Kapitulli shtatë
Mjerë vreshti jobesnik!
1, 2. Çfarë mbjell personi ‘i dashur’, por si del kjo gjë një burim zhgënjimi?
«PËR bukurinë mjeshtërore të gjuhës dhe për aftësinë e shkallës më të lartë në komunikimin e efektshëm, kjo shëmbëlltyrë është praktikisht e pashoqe.» Kështu u shpreh një komentues i Biblës, duke iu referuar vargjeve hapëse të kapitullit 5 të Isaisë. Më tepër sesa thjesht një vepër arti, fjalët e Isaisë paraqesin një përshkrim prekës të kujdesit të dashur që Jehovai tregon për popullin e tij. Në të njëjtën kohë, këto fjalë na paralajmërojnë për gjërat që nuk i pëlqejnë atij.
2 Shëmbëlltyra e Isaisë fillon kështu: «Më lini t’i këndoj të dashurit tim, ju lutem, një këngë për të dashurin tim në lidhje me vreshtin e tij. I dashuri im kishte një vresht në një shpat kodre pjellor. Ai e punoi, e pastroi nga gurët, e mbolli me një rrush të kuq të zgjedhur, dhe ndërtoi në mes një kullë. Gërmoi në të edhe një shtypëse për verë. Ai shpresonte që të prodhonte rrush, por gradualisht prodhoi rrush të egër.»—Isaia 5:1, 2; krahaso Markun 12:1.
Kujdesi që tregohet për vreshtin
3, 4. Çfarë kujdesi i dashur është treguar për vreshtin?
3 Pavarësisht nëse Isaia e këndon apo jo këtë shëmbëlltyrë me të vërtetë para dëgjuesve të tij, ajo me siguri tërheq vëmendjen e tyre. Shumica prej tyre ka të ngjarë të jenë të familjarizuar me punën e mbjelljes së një vreshti, prandaj përshkrimi i Isaisë është i gjallë dhe real. Ashtu si kultivuesit e sotëm të rrushit, pronari i vreshtit nuk mbjell thjesht fara rrushi, por një «rrush të kuq të zgjedhur» ose me cilësi, d.m.th. një kalem ose bisk nga një hardhi tjetër. Në mënyrë të përshtatshme, ai e mbjell këtë vresht «në një faqe kodre pjellore», vend ku vreshti do të harliset.
4 Për ta bërë një vresht që të japë fryt kërkohet një punë e madhe. Isaia e përshkruan pronarin duke ‘punuar tokën dhe duke e pastruar nga gurët’; një punë e mërzitshme dhe rraskapitëse. Ka të ngjarë që gurët më të mëdhenj ai i përdor për të ‘ndërtuar një kullë’. Në kohët e lashta këto kulla shërbenin si vendqëndrim për rojtarët, të cilët i ruanin të mbjellat nga hajdutët dhe nga kafshët.a Ai ndërton edhe një mur guri për të përforcuar tarracat e vreshtit të tij. (Isaia 5:5) Kjo bëhej zakonisht për të parandaluar që uji të merrte me vete shtresat e sipërme të dheut, të cilat janë jetësore.
5. Çfarë pret me të drejtë pronari nga vreshti i tij, por çfarë merr prej tij?
5 Pasi ka punuar kaq shumë për të mbrojtur vreshtin e tij, pronari ka plotësisht të drejtë të presë që ai të japë fryt. Duke i paraprirë këtij momenti, ai gërmon një shtypëse për verë. Por, a bëhet realitet prodhimi për të cilin shpresohej? Jo, vreshti prodhon rrush të egër.
Vreshti dhe pronari i tij
6, 7. (a) Kush është pronari i vreshtit dhe çfarë është vreshti? (b) Çfarë gjykimi kërkon pronari që të bëhet?
6 Kush është pronari dhe çfarë është vreshti? Pronari i vreshtit e drejton vëmendjen drejt përgjigjes së këtyre pyetjeve, kur thotë: «Dhe tani, o banorë të Jerusalemit dhe ju njerëz të Judës, ju lutem, gjykoni midis meje dhe vreshtit tim. Çfarë më ka mbetur t’i bëj vreshtit tim që tashmë nuk ia kam bërë? Pse shpresova që të prodhonte rrush, por gradualisht prodhoi rrush të egër? Dhe tani, ju lutem, më lini t’ju bëj të njohur se çfarë do t’i bëj vreshtit tim: gardhi i tij do të hiqet dhe do të duhet të bëhet shkrumb. Muri i tij prej guri duhet të shembet dhe duhet të kthehet në një vend për t’u shkelur me këmbë.»—Isaia 5:3-5.
7 Po, Jehovai është pronari i vreshtit dhe, në kuptimin figurativ, ai e ka vënë veten në një sallë gjyqi, duke kërkuar që të jepet gjykimi për çështjen mes tij dhe vreshtit zhgënjyes. Por, çfarë është vreshti? Pronari shpjegon: «Vreshti i Jehovait të ushtrive është shtëpia e Izraelit dhe njerëzit e Judës janë plantacioni të cilin ai e donte.»—Isaia 5:7a.
8. Çfarë gjëje është domethënëse në faktin që Isaia e quan Jehovain «i dashuri im»?
8 Isaia e quan Jehovain, pronarin e vreshtit, « i dashuri im ». (Isaia 5:1) Ai mund të flasë për Perëndinë në një mënyrë kaq intime vetëm sepse ka një marrëdhënie të ngushtë me Të. (Krahaso Jobin 29:4; Psalmin 25:14.) E megjithatë, dashuria e profetit për Perëndinë zbehet po të krahasohet me dashurinë që Perëndia ka treguar për «vreshtin» e tij, për kombin që ai ‘mbolli’.—Krahaso Daljen 15:17; Psalmin 80:8, 9.
9. Në ç’kuptim Jehovai e ka trajtuar kombin e tij si një vresht me vlerë?
9 Jehovai e «mbolli» kombin e tij në vendin e Kanaanit e i dha ligjet dhe rregullat e tij, të cilat shërbyen si një mur për ta mbrojtur nga ndikimi korruptues i kombeve të tjera. (Dalja 19:5, 6; Psalmi 147:19, 20; Efesianëve 2:14) Veç kësaj, Jehovai i dha atij gjykatës, priftërinj dhe profetë me qëllim që ta mësonin. (2 Mbretërve 17:13; Malakia 2:7; Veprat 13:20) Kur Izraeli kërcënohej nga agresionet ushtarake, Jehovai nxirrte çlirues. (Hebrenjve 11:32, 33) Prandaj, me të drejtë Jehovai pyet: «Çfarë më ka mbetur t’i bëj vreshtit tim që tashmë nuk ia kam bërë?»
Të identifikojmë vreshtin e Perëndisë sot
10 Çfarë shëmbëlltyre që kishte të bënte me një vresht tregoi Jezui?
10 Jezui mund të ketë pasur ndër mend fjalët e Isaisë kur tregoi shëmbëlltyrën e kultivuesve vrastarë: «Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.» Mjerisht, kultivuesit e tradhtuan pronarin e vreshtit, duke i vrarë madje të birin. Jezui tregoi se kjo shëmbëlltyrë përfshinte më shumë sesa thjesht Izraelin e vërtetë, kur tha: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret [Izraelit mishor] dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.»—Mateu 21:33-41, 43.
11. Cili vresht frymor ekzistonte në shekullin e parë, por çfarë ndodhi pas vdekjes së apostujve?
11 Ai ‘komb’ i ri doli se qe ‘Izraeli i Perëndisë’, një komb frymor i përbërë prej 144 000 të krishterësh të mirosur. (Galatasve 6:16; 1 Pjetrit 2:9, 10; Zbulesa 7:3, 4) Jezui i krahasoi këta dishepuj me «degët» e ‘një hardhie të vërtetë’, domethënë, të vetë atij. Natyrisht nga këto degë pritet që të japin fryt. (Gjoni 15:1-5) Ato duhet të shfaqin cilësitë e Krishtit dhe duhet të marrin pjesë në veprën e predikimit të ‘lajmit të mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14; Galatasve 5:22, 23) Por që nga koha e vdekjes së dymbëdhjetë apostujve, shumica dërrmuese e atyre që pretendojnë se janë degë të ‘hardhisë së vërtetë’ kanë treguar se janë degë të rreme dhe kanë prodhuar rrush të egër në vend të frytit të mirë.—Mateu 13:24-30, 38, 39.
12. Në ç’mënyrë e dënojnë të ashtuquajturin krishterim fjalët e Isaisë dhe çfarë mësimi mbartin ato për të krishterët e vërtetë?
12 Prandaj, dënimi që Isaia i bën Judës i aplikohet sot të ashtuquajturit krishterim. Një studim i historisë së tij, i luftërave, kryqëzatave, inkuizicionit, zbulon se sa i hidhur ka qenë fryti që ka prodhuar. Megjithatë, vreshti i vërtetë me të krishterë të mirosur dhe shokët e tyre të ‘shumicës së madhe’ duhet t’u vënë veshin fjalëve të Isaisë. (Zbulesa 7:9) Nëse duan t’i pëlqejnë pronarit të vreshtit, ata duhet që, si individë dhe si grup, të prodhojnë fryte që i pëlqejnë atij.
‘Rrush i egër’
13. Çfarë do t’i bëjë Jehovai vreshtit të tij për faktin që prodhon fryte të këqija?
13 Pasi ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të rritur dhe kultivuar vreshtin e tij, me të drejtë Jehovai pret që ai të bëhet «një vresht vere shkumëzuese». (Isaia 27:2) Por në vend që të prodhojë fryt të përdorshëm, ai prodhon «rrush të egër», fjalë për fjalë «gjëra që vijnë erë të keqe» ose «fryte të prishura (të kalbura)». (Isaia 5:2, shënimi; Jeremia 2:21) Për këtë arsye, Jehovai deklaron se do ta heqë ‘gardhin’ e tij mbrojtës prej kombit. Kombi do të ‘katandiset në një gjë të shkatërruar’, do të braktiset dhe do të përjetojë një periudhë thatësire. (Lexo Isainë 5:6.) Moisiu i kishte paralajmëruar ata se do të përjetonin gjëra të tilla, nëse nuk do t’i bindeshin Ligjit të Perëndisë.—Ligji i përtërirë 11:17; 28:63, 64; 29:22, 23.
14. Çfarë frytesh pret Jehovai nga kombi i tij, por çfarë prodhon ai në vend të tyre?
14 Perëndia pret që kombi të prodhojë fryte të mira. Bashkëkohësi i Isaisë, Mikea deklaron: «Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveçse të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?» (Mikea 6:8, Dio; Zakaria 7:9) Por kombi nuk e dëgjon thirrjen e Jehovait. «[Perëndia] vazhdonte të priste gjykim, por, ja, thyerja e ligjit; drejtësi, por, ja, një klithmë.» (Isaia 5:7b) Moisiu paratha se kombi jobesnik do të prodhonte rrush të helmatisur nga «hardhia e Sodomës». (Ligji i përtërirë 32:32, Dio) Prandaj, ka të ngjarë që pjesë e devijimit të tyre nga Ligji i Perëndisë të jetë edhe imoraliteti seksual, përfshirë edhe homoseksualizmin. (Levitiku 18:22) Shprehja ‘thyerje e ligjit’ mund të përkthehet edhe «gjakderdhje». Një trajtim i tillë brutal, pa dyshim, ka sjellë si rezultat ‘një klithmë’ nga ana e të keqtrajtuarve, një klithmë që ka mbërritur deri në veshët e Mbjellësit të vreshtit.—Krahaso Jobin 34:28.
15, 16. Si mund ta shmangin të krishterët e vërtetë prodhimin e fryteve të këqija që prodhoi Izraeli?
15 Perëndia Jehova është «dashurues i drejtësisë dhe i së drejtës». (Psalmi 33:5) Ai i urdhëroi judenjtë: ‘Nuk do të bëni padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregoheni të anshëm me të varfrin as do të nderoni personat e fuqishëm, por do të gjykoni të afërmin tuaj me drejtësi.’ (Levitiku 19:15, Dio) Prandaj, ne duhet ta shmangim anësinë në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, duke mos lejuar kurrë që gjëra të tilla, si: raca, mosha, pasuria ose varfëria të ndikojnë mbi mënyrën se si i gjykojmë njerëzit. (Jakovit 2:1-4) Është veçanërisht e rëndësishme që ata të cilët shërbejnë në pozita mbikëqyrjeje ‘të mos bëjnë asgjë sipas një prirjeje për të mbajtur anën’, por gjithmonë të kërkojnë të dëgjojnë të dyja palët në një çështje para se të gjykojnë.—1 Timoteut 5:21; Proverbat 18:13.
16 Veç kësaj, është e lehtë për të krishterët, të cilët jetojnë në një botë që nuk pyet për ligjet, të zhvillojnë një frymë kundërshtuese ose rebele ndaj standardeve hyjnore. Por të krishterët e vërtetë duhet të jenë ‘gati për t’iu bindur’ ligjeve të Perëndisë. (Jakovit 3:17) Me gjithë imoralitetin seksual dhe dhunën e ‘sistemit të tanishëm të lig’, ata duhet të ‘vazhdojnë të shikojnë me kujdes që mënyra se si ecin të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit’. (Galatasve 1:4; Efesianëve 5:15) Ata duhet t’i flakin tej pikëpamjet tolerante në lidhje me seksin dhe kur lindin mosmarrëveshje duhet t’i zgjidhin ato pa ‘vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje’. (Efesianëve 4:31) Duke kultivuar drejtësinë, të krishterët e vërtetë i sjellin lavdi Perëndisë dhe fitojnë miratimin e tij.
Paga e lakmisë
17. Cila sjellje e gabuar dënohet në mjerimin e parë të shpallur nga Isaia?
17 Në vargun 8, Isaia nuk citon më fjalët e Jehovait. Duke dënuar disa nga ata që janë pjesë e ‘rrushit të egër’ të prodhuar në Judë, ai shpall personalisht të parën nga gjashtë mjerimet: «Mjerë ata që shtojnë njërën shtëpi pas tjetrës dhe ata që aneksojnë njërën fushë pas tjetrës, derisa të mos ketë më vend dhe ju njerëz të liheni të jetoni fillikat në mes të vendit! Në veshët e mi Jehovai i ushtrive është betuar se shumë shtëpi, ndonëse të mëdha e të mira, do të bëhen një objekt i vërtetë habie, pa asnjë banor. Sepse edhe dhjetë akra vresht do të prodhojnë veçse një bato dhe, edhe një omer farë do të prodhojë veçse një efa.»—Isaia 5:8-10.
18, 19. Si i shpërfillin bashkëkohësit e Isaisë ligjet e Jehovait për pronën dhe cili do të jetë përfundimi për ta?
18 Në Izraelin e lashtë e gjithë toka, në fund të fundit, i përkiste Jehovait. Çdo familje kishte një trashëgimi të dhënë nga Perëndia, të cilën mund ta jepte me qira ose hua, por kurrsesi nuk mund ta shiste «për gjithnjë». (Levitiku 25:23, Dio) Ky ligj ndalonte abuzimet, si për shembull, krijimin e monopoleve të pronave të patundshme. Gjithashtu, ai i mbronte familjet nga zhytja gjithnjë e më thellë në varfëri. Megjithatë, disa individë në Judë, me lakmi po i thyenin ligjet e Perëndisë për pronën. Mikea shkroi: «Kanë dëshiruar fusha dhe i kanë shtënë në dorë, gjithashtu, shtëpi dhe i kanë marrë; kanë zhvatur burrin e bëshëm dhe ata të shtëpisë së tij, një burrë dhe zotërimin e tij të trashëguar.» (Mikea 2:2) Por Proverbat 20:21 paralajmëron: «Një trashëgimi fitohet në fillim me anë të lakmisë, por e ardhmja e saj nuk do të jetë e bekuar.»
19 Jehovai premton se do t’i zhveshë këta persona lakmitarë nga fitimet e tyre të paligjshme. Shtëpitë që ata marrin me forcë do të jenë «pa asnjë banor». Tokat që lakmojnë do të prodhojnë thjesht një pjesëz të kapacitetit të tyre. Se si dhe kur do të përmbushet saktësisht ky mallkim nuk thuhet. Ka të ngjarë që ai t’i referohet, të paktën pjesërisht, gjendjes që u krijua më vonë nga mërgimi në Babiloni.—Isaia 27:10.
20. Si mund ta shmangin të krishterët e sotëm imitimin e qëndrimit lakmitar që shfaqën disa në Izrael?
20 Të krishterët e sotëm duhet të kenë një urrejtje të thellë për lakminë e pangopur si ajo që shfaqën disa izraelitë në atë kohë. (Proverbat 27:20) Kur gjërat materiale fitojnë një rëndësi të tepruar, është e lehtë ta ulësh veten për të përdorur mënyra të paskrupullta për fitimin e parave. Një person mund të zihet lehtë në grackën e praktikave të dyshimta të biznesit ose të skemave jorealiste të pasurimit të shpejtë. «Ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.» (Proverbat 28:20, Dio) Prandaj, sa e rëndësishme është që të jemi të kënaqur me atë që kemi!—1 Timoteut 6:8.
Gracka e zbavitjeve të dyshimta
21. Cilat mëkate dënohen në mjerimin e dytë të shpallur nga Isaia?
21 Në vazhdim Isaia shpall mjerimin e dytë: «Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes vetëm për të kërkuar pije dehëse, që vonohen deri vonë në errësirën e mbrëmjes, aq sa vetë vera i flakëron! Në festat e tyre ka patjetër harpë dhe instrument me tela, dajre dhe fyell, dhe verë, por aktivitetin e Jehovait ata nuk e shikojnë dhe veprën e duarve të tij nuk e kanë parë.»—Isaia 5:11, 12.
22. Cila mungesë vetëpërmbajtjeje manifestohet në Izrael dhe si do të përfundojë kombi?
22 Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’ dhe nuk i privon shërbëtorët e tij nga zbavitja e arsyeshme. (1 Timoteut 1:11) Por, këta kërkues të kënaqësive kalojnë çdo kufi. Bibla thotë se zakonisht «ata që dehen, dehen zakonisht natën». (1 Selanikasve 5:7) Por festuesit e përmendur në profeci i fillojnë të pirat me tepri që sapo del dielli dhe vazhdojnë deri në mbrëmje. Ata veprojnë sikur Perëndia të mos ekzistonte, sikur ai të mos i konsideronte përgjegjës për veprimet e tyre. Për këta persona Isaia parathotë një të ardhme të zymtë. «Populli im do të duhet të shkojë në mërgim për mungesë njohurie dhe lavdia e tij do të jenë njerëz të vdekur urie, dhe turma e tij do të thahet nga etja.» (Isaia 5:13) Meqenëse kanë refuzuar të veprojnë sipas njohurisë së vërtetë, pjesëtarët e popullit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë, si i lartësuari, ashtu edhe i ulëti, do të zbresin në Sheol.—Lexo Isainë 5:14-17.
23, 24. Ç’vetëpërmbajtje dhe përkore inkurajohen të ushtrojnë të krishterët?
23 «Ahengjet e shfrenuara» ose «festat e shfrenuara», ishin një problem edhe mes disa të krishterëve në shekullin e parë. (Galatasve 5:21; Byington; 2 Pjetrit 2:13) Prandaj nuk është për t’u habitur që disa të krishterë të dedikuar sot nuk kanë treguar gjykim të shëndoshë lidhur me grumbullimet shoqërore. Përdorimi i pakontrolluar i pijeve alkoolike i ka shtyrë disa të bëhen të zhurmshëm dhe poterexhinj. (Proverbat 20:1) Ka pasur edhe nga ata që janë sjellë në mënyrë imorale nën efektin e alkoolit të tepërt dhe disa grumbullime janë lejuar të vazhdojnë praktikisht gjatë gjithë natës, duke ndikuar negativisht në aktivitetet e krishtere të ditës tjetër.
24 Megjithatë, të krishterët e ekuilibruar prodhojnë fryte të perëndishme dhe ushtrojnë vetëpërmbajtje e janë të përkorë në zgjedhjen e zbavitjes. Ata i vënë veshin këshillës së Pavlit në Romakëve 13:13: «Të ecim siç ka hije, si ditën, jo në ahengje të shfrenuara e në dehje.»
Të urrejmë mëkatin dhe të duam të vërtetën
25, 26. Cilën mënyrë të menduari të ligë, që kishin izraelitët, demaskon Isaia në mjerimin e tretë dhe të katërt që shpall?
25 Tani dëgjoni mjerimin e tretë dhe të katërt që shpall Isaia: «Mjerë ata që po e tërheqin gabimin me litarë pavërtetësie dhe mëkatin si me litarë qerreje, ata që po thonë: ‘Le të nxitojë vepra e tij, le të vijë shpejt, me qëllim që të mund ta shohim, dhe le të afrohet e le të vijë këshilla e të Shenjtit të Izraelit, me qëllim që ta njohim!’ Mjerë ata që thonë se e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë, ata që e vënë errësirën për dritë dhe dritën për errësirë, ata që e vënë të hidhurën për të ëmbël dhe të ëmblën për të hidhur!»—Isaia 5:18-20.
26 Çfarë tabloje e gjallë e praktikuesve të mëkatit! Ata janë të lidhur me mëkatin ashtu si kafshët për tërheqje janë të lidhura me qerren. Këta mëkatarë nuk i druhen asnjë dite të ardhshme gjykimi. Me qesëndi ata thonë: «Le të vijë shpejt [vepra e Perëndisë]!» Në vend që t’i nënshtrohen Ligjit të Perëndisë, ata i shtrembërojnë gjërat, duke thënë se «e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë».—Krahaso Jereminë 6:15; 2 Pjetrit 3:3-7.
27. Si mund ta shmangin sot të krishterët një qëndrim si ai i izraelitëve?
27 Sot, të krishterët duhet ta shmangin me çdo kusht një qëndrim të tillë. Për shembull, ata refuzojnë të përqafojnë pikëpamjen e botës, e cila i konsideron kurvërinë dhe homoseksualizmin si të pranueshëm. (Efesianëve 4:18, 19) Vërtet, mund të ndodhë që një i krishterë të ‘hedhë ndonjë hap të gabuar’, i cili mund ta çojë në kryerjen e ndonjë mëkati serioz. (Galatasve 6:1) Pleqtë e kongregacionit janë gati t’i ndihmojnë ata që kanë gabuar dhe që kanë nevojë për ndihmë. (Jakovit 5:14, 15) Me ndihmën e lutjeve dhe të këshillave të bazuara në Bibël, është e mundur të arrihet shërimi frymor. Përndryshe, ka rrezik të bëhet «skllav i mëkatit». (Gjoni 8:34) Në vend që të qesëndisin Perëndinë dhe të humbasin vetëdijen për ditën e ardhshme të gjykimit, të krishterët përpiqen të qëndrojnë ‘të panjollë e të patëmetë’ para Jehovait.—2 Pjetrit 3:14; Galatasve 6:7, 8.
28. Cilat mëkate dënohen në mjerimet që shpall së fundi Isaia dhe si mund t’i shmangin të krishterët sot këto mëkate?
28 Në mënyrë të përshtatshme, Isaia përmend edhe këto mjerime të fundit: «Mjerë ata që janë të mençur në sytë e tyre dhe të matur, madje, para fytyrave të tyre! Mjerë ata që janë të fuqishëm në pirjen e verës dhe njerëzit që kanë energji jetësore për të përzier pijet dehëse, ata që e shpallin të ligun të drejtë në këmbim të një ryshfeti dhe që heqin, madje, drejtësinë nga i drejti!» (Isaia 5:21-23) Me sa duket, këto fjalë u drejtoheshin atyre që shërbenin si gjykatës në vend. Pleqtë e kongregacionit sot përpiqen që të mos japin përshtypjen se janë «të mençur në sytë e tyre». Ata i pranojnë me përulësi këshillat e pleqve të tjerë dhe u përmbahen ngushtësisht udhëzimeve organizative. (Proverbat 1:5; 1 Korintasve 14:33) Ata janë të përkorë në përdorimin e pijeve alkoolike dhe nuk pijnë kurrë para se të kryejnë përgjegjësi në kongregacion. (Hozea 4:11) Gjithashtu, pleqtë përpiqen që të mos japin madje as përshtypjen se po bëjnë favorizime. (Jakovit 2:9) Sa ndryshe nga kleri i të ashtuquajturit krishterim! Shumë prej tyre i mbulojnë gabimet e mëkatarëve me influencë dhe të pasur në gjirin e tyre, në kundërshtim të plotë me paralajmërimet e apostullit Pavël në Romakëve 1:18, 26, 27; 1 Korintasve 6:9, 10 dhe Efesianëve 5:3-5.
29. Çfarë fundi katastrofik e pret vreshtin izraelit të Jehovait?
29 Isaia e përfundon këtë mesazh profetik duke përshkruar një fund katastrofik për ata që «kanë hedhur poshtë ligjin e Jehovait» dhe kanë dështuar të japin fryte të drejta. (Isaia 5:24, 25; Hozea 9:16; Malakia 4:1) Ai deklaron: «[Jehovai] i ka ngritur një sinjal një kombi të madh e të largët dhe i ka fishkëllyer atij në skajet e tokës dhe, ja, ai do të vijë me shpejtësi, duke nxituar.»—Isaia 5:26; Ligji i përtërirë 28:49; Jeremia 5:15.
30. Kush do të grumbullojë ‘një komb të madh’ kundër popullit të Jehovait dhe me çfarë përfundimi?
30 Në kohët e lashta një shtyllë në një vend të ngritur mund të shërbente si «një sinjal» ose si një pikë grumbullimi, për popullin dhe ushtrinë. (Krahaso Isainë 18:3; Jereminë 51:27.) Tani vetë Jehovai do ta grumbullojë këtë ‘komb të madh’, të cilit nuk i përmendet emri, me qëllim që të ekzekutojë gjykimin e tij.b Ai do t’i ‘fishkëllejë atij’, domethënë, do t’i tërheqë vëmendjen drejt popullit të tij kryeneç, si një objekt që ia vlen të shtihet në dorë. Më pas, profeti përshkruan sulmin e egër, të shpejtë e të tmerrshëm të këtyre pushtuesve ngjashëm luanëve, të cilët «do ta kapin prenë», domethënë, kombin e Perëndisë «dhe do ta marrin me vete në siguri», në robëri. (Lexo Isainë 5:27-30a.) Çfarë rezultati i trishtueshëm për vendin e popullit të Jehovait! «Shikimi do të fiksohet mbi vendin dhe, ja, një errësirë e ankthshme dhe, edhe drita është bërë e errët për shkak të pikave që bien mbi të.»—Isaia 5:30b.
31. Si mund ta shmangin të krishterët e vërtetë ndëshkimin që iu dha vreshtit izraelit të Jehovait?
31 Po, vreshti që Perëndia mbolli me kaq dashuri, del i pafrytshëm, i denjë vetëm për t’u shkatërruar. Çfarë mësimi të fuqishëm përmbajnë fjalët e Isaisë për të gjithë ata që do t’i shërbenin sot Jehovait! Le të përpiqen të japin vetëm fryte të drejta, për lëvdim të Jehovait dhe për shpëtimin e tyre!
[Shënimet]
a Disa studiues mendojnë se strukturat më të thjeshta e të përkohshme të tilla, si kasollet ose kashtoret, ishin shumë më të zakonshme, sesa kullat prej guri. (Isaia 1:8) Prania e një kulle tregon se pronari kishte bërë për këtë «vresht» përpjekje të jashtëzakonshme.
b Në profeci të tjera, Isaia identifikon Babiloninë si kombi që ekzekuton gjykimin shkretues të Jehovait ndaj Judës.
[Figura në faqen 83]
Mëkatari është i lidhur me mëkatin, ashtu si kafsha për tërheqje është e lidhur me qerren
[Figura që zë gjithë faqen 85]