Gëzim për ata që ecin në dritë
«Ejani dhe le të ecim në dritën e Jehovait!»—ISAIA 2:5, BR.
1, 2. (a) Sa e rëndësishme është drita? (b) Përse është kaq serioz paralajmërimi që errësira do të mbulojë tokën?
JEHOVAI është Burimi i dritës. Bibla e quan si atë «që ka dhënë diellin për dritën e ditës dhe i ka dhënë ligje hënës dhe yjeve për dritën e natës». (Jeremia 31:35; Psalmi 8:3) Ai ka krijuar diellin tonë, i cili është vërtet një furrë gjigante bërthamore që lëshon në hapësirë sasi shumë të mëdha energjie, një pjesë të së cilës në formën e dritës dhe të nxehtësisë. Përqindja shumë e vogël e energjisë që na vjen si dritë e diellit, mbështet jetën në këtë tokë. Pa dritën e diellit, nuk do të mund të ishim. Toka do të ishte një planet pa jetë.
2 Me këtë në mendje, mund ta kuptojmë sa serioze është kjo gjendje që përshkroi profeti Isaia. Ai tha: «Ja, vetë errësira do të mbulojë tokën dhe terri i dendur grupet kombëtare.» (Isaia 60:2, BR) Sigurisht, kjo nuk ka të bëjë me errësirën në kuptimin fizik. Isaia nuk donte të thoshte se ndonjë ditë dielli, hëna dhe yjet do të pushonin së ndriçuari. (Psalmi 89:36, 37; 136:7-9) Përkundrazi, po fliste për errësirën frymore. Por errësira frymore është vdekjeprurëse. Në fund të fundit, nuk jetojmë dot pa dritën frymore, ashtu si nuk mund të jetojmë pa dritën fizike.—Luka 1:79.
3. Duke pasur parasysh fjalët e Isaisë, çfarë duhet të bëjnë të krishterët?
3 Duke pasur parasysh këtë, është me interes të madh të vërejmë se ndonëse u përmbushën në Judën e lashtë, fjalët e Isaisë po përmbushen në shkallë më të madhe sot. Pikërisht, në kohën tonë bota është e mbështjellë në errësirë frymore. Në një gjendje të tillë të rrezikshme, drita frymore është me rëndësi jetike. Ja përse të krishterët bëjnë mirë t’i vënë veshin nxitjes së Jezuit: «Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve.» (Mateu 5:16) Të krishterët besimplotë mund të bëjnë dritë në errësirë për njerëzit e butë, duke u dhënë kështu mundësinë që të fitojnë jetën.—Gjoni 8:12.
Kohë të errëta në Izrael
4. Kur u përmbushën fillimisht fjalët profetike të Isaisë, por cila gjendje ishte tashmë në ditët e tij?
4 Fjalët e Isaisë për errësirën që mbulon tokën u përmbushën fillimisht kur Juda gjendej e shkretuar dhe populli i saj ishte i mërguar në Babiloni. Megjithatë, edhe para kësaj, që në ditët e Isaisë, pjesa më e madhe e kombit ishte mbështjellë tashmë në errësirë frymore, një fakt që e shtyu atë t’i nxiste bashkëkombësit e tij: «O njerëz të shtëpisë së Jakobit, ejani dhe le të ecim në dritën e Jehovait!»—Isaia 2:5, BR; 5:20.
5, 6. Cilët faktorë ndikuan në errësirën e ditëve të Isaisë?
5 Isaia profetizoi në Judë «në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Akazit dhe të Hezekisë, mbretër të Judës». (Isaia 1:1, BR) Ishte një kohë e turbullt me trazira politike, hipokrizi fetare, korrupsion gjyqësor dhe shtypje të të varfërve. Madje, edhe gjatë mbretërimit të mbretërve besimplotë si Jothami, në shumë maja kodrash shiheshin altarë të perëndive të rremë. Nën mbretërit jobesimplotë, gjendja ishte edhe më keq. Për shembull, mbreti i lig Akaz shkoi deri aty sa flijoi fëmijën e tij në një flijim ritual drejtuar perëndisë Molek. Ishin vërtet në errësirë!—2 Mbretërve 15:32-34; 16:2-4.
6 Edhe gjendja ndërkombëtare ishte e zymtë. Në kufij, Judës i kanosej rreziku nga Moabi, Edomi dhe Filisteja. Mbretëria veriore e Izraelit, ndonëse kishte lidhje gjaku me Judën, ishte një armik i saj i betuar. Më në veri, Siria kërcënonte paqen e Judës. Edhe më e rrezikshme ishte Asiria mizore, e cila ishte gjithnjë në kërkim të mundësive për të zgjeruar pushtetin e saj. Gjatë kohës kur profetizoi Isaia, Asiria e pushtoi të tërë kombin e Izraelit dhe pothuajse e shkatërroi Judën. Për një periudhë, të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës, përveç Jerusalemit, ishin në duart e Asirisë.—Isaia 1:7, 8; 36:1.
7. Cilën rrugë zgjodhën Izraeli dhe Juda e si u përgjigj Jehovai?
7 Populli i besëlidhjes së Perëndisë pati katastrofa të tilla, sepse Izraeli dhe Juda nuk i kishin qëndruar besnikë. Ashtu si njerëzit e përmendur në librin e Fjalëve të urta, ata po ‘braktisnin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ’. (Fjalët e urta [Proverbat] 2:13) Megjithatë, ndonëse Jehovai ishte i zemëruar me popullin e tij, nuk i braktisi plotësisht. Përkundrazi, ngriti Isainë dhe profetë të tjerë që të siguronin dritë frymore për ata persona brenda kombit që përpiqeshin ende t’i shërbenin me besim Jehovait. Drita e siguruar nëpërmjet këtyre profetëve ishte vërtet e çmuar. Ishte jetëdhënëse.
Kohë errësire sot
8, 9. Cilët faktorë ndikojnë në errësirën e botës sot?
8 Gjendja në ditët e Isaisë ishte shumë e ngjashme me kushtet e sotme. Në kohën tonë, udhëheqësit njerëzorë i kanë kthyer shpinën Jehovait dhe Mbretit të tij të kurorëzuar, Jezu Krishtit. (Psalmi 2:2, 3) Udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim i kanë mashtruar kopetë e tyre. Këta udhëheqës pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, por, në të vërtetë, shumica e tyre mbështetin perënditë e kësaj bote: nacionalizmin, militarizmin, pasurinë dhe individët e shquar, pa përmendur këtu faktin që mësojnë doktrina pagane.
9 Në njërin vend pas tjetrit, fetë e të ashtuquajturit krishterim kanë marrë pjesë në luftëra dhe konflikte civile që përfshijnë spastrimin etnik dhe tmerre të tjera. Për më tepër, në vend që të mbajnë qëndrim pro normave morale të bazuara në Bibël, shumë kisha ose po mbyllin një sy, ose po i mbështetin aktivisht praktikat imorale, si kurvërinë dhe homoseksualizmin. Si pasojë e këtij mospranimi të normave të Biblës, kopetë e të ashtuquajturit krishterim janë si ata njerëz për të cilët foli psalmisti i lashtë: «Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr.» (Psalmi 82:5) Po, i ashtuquajturi krishterim, ngjashëm Judës së lashtë, është në errësirë të thellë.—Zbulesa 8:12.
10. Si ndriçon drita në errësirën e sotme dhe si nxjerrin dobi prej saj njerëzit e butë?
10 Në mes të kësaj errësire, Jehovai po bën që drita të ndriçojë për hir të njerëzve të butë. Për të bërë këtë, ai po përdor shërbëtorët e tij të mirosur në tokë, ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, të cilët po ‘shkëlqejnë si ndriçues në botë’. (Mateu 24:45; Filipianëve 2:15) Kjo klasë e skllavit, e mbështetur nga miliona shokë të ‘deleve të tjera’, pasqyron dritën frymore të bazuar në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. (Gjoni 10:16) Në këtë botë që gjendet në errësirë, një dritë e tillë u jep zemërbutëve shpresë, i ndihmon të kenë një marrëdhënie me Perëndinë dhe të shmangin grackat frymore. Kjo dritë është e çmuar, jetëdhënëse.
«Lavdëroj emrin tënd»
11. Çfarë të dhënash vuri në dispozicion Jehovai në ditët e Isaisë?
11 Çfarë udhëheqjeje siguroi Jehovai në ditët e errëta gjatë të cilave jetoi Isaia dhe në ditët edhe më të errëta që erdhën më pas, kur babilonasit e çuan kombin e Jehovait në mërgim? Përveçse siguroi udhëheqje morale, ai e tregoi qartë që më përpara se si do t’i përmbushte qëllimet e tij në lidhje me popullin e vet. Shqyrtoni, për shembull, profecitë e mrekullueshme që përmbajnë kapitujt 25 deri në 27 të Isaisë. Fjalët në këta kapituj tregojnë se si i trajtoi Jehovai çështjet në atë kohë dhe si e bën këtë sot.
12. Çfarë shprehjeje të çiltër thotë Isaia?
12 Së pari, Isaia deklaron: «O Jehova, ti je Perëndia im. Unë të lartësoj dhe lavdëroj emrin tënd.» Sa shprehje e çiltër lavdërimi! Por, çfarë e shtyu profetin të bënte një lutje të tillë? Një faktor kryesor zbulohet në gjysmën e dytë të vargut, ku lexojmë: «Sepse ti [Jehova] ke bërë gjëra të mrekullueshme, këshilla që nga kohë të hershme, me besnikëri dhe besueshmëri.»—Isaia 25:1, BR.
13. (a) Cila njohuri e forcoi çmueshmërinë e Isaisë për Jehovain? (b) Si mund të mësojmë nga shembulli i Isaisë?
13 Deri në ditët e Isaisë, Jehovai kishte bërë shumë gjëra të mrekullueshme për Izraelin dhe këto ishin dokumentuar me shkrim. Është e qartë se Isaia i njihte mirë këto shkrime. Për shembull, ai e dinte se Jehovai e nxori popullin e tij nga skllavëria e Egjiptit dhe i shpëtoi nga zemërimi i ushtrisë së faraonit në Detin e Kuq. E dinte se Jehovai e udhëhoqi popullin e tij nëpër shkretëtirë dhe i çoi në Tokën e Premtuar. (Psalmi 136:1, 10-26) Tregime të tilla historike treguan se Perëndia Jehova është besnik dhe i denjë për besim. ‘Këshillat’ e tij, domethënë, të gjitha gjërat që vë si qëllim, dalin të vërteta. Njohuria e saktë e siguruar në mënyrë hyjnore e forcoi Isainë që të vazhdonte të ecte në dritë. Kështu, ai ishte një shembull i shkëlqyer për ne. Nëse e studiojmë me kujdes Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe e zbatojmë në jetën tonë, edhe ne do të mbetemi në dritë.—Psalmi 119:105; 2 Korintasve 4:6.
Shkatërrohet një qytet
14. Çfarë është profetizuar për një qytet dhe cili ka të ngjarë të ishte ky qytet?
14 Një shembull i këshillave të Perëndisë gjendet tek Isaia 25:2, ku lexojmë: «Ti e ke kthyer një qytet në një pirg me gurë, një qytet të fortifikuar në një rrënojë të bërë pluhur e hi, një kullë banimi të të huajve që të mos jetë më një qytet, e cila nuk do të rindërtohet, madje, deri në kohë të pacaktuar.» (BR) Cili është ky qytet? Ka të ngjarë që Isaia të ishte duke folur në mënyrë profetike për Babiloninë. Dhe vërtet erdhi një kohë kur Babilonia u bë vetëm një pirg gurësh.
15. Cili është «qyteti i madh» sot dhe çfarë do t’i ndodhë atij?
15 A ka ndonjë barasvlerës sot qyteti i përmendur nga Isaia? Po. Libri i Zbulesës flet për «qytetin e madh që ka një mbretëri mbi mbretërit e tokës». (Zbulesa 17:18) Ky qytet i madh është «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 17:5) Sot, pjesa kryesore e Babilonisë së Madhe është i ashtuquajturi krishterim, kleri i të cilit është i pari për të kundërshtuar veprën e predikimit të Mbretërisë që bën populli i Jehovait. (Mateu 24:14) Por, ashtu si Babilonia e lashtë, Babilonia e Madhe do të shkatërrohet së shpejti, për të mos u ngritur më kurrë.
16, 17. Si e kanë lavdëruar Jehovain armiqtë e tij në kohët e lashta dhe moderne?
16 Çfarë profetizon tjetër Isaia për ‘qytetin e fortifikuar’? Duke iu drejtuar Jehovait, Isaia thotë: «Ata që janë një popull i fortë do të të lavdërojnë; qyteti i kombeve tirane do të të ketë frikë.» (Isaia 25:3, BR) Si do ta lavdëronte Jehovain ky qytet armik, «qyteti i kombeve tirane»? Mos harroni atë që i ndodhi Nabukodonosorit, mbretit më të fuqishëm të Babilonisë. Pas një përvoje kthjelluese, e cila tregoi dobësinë e tij, ai u detyrua të pranonte madhështinë e Jehovait dhe pushtetin e Tij të plotfuqishëm. (Danieli 4:34, 35) Kur Jehovai ushtron pushtetin e tij, edhe armiqtë janë të detyruar t’i pranojnë, ndonëse pa dëshirë, veprat e tij të fuqishme.
17 A u detyrua ndonjëherë Babilonia e Madhe të pranonte veprat e fuqishme të Jehovait? Po. Gjatë Luftës I Botërore, shërbëtorët e mirosur të Jehovait predikuan mes shtrëngimeve. Në vitin 1918, shkuan në mërgim frymor kur funksionarët kryesorë të Shoqatës Watch Tower u burgosën. Vepra e organizuar e predikimit pothuajse pushoi. Pastaj, në vitin 1919, Jehovai i rivendosi dhe i rigjallëroi me frymën e tij. Menjëherë pas kësaj ata iu vunë punës që të përmbushnin detyrën për ta predikuar lajmin e mirë në mbarë tokën e banuar. (Marku 13:10) E gjithë kjo ishte profetizuar në librin e Zbulesës, siç ishte profetizuar edhe pasoja që do të kishte kjo gjë te kundërshtarët e tyre. Këta i «zuri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit». (Zbulesa 11:3, 7, 11-13) Jo se të gjithë ata u kthyen në besim, por u detyruan të pranonin veprën e fuqishme të Jehovait në këtë rast, siç e kishte parathënë Isaia.
«Fortesë për të mjerin»
18, 19. (a) Përse kundërshtarët nuk ia kanë dalë mbanë të thyejnë integritetin e popullit të Jehovait? (b) Si do të mbytet «melodia e tiranëve»?
18 Tani, duke e drejtuar vëmendjen te mënyra dashamirëse se si i trajton Jehovai ata që ecin në dritë, Isaia i thotë Jehovait: «Ti je bërë një fortesë për të mjerin, një fortesë për të varfrin në ngushticën që ka, një strehë nga furtuna, një hije nga nxehtësia, kur buçima e tiranëve është si një furtunë kundër një muri. Si nxehtësia në një vend pa ujë, zhurmën e të huajve ti e fashit, nxehtësinë me hijen e një reje. Vetë melodia e tiranëve është mbytur.»—Isaia 25:4, 5, BR.
19 Që nga viti 1919, tiranët kanë provuar çdo gjë në përpjekje për të thyer integritetin e adhuruesve të vërtetë, por nuk ia kanë dalë mbanë. Përse? Sepse Jehovai është fortesa dhe streha e popullit të tij. Ai siguron hije freskuese nga nxehtësia djegëse e përndjekjes dhe qëndron si një mur i fortë kundër furtunës së kundërshtimit. Ne që ecim në dritën e Perëndisë presim të sigurt e me padurim kohën kur ‘melodia e tiranëve do të mbytet’. Po, e presim me padurim ditën kur armiqtë e Jehovait të jenë zhdukur.
20, 21. Çfarë banketi siguron Jehovai dhe çfarë do të përfshijë ky banket në botën e re?
20 Jehovai jo vetëm që i mbron shërbëtorët e tij, por bën edhe më tepër. Ai kujdeset për ta si Atë i dashur. Pasi e liroi popullin nga Babilonia e Madhe në vitin 1919, ai u shtroi përpara një banket fitoreje, një sasi të bollshme ushqimi frymor. Kjo ishte parathënë tek Isaia 25:6, ku lexojmë: «Jehovai i ushtrive me siguri do të bëjë për të gjithë popujt, në këtë mal, një banket me gjellë plot yndyrë, një banket me verë të mbajtur mbi fundërrinat e saj, me gjellë plot yndyrë e të mbushura me palcë, me verë të mbajtur mbi fundërrinat e saj e të filtruar.» (BR) Sa të bekuar jemi që marrim pjesë në këtë gosti! (Mateu 4:4) ‘Tryeza e Jehovait’ është vërtet e mbushur plot e përplot me gjëra të mira për të ngrënë. (1 Korintasve 10:21) Me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ na jepet çdo gjë, për të cilën mund të kemi nevojë në kuptimin frymor.
21 Ka edhe më tepër për të thënë për këtë banket të siguruar në mënyrë hyjnore. Gostia frymore që gëzojmë tani na sjell ndër mend bollëkun e ushqimit fizik që do të jetë në botën e re të premtuar të Perëndisë. Në atë kohë, «banketi me gjellë plot yndyrë» do të përfshijë ushqim fizik me bollëk. Asnjë nuk do të ketë përse të jetë i uritur në kuptim fizik ose frymor. Çfarë lehtësimi do të jetë ky për ata persona të dashur besimplotë të cilët tani vuajnë për shkak të ‘mungesave të ushqimit’ të parathëna, të cilat janë pjesë e ‘shenjës’ së pranisë së Jezuit! (Mateu 24:3, 7) Për ta, fjalët e psalmistit janë vërtet ngushëlluese. Ai tha: «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve [do të ketë vërshim, BR].»—Psalmi 72:16.
22, 23. (a) Cila ‘pëlhurë e endur’ ose ‘mbështjellëse’ do të zhduket dhe si? (b) Si do të hiqet ‘sharja e popullit të Jehovait’?
22 Tani dëgjoni këtë premtim edhe më të mrekullueshëm. Duke e krahasuar mëkatin dhe vdekjen me një ‘pëlhurë të endur’ ose me një ‘mbështjellëse’, Isaia thotë: «Në këtë mal, [Jehovai] do të gëlltitë me siguri faqen e mbështjellëses që mbështjell popujt dhe pëlhurën e endur që është endur mbi të gjitha kombet.» (Isaia 25:7, BR) Vetëm mendoni! Mëkati dhe vdekja, të cilët kanë rënduar mbi njerëzimin si një mbulesë mbytëse, nuk do të jenë më. Sa me dëshirim e presim ditën kur dobitë e flijimit shpërblyes të Jezuit të zbatohen plotësisht për njerëzimin e bindur e besimplotë!—Zbulesa 21:3, 4.
23 Duke folur për atë kohë të lavdishme, profeti i frymëzuar na siguron: «[Perëndia] do të gëlltitë me të vërtetë vdekjen një herë e përgjithmonë dhe Zotëria Sovran Jehova do të thajë me siguri lotët nga çdo fytyrë. Ai do të heqë sharjen e popullit të tij nga e gjithë toka, sepse këtë e ka thënë vetë Jehovai.» (Isaia 25:8, BR) Asnjë njeri nuk do të vdesë nga shkaqe natyrore ose nuk do të qajë sepse ka humbur një person të dashur. Çfarë ndryshimi bekimprurës do të jetë! Për më tepër, asgjëkundi në tokë nuk do të dëgjohet sharja dhe propaganda gënjeshtare që kanë duruar për kaq shumë kohë Perëndia dhe shërbëtorët e tij. Përse jo? Sepse Jehovai do të zhdukë burimin e tyre, atin e gënjeshtrës, Satana Djallin, së bashku me farën e Satanait.—Gjoni 8:44.
24. Si u përgjigjen ata që ecin në dritë veprave të fuqishme që bën Jehovai për ta?
24 Pasi meditojnë për këto shfaqje të fuqisë së Jehovait, ata që ecin në dritë janë të nxitur të thërrasin: «Ja, ky është Perëndia ynë. Kemi shpresuar tek ai dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Jehovai. Kemi shpresuar tek ai. Le të gëzojmë e të ngazëllojmë për shpëtimin që vjen prej tij.» (Isaia 25:9, BR) Së shpejti, njerëzimi i bindur do të ketë çdo arsye për t’u gëzuar. Errësira do të zhduket plotësisht dhe personat besimplotë do të mbulohen nga drita e Jehovait për gjithë përjetësinë. A mund të ketë ndonjë shpresë më të lavdishme se kjo? Patjetër që jo!
A mund ta shpjegoni?
• Përse sot është jetësore të ecim në dritë?
• Përse e lavdëroi Isaia emrin e Jehovait?
• Përse armiqtë nuk do t’ia thyejnë kurrë integritetin popullit të Perëndisë?
• Çfarë bekimesh të pasura i presin ata që ecin në dritë?
[Figura në faqet 12, 13]
Banorët e Judës ia flijonin fëmijët Molekut
[Figurat në faqen 15]
Njohuria për veprat e fuqishme të Jehovait e nxiti Isainë të lavdëronte emrin e Jehovait
[Figura në faqen 16]
Të drejtët do të mbulohen nga drita e Jehovait përgjithmonë