëndresë. (Is 44:27; 45:1, 2; Jr 50:35-38; 51:30-32) Herodoti flet për një hendek të thellë e të gjerë përqark Babilonisë dhe tregon se nëpërmjet portave të shumta prej bronzi (ose bakri) mund të kaloje muret e brendshme përgjatë lumit Eufrat, që e ndante qytetin në mes. Sipas Herodotit (I, 191, 192), pasi rrethoi qytetin, Kiri «e devijoi lumin me anë të një kanali që derdhej në liqen [liqeni artificial që thuhet se ishte vepër e mbretëreshës Nitokris], i cili ishte moçal, e kështu e uli nivelin e ujit aq sa mund të kalohej nëpër shtratin e vjetër. Atëherë persët, që ishin urdhëruar të rrinin në pritje të kësaj, depërtuan në Babiloni duke kaluar nëpër shtratin e Eufratit, ujërat e të cilit kishin zbritur pak a shumë deri në mes të kofshës së një njeriu. Sikur babilonasit ta kishin ditur ose ta zbulonin planin e Kirit, do t’i linin persët të hynin në qytet e pastaj do t’i shkatërronin si mos më keq. Në fakt, pasi të mbyllnin gjithë portat mbi lumë e të ngjiteshin në muret përgjatë lumit, ata do t’i shtinin në kurth armiqtë. Mirëpo, tani persët i zunë në befasi. Ngaqë qyteti ishte tejet i madh, siç thonë banorët e tij, periferia kishte rënë në dorë të armikut, kurse banorët e qendrës s’dinin gjë; gjatë gjithë asaj kohe, ata kërcenin e bënin aheng në një festë . . . gjersa e morën vesh të vërtetën, madje e morën vesh fort mirë. [Krahaso Dn 5:1-4, 30; Jr 50:24; 51:31, 32.] Kështu u pushtua Babilonia për të parën herë».
Tregimi i Ksenofonit ndryshon në disa hollësi nga tregimi i Herodotit, por përmban të njëjtat elemente thelbësore. Ksenofoni thotë se Kirit i dukej thuajse e pamundur t’i merrte me sulm muret e fuqishme të Babilonisë dhe tregon se ai rrethoi qytetin, devijoi ujërat e Eufratit nëpër kanale e, ndërsa qyteti po festonte, trupat e tij kaluan nëpër shtratin e lumit gjer matanë mureve të qytetit. Ushtria nën komandën e Gobrjasit dhe të Gadatës i kapi në befasi rojat dhe hyri në qytet tamam nga portat e pallatit. Në një natë të vetme «qyteti u pushtua e mbreti u vra» dhe ushtarët babilonas që ruanin nëpër fortesa u dorëzuan të nesërmen në mëngjes.—Kiropedia, VII, v, 33; krahaso Jr 51:30.
Historiani jude Jozefi citon historinë e pushtimit të Kirit të shkruar nga prifti babilonas Beros (shekulli i tretë p.e.s.): «Vitin e shtatëmbëdhjetë të mbretërimit të tij [të Nabonidit], Kiri doli nga Persia me një ushtri të madhe dhe, pasi vuri në zgjedhë pjesën tjetër të mbretërisë, marshoi drejt Babilonisë. Me ta marrë vesh këtë, Nabonedi [Nabonidi] i priu ushtrisë për t’i dalë përpara, luftoi dhe u mund. Pas kësaj ia mbathi me disa pasues dhe u ngujua në qytetin e Borsipës [qytet binjak i Babilonisë]. Kiri e pushtoi Babiloninë dhe urdhëroi të rrafshoheshin muret e jashtme të qytetit, sepse kishin një pamje të tmerrshme që të kallte frikën. Pastaj vazhdoi udhën drejt Borsipës që të rrethonte Nabonidin. Nabonidi u dorëzua pa pritur që ta rrethonin dhe Kiri e trajtoi njerëzisht; ndonëse e dëboi nga Babilonia, e lejoi të banonte në Karmani, ku kaloi pjesën tjetër të jetës dhe vdiq.» (Kundër Apionit, I, 150-153 [20]) Ky tregim dallon nga të tjerët kryesisht prej asaj që thotë për veprimet e Nabonidit dhe për mënyrën si e trajtoi Kiri. Gjithsesi, ai është në harmoni me tregimin biblik se mbreti që u vra natën e rënies së Babilonisë, ishte Belshazari dhe jo Nabonidi.—Shih BELSHAZARI.
Ndonëse nuk japin hollësi për mënyrën e saktë si u mor Babilonia, pllakat me shkrim kuneiform të gjetura nga arkeologët vërtetojnë rënien e papritur të saj para Kirit. Sipas Kronikës së Nabonidit, vitin e fundit të mbretërimit të Nabonidit (539 p.e.s.), në muajin tishër (shtator-tetor), Kiri sulmoi ushtrinë babilonase në Opis dhe e mundi. Mbishkrimi thotë më tej: «Ditën e 14-të, Sipari u mor pa luftë. Nabonidi iku. Ditën e 16-të, Gobrjasi (Ugbaru), guvernatori i Gutiumit, dhe ushtria e Kirit hynë në Babiloni pa luftë. Më pas Nabonidin e kapën në Babiloni kur u kthye . . . Në muajin e arahshamnut [markesvan (tetor-nëntor)] , ditën e 3-të, Kiri hyri në Babiloni.» (Ancient Near Eastern Texts, f. 306) Nga ky mbishkrim mund të përcaktohet se Babilonia ra më 16 tishër të vitit 539 p.e.s. dhe se Kiri hyri në qytet 17 ditë më vonë, më 3 markesvan.
Fillon sundimi i botës nga arianët. Falë kësaj fitoreje, Kiri i dha fund sundimit semitik në Mesopotami e në Lindjen e Mesme dhe themeloi fuqinë e parë botërore me origjinë ariane. Cilindri i Kirit, një dokument me shkrim kuneiform që sipas historianëve u shkrua në Babiloni për publikun, ka nota fetare të forta dhe tregon se Kiri ia jep meritën e fitores Mardukut, perëndisë kryesore babilonase: «Ai [Marduku] zhbiroi e këqyri tërë vendet në kërkim të një sundimtari të drejtë, të gatshëm t’i printe . . . (në procesionin e përvitshëm). (Pastaj) shqiptoi emrin e Kirit (Ku-ra-as), mbretit të Anshanit, e shpalli (fjalë për fjalë: e shqiptoi emrin [e tij]) (se do të bëhej) sundimtar i mbarë botës. . . . Marduku, zotëria i madh, mbrojtës i popullit (adhuruesve) të vet, pa me ëndje bëmat e mira të tij (pra, të Kirit) dhe mendjen (fjalë për fjalë: zemrën) e tij të drejtë, (ndaj) e urdhëroi të marshonte kundër qytetit të tij, Babilonisë (Ká.dingir.ra). E bëri të merrte udhën për në Babiloni (DIN.TIRki) dhe eci krah tij si mik i vërtetë. Trupat e tij të mëdha ushtarake, të panumërta e të shumta si uji i lumit, shkonin tok me të, me armët në këllëf. Ai e futi Kirin pa luftë në Babiloni (Su.an.na), në qytetin e tij, dhe kështu e ruajti Babiloninë (Ká.dingir.raki) nga gjëma.»—Ancient Near Eastern Texts, f. 315.
Pse cilindri i Kirit e përshkruan rënien e Babilonisë ndryshe nga Bibla?
Pavarësisht nga ky interpretim pagan i ngjarjeve, Bibla tregon se kur nxori shpalljen që i lejonte judenjtë e mërguar të ktheheshin në Jerusalem dhe të rindërtonin tempullin, Kiri pranoi: «Jehovai, Perëndia i qiejve, më ka dhënë gjithë mbretëritë e tokës dhe ai vetë më ka ngarkuar që t’i ndërtoj një shtëpi në Jerusalem të Judës.» (Ezd 1:1, 2) Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Kiri përqafoi fenë e judenjve, por thjesht se i dinte faktet biblike që lidheshin me fitoren e tij. Meqë Danieli kishte pozitë të lartë drejtuese edhe para rënies së Babilonisë, edhe pas saj (Dn 5:29; 6:1-3, 28), do të dukej shumë e çuditshme që Kiri të mos ishte në dijeni të profecive që kishin shkruar e thënë profetët e Jehovait, ku përfshihej edhe profecia e Isaisë që përmendte emrin e Kirit. Pranohet se në përgatitjen e dokumentit me shkrim kuneiform të quajtur cilindri i Kirit, që u citua më lart, mund të kenë marrë pjesë edhe të tjerë përveç mbretit. Në një libër (Biblical Archaeology nga G. Ernest Rajti, 1962, f. 203) flitet për «mbretin ose zyrën që hartoi dokumentin» (krahaso rastin e ngjashëm të Darit, te Dn 6:6-9). Kurse dr. Emil G. Krelingu e quan cilindrin e Kirit «dokument propagandistik të përpiluar nga priftërinjtë babilonas» (Rand McNally Bible Atlas, 1966, f. 328). Ai mund të jetë shkruar vërtet nën ndikimin e klerit babilonas (Ancient Near Eastern Texts, f. 315, shën. 1) për të shpjeguar dështimin e plotë të Mardukut (të quajtur edhe Bel) dhe të perëndive të tjera babilonase që nuk e shpëtuan dot qytetin; madje klerikët arritën deri aty sa ia dhanë meritën Mardukut pikërisht për gjërat që i kishte bërë Jehovai.—Krahaso Is 46:1, 2; 47:11-15.
Dekreti i Kirit për kthimin e të mërguarve. Me anë të dekretit që i dha fund mërgimit të judenjve, Kiri plotësoi detyrën si ‘bariu i mirosur’ i Jehovait për Izraelin. (2Kr 36:22, 23; Ezd 1:1-4) Shpallja doli «vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë» (Dio), pra vitin e parë të mbretërimit të tij mbi Babiloninë e pushtuar. Te Danieli 9:1, Bibla flet për «vitin e parë të Darit», që ndoshta binte mes kohës kur u mposht Babilonia dhe ‘vitit të parë të Kirit’ si sundimtar i Babilonisë. Sikur të ketë qenë kështu, kjo do të nënkuptonte se sipas shkrimtarit viti i parë i mbretërimit të Kirit filloi ndoshta nga fundi i vitit 538 p.e.s. Por, nëse mendohet se Dari kishte pozitën e mëkëmbësit në Babiloni dhe se sundoi njëkohësisht me Kirin, atëherë sipas zakonit babilonas viti i parë i mbretërimit të Kirit do të ishte nga nisani i vitit 538 deri në nisan të vitit 537 p.e.s.
Sipas Biblës, dekreti i Kirit që i lejonte judenjtë të ktheheshin në Jerusalem ka të ngjarë të ketë dalë nga fundi i vitit 538 ose në fillim të vitit 537 p.e.s. Kështu të mërguarit judenj do të kishin kohë të përgatiteshin që të dilnin nga Babilonia, të bënin udhëtimin e gjatë për në Judë e Jerusalem (udhëtim që sipas Ezd 7:9 mund të zgjaste rreth katër muaj) dhe të vendoseshin «në qytetet e tyre» në Judë brenda «muajit të shtatë» (tishër) të vitit 537 p.e.s. (Ezd 3:1, 6) Kjo shënoi fundin e 70 viteve të profetizuara të shkretimit të Judës, që filloi në të njëjtin muaj, tishër, në vitin 607 p.e.s.—2Mb 25:22-26; 2Kr 36:20, 21.
Bashkëpunimi i Kirit me judenjtë ndryshonte krejt nga mënyra si i kishin trajtuar sundimtarët e mëparshëm paganë. Ai i ktheu pajisjet e çmuara të tempullit që Nabukodonosori II i kishte çuar në Babiloni, u dha leje judenjve të importonin dru cedri nga Libani dhe autorizoi të jepeshin fonde nga shtëpia e mbretit për të mbuluar shpenzimet e ndërtimit. (Ezd 1:7-11; 3:7; 6:3-5) Sipas cilindrit të Kirit (FIGURA, vëll. 2, f. 332 në botimin anglisht), sundimtari pers ndoqi në përgjithësi një politikë të njerëzishme e tolerante kundrejt popujve të pushtuar të perandorisë. Në mbishkrim gjejmë fjalët e këtij mbreti: «Qyteteve të shenjta [disa qyteteve të përmendura më parë] në anën tjetër të Tigrit, shenjtëroret e të cilave kishin qenë rrënoja prej një kohe të gjatë, unë u riktheva shëmbëlltyrat që ishin (zakonisht) atje dhe vendosa për to shenjtërore të qëndrueshme. (Gjithashtu) i mblodha tërë banorët e tyre (të dikurshëm) dhe (u) riktheva banesat.»—Ancient Near Eastern Texts, f. 316.
Përveç shpalljes mbretërore të cituar tek Ezdra 1:1-4, Bibla flet edhe për një dokument tjetër të Kirit, «një përkujtesë» që ruhej në arkivat e Ekbatanës në Medi dhe që u zbulua gjatë mbretërimit të Darit, persit. (Ezd 5:13-17; 6:1-5) Për këtë dokument të dytë, profesor G. Ernest Rajti shprehet: «Thuhet qartë se ai ishte një dikrona, termi zyrtar aramaik për një përkujtesë që përmbante vendimin e dhënë gojarisht nga mbreti a nga një funksionar i lartë dhe që u çelte udhën veprimeve administrative. Nuk shkruhej kurrë për publikun, por vetëm që ta shihte funksionari përgjegjës e pas kësaj ruhej në arkivat shtetërore.»—Biblical Archaeology, f. 203.
Vdekja dhe domethënia profetike. Mendohet se Kiri ra në betejë në vitin 530 p.e.s., ndonëse të dhënat për vdekjen e tij janë disi të mjegullta. Para vdekjes së tij, i biri, Kambisi II, me sa duket sundonte si bashkëregjent dhe, pasi vdiq Kiri, ai hipi në fronin e Persisë si monark i vetëm.
Profecitë për rënien e papritur të Babilonisë së Madhe simbolike, që shtjellohen në librin e Zbulesës, përkojnë në disa aspekte të rëndësishme me përshkrimin e pushtimit të qytetit të mirëfilltë të Babilonisë nga Kiri. (Krahaso Zb 16:12; 18:7, 8 me Is 44:27, 28; 47:8, 9.) Megjithatë, mbreti që është në ballë të forcave të fuqishme ushtarake të përshkruara fill pas tregimit për rënien e Babilonisë simbolike, nuk është një mbret tokësor, por qiellor, «Fjala e Perëndisë», Krishti Jezu, Bariu i vërtetë i mirosur nga Jehovai.—Zb 19:1-3, 11-16.
-
-
EufratiGjykim i thellë nga Shkrimet
-
-
Qyteti i madh i Babilonisë ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që Eufrati të kalonte përmes tij. Ujërat e lumit u përdorën për të mbushur një hendek të gjerë e të thellë që rrethonte qytetin dhe për të krijuar një rrjet kanalesh brenda mureve të qytetit. Në vitin 539 p.e.s., kur ra Babilonia, Kiri u ndërroi drejtimin ujërave të Eufratit, që trupat e tij të kalonin nëpër shtratin e lumit dhe të hynin në qytetin që as e priste fare rrezikun. Pra, ujërat e Eufratit ‘u thanë’. (Is 44:27, 28; 45:1) Në kuptimin simbolik, është profetizuar se e njëjta gjë ndodh pasi engjëlli i gjashtë derdh «kupën» mbi «lumin e madh Eufrat», siç tregohet në Zbulesën 16:12. Kapitulli vijues përshkruan shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’ simbolike, e cila «rri ulur mbi shumë ujëra» që përfaqësojnë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë».—Zb 17:1, 5, 15-18.
-