Libri i dytë i Mbretërve
15 Në vitin e 27-të të mbretërimit të Jeroboamit,* mbretit të Izraelit, u bë mbret Azariahu,*+ biri i Amaziahut,+ mbretit të Judës.+ 2 Ai ishte 16 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 52 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Jekolia dhe ishte nga Jerusalemi. 3 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, tamam si kishte bërë i ati, Amaziahu.+ 4 Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën,+ dhe populli flijonte ende në këto vende e paraqiste në to tym blatimesh.+ 5 Jehovai e goditi mbretin me një sëmundje, dhe ai mbeti i lebrosur+ deri ditën kur vdiq. Ai banonte në një shtëpi më vete,+ kurse në krye të shtëpisë* u vu Jotami,+ i biri, i cili gjykonte popullin e vendit.+ 6 Pjesa tjetër e historisë së Azariahut+ dhe gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 7 Në fund Azariahu u preh me paraardhësit e vet+ dhe e varrosën me ta në Qytetin e Davidit; në vend të tij u bë mbret i biri, Jotami.
8 Në vitin e 38-të të mbretërimit të Azariahut,+ mbretit të Judës, Zakaria,+ biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit në Samari, ku mbretëroi gjashtë muaj. 9 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait, ashtu si kishin bërë paraardhësit e tij. Nuk hoqi dorë nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 10 Më pas Shalumi, biri i Jabeshit, komplotoi kundër tij dhe e vrau+ në Ibleam,+ pastaj u bë mbret në vend të tij. 11 Pjesa tjetër e historisë së Zakarisë është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit. 12 Kështu u përmbush fjala që Jehovai i kishte thënë Jehut: «Bijtë e tu do të ulen në fronin e Izraelit deri në brezin e katërt.»+ E ashtu ndodhi.
13 Shalumi, biri i Jabeshit, u bë mbret në vitin e 39-të të mbretërimit të Uziahut,+ mbretit të Judës, dhe mbretëroi në Samari një muaj të plotë. 14 Pastaj Menahemi, biri i Gadit, shkoi nga Tirzahu+ në Samari. Atje vrau Shalumin,+ birin e Jabeshit, dhe u bë mbret në vend të tij. 15 Pjesa tjetër e historisë së Shalumit dhe komploti që thuri, është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit. 16 Në atë kohë, Menahemi u nis nga Tirzahu dhe sulmoi Tifsahun, të gjithë banorët e tij dhe të zonës përreth, sepse nuk ia hapi portën. Ai e sulmoi dhe u çau barkun grave shtatzëna.
17 Në vitin e 39-të të mbretërimit të Azariahut, mbretit të Judës, Menahemi, biri i Gadit, u bë mbret i Izraelit në Samari, ku mbretëroi 10 vjet. 18 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. Gjatë gjithë jetës, nuk hoqi dorë nga tërë mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 19 Puli,+ mbreti i Asirisë, erdhi kundër vendit, prandaj Menahemi i dha atij 1.000 talenta* argjendi, me qëllim që Puli ta ndihmonte të forconte pushtetin mbretëror.+ 20 Menahemi e siguroi këtë argjend nga Izraeli; ua mori burrave të shquar dhe të pasur.+ Ai i dha mbretit të Asirisë 50 sikla* argjendi për çdo burrë. Kështu mbreti i Asirisë u tërhoq dhe nuk qëndroi në atë vend. 21 Pjesa tjetër e historisë së Menahemit,+ gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 22 Në fund Menahemi u preh me paraardhësit e vet; në vend të tij u bë mbret i biri, Pekahiahu.
23 Në vitin e 50-të të mbretërimit të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahiahu, biri i Menahemit, u bë mbret i Izraelit në Samari, ku mbretëroi dy vjet. 24 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. Nuk hoqi dorë nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 25 Më pas Pekahu,+ biri i Remaliahut, adjutanti i tij,* komplotoi kundër Pekahiahut dhe e vrau në Samari, në kullën e fortifikuar të shtëpisë së mbretit, bashkë me Argobin dhe Ariehun. Me të ishin 50 burra të Galadit; pasi e vrau, u bë mbret në vend të tij. 26 Pjesa tjetër e historisë së Pekahiahut, gjithçka bëri, është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit.
27 Në vitin e 52-të të mbretërimit të Azariahut, mbretit të Judës, Pekahu,+ biri i Remaliahut, u bë mbret i Izraelit në Samari, ku mbretëroi 20 vjet. 28 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait. Nuk hoqi dorë nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ 29 Në ditët e Pekahut, mbretit të Izraelit, Tiglath-Pileseri,+ mbreti i Asirisë, u nis dhe pushtoi Ijonin, Abel-Beth-Makahun,+ Janoahun, Kedeshin,+ Hazorin, Galadin,+ si edhe Galilenë, pra gjithë vendin e Neftalit,+ e banorët e tyre i çoi në mërgim në Asiri.+ 30 Në fund Hoshea,+ biri i Elahut, thuri një komplot kundër Pekahut, birit të Remaliahut. Ai e goditi atë, e vrau dhe u bë mbret në vend të tij në vitin e 20-të të mbretërimit të Jotamit,+ birit të Uziahut. 31 Pjesa tjetër e historisë së Pekahut, gjithçka bëri, është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit.
32 Në vitin e dytë të mbretërimit të Pekahut, birit të Remaliahut, mbretit të Izraelit, u bë mbret Jotami,+ biri i Uziahut,+ mbretit të Judës. 33 Ai ishte 25 vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi 16 vjet në Jerusalem. Nëna e tij quhej Jerusha dhe ishte vajza e Sadokut.+ 34 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait, tamam si kishte bërë i ati, Uziahu.+ 35 Mirëpo vendet e larta nuk u hoqën dhe populli flijonte ende në këto vende e paraqiste në to tym blatimesh.+ Jotami ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë së Jehovait.+ 36 Pjesa tjetër e historisë së Jotamit, gjithçka bëri, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 37 Në atë kohë, Jehovai e nxiti Rezinin, mbretin e Sirisë, dhe Pekahun,+ birin e Remaliahut, që të fillonte të sulmonte Judën.+ 38 Në fund Jotami u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën me ta në Qytetin e Davidit, paraardhësit të tij; në vend të tij u bë mbret i biri, Akazi.