KUSHI
1. Bir i Kamit që përmendet i pari dhe baba i gjashtë djemve: Sebës, Havilahut, Sabtahut, Raamahut, Sabtekait dhe Nimrodit. (Zn 10:6-8; 1Kr 1:8-10) Kushi dhe pasardhësit e tij renditen mes atyre prej të cilëve «kombet u shpërndanë nëpër tokë pas përmbytjes». (Zn 10:32) Prandaj, ndonëse në tregimin e Zanafillës nuk jepen hollësi për Kushin si individ, emri i tij është përdorur në Shkrimet Hebraike për të treguar pasardhësit e tij dhe vendin ose rajonet ku u vendosën ata, siç përshkruhet edhe te Kushi nr. 2.
Megjithatë, shihet qartë që Kushi është një nga paraardhësit kryesorë (ndoshta bashkë me Putin) të degës lëkurëzeshkët të familjes njerëzore (Jr 13:23), siç vërehet edhe nga rajonet ku u vendosën me banim disa pasardhës të tij. Kjo hedh poshtë teorinë e atyre që në mënyrë të gabuar përpiqen ta lidhin mallkimin që iu dha Kanaanit me negrit ose zezakët, pasi Kanaani, vëllai i Kushit, nuk pati asnjë pasardhës negër, përkundrazi, ai ishte paraardhësi i fiseve të ndryshme kananite në Palestinë. (Zn 9:24, 25; 10:6) Kështu, sipas Shkrimeve, nuk ka kurrfarë lidhjeje mes ngjyrës së errët të lëkurës të disa prej pasardhësve të Kushit dhe mallkimit që iu dha Kanaanit.
2. Përveç përdorimit të këtij emri në tregimet gjenealogjike te Zanafilla kapitulli i 10-të e 1 Kronikave kapitulli i 1-rë, si dhe në rastet e Kushit nr. 3-5, në të gjitha vargjet e tjera, emri Kush lidhet me pasardhësit e këtij biri të Kamit dhe me vendin ku banonin.
Emri i Kushit, nëpërmjet birit të tij Nimrod, lidhet me Babelin dhe me mbretërinë që themeloi Nimrodi pas Përmbytjes. (Zn 10:8-12) Disa e lidhin emrin e Kushit me qytetin e lashtë të Kishit, i zbuluar nga gërmimet e bëra në Mesopotaminë e Poshtme pranë Babilonisë dhe që thuhet se ishte qyteti ku perandorët babilonas të mijëvjeçarit të tretë p.e.s. morën titullin «mbret i botës». Një dokument i lashtë i quajtur «Lista e mbretërve sumerianë», edhe pse plot me gojëdhëna, përmban këtë deklaratë: «Pasi Përmbytja përfshiu (tokën) (dhe) kur mbretëria zbriti (përsëri) nga qielli, mbretëria ishte (në fillim) në Kish.» (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 265) Për këtë qytet të lashtë, profesori Ollbrajt thotë: «Kishi nuk përmendet në Bibël, vetëm në qoftë prototipi i Kushit te Zan. 10:8, dhe ka shumë të ngjarë të jetë kështu. Sido që të jetë, ka mundësi që Nimrodi të konsiderohej sundimtari i parë i Kishit.» (Analytical Concordance to the Bible, nga Jongu, shtojca «Zbulime të kohëve të fundit në vendet biblike», nga U. Ollbrajti, 1955, f. 14) Kështu, edhe pse Babilonia më vonë iu nënshtrua plotësisht sundimit semit, duket se ka dëshmi historike që përputhen me atë që thotë Bibla, domethënë se ajo zonë në lashtësi sundohej nga kushitët.
‘Vendi i Kushit.’ ‘Vendi i Kushit’ i përmendur te Zanafilla 2:13 si një vend që në fillim ishte rrethuar nga lumi Gihon—një nga katër degët ‘e lumit që dilte nga Edeni’—nuk dihet ku ndodhej me siguri. (Zn 2:10) Në këtë varg, për fjalën hebraike «Kushi» përkthyesit e Septuagintës vendosën emrin grek Etiopia. Edhe pse në lashtësi emri Kushi ka qenë deri diku sinonim i Etiopisë së lashtë, nuk ka baza për të thënë se te Zanafilla 2:13 bëhet fjalë medoemos për të. Historiani Jozef ndjek përkthimin e Septuagintës dhe e lidh lumin Gihon me Nilin. (Antikitete judaike, I, 39 [i, 3]) Mirëpo një lidhje e tillë do të ishte vërtet e pamundur, meqë Gihoni dilte nga i njëjti burim nga dilnin edhe lumenjtë Eufrat e Tigër, vetëm po të hamendësojmë se Përmbytja mbarëbotërore të ketë sjellë ndryshime ekstreme në topografinë e zonës.
Prandaj disa studiues e lidhin termin «Kushi» te Zanafilla 2:13 me popullin kasu ose kasitët e mbishkrimeve asiriane, një popull që nuk i dihet mirë prejardhja dhe që banonte në jugperëndim të rrafshnaltës iraniane. Në një artikull të P. Englishit (Journal of Near Eastern Studies, 1959, vëll. XVIII, f. 49-53) paraqiten dëshmi për një popullsi negre që në kohët e lashta banonte në zonën që ndodhej në skajin juglindor të Detit të Zi dhe më vonë në Kaukaz, një rajon më në veri. Aty hidhet hipoteza për një lidhje të emrave të rajoneve të Abkazias e Kazarias, ku banonin fise të tilla, me vendin biblik të Kushit. Sigurisht, ekziston edhe mundësia që Kushi te Zanafilla 2:13 të përfaqësojë disa kushitë që nuk shtegtuan në jug me gjithë familjen e kushitëve, por u vendosën në rajonin e Azisë së Vogël që u përmend sipër.
Të tjerë mendojnë se ‘vendi i Kushit’ i rrethuar nga Gihoni gjendej në Gadishullin Arabik, meqë te Habakuku 3:7 emri ‘Kushan’ është përdorur paralelisht me ‘vendin e Midianit’, i cili në përgjithësi pranohet se ndodhej në afërsi të gjirit të ʽAkabës. Kur gruaja midianite e Moisiut, Zipora, quhet «kushite», ndoshta bëhet fjalë pikërisht për këtë «Kush» të Arabisë.—Da 18:1-5; Nu 12:1.
Pas Kullës së Babelit. Për shkak të ngatërrimit të gjuhëve në Babel, popullsia u shpërnda dhe shumica e pasardhësve të Kushit duket se shtegtuan në jug. Nuk dihet nëse mbërritën në Afrikë duke përshkuar në fillim Gadishullin Arabik dhe ngushticën e Bab-el-Mandebit apo nëse u vendosën në fillim në Afrikë e pastaj shkuan në Arabi, edhe pse fakti që «Kushin» zakonisht e lidhin me Afrikën mund të mbështetë variantin e dytë. Emrin e Sebës, birit të Kushit, e lidhin me Afrikën Lindore, ndërsa emrat e Havilahut, Sabtahut, Raamahut dhe Sabtekait në përgjithësi i lidhin me rajone të Gadishullit Arabik. (Shih artikujt përkatës për secilin emër.) Vlen të përmendet se, ndërsa emrat e këtyre bijve janë ruajtur nëpërmjet fiseve që rrodhën prej tyre, me Nimrodin nuk duket se ka ndodhur kështu, sepse ai shfaqet në historinë e lashtë vetëm si emër i një individi. Kjo mund të tregojë se Nimrodi nuk pati fëmijë.
Ndonëse në Arabi kishte kushitë, në Bibël emri «Kushi» në shumicën e rasteve është e qartë se përdoret për një rajon të Afrikës dhe, aty ku kjo lidhje është e dukshme, përkthyesit e përkthejnë «Kushin» si «Etiopi». Zakonisht përmendet bashkë me Egjiptin (Is 20:3-5; 43:3; Jr 46:7-9) dhe me Libinë. (2Kr 12:2, 3; Dn 11:43; Na 3:9) Tek Isaia 11:11 lexojmë emrat e lashtë gjeografikë të rajoneve të ndryshme në jug të deltës së Nilit: «Egjipti» (ose «Mizraimi», këtu Egjipti i Poshtëm), «Patrosi» (Egjipti i Sipërm) dhe «Kushi» (Nubi-Etiopia). Ezekieli 29:10 flet për shkretimin e Egjiptit «nga Migdoli deri në Sienë, madje, deri në kufi me Etiopinë [Kushin, shën., NW]». Pra, duket që Kushi ose Etiopia e lashtë gjendej përtej Sienës (Asuanit të sotëm) dhe, sipas dëshmive arkeologjike, shtrihej në jug ndoshta deri te Hartumi i kohës sonë. Kështu Kushi përfshinte kryesisht gjysmën veriore të Sudanit të sotëm dhe pjesën më jugore të Egjiptit të ditëve tona. ‘Lumenjtë e Etiopisë [Kushit]’ mendohet të kenë qenë Nili i Kaltër e Nili i Bardhë, të cilët bashkohen në Hartum, si dhe Atbara, që bashkohet me Nilin në jug të ujëvarës së pestë.—So 3:10.
‘Arabët që ishin anash etiopasve [heb., ĥushím]’ (2Kr 21:16) mund të kenë qenë ato fise arabe që zinin bregun jugperëndimor të Gadishullit Arabik, përballë Afrikës, në anën tjetër të Detit të Kuq.
Pjesa më e madhe e Kushit duhet të ketë qenë e thatë dhe e shkretë. ‘Rajoni i lumenjve të Etiopisë’ përshkruhet si «vendi i insekteve zukatëse» (Is 18:1), ndoshta duke iu referuar karkalecave që vërshonin në Etiopi dhe Egjipt. Por, disa mendojnë se ato ishin mushkonja, dhe të tjerë akoma tregojnë se fjala hebraike «zukatëse» (celacál) i përngjan nga tingulli emrit që i kanë vënë mizës cece (calcalja) fiset Gala (popullsi kamite që jeton në Etiopinë e sotme). Fildishi, abanozi, ari, gurët e çmuar, hekuri dhe erëzat ishin prodhime të vendit dhe Bibla flet për «tregtarët e Etiopisë» (Is 45:14) e ‘topazin e Kushit’.—Jb 28:19.
Historia e mëvonshme. Kushi, ose Etiopia, ishte nën sundimin e Egjiptit rreth periudhës së daljes së izraelitëve nga Egjipti, dhe mbeti ashtu për gati 500 vjet. Këtë territor të faraonit të Egjiptit e administronte një mëkëmbës me titull «biri i mbretit në Kush». Duket se aty nga fundi i mijëvjeçarit të dytë p.e.s. Etiopia u çlirua nga kontrolli egjiptian. Si kryeqytet i Etiopisë u zgjodh në fillim Napata, pranë ujëvarës së katërt, dhe më vonë Meroe, rreth 210 km në veri-verilindje të Hartumit.
Luftëtarët etiopas bënin pjesë në ushtrinë e faraonit Shishak që sulmoi Judën në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit (993 p.e.s.). (2Kr 12:2, 3) Pas vitit të dhjetë të mbretërimit të Asës, ose rreth vitit 967 p.e.s., etiopasi Zerah marshoi kundër Judës me një ushtri prej një milion burrash, por pësoi disfatë të plotë në Mareshah.—2Kr 14:1, 9-15; 16:8.
Historia botërore tregon se nga fundi i shekullit të tetë p.e.s. Etiopia pushtoi Egjiptin dhe sundoi mbi të për gati 60 vjet. Kjo ndodhi gjatë «Dinastisë XXV (etiopase)», ndër sundimtarët e së cilës përfshihej edhe mbreti Taharka, i quajtur Tirhakah në Bibël. Ky mbret doli kundër forcave të Senakeribit kur ato sulmuan Judën (732 p.e.s.) por, sipas mbishkrimeve asiriane, u mund në Elteke(h).—2Mb 19:9; Is 37:8, 9.
Egjiptin e pushtuan dy perandorë asirianë: Esar-Hadoni dhe Ashurbanipali. Kur Ashurbanipali (rr. 684 p.e.s.) shkatërroi Tebën në Egjiptin e Sipërm (i quajtur No-Amon te Na 3:8-10), Egjipti u vu krejtësisht nën zgjedhën asiriane dhe mori fund edhe sundimi etiopas në luginën e Nilit. Kështu u përmbush profecia e shpallur rreth gjysmë shekulli më parë nga profeti Isaia.—Is 20:3-6.
Në betejën e Karkemishit në vitin 625 p.e.s., forcat etiopase ishin pjesë e ushtrisë së faraonit Neko që u mund nga Nabukodonosori. (Jr 46:2, 9) Pushtimi i mëvonshëm i Egjiptit nga Nabukodonosori (ndoshta në vitin 588 p.e.s.) do të sillte «dhembje të forta» në Kush dhe ‘do t’i fuste dridhmat Etiopisë [Kushit] që i besonte shumë vetes’.—Ezk 29:19; 30:4-9.
Mbreti pers Kambisi II (529-522 p.e.s.) shtiu në dorë Egjiptin gjatë mbretërimit të faraonit Psamtik III, duke i hapur rrugën kështu nënshtrimit të Etiopisë nga Persia; prandaj, mund të thuhej se Asueri (Kserksi I) mbretëronte «nga India deri në Etiopi [Kush]». (Es 1:1; 8:9) Këtë e mbështetin edhe fjalët e Kserksit, i cili në një mbishkrim thotë: «Këto janë vendet—përveç Persisë—ku unë mbretëroj . . . India . . . (dhe) Kushi.»—Ancient Near Eastern Texts, f. 316.
Ishte parathënë se të mërguarit judenj do të ktheheshin në mëmëdhe nga vende të largëta, përfshirë edhe Kushin. (Is 11:11, 12; krahaso So 3:10.) Në profecinë e Danielit për «kohën e fundit», thuhet se Etiopia dhe Libia ‘do të ndiqnin gjurmët’ e ‘mbretit të veriut’ agresiv, që do të thotë se do t’i bindeshin drejtimit të tij. (Dn 11:40-43) Etiopia (Kushi) do të përfshihet edhe mes forcave të liga luftarake ‘të Gogut të vendit të Magogut’ kur ai të sulmojë furishëm «në vitet e fundit» popullin e rimbledhur të Jehovait. (Ezk 38:2-5, 8) E megjithatë, psalmisti parathotë me një ton miratues se Kushi do të llogaritet mes atyre që do t’i sjellin dhurata Perëndisë.—Ps 68:29-32.
3. Në mbishkrimin e Psalmit 7 thuhet se psalmi është «për fjalët e Kushit, beniaminitit». Ky person nuk përmendet më në vend tjetër. Nëse psalmi bën fjalë për fillimet e historisë së Davidit, Kushi mund të ketë qenë ndonjë kundërshtar i Davidit në oborrin e Saulit; nëse bëhet fjalë për një periudhë më të vonshme, emri mund të jetë përdorur në mënyrë enigmatike për Shimein, beniaminitin që mallkoi Davidin.—2Sa 16:5-8.
4. I ati i profetit Sofonia.—So 1:1.
5. Paraardhës i Jehudit, i cili shërbente në oborrin e mbretit Jehojakim.—Jr 36:14.