Kapitulli njëmbëdhjetë
Mjerë rebelët!
1. Çfarë gabimi të tmerrshëm bëri Jeroboami?
KUR populli që kishte bërë një besëlidhje me Jehovain u nda në dy mbretëri, mbretëria veriore prej dhjetë fisesh u vendos nën sundimin e Jeroboamit. Mbreti i ri ishte një sundues i aftë dhe energjik. Por atij i mungonte besimi i vërtetë te Jehovai. Për shkak të kësaj ai bëri një gabim të tmerrshëm që ndikoi negativisht mbi gjithë historinë e mbretërisë veriore. Ligji i Moisiut i urdhëronte izraelitët të shkonin tri herë në vit në tempull në Jerusalem, i cili tani gjendej në mbretërinë jugore të Judës. (Ligji i përtërirë 16:16) Nga frika se mos këto udhëtime të rregullta i bënin nënshtetasit e tij të mendonin për ribashkimin me vëllezërit e tyre jugorë, Jeroboami «bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: ‘Është shumë për ju të shkoni deri në Jerusalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua [Perëndia yt, BR] që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!’ Pastaj vendosi njërin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan». —1 Mbretërve 12:28, 29, Dio.
2, 3. Çfarë efektesh pati mbi Izraelin gabimi i Jeroboamit?
2 Aty për aty, u duk se plani i Jeroboamit funksionoi. Populli gradualisht pushoi së shkuari në Jerusalem dhe filloi të adhuronte para dy viçave. (1 Mbretërve 12:30) Por kjo praktikë fetare apostate e korruptoi mbretërinë prej dhjetë fisesh. Në vitet që pasuan, madje edhe Jehu, i cili kishte treguar një zell tepër të lavdërueshëm për heqjen e adhurimit të Baalit nga Izraeli, vazhdoi t’u përkulej viçave të artë. (2 Mbretërve 10:28, 29) Çfarë pasoje tjetër solli vendimi i gabuar tragjik i Jeroboamit? Paqëndrueshmëri politike dhe vuajtje për popullin.
3 Meqenëse Jeroboami ishte bërë apostat, Jehovai tha se fara e tij nuk do të sundonte në vend dhe se më në fund mbretëria veriore do të përjetonte një katastrofë të tmerrshme. (1 Mbretërve 14:14, 15) Fjalët e Jehovait dolën të vërteta. Shtatë prej mbretërve të Izraelit sunduan secili nga dy vjet ose më pak, disa madje vetëm disa ditë. Një mbret kreu vetëvrasje dhe gjashtë u vranë nga burra ambiciozë që uzurpuan fronin. Sidomos pas sundimit të Jeroboamit II, sundim ky që mbaroi rreth vitit 804 p.e.s. ndërkohë që në Judë mbretëronte Uziahu, Izraeli u godit nga trazirat, dhuna dhe vrasjet. Është kjo situata në lidhje me të cilën Jehovai nëpërmjet Isaisë i dërgon një paralajmërim të drejtpërdrejtë ose një «fjalë» mbretërisë veriore. «Jehovai dërgoi një fjalë kundër Jakobit dhe ajo ra mbi Izraelin.»—Isaia 9:8.a
Fodullëku dhe paturpësia marrin si përgjigje zemërimin e Perëndisë
4. Çfarë ‘fjale’ dërgon Jehovai kundër Izraelit dhe pse?
4 ‘Fjala’ e Jehovait nuk do të shpërfillet. «Njerëzit me siguri do ta njohin atë, po, të gjithë ata, Efraimi dhe banori i Samarisë, për shkak të fodullëkut të tyre dhe për shkak të paturpësisë së zemrës së tyre.» (Isaia 9:9) Emrat «Jakob», «Izrael», «Efraim» dhe «Samari» i referohen tërë mbretërisë veriore të Izraelit, nga të cilët Efraimi është fisi kryesor dhe Samaria kryeqyteti. Fjala e Jehovait kundër asaj mbretërie është një sentencë e ashpër gjyqësore, sepse Efraimi është ngurtësuar për shkak të apostazisë dhe sillet me pafytyrësi të paturpshme ndaj Jehovait. Perëndia nuk do ta mbrojë popullin nga pasojat e udhëve të tyre të liga. Ata do të detyrohen të dëgjojnë ose t’i kushtojnë vëmendje fjalës së Perëndisë.—Galatasve 6:7.
5. Në ç’mënyrë tregojnë izraelitët se aktet gjykuese të Jehovait nuk kanë ndikim mbi ta?
5 Ndërsa kushtet keqësohen, njerëzit pësojnë humbje të rënda, duke përfshirë edhe shtëpitë e tyre, të bëra zakonisht me qerpiç dhe me dru të pakushtueshëm. A zbuten zemrat e tyre si rezultat i kësaj? A do t’ua vënë veshin profetëve të Jehovait për t’u kthyer te Perëndia i vërtetë?b Isaia regjistron reagimin e pafytyrë të popullit: «Kanë rënë tullat, por ne do të ndërtojmë me gurë të latuar. Janë prerë fiqtë e egjiptit, por ne do t’i zëvendësojmë me cedra.» (Isaia 9:10) Izraelitët e kundërshtojnë Jehovain dhe nuk i pranojnë profetët e tij që u tregojnë atyre përse po i kalojnë këto vështirësi. Në fakt, populli thotë: ‘Ne mund t’i humbasim shtëpitë e bëra me qerpiç të brishtë dhe me dru të pakushtueshëm, por do t’i kompensojmë humbjet, e madje do të fitojmë më shumë, duke i rindërtuar ato me materiale më të mira: me gurë të latuar dhe me dru cedri.’ (Krahaso Jobin 4:19.) Ata nuk i lënë alternativë tjetër Jehovait, veçse t’i disiplinojë përsëri.—Krahaso Isainë 48:22.
6. Çfarë bën Jehovai që komploti siro-izraelit kundër Judës të dështojë?
6 Isaia vazhdon: «Jehovai do të ngrejë kundër tij kundërshtarët e Retsinit.» (Isaia 9:11a) Mbreti Pekah i Izraelit dhe mbreti Retsin i Sirisë janë aleatë. Ata po komplotojnë të pushtojnë mbretërinë prej dy fisesh të Judës dhe të hipin në fronin e Jehovait në Jerusalem një mbret kukull: njëfarë ‘biri i Tabeelit’. (Isaia 7:6, Dio) Por komploti dështon. Retsini ka armiq të fortë dhe Jehovai do t’i «ngrejë» këta armiq kundër «tij», pra, kundër Izraelit. Termi ‘ngre’ do të thotë se Jehovai do t’i lejojë ata të zhvillojnë një luftë të mirëfilltë, e cila do të sjellë si rezultat prishjen e aleancës dhe të objektivave të saj.
7, 8. Çfarë rezultati sjell për Izraelin pushtimi i Sirisë nga Asiria?
7 Prishja e kësaj aleance fillon kur Asiria sulmon Sirinë. «Mbreti i Asirisë doli kundër Damaskut [kryeqyteti i Sirisë], e pushtoi dhe internoi banorët e tij në Kir dhe vrau Retsinin.» (2 Mbretërve 16:9, Dio) Pasi humbet aleatin e tij të fuqishëm, Pekahu e kupton se planet e tij për pushtimin e Judës kanë dështuar. Në fakt, pak pas vdekjes së Retsinit, vetë Pekahu vritet nga Hosea, i cili më pas uzurpon fronin e Samarisë.—2 Mbretërve 15:23-25, 30.
8 Siria, ish-aleatja e Izraelit, tani është vasale e Asirisë, fuqisë mbizotëruese të rajonit. Isaia profetizon në lidhje me mënyrën se si do ta përdorë Jehovai këtë grupim të ri politik: «[Jehovai] do të nxitë armiqtë e tij [Izraelit], Sirinë nga lindja dhe filistejtë nga mbrapa dhe ata do ta gllabërojnë Izraelin me gojë të hapur. Duke pasur parasysh këtë, zemërimi i tij nuk është kthyer mbrapsht, por dora e tij është ende e shtrirë.» (Isaia 9:11b, 12) Po, tani Siria është armiku i Izraelit dhe Izraeli duhet të përgatitet për të përballuar një sulm nga Asiria dhe nga Siria. Pushtimi kryhet me sukses. Asiria e bën uzurpuesin Hosea shërbëtorin e saj, duke e detyruar t’i paguajë një haraç të majmë. (Disa dekada më parë, Asiria kishte marrë një shumë të madhe nga mbreti i Izraelit, Menahemi.) Sa të vërteta janë fjalët e profetit Hozea: «Të huajt gllabërojnë forcën e tij [të Efraimit].»—Hozea 7:9, Dio; 2 Mbretërve 15:19, 20; 17:1-3.
9. Pse mund të themi se filistejtë sulmojnë «nga mbrapa»?
9 A nuk thotë, gjithashtu, Isaia se filistejtë do të sulmojnë «nga mbrapa»? Po. Në kohët para përdorimit të busullave magnetike, hebrenjtë e përcaktonin drejtimin nisur nga pozicioni i një personi të kthyer nga lindja e diellit. Kështu, «lindja» ishte përpara, ndërsa perëndimi, vendi bregdetar i Filistesë, ishte «mbrapa». Në këtë rast, «Izraeli» që përmendet në Isainë 9:12 mund të përfshijë Judën, pasi filistejtë e pushtuan Judën gjatë mbretërimit të bashkëkohësit të Pekahut, Akazit, duke shtënë në dorë dhe duke pushtuar një numër qytetesh dhe fortesash judeje. Ashtu si Efraimi në veri, Juda e meriton këtë ndëshkim nga Jehovai, pasi edhe atje ka lulëzuar apostazia.—2 Kronikave 28:1-4, 18, 19.
Një komb rebelësh nga ‘koka te bishti’
10, 11. Çfarë ndëshkimi do të sjellë Jehovai ndaj Izraelit për shkak të rebelimit të tyre të vazhdueshëm?
10 Pavarësisht nga gjithë vuajtjet që ka kaluar dhe me gjithë shpalljet e fuqishme të profetëve të Jehovait, mbretëria veriore vazhdon të rebelohet ndaj Jehovait. «Njerëzit nuk janë kthyer tek Ai që i godet, dhe nuk e kanë kërkuar Jehovain e ushtrive.» (Isaia 9:13) Si pasojë, profeti thotë: «Jehovai do të këputë nga Izraeli kokë e bisht, filiz e xunkth, në një ditë të vetme. Njeriu i moshuar dhe shumë i respektuar është koka dhe profeti që jep mësim të rremë është bishti. Dhe ata që po i udhëheqin këta njerëz janë ata që po i bëjnë të enden sa andej-këtej; dhe ata prej tyre që po udhëhiqen, janë ata që po ngatërrohen.»—Isaia 9:14-16.
11 ‘Koka’ dhe ‘filizi’ përfaqësojnë ‘njeriun e moshuar dhe shumë të respektuar’, domethënë, udhëheqësit e kombit. ‘Bishti’ dhe ‘xunkthi’ u referohen profetëve të rremë, të cilët thonë fjalë që u pëlqejnë udhëheqësve të tyre. Një studiues i Biblës shkruan: «Profetët e rremë quhen bishti, sepse nga ana morale ata ishin njerëzit më të ulët në popull dhe ishin ithtarë e përkrahës servilë të sunduesve të ligj.» Për këta profetë të rremë profesori Edward J. Young thotë: «Ata nuk ishin udhëheqës, por duke ndjekur drejtimin e udhëheqësve, thjesht i lajkatonin dhe u lëpiheshin atyre, tamam si bishti i një qeni që tundet.»—Krahaso 2 Timoteut 4:3.
Edhe ‘të vejat dhe jetimët nga babai’ janë rebelë
12. Sa thellë ka depërtuar korruptimi në shoqërinë izraelite?
12 Jehovai është mbrojtësi i të vejave dhe i jetimëve nga babai. (Dalja 22:22, 23) E megjithatë, dëgjoni se çfarë thotë tani Isaia: «Jehovai nuk do të gëzohet, madje, as për të rinjtë e tyre dhe nuk do të ketë mëshirë për jetimët e tyre nga babai dhe për të vejat e tyre, sepse të gjithë ata janë apostatë e keqbërës dhe çdo gojë po flet marrëzira. Duke pasur parasysh këtë, zemërimi i tij nuk është kthyer mbrapsht, por dora e tij është ende e shtrirë.» (Isaia 9:17) Apostazia i ka korruptuar të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përfshirë edhe të vejat dhe jetimët nga babai. Me durim, Jehovai dërgon profetët e tij, duke shpresuar që populli të ndryshojë rrugë. Për shembull, profeti Hozea përgjërohet: «O Izrael, kthehu tek Zoti, Perëndia yt, sepse ke rënë poshtë për shkak të paudhësisë sate.» (Hozea 14:1, Dio) Sa shumë dhembje duhet t’i shkaktojë Mbrojtësit të të vejave dhe të jetimëve nga babai, fakti që duhet ta ekzekutojë gjykimin edhe kundër tyre!
13. Çfarë mund të mësojmë nga situata në kohën e Isaisë?
13 Ashtu si Isaia, ne po jetojmë në kohë kritike që i paraprijnë ditës së gjykimit të Jehovait kundër të ligjve. (2 Timoteut 3:1-5) Prandaj, është tepër e rëndësishme që të krishterët e vërtetë, pavarësisht nga gjendja e tyre në jetë, të qëndrojnë të pastër frymësisht, moralisht dhe mendërisht me qëllim që të vazhdojnë të kenë miratimin e Perëndisë. Secili prej nesh le ta ruajë me xhelozi marrëdhënien e tij me Jehovain. Askush nga ata që kanë dalë nga «Babilonia e madhe» le të mos marrë kurrë më «pjesë me të në mëkatet e saj»!—Zbulesa 18:2, 4.
Adhurimi i rremë pjell dhunë
14, 15. (a) Çfarë rezulton nga adhurimi i demonëve? (b) Çfarë vuajtjesh, gjithnjë në rritje, profetizon Isaia se do të përjetojë Izraeli?
14 Adhurimi i rremë është në të vërtetë adhurim i demonëve. (1 Korintasve 10:20) Siç u bë e dukshme para Përmbytjes, ndikimi demonik çon drejt dhunës. (Zanafilla 6:11, 12) Prandaj, nuk është për t’u çuditur që, kur Izraeli kthehet në apostat dhe fillon të adhurojë demonët, vendi mbushet me dhunë dhe ligësi.—Ligji i përtërirë 32:17; Psalmi 106:35-38.
15 Me anë të përshkrimeve të gjalla, Isaia tregon përhapjen e ligësisë dhe të dhunës në Izrael: «Ligësia është ndezur porsi zjarr, ajo do të përpijë ferrat dhe barërat e këqija. Dhe do t’i vërë zjarrin pjesëve të dendura të pyllit dhe ato do të ngrihen lart si shtëllunga tymi. Në tërbimin e Jehovait të ushtrive vendit i është vënë zjarri dhe njerëzit do të bëhen si ushqim për zjarrin. Asnjë nuk do të tregojë dhembshuri, madje as për vëllanë e vet. Një do të këputë për të ngrënë nga e djathta, por me siguri do të ketë uri; dhe një do të hajë nga e majta, por me siguri ata nuk do të ngopen. Secili do të hajë mishin e krahut të vet. Manaseu do të hajë Efraimin dhe Efraimi Manaseun. Së bashku do të jenë kundër Judës. Duke pasur parasysh këtë, zemërimi i tij nuk është kthyer mbrapsht, por dora e tij është ende e shtrirë.»—Isaia 9:18-21.
16. Si përmbushen fjalët e Isaisë 9:18-21?
16 Ashtu si flaka që përhapet nga ferra në ferrë, dhuna del jashtë kontrollit dhe shumë shpejt arrin ‘pjesët e dendura të pyllit’, duke krijuar një zjarr dhune në kulmin e tij. Komentuesit e Biblës Keil dhe Delitzsch e përshkruajnë nivelin e dhunës si «vetëshkatërrimin më çnjerëzor gjatë një lufte anarkike civile. Të zhveshur nga çdo ndjenjë e butë, ata gllabëronin njëri-tjetrin pa u ngopur». Ka të ngjarë që fisi i Efraimit dhe ai i Manaseut të veçohen në këtë rast, sepse ata janë përfaqësuesit kryesorë të mbretërisë veriore dhe si pasardhës të dy bijve të Jozefit, janë fiset më të afërt me njëri-tjetrin nga të dhjetë fiset. Por, megjithëkëtë, ata e ndërpresin dhunën e tyre vëllazërore vetëm kur luftojnë kundër Judës në jug.—2 Kronikave 28:1-8.
Gjykohen gjykatësit e korruptuar
17, 18. Çfarë korrupsioni ekziston në sistemin ligjor dhe administrativ të Izraelit?
17 Më pas Jehovai e përqendron syrin e tij gjykues mbi gjykatësit dhe zyrtarët e tjerët të korruptuar të Izraelit. Këta e shpërdorojnë pushtetin e tyre duke plaçkitur të mjerët dhe të munduarit që vijnë tek ata për të kërkuar drejtësi. Isaia thotë: «Mjerë ata që dekretojnë rregulla të dëmshme dhe ata që, duke shkruar vazhdimisht, kanë shkruar trazira të mirëfillta, me qëllim që t’i largojnë të mjerët nga çështja gjyqësore dhe të grabitin të drejtën nga të munduarit e popullit tim, që të vejat të bëhen plaçka e tyre dhe që të mund të plaçkitin edhe jetimin nga babai!»—Isaia 10:1, 2.
18 Ligji i Jehovait i ndalon të gjitha llojet e padrejtësisë: «Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfrin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.» (Levitiku 19:15, Dio) Duke shpërfillur këtë ligj, këta zyrtarë nxjerrin «rregulla të dëmshme», me qëllim që të ligjërojnë atë që është baraz me një vjedhje të mirëfilltë të llojit më mizor, pra, të marrin ato pak zotërime që kanë të vejat dhe jetimët nga babai. Perënditë e rreme të Izraelit janë, natyrisht, të verbra para kësaj padrejtësie, por Jehovai jo. Nëpërmjet Isaisë, ai e përqendron tani vëmendjen mbi këta gjykatës të ligj.
19, 20. Si do të ndryshojë situata për gjykatësit e korruptuar izraelitë dhe çfarë do t’i ndodhë ‘lavdisë’ së tyre?
19 «Çfarë do të bëni në ditën kur vëmendja do të drejtohet nga ju dhe në shkatërrim, kur ai të vijë nga larg? Drejt kujt do të turreni për të kërkuar ndihmë dhe ku do ta lini lavdinë tuaj? Një njeri duhet të përkulet nën të burgosurit dhe njerëzit të vazhdojnë të bien nën ata që janë vrarë.» (Isaia 10:3, 4a) Të vejat dhe jetimët nga babai nuk kanë gjykatës të ndershëm të cilëve t’u drejtohen për ndihmë. Sa e përshtatshme është, pra, që tani Jehovai po i pyet ata gjykatës të korruptuar izraelitë se kujt do t’i drejtohen tani që ai po u kërkon llogari! Po, së shpejti ata do të mësojnë se «është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë të gjallë.»—Hebrenjve 10:31.
20 ‘Lavdia’ e këtyre gjykatësve të ligj, prestigji para njerëzve, nderimi dhe pushteti që vijnë si rezultat i pasurisë dhe i pozitës së tyre, do ta kenë jetën të shkurtër. Disa do të bëhen robër lufte dhe do të ‘përkulen’ ose do të gjunjëzohen mes robërve të tjerë, kurse të tjerët do të vriten dhe kufomat e tyre do të mbulohen me të vrarët e luftës. ‘Lavdia’ e tyre përfshin, gjithashtu, edhe pasuritë e tyre të padrejta, të cilat do të plaçkiten nga armiku.
21. Duke pasur parasysh ndëshkimet që i janë dhënë Izraelit, a është fashitur zemërimi i Jehovait ndaj tij?
21 Isaia e përfundon këtë strofë të fundit me një paralajmërim të frikshëm: «Duke pasur parasysh këtë, [mjerimet që kombi ka kaluar deri tani, është e qartë që] zemërimi i tij nuk është kthyer mbrapsht, por dora e tij është ende e shtrirë.» (Isaia 10:4b) Po, Jehovai ka të tjera gjëra për t’i thënë Izraelit. Dora e tij e shtrirë nuk do të tërhiqet derisa t’i japë një goditje përfundimtare e shkatërrimtare mbretërisë rebele veriore.
Të mos biem kurrë pre e gënjeshtrave dhe e interesit vetjak të të tjerëve
22. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga ajo që i ndodhi Izraelit?
22 Fjala e Jehovait nëpërmjet Isaisë ra me forcë mbi Izraelin dhe ‘nuk u kthye tek ai pa rezultate’. (Isaia 55:10, 11) Historia dokumenton fundin tragjik të mbretërisë veriore të Izraelit dhe ne vetëm mund t’i imagjinojmë vuajtjet që banorët e saj duhet të kenë kaluar. Në mënyrë po kaq të sigurt, fjala e Perëndisë lidhur me sistemin e tanishëm të gjërave dhe sidomos me të ashtuquajturin krishterim apostat, do të dalë e vërtetë. Sa e rëndësishme është, pra, që të krishterët të mos i vënë veshin propagandës mashtruese, kundër Perëndisë! Falë Fjalës së Perëndisë, strategjitë dinake të Satanait janë demaskuar prej shumë kohësh, prandaj ne nuk duhet të mashtrohemi prej tyre siç u mashtrua populli i Izraelit të lashtë. (2 Korintasve 2:11) Le të mos pushojmë kurrë së adhuruari Jehovain «me frymë dhe të vërtetë»! (Gjoni 4:24) Nëse do të veprojmë kështu, dora e tij e shtrirë nuk do t’i godasë adhuruesit e tij siç bëri me Efraimin rebel, por krahët e tij do t’i përqafojnë ata ngrohtësisht dhe do t’i ndihmojnë përgjatë rrugës drejt jetës së përhershme në një tokë parajsore.—Jakovit 4:8.
[Shënimet]
a Isaia 9:8–10:4 përbëhet nga 4 strofa (pjesë të një fragmenti ritmik), çdonjëra prej të cilave përfundon me refrenin ogurzi: «Duke pasur parasysh këtë, zemërimi i tij nuk është kthyer mbrapsht, por dora e tij është ende e shtrirë.» (Isaia 9:12, 17, 21; 10:4) Kjo figurë letrare ka një efekt. Ajo bën që Isaia 9:8–10:4 të merren si një «fjalë» e vetme e përbërë. (Isaia 9:8) Vini re, gjithashtu, që ‘dora e Jehovait është ende e shtrirë’, jo për të ofruar pajtimin, por për të gjykuar.—Isaia 9:13.
b Profetët e Jehovait në mbretërinë veriore të Izraelit përfshijnë Jehun (jo mbretin), Elijan, Mikajahun, Eliseun, Jonain, Obedin, Hozenë, Amosin dhe Mikenë.
[Figura në faqen 139]
Ligësia dhe dhuna e pushtojnë Izraelin porsi një zjarr i rënë në pyll
[Figura në faqen 141]
Jehovai do t’u kërkojë llogari të gjithë atyre që i bëjnë të tjerët viktima të tyre