Ata pritnin Mesinë
«Njerëzit pritnin me kureshtje dhe donin të dinin nëse Gjoni ishte Mesia.»—LUKA 3:15, BIBLA ECM.
1. Cilin lajm emocionues u dha engjëlli barinjve?
KA RËNË nata dhe barinjtë janë jashtë duke ruajtur kopetë. Sa tremben kur engjëlli i Jehovait u qëndron pranë dhe lavdia e Perëndisë shndrit përreth tyre! Dëgjo! Engjëlli u jep këtë lajm emocionues: «Mos kini frikë, se unë po ju shpall lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë tërë populli, sepse sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.» Foshnja që ka lindur do të jetë Krishti, ose Mesia. Barinjtë mund ta gjejnë këtë foshnjë të shtrirë në një grazhd, në një qytet aty afër. Befas, «një shumicë e ushtrisë qiellore» fillon të lëvdojë Jehovain: «Lavdi Perëndisë atje lart në qiell dhe paqe në tokë për njerëzit që kanë miratimin e tij.»—Luka 2:8-14.
2. Çfarë do të thotë fjala «Mesia»? Si mund ta dinin njerëzit se kush ishte vërtet Mesia?
2 Natyrisht, barinjtë judenj e dinë se fjala «Mesia», ose «Krishti», i referohet «të Mirosurit» të Perëndisë. (Dal. 29:5-7) Por, si mund të mësojnë më shumë dhe t’i bindin të tjerët se foshnja që përmendi engjëlli do të jetë Mesia i emëruar nga Jehovai? Duke shqyrtuar profecitë që gjenden në Shkrimet Hebraike dhe duke i krahasuar ato me aktivitetet dhe jetën e këtij fëmije.
Pse populli ishte në pritje?
3, 4. Si u realizua profecia e Danielit 9:24, 25?
3 Kur Gjon Pagëzori filloi të predikonte vite më vonë, fjalët dhe veprat e tij i shtynë disa të pyetnin veten nëse ai ishte Mesia. (Lexo Lukën 3:15.) Ka të ngjarë që disa e kuptuan drejt profecinë mesianike për ‘shtatëdhjetë javët’. Nëse po, mund të kenë përcaktuar se kur do të shfaqej Mesia. Pjesërisht profecia thoshte: «Që nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia, Udhëheqësi, do të kalojnë shtatë javë, si edhe gjashtëdhjetë e dy javë.» (Dan. 9:24, 25) Studiues të ndryshëm janë dakord se këto janë javë vjetore. Për shembull, në përkthimin ECM, për shtatëdhjetë javët thuhet: «70 periudha prej 7 vjetësh duhet të kalojnë.»
4 Sot, shërbëtorët e Jehovait e dinë se 69 javët ose 483 vitet e Danielit 9:25, nisën në vitin 455 p.e.s. kur mbreti pers Artakserksi e autorizoi Neheminë të restauronte dhe të rindërtonte Jerusalemin. (Neh. 2:1-8) Ato javë përfunduan 483 vjet më vonë, në vitin 29 të e.s., kur Jezui nga Nazareti u pagëzua dhe u miros me frymë të shenjtë, duke u bërë kështu Mesia.—Mat. 3:13-17.a
5. Cilat profeci do të shqyrtojmë tani?
5 Le të shqyrtojmë tani disa nga profecitë e tjera të shumta për Mesinë, të cilat u përmbushën gjatë lindjes, fëmijërisë dhe shërbimit të Jezuit. Pa dyshim, ky shqyrtim do të na e forcojë besimin te fjala profetike e Perëndisë. Gjithashtu, do të japë dëshmi të qarta se Jezui ishte vërtet Mesia i shumëpritur.
Profeci për fëmijërinë e tij
6. Shpjegoni si u plotësua Zanafilla 49:10.
6 Mesia do të lindte nga fisi izraelit i Judës. Kur patriarku Jakob po i bekonte bijtë e tij në shtratin e vdekjes, paratha: «Skeptri nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu, dhe këtij do t’i binden popujt.» (Zan. 49:10) Shumë studiues judenj të së kaluarës i lidhnin këto fjalë me Mesinë. Duke filluar me sundimin e mbretit jude Davidit, skeptrin (sovranitetin mbretëror) dhe shkopin e komandantit (fuqinë për të komanduar) e kishte fisi i Judës. Fjala ‘Shiloh’ do të thotë «Ai e të cilit është; Ai të cilit i përket». Linja mbretërore e Judës do të përfundonte me ‘Shilohun’ si Trashëgimtari mbretëror i përhershëm, sepse Perëndia i kishte thënë Zedekisë, mbretit të fundit jude, se sundimi do t’i jepej atij që kishte të drejtën ligjore. (Ezek. 21:26, 27) Pas Zedekisë, Jezui ishte i vetmi pasardhës i Davidit të cilit Jehovai i premtoi të drejtën për të qenë mbret. Para se të lindte Jezui, engjëlli Gabriel i tha Marisë: «Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.» (Luka 1:32, 33) Shilohu duhet të jetë Jezu Krishti, i cili ishte pasardhës i Judës dhe i Davidit.—Mat. 1:1-3, 6; Luka 3:23, 31-34.
7. Ku lindi Mesia? Pse ishte domethënëse kjo?
7 Mesia do të lindte në Betlehem. Profeti Mikea shkroi: «Nga ti, o Betlehem-Efratah, që je më i vogli ndër qytetet e Judës, do të dalë për mua ai që ka për t’u bërë sundimtar në Izrael, prejardhja e të cilit është që nga kohët e hershme, që nga ditët e kohëve të pacaktuara.» (Mik. 5:2) Mesia do të lindte në qytetin e vogël jude të Betlehemit që me sa duket dikur quhej Efratah. Maria, nëna e Jezuit, dhe Jozefi, babai birësues, jetonin në Nazaret. Por për shkak të një dekreti romak për regjistrimin e popullsisë, kishin shkuar në Betlehem ku edhe lindi Jezui në vitin 2 p.e.s. (Mat. 2:1, 5, 6) Ç’plotësim i jashtëzakonshëm i profecisë!
8, 9. Çfarë ishte parathënë për lindjen e Mesisë dhe për ngjarjet pas saj?
8 Mesia do të lindte nga një virgjëreshë. (Lexo Isainë 7:14.) Fjala hebraike bethuláh do të thotë «virgjëreshë», por tek Isaia 7:14 përdoret një term tjetër (almáh). Aty u profetizua se «vasha [haalmáh]» do të lindte një djalë. Fjala almáh është përdorur për vashën Rebeka para se të martohej. (Zan. 24:16, 43) Nën frymëzim, Mateu përdori fjalën greke për «virgjëreshë» (parthénos) kur tregoi se Isaia 7:14 u plotësua në lidhje me lindjen e Jezuit. Shkrimtarët e ungjijve, Mateu dhe Luka, thonë se Maria ishte një virgjëreshë që mbeti shtatzënë me anë të frymës së shenjtë.—Mat. 1:18-25; Luka 1:26-35.
9 Pas lindjes së Mesisë do të vriteshin fëmijë. Dikur, faraoni i Egjiptit kishte dekretuar që të hidheshin në lumin Nil djemtë hebrenj të sapolindur. (Dal. 1:22) Profecia që gjendet te Jeremia 31:15, 16 tregonte se do të ndodhte përsëri diçka e ngjashme. Në këtë profeci, Rakela përshkruhet duke qarë bijtë e saj që i kishin çuar në ‘vendin e armikut’. Vajtimi i saj u dëgjua deri në Ramahun e largët, në territorin e Beniaminit, në veri të Jerusalemit. Mateu tregon se fjalët e Jeremisë u plotësuan kur mbreti Herod urdhëroi vrasjen e djemve të vegjël në Betlehem dhe në territorin përreth. (Lexo Mateun 2:16-18.) Imagjino se ç’hidhërim ndien njerëzit e asaj zone!
10. Shpjegoni si u plotësua te Jezui Hozea 11:1.
10 Ashtu si izraelitët, edhe Mesia do të thirrej nga Egjipti. (Hoz. 11:1) Para dekretit vdekjeprurës të Herodit, një engjëll i tha Jozefit dhe Marisë që të merrnin Jezuin e të iknin në Egjipt. Atje qëndruan «derisa vdiq Herodi, që të përmbushej kështu ajo që kishte thënë Jehovai nëpërmjet profetit [Hozea]: ‘Nga Egjipti e thirra tim bir.’» (Mat. 2:13-15) Natyrisht, Jezui nuk mund të kishte organizuar vetë asnjë nga ngjarjet e parathëna që lidheshin me lindjen dhe fëmijërinë e tij.
Mesia nis shërbimin
11. Kush e përgatiti udhën për Mesinë?
11 Një lajmëtar do të përgatiste udhën për Mesinë. Malakia paratha se këtë do ta bënte ‘profeti Elija’, i cili do të përgatiste zemrën e popullit për ardhjen e Mesisë. (Lexo Malakinë 4:5, 6.) Vetë Jezui e identifikoi këtë ‘Eli’ si Gjon Pagëzori. (Mat. 11:12-14) Kurse Marku tregoi se shërbimi i Gjonit plotësoi fjalët profetike të Isaisë. (Isa. 40:3; Mar. 1:1-4) Nuk ishte Jezui që i tha Gjonit të përgatiste udhën për të. Perëndia donte që populli ta dinte se kush ishte Mesia. Prandaj, ishte Jehovai që e zgjodhi Gjonin të bënte një vepër si e Elijas dhe ta përgatiste popullin për të mirëpritur Mesinë.
12. Cilën vepër të veçantë i caktoi Perëndia Mesisë?
12 Perëndia do t’i caktonte Mesisë një vepër të veçantë. Në sinagogën e Nazaretit, qyteti ku ishte rritur, Jezui lexoi nga rrotulla e Isaisë dhe i zbatoi vetes këto fjalë: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve, më dërgoi që t’u predikoj çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve, që të çliroj të dërrmuarit dhe të predikoj vitin e pranimit nga Jehovai.» Ngaqë ishte vërtet Mesia, me të drejtë Jezui mundi të thoshte: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.»—Luka 4:16-21.
13. Si ishte parathënë shërbimi i Jezuit në Galile?
13 Ishte parathënë shërbimi i Mesisë në Galile. Në lidhje me ‘tokën e Zabulonit dhe të Neftalit, Galilenë e kombeve’, Isaia shkroi: «Njerëzit që ecnin në errësirë, panë një dritë të madhe. Mbi ata që banonin në vendin e territ, ndriçoi vetë drita.» (Isa. 9:1, 2) Jezui e filloi shërbimin në Kapernaum të Galilesë, qyteti ku qëndronte. Në Galile banonin shumë njerëz nga fisi i Zabulonit e i Neftalit dhe ai i ndihmoi duke u mësuar të vërteta që shndritnin si një dritë e madhe. (Mat. 4:12-16) Atje, Jezui mbajti Predikimin në Mal, zgjodhi apostujt, kreu mrekullinë e tij të parë dhe ka të ngjarë që iu shfaq 500 dishepujve pas ringjalljes. (Mat. 5:1–7:27; 28:16-20; Mar. 3:13, 14; Gjoni 2:8-11; 1 Kor. 15:6) Kështu plotësoi profecinë e Isaisë duke predikuar në ‘tokën e Zabulonit dhe të Neftalit’. Sigurisht, Jezui e predikoi mesazhin për Mbretërinë edhe në vende të tjera të Izraelit.
Profeci të tjera për Mesinë
14. Si u plotësua nga Jezui Psalmi 78:2?
14 Mesia do të fliste me anë të shëmbëlltyrave, ose ilustrimeve. Psalmisti Asaf këndoi: «Do ta hap gojën e do të them një shprehje proverbiale.» (Psal. 78:2) Si e dimë se në kuptimin profetik kjo zbatohet për Jezuin? Këtë na e thotë Mateu. Pasi tregon ilustrimet ku Jezui e krahasoi Mbretërinë me një kokërr sinapi që zhvillohet dhe me majanë, Mateu thotë: «Pa ilustrime [Jezui] s’u fliste atyre, që të përmbushej kështu ç’ishte thënë nëpërmjet profetit: ‘Do ta hap gojën me ilustrime, do të shpall gjëra të fshehura që nga themelimi.’» (Mat. 13:31-35) Shprehjet proverbiale, ose shëmbëlltyrat, ishin ndër mjetet e efektshme të mësimdhënies së Jezuit.
15. Tregoni si u plotësua Isaia 53:4.
15 Mesia do të mbante sëmundjet tona. Isaia paratha: «Ai mori mbi vete sëmundjet tona dhe mbajti dhembjet tona.» (Isa. 53:4) Mateu tregoi se, pasi shëroi vjehrrën e Pjetrit, Jezui shëroi edhe të tjerët që «të përmbusheshin fjalët e thëna nga profeti Isaia: ‘Ai mori sëmundjet tona dhe mbajti lëngatat tona.’» (Mat. 8:14-17) Dhe ky ishte vetëm një nga rastet e shumta të dokumentuara kur Jezui shëroi të sëmurët.
16. Si tregoi apostulli Gjon se Jezui plotësoi Isainë 53:1?
16 Pavarësisht nga të gjitha të mirat që bëri Mesia, shumë nuk e besuan. (Lexo Isainë 53:1.) Apostulli Gjon tregoi se kjo profeci doli e vërtetë, kur shkroi: «Ndonëse [Jezui] kishte bërë kaq shumë shenja përpara tyre, ata nuk po tregonin besim tek ai, që të përmbusheshin fjalët e profetit Isaia: ‘O Jehova, kush tregoi besim tek ajo që dëgjoi nga ne? Kujt iu shfaq krahu i Jehovait?’» (Gjoni 12:37, 38) Po ashtu, gjatë shërbimit të apostullit Pavël, pak e besuan lajmin e mirë për Jezuin, Mesinë.—Rom. 10:16, 17.
17. Si e zbatoi Gjoni Psalmin 69:4?
17 Mesinë do ta urrenin pa shkak. (Psal. 69:4) Apostulli Gjon përmend këto fjalë të Jezuit: «Po të mos kisha bërë mes [popullit] ato vepra që s’i ka bërë askush tjetër, ata nuk do të kishin mëkat. Por ata më kanë parë dhe urryer mua, si edhe Atin tim. Mirëpo kjo ndodh që të përmbushet fjala e shkruar në Ligjin e tyre: ‘Ata më urryen pa shkak.’» (Gjoni 15:24, 25) Fjala ‘Ligj’ këtu nënkupton tërë Shkrimet që ekzistonin në atë kohë. (Gjoni 10:34; 12:34) Tregimet e ungjijve dëshmojnë se Jezuin e urryen sidomos udhëheqësit fetarë judenj. Për më tepër Krishti tha: «Bota nuk ka arsye t’ju urrejë ju, por më urren mua, sepse dëshmoj që veprat e saj janë të liga.»—Gjoni 7:7.
18. Çfarë do të mësojmë në artikullin vijues?
18 Dishepujt e Jezuit në shekullin e parë ishin të sigurt se ai ishte Mesia, sepse plotësoi vërtet profecitë mesianike që gjenden në Shkrimet Hebraike. (Mat. 16:16) Siç kemi parë, disa prej tyre u plotësuan gjatë fëmijërisë dhe shërbimit të Jezuit nga Nazareti. Profeci të tjera mesianike do të shqyrtohen në artikullin vijues. Nëse mendojmë thellë rreth këtyre profecive, me siguri do të na forcohet bindja se Jezu Krishti është vërtet Mesia i caktuar nga Ati ynë qiellor, Jehovai.
[Shënimi]
a Për një shqyrtim të hollësishëm të ‘shtatëdhjetë javëve’, shih kapitullin e 11-të të librit Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
Si do të përgjigjeshe?
• Cilat janë disa profeci rreth lindjes së Jezuit?
• Si u përgatit udha për Mesinë?
• Si dolën të vërteta profecitë e kapitullit të 53-të të Isaisë?