«E kemi gjetur Mesinë»!
«Së pari [Andrea] e gjeti të vëllanë, Simonin dhe i tha: ‘E gjetëm Mesinë’ (që e përkthyer do të thotë Krishtin).»—GJONI 1:41, NW.
1. Çfarë dëshmoi Gjon Pagëzuesi mbi Jezuin nga Nazareti dhe në ç’përfundim arriti Andrea në lidhje me të?
ANDREA e vështroi gjatë dhe me kujdes atë hebre të quajtur, Jezui i Nazaretit. Nuk kishte pamjen e një mbreti, apo të një njeriu të mençur e as të një rabini. Nuk kishte rroba mbretërore, flokë të thinjura, duar delikate e lëkurë të ndritshme. Jezui ishte i ri, rreth 30-vjeç, me duart me kallo dhe lëkurë ngjyrë bronzi të një punëtori. Prandaj, ndoshta, Andrea nuk u befasua, kur mori vesh se ai ishte zdrukthëtar. E megjithatë, Gjon Pagëzuesi tha për atë njeri: «Shiko, Qengjin e Perëndisë!» Një ditë më parë, Gjoni kishte thënë diçka akoma më habitëse: «Ky është Biri i Perëndisë.» A mund të ishte e vërtetë kjo? Atë ditë, Andrea ndenji për ca kohë, duke dëgjuar Jezuin. Nuk e dimë se çfarë i tha Jezui; dimë se fjalët e tij ndryshuan jetën e Andreas. Ai shpejtoi të gjente të vëllanë, Simonin dhe thirri: «E gjetëm Mesinë»!—Gjoni 1:34-41, NW.
2. Përse është e rëndësishme të shqyrtohen dëshmitë për të parë nëse Jezui ishte apo jo Mesia i premtuar?
2 Andrea dhe Simoni (të cilin Jezui e quajti Pjetër) u bënë më vonë apostuj të Jezuit. Më se dy vjet më vonë, pasi ishte bërë dishepull i tij, Pjetri i tha Jezuit: «Ti je Krishti [Mesia], Biri i Perëndisë së gjallë.» (Mateu 16:16, NW ) Apostujt dhe dishepujt besnikë u treguan më në fund të gatshëm të jepnin jetën për atë besim. Sot, me miliona njerëz të sinqertë janë po aq besnikë. Por çfarë provash kanë? Tek e fundit, janë provat ato që dallojnë besimin nga syleshtësia. (Shiko Hebrenjve 11:1.) Prandaj, le të shqyrtojmë tri dëshmi kryesore që vërtetojnë se Jezui ishte me të vërtetë Mesia.
Gjenealogjia e Jezuit
3. Çfarë përshkruajnë me hollësi Ungjillet sipas Mateut dhe Lukës mbi gjenealogjinë e Jezuit?
3 Gjenealogjia e Jezuit është dëshmia e parë që ofrojnë Shkrimet e Krishtere Greke në përkrahje të mesianitetit të tij. Bibla parathoshte se Mesia do të vinte prej breznisë së Mbretit David. (Psalmi 132:11, 12; Isaia 11:1, 10) Ungjilli i Mateut fillon: «Libri i historisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.» Mateu e përkrah këtë pohim të guximshëm, duke e gjurmuar gjenealogjinë e Jezuit, përmes vijës së atit të tij adoptues, Jozefit. (Mateu 1:1-16) Ungjilli i Lukës gjurmon brezninë e Jezuit, përmes nënës së tij natyrore, Marijes, duke kaluar përmes Davidit dhe Abrahamit deri tek Adami. (Luka 3:23-38)a Kështu, shkrimtarët e Ungjillit dokumentojnë plotësisht pohimin e tyre, se Jezui ishte një trashëgimtar i Davidit, si në kuptim ligjor ashtu dhe në atë natyror.
4, 5. (a) A e kundërshtuan bashkëkohësit e Jezuit prejardhjen e tij nga Davidi dhe përse është domethënëse kjo? (b) Si e përkrahin burimet jobiblike gjenealogjinë e Jezuit?
4 Edhe kundërshtari më skeptik i mesianitetit të Jezuit nuk mund ta mohojë pohimin e Jezuit se është biri i Davidit. Përse? Për dy arsye. Së pari, ai pohim u përsërit në mbarë Jeruzalemin me dekada para se qyteti të shkatërrohej në vitin 70-të e.s. (Krahaso Mateu 21:9; Veprat 4:27; 5:27, 28.) Sikur ky pohim të kishte qenë i rremë, kushdo nga kundërshtarët e Jezuit—dhe ai pati mjaft—do të kishte mundur të thoshte, se Jezui është një mashtrues, thjesht vetëm duke kontrolluar gjenealogjinë e tij në arkivat publike.b Por, historia nuk kujton askënd që të kundërshtojë prejardhjen e Jezuit nga Mbreti David. Është e dukshme, se ai pohim ishte i pakundërshtueshëm. Padyshim, Mateu dhe Luka i kopjuan emrat e rëndësishëm për raportet e tyre drejtpërsëdrejti nga regjistrat publikë.
5 Së dyti, burime jashtë Biblës vërtetojnë se gjenealogjia e Jezuit pranohej unanimisht. Për shembull, Talmudi përmend se një rabin nga shekulli i katërt e sulmonte Marijen, të ëmën e Jezuit, me vrazhdësi, duke thënë se «kurvëronte me zdrukthëtarët»; por i njëjti tekst pranon se Maria «ishte pasardhëse princërish dhe qeveritarësh.» Një shembull më i hershëm është ai i historianit të shekullit të dytë, Hegesipi. Ai përmend, se kur perandori romak Domician donte t’i zhdukte pasardhësit e Davidit, disa armiq të të krishterëve të parë, denoncuan nipërit e Judës, gjysëm vëllait të Jezuit, «si pjesëtarë të sojit të Davidit.» Nëse Juda ishte i njohur si pasardhës i Davidit, a nuk duhet të ishte edhe Jezui? Padyshim!—Galatasve 1:19; Juda 1.
Profeci mesianike
6. Sa të bollshme janë profecitë mesianike në Shkrimet Hebreje?
6 Një tjetër rradhë dëshmish se Jezui ishte Mesia, janë profecitë e plotësuara. Shkrimet Hebreje janë përplot me profeci mbi Mesinë. Në veprën e tij The Life and Times of Jesus the Messiah, Alfred Edersheim ka llogaritur 456 fragmente të Shkrimeve Hebreje që sipas rabinëve të vjetër ishin mesianike. Megjithatë, rabinët kishin shumë ide të gabuara mbi Mesinë; shumë pjesë të treguara prej tyre nuk janë aspak mesianike. Por së paku, ekzistojnë dhjetëra profeci që e identifikojnë Jezuin si Mesi.—Krahaso Zbulesa 19:10.
7. Cilat janë disa nga profecitë që Jezui i plotësoi gjatë qëndrimit të tij të përkohshëm mbi tokë?
7 Ja, disa prej tyre: qyteti i lindjes së tij (Mikea 5:2; Luka 2:4-11); tragjedia e vrasjes së fëmijëve të vegjël që ndodhi pas lindjes së tij (Jeremia 31:15; Mateu 2:16-18); do të thirrej jashtë Egjiptit (Hozea 11:1; Mateu 2:15); qeveritarë kombesh do të bashkoheshin për ta shkatërruar (Psalmi 2:1, 2; Veprat 4:25-28); do të tradhëtohej për 30 monedha argjendi (Zaharia 11:12; Mateu 26:15); madje edhe mënyra e vdekjes së tij.—Psalmi 22:16, shënimi; Gjoni 19:18, 23; 20:25, 27.c
Ardhja e tij e parathënë
8. (a) Cila profeci tregon saktësisht se kur do të vinte Mesia? (b) Cilët janë dy faktorët e nevojshëm që duhen njohur për të kuptuar këtë profeci?
8 Le të përqëndrohemi vetëm mbi një profeci. Tek Danieli 9:25 hebrenjve u është thënë se kur do të vijë Mesia. Aty lexojmë: «Ju duhet të dini dhe të kuptoni, se prej daljes së fjalës për përtëritjen dhe rindërtimin e Jeruzalemit e deri tek Mesia Udhëheqësi, do të jenë shtatë javë, po ashtu edhe gjashtëdhjetë e dy javë.» Në shikim të parë kjo profeci mund të duket enigmatike. Por, në përgjithësi, ajo kërkon nga ne të gjejmë vetëm dy informata: një pikë nisjeje dhe një periudhë kohore. Sa për ilustrim: nëse ke një hartë që tregon praninë e një thesari të fshehur «50 kut në lindje të pusit që gjendet në parkun e qytetit», mund të mbetesh i hutuar nga këto udhëzime—veçanërisht nëse nuk e di se ku është ky pus apo sesa është i gjatë një «kut». A s’do të kërkoje t’i zbuloje këto dy fakte për të gjetur kështu thesarin? Kështu, pra, edhe profecia e Danielit është gati e njëjtë, përveç faktit se duhet të gjejmë një kohë nisjeje dhe të kuptojmë sesa e gjatë është periudha që vijon.
9, 10. (a) Cila është pikënisja nga e cila maten 69 javët? (b) Sa të gjata ishin 69 javët dhe si e dimë këtë?
9 Para së gjithash, duhet të gjejmë pikën e nisjes, datën kur «doli fjala për përtëritjen dhe rindërtimin e Jeruzalemit». Pastaj duhet të llogarisim largësinë nga ajo pikë, pra sa të gjata janë këto 69 (7 plus 62) javë. Asnjë nga të dyja pjesët e informatës nuk është e vështirë për t’u gjetur. Nehemia na thotë krejtësisht qartë, se fjala për rindërtimin e murit përreth Jeruzalemit, gjë që do ta kthente përfundimisht në një qytet të përtërirë, doli «në vitin e njëzet të mbretit Artakserks». (Nehemia 2:1, 5, 7, 8) Kjo gjë e vendos pikën tonë të nisjes në vitin 455 p.e.s.d
10 Tani, për sa u përket 69 javëve, a mund të jenë ato javë të vërteta prej shtatë ditësh? Jo, sepse Mesia nuk u paraqit pak më shumë se një vit pas 455 p.e.s. Kështu, pjesa më e madhe e studiuesve biblikë dhe përkthimet e shumta (duke përfshirë edhe përkthimin hebrej Tanakh në një shënim të këtij citati), janë dakort se ato janë javë «vitesh». Ky koncept i «javëve vjetore», apo i ciklit shtatë-vjeçar, ishte familjar për hebrenjtë e vjetër. Ashtu siç mbanin sabatin çdo shtatë ditë, mbanin edhe një vit sabati çdo shtatë vjet. (Të Dalët 20:8-11; 23:10, 11) Prandaj, 69 javët vjetore kapin shumën prej 69 herë 7 vjet, apo 483 vjet. E vetmja gjë që na mbetet të bëjmë është llogaritja. Duke llogaritur 483 vjet nga 455 p.e.s. vijmë në vitin 29 të e.s., pikërisht në vitin kur Jezui u pagëzua dhe u bë mashiach, Mesia!—Shiko «Shtatëdhjetë javë» në Insight on the Scriptures, Volumi 2, faqe 899.
11. Si mund t’u përgjigjemi atyre që thonë se kjo është vetëm një mënyrë bashkëkohore e interpretimit të profecisë së Danielit?
11 Disa mund të kundërshtojnë se kjo është vetëm një mënyrë bashkëkohore e interpretimit të profecisë në përshtatje të historisë. Nëse është kështu, përse vallë njerëzit në ditët e Jezuit ishin në pritje të shfaqjes së Mesisë, në atë kohë? Historiani i krishterë Luka, historianët romakë Taciti dhe Sutoniu, historiani hebrej Jozefi dhe filozofi hebrej Filoni, që kanë jetuar gati të gjithë në këtë kohë, dëshmuan për atë gjendje pritjeje. (Luka 3:15). Sot, disa mendimtarë, insistojnë se ishte shtypja romake ajo që ngjallte tek hebrenjtë e asaj epoke pretendimin dhe pritjen e Mesisë. Përse, atëherë, hebrenjtë e prisnin Mesinë në atë kohë dhe jo gjatë persekutimit brutal grek shekuj më parë? Përse Taciti tha se «profecia misterioze» i bëri hebrenjtë të prisnin sundimtarë të fuqishëm që do të vinin nga Judeja dhe «do të vendosnin një perandori të përbotshme»? Abba Hillel Silver, në librin e tij A History of Messianic Speculation in Israel (Historia e spekulimit mesianik në Izrael), pranon se Mesia pritej rreth çerekut të dytë të shekullit të parë të e.s.», jo për shkak të persekutimit romak, por për arsye të «kronologjisë së popullarizuar të atyre ditëve», që rridhte pjesërisht nga libri i Danielit.
I identifikuar nga lart
12. Në ç’mënyrë Jehovai e identifikoi Jezuin si Mesinë?
12 Lloji i tretë i dëshmisë së mesianitetit të Jezuit është vetë dëshmia e Perëndisë. Sipas Lukës 3:21, 22, pasi u pagëzua, Jezui u miros me fuqinë më të shenjtë dhe më të fuqishme të gjithësisë, me frymën e shenjtë të Perëndisë Jehova. Dhe Jehovai, me zërin e tij, bëri të ditur se e kishte miratuar Birin e vet, Jezuin. Në dy raste të tjera, Jehovai i foli drejtpërsëdrejti nga qielli Jezuit, duke treguar kështu miratimin e Tij: njëherë para tre apostujve të Jezuit dhe herën tjetër para një turme vëzhguesish. (Mateu 17:1-5; Gjoni 12:28, 29) Përveç kësaj, u dërguan engjëj nga lart për të vërtetuar pozitën e Jezuit si Krisht, apo Mesi.—Luka 2:10, 11.
13, 14. Si tregoi Jehovai se e miratonte Jezuin si Mesi?
13 Jehovai e tregoi aprovimin ndaj të mirosurit të tij, duke e autorizuar që të kryente vepra të mëdha. Për shembull, Jezui shqiptoi profeci që tregonin hollësisht ngjarje të ardhshme historike, disa prej të cilave lidhen me ditët tona.e Kreu, gjithashtu, edhe mrekulli të tilla si ushqimi i turmave të uritura dhe shërimi i të sëmurëve. Madje, ringjalli edhe të vdekur. A thua, ithtarët e tij më vonë vetëm sa trilluan tregime të këtyre veprave të fuqishme? Mirë, pra, Jezui kreu shumë mrekulli para syve të dëshmitarëve, ndonjëherë përpara mijëra njerëzve. As armiqtë e tij nuk mund të mohonin se ai i kishte kryer këto gjëra me të vërtetë. (Marku 6:2; Gjoni 11:47). Krahas kësaj, nëse ithtarët e Jezuit ishin të prirë për të trilluar raporte të tilla, përse vallë, duhej të ishin aq të sinqertë, kur bëhej fjalë për të metat e tyre? A do të ishin me të vërtetë të gatshëm të vdisnin, për një besim të bazuar në mite të thjeshta, të trilluara nga ata vetë? Jo. Mrekullitë e Jezuit janë fakte historike.
14 Dëshmia e Perëndisë mbi Jezuin si Mesi shkoi edhe më tutje. Përmes frymës së shenjtë, ai u kujdes që dëshmitë e mesianitetit të Jezuit të shkruheshin dhe të bëheshin pjesë e librit më të përkthyer dhe më të shpërndarë në gjithë historinë.
Përse hebrenjtë nuk e pranuan Jezuin?
15. (a) Sa të besueshme janë dëshmitë që e identifikojnë Jezuin si Mesi? (b) Cilat pritje i shtynë shumë hebrenj për të refuzuar Jezuin si Mesi?
15 Sidoqoftë, të trija këto kategori faktesh, përfshijnë së bashku, drejtpërsëdrejti, me mijëra dëshmi që e identifikojnë Jezuin si Mesi. A thua, nuk mjaftojnë? Imagjino vetëm sikur të kesh kërkuar një patentë shoferi apo një letër krediti dhe të të thonë se tri dokumenta identifikimi nuk mjaftojnë, por duhet të sjellësh me qindra. Sa e paarsyeshme! Prandaj, me siguri, Jezui është identifikuar plotësisht në Bibël. Përse, atëherë, shumë pjesëtarë të vetë popullit të Jezuit i mohuan gjithë këto dëshmi se ai është Mesia? Sepse dëshmia, sado e rëndësishme të jetë për besim të vërtetë, nuk garanton besim. Mjerisht, shumë njerëz besojnë atë që ata dëshirojnë të besojnë, edhe përballë provash të panumërta. Në lidhje me Mesinë, pjesa më e madhe e hebrenjve kishin ide të përcaktuara qartë mbi atë çka dëshironin. Ata kërkonin një mesi politik, që t’i jepte fund shtypjes romake dhe të përtërinte Izraelin në një lavdi të ngjashme, në aspektin materialist, me atë të kohës së Solomonit. Si mund ta pranonin, atëherë, atë bir të përunjur të një zdrukthëtari, atë nazareas që nuk tregoi asnjë interes për politikën apo pasurinë? Për më tepër, si mund të ishte ai Mesia, pasi vuajti dhe vdiq në mënyrë të turpshme mbi një shtyllë mundimesh?
16. Përse vetë ithtarëve të Jezuit u është dashur t’i korrigjojnë pritjet e veta mbi Mesinë?
16 Edhe vetë dishepujt e Jezuit u tronditën nga vdekja e tij. Siç duket, pas ringjalljes së tij të mrekullueshme, ata shpresonin se ai «do ta përtërinte mbretërinë e Izraelit» menjëherë. (Veprat 1:6). Por ata nuk e refuzuan Jezuin si Mesi vetëm se shpresa e tyre nuk u realizua. Ushtruan besim tek ai, në bazë të dëshmive të bollshme që dispononin dhe gradualisht kuptueshmëria e tyre u rrit; të fshehtat u qartësuan. E panë se Mesia nuk mund t’i plotësonte të gjitha profecitë mbi veten gjatë kohës së shkurtër që kaloi si njeri mbi tokë. Njëra thoshte se do të vinte unjësisht, hipur mbi një një gomar, ndërsa një tjetër flet mbi ardhjen e tij në lavdi mbi re! Si mund të jenë që të dyja të vërteta? Është e dukshme se ai duhet të vijë për herë të dytë.—Danieli 7:13; Zakaria 9:9.
Përse Mesia duhej të vdiste
17. Në ç’mënyrë e ka bërë të qartë profecia e Danielit se Mesia duhet të vdiste dhe përse duhet të vdiste?
17 Më tutje, profecitë biblike tregonin qartë se Mesia duhej të vdiste. Për shembull, e njëjta profeci që parathoshte se kur do të vinte Mesia, shtonte në rreshtin vijues: «Pas gjashtëdhjetë e dy javëve [që pasonin të shtatë javët] Mesia do të pritet.» (Danieli 9:26) Fjala hebreje karath, e përdorur këtu «do të pritet», është e njëjta fjalë e përdorur për dënimin me vdekje në Ligjin e Mojsiut. Pa asnjë dyshim, Mesia duhej të vdiste. Përse? Përgjigjen na e jep rreshti 24: «Që t’i jepet fund mëkatit e të fshihet gabimi dhe për të sjellë drejtësi për kohëra të pacaktuara.» Hebrenjtë e dinin mirë se vetëm një flijim, një vdekje, mund ta fshinte gabimin.—Levitiku 17:11; krahaso Hebrenjve 9:22.
18. (a) Si tregon kreu 53 i Isaisë se Mesia duhet të vuante dhe të vdiste? (b) Ç’paradoks në dukje shfaqet në këtë profeci?
18 Kreu 53 i Isaisë flet mbi Mesinë si mbi një Shërbëtor të veçantë të Jehovait që duhej të vuante dhe të vdiste për të mbuluar mëkatet e të tjerëve. Rreshti i 5-të thotë: «Ai ishte shpuar për shkeljet tona; ishte dërrmuar për gabimet tona.» Po ajo profeci, pasi na thotë se Mesia duhej të vdiste si «flijim për gabim», zbulon se po Ky «do t’i zgjaste ditët e veta dhe ajo që është gëzimi i Jehovait do të plotësohej në dorën e tij.» (Rreshti 10) Mos është vallë një paradoks? Si mundej Mesia të vdiste dhe mandej «t’i zgjaste ditët e veta»? Si mund të ofrohej si flijim dhe pastaj të bënte «atë që është gëzimi i Jehovait»? Vërtet, si mund të vdiste dhe të mbetej i vdekur, pa plotësuar profecinë më të rëndësishme mbi të, përkatësisht, se do të mbretëronte përgjithmonë si Mbret dhe do të sillte paqe dhe lumturi në mbarë botën?—Isaia 9:6, 7.
19. Si i harmonizon ringjallja e Jezuit profecitë, në dukje kontradiktore, mbi Mesinë?
19 Ky paradoks në dukje, u zgjidh me një mrekulli të vetme, mahnitëse. Jezui u ringjall. Qindra hebrenj të sinqertë u bënë me sytë e tyre dëshmitarë të këtij realiteti madhështor (1. Korintasve 15:6) Më vonë, apostulli Pavël shkroi: «Ky njeri [Jezu Krishti] ofroi një flijim të vetëm, të përhershëm për mëkatet dhe është ulur në të djathtë të Perëndisë, duke pritur kështu që armiqtë e tij të viheshin si shtrojë për këmbët e tij.» (Hebrenjve 10:10, 12, 13, NW ) Po, vetëm pas ringjalljes së tij në jetë qiellore dhe pas një periudhe «pritjeje», Jezui do të vendosej më në fund në fron si Mbret dhe do të vepronte kundër armiqve të Atit të tij, Jehovait. Në rolin e vet si Mbret qiellor, Jezui Mesia, ndikon mbi jetën e çdo njeriu të gjallë. Në ç’mënyrë? Këtë do ta shqyrtojë artikulli ynë vijues.
[Shënimet]
a Kur Luka 3:23 thotë: «Jozefi, biri i Heliut», është e dukshme se do të thotë «bir» në kuptimin e «dhëndrit», pasi Heliu ishte ati natyror i Marijes.—Insight on the Scriptures, Volumi 1, faqe 913-917.
b Historiani hebre Jozefi, duke përshkruar gjenealogjinë e tij, tregon qartë se këta regjistra ekzistonin para vitit 70-të e.s. Siç duket, regjistrat u shkatërruan së bashku me qytetin e Jeruzalemit, duke bërë të pamundur dëshmimin e çfarëdolloj pohimi të mëvonshëm mesianik.
c Shiko Insight on the Scriptures, Volumi 2, faqe 387.
d Ekzistojnë dëshmi të forta nga burime të vjetra greke, babilonase dhe persiane që tregojnë se viti i parë i sundimit të Artakserksit ishte 474 p.e.s. Shiko Insight on the Scriptures, Volumi 2, faqe 614-616, 900.
e Në njërën prej këtyre profecive, ai paratha, se nga koha e tij e mëtutje do të ngriheshin mesi të rremë. (Mateu 24:23-26) Shiko artikullin paraprak.
Pyetjet për përsëritje
◻ Përse duhen shqyrtuar dëshmitë se a është Jezui Mesia i premtuar?
◻ Si e përkrah gjenealogjia e Jezuit mesianitetin e tij?
◻ Si ndihmojnë profecitë biblike për të dëshmuar se Jezui ishte Mesia?
◻ Në cilat mënyra vetë Jehovai vërtetoi identitetin e Jezuit si Mesi?
◻ Përse aq shumë hebrenj e refuzuan Jezuin si Mesi dhe përse janë të pabazuara këto arsye?
[Figura në faqen 12]
Çdonjëra prej mrekullive të shumta të Jezuit ofronte dëshmi të mëtejshme të mesianitetit të tij