ARTIKULLI I STUDIMIT 29
A je gati për shtrëngimin e madh?
«Rrini gati.»—MAT. 24:44.
KËNGA 150 Jehovai të premton çlirim
PËRMBLEDHJEa
1. Pse është e mençur të përgatitemi për katastrofat?
PËRGATITJA shpëton jetë. Për shembull, kur godet një katastrofë, ata që janë të përgatitur ka më shumë gjasa të mbijetojnë dhe të jenë në gjendje të ndihmojnë të tjerët. Një organizatë humanitare në Evropë thotë: «Përgatitja e mirë mund të bëjë diferencën mes jetës a vdekjes.»
2. Pse duhet të përgatitemi për shtrëngimin e madh? (Mateu 24:44)
2 ‘Shtrëngimi i madh’ do të godasë papritur. (Mat. 24:21) Mirëpo, ndryshe nga shumë katastrofa, shtrëngimi i madh nuk do t’i zërë të gjithë në befasi. Rreth 2.000 vjet më parë, Jezui na paralajmëroi që të jemi gati për atë ditë. (Lexo Mateun 24:44.) Nëse jemi të përgatitur, do ta kemi më të lehtë ta përballojmë atë kohë të vështirë e të ndihmojmë edhe të tjerët.—Luka 21:36.
3. Si do të na ndihmojnë qëndrueshmëria, dhembshuria dhe dashuria të jemi gati për shtrëngimin e madh?
3 Të flasim për tri cilësi që mund të na ndihmojnë të bëhemi gati për shtrëngimin e madh. Si do të veprojmë nëse na kërkohet të predikojmë një mesazh fshikullues gjykimi dhe njerëzit na kundërvihen? (Zbul. 16:21) Do të na duhet qëndrueshmëri që t’i bindemi Jehovait, me besim të plotë se ai do të na mbrojë. Ç’do të bëjmë nëse vëllezërit tanë humbasin disa gjëra materiale ose gjithçka? (Hab. 3:17, 18) Do të na duhet dhembshuri që t’u shkojmë në ndihmë e t’u sigurojmë gjërat e nevojshme. Si do të reagojmë nëse, për shkak të sulmit nga një koalicion kombesh, duhet të jetojmë për njëfarë kohe në një hapësirë të vogël me shumë vëllezër e motra? (Ezek. 38:10-12) Do të na duhet dashuri e thellë për ta që ta përballojmë atë kohë të vështirë.
4. Si e tregon Bibla se duhet të vazhdojmë të zhvillojmë qëndrueshmëri, dhembshuri e dashuri?
4 Fjala e Perëndisë na nxit të vazhdojmë të zhvillojmë cilësitë e qëndrueshmërisë, dhembshurisë dhe dashurisë. Luka 21:19 thotë: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të shpëtoni jetën.» Te Kolosianëve 3:12 lexojmë: «Vishuni me . . . dhembshuri.» Dhe te 1 Selanikasve 4:9, 10 thuhet: «Vetë Perëndia ju ka mësuar që ta doni njëri-tjetrin. . . . Por ju nxitim, vëllezër, të vazhdoni kështu në masë edhe më të plotë.» Të gjitha këto vargje u drejtoheshin dishepujve që kishin treguar tashmë qëndrueshmëri, dhembshuri dhe dashuri. Gjithsesi, ata duhej të vazhdonin t’i zhvillonin këto cilësi. Njësoj duhet të bëjmë edhe ne. Prandaj, le të shqyrtojmë si e shfaqën secilën nga këto cilësi të krishterët e hershëm. Pastaj do të shohim si mund t’i imitojmë ata dishepuj, e kështu të tregojmë se jemi gati për shtrëngimin e madh.
FORCO QËNDRUESHMËRINË
5. Çfarë i ndihmoi të krishterët e hershëm të qëndronin përballë sprovave?
5 Të krishterët e hershëm duhej të tregonin qëndrueshmëri. (Hebr. 10:36) Ata kalonin probleme si të gjithë njerëzit, por veç kësaj hasnin edhe sprova besimi. Shumë të krishterë i përndiqnin jo vetëm krerët fetarë judenj e autoritetet romake, por edhe familjarët e tyre. (Mat. 10:21) Gjithashtu, brenda kongregacionit ndonjëherë u duhej të luftonin kundër ndikimit të apostatëve dhe mësimeve përçarëse që përhapnin ata. (Vep. 20:29, 30) Prapëseprapë, të krishterët e hershëm qëndruan besnikë. (Zbul. 2:3) Çfarë i ndihmoi? Ata reflektonin për shembujt e qëndrueshmërisë nga Shkrimet, si ai i Jobit. (Jak. 5:10, 11) I luteshin Jehovait për forcë. (Vep. 4:29-31) Gjithashtu përqendroheshin te të mirat që do të sillte qëndrueshmëria e tyre.—Vep. 5:41.
6. Çfarë të mëson ajo që bëri Merita për të përballuar kundërshtimin?
6 Edhe ne mund të tregojmë qëndrueshmëri nëse e bëjmë zakon të studiojmë e të meditojmë për shembujt e qëndrueshmërisë nga Fjala e Perëndisë dhe botimet tona. Tamam këto gjëra e ndihmuan Meritën, një motër në Shqipëri, që t’i bënte ballë kundërshtimit të egër nga familja. Ajo thotë: «U preka thellë kur studiova historinë e Jobit. Ai vuajti tmerrësisht—pa e ditur kush ia shkaktonte sprovat—e megjithatë tha: ‘Nga integriteti im nuk do të heq dorë derisa të vdes!’ (Jobi 27:5) Sprovat e mia dukeshin hiçgjë para sprovave të Jobit. Dhe ndryshe nga ai, unë e dija kush fshihej pas atyre sprovave.»
7. Edhe nëse nuk po kalojmë ndonjë sprovë të rëndë sot, çfarë duhet të mësojmë të bëjmë?
7 Mund ta kalitim qëndrueshmërinë edhe duke iu lutur shpesh Jehovait e duke ia hapur zemrën për të gjitha shqetësimet tona. (Filip. 4:6; 1 Sel. 5:17) Mbase tani nuk po kalon ndonjë sprovë të rëndë. Gjithsesi, a e kërkon drejtimin e Jehovait kur ndihesh i mërzitur, i pështjelluar ose sikur nuk mban dot më? Nëse e ke zakon sot t’i kërkosh ndihmë Perëndisë për problemet e përditshme, nuk do të ngurrosh ta bësh këtë edhe kur të hasësh probleme më të rënda në të ardhmen. Kështu nuk do të kesh pikë dyshimi se Jehovai e di me saktësi kur dhe si të të mbështetë.—Psal. 27:1, 3.
8. Si e tregon shembulli i Mirës se qëndrueshmëria në sprova sot mund të na ndihmojë në sprovat e ardhshme? (Jakovi 1:2-4) (Shihni edhe figurën.)
8 Ka më shumë gjasa të qëndrojmë besnikë në shtrëngimin e madh nëse tregojmë qëndrueshmëri në sprova sot. (Rom. 5:3) Pse e themi këtë? Shumë vëllezër kanë parë se çdo sprovë besimi që përballuan, i ndihmoi të qëndronin të fortë në sprovën e radhës. Qëndrueshmëria i rafinoi, duke u forcuar besimin se Jehovai është i gatshëm t’u bëhet krah. E ky besim i ndihmoi të tregonin qëndrueshmëri në sprovën tjetër. (Lexo Jakovin 1:2-4.) Mira, një pioniere në Shqipëri, ka vërejtur se qëndrueshmëria që ka treguar në të kaluarën e ka ndihmuar të vazhdojë t’u bëjë ballë problemeve. Ajo pranon se ndonjëherë ndihet sikur është e vetmja që i kanë rënë kaq shumë halle. Por pastaj kujton sa shumë ka bërë Jehovai për ta mbështetur 20 vitet e fundit dhe i thotë vetes: «Qëndro besnike. Mos lejo të shkojnë dëm gjithë ato vite dhe tërë ato beteja që ke fituar me ndihmën e Jehovait.» Edhe ti mund të meditosh si të ka ndihmuar Jehovai të tregosh qëndrueshmëri. Ji i sigurt se çdo herë që përballon një sprovë, kjo nuk i shpëton syrit të tij. E Jehovai ka për të të shpërblyer. (Mat. 5:10-12) Pastaj, kur të nisë shtrëngimi i madh, do të kesh mësuar si të tregosh qëndrueshmëri dhe do të jesh i vendosur të qëndrosh i palëkundur.
TREGO DHEMBSHURI
9. Si tregoi dhembshuri kongregacioni në Antioki të Sirisë?
9 Të shohim ç’ndodhi kur në Jude ra një zi buke e madhe. Pasi morën vesh për atë zi buke, vëllezërit në Antioki të Sirisë pa dyshim ndien dhembshuri për bashkëbesimtarët në Jude. Por jo vetëm kaq: ata e treguan dhembshurinë me vepra. «Vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë, të jepte ndihmë për vëllezërit që jetonin në Jude.» (Vep. 11:27-30) Ndonëse vëllezërit e prekur nga zia e bukës jetonin larg, kongregacioni në Antioki ishte i vendosur t’i ndihmonte.—1 Gjon. 3:17, 18.
10. Në cilat mënyra mund të tregojmë dhembshuri kur bashkëbesimtarët preken nga një katastrofë? (Shihni edhe figurën.)
10 Edhe ne sot mund të tregojmë dhembshuri kur marrim vesh se bashkëbesimtarët janë prekur nga një katastrofë. Jemi gati t’u shkojmë menjëherë në ndihmë—mbase duke pyetur pleqtë nëse mund të ndihmojmë në ndonjë projekt, duke dhuruar për veprën mbarëbotërore ose duke u lutur për ata që janë prekur nga katastrofa.b (Prov. 17:17) Për shembull, në vitin 2020 u formuan në mbarë botën mbi 950 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash, që të kujdeseshin për ata që u duhej ndihmë për shkak të pandemisë së COVID-19. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për vëllezërit e motrat që bashkëpunojnë me komitetet e ndihmës. Të motivuar nga dhembshuria, ata kanë shpërndarë ndihma materiale, i kanë ndihmuar bashkëbesimtarët të qëndrojnë të lidhur ngushtë me Jehovain dhe, në disa raste, kanë meremetuar shtëpi e vende adhurimi.—Krahaso 2 Korintasve 8:1-4.
11. Si e nderojmë Atin tonë qiellor kur tregojmë dhembshuri?
11 Kur tregojmë dhembshuri pas një katastrofe, të tjerët i vërejnë sakrificat tona. Për shembull, në vitin 2019, uragani Dorian shkatërroi një Sallë Mbretërie në ishujt Bahama. Ndërsa po rindërtonin sallën, vëllezërit pyetën një sipërmarrës që nuk ishte Dëshmitar sa do të ishte kostoja për disa punë të nevojshme. Ai u tha: «Si një dhuratë për ju, . . . dua t’i përdorni falas pajisjet dhe të mos paguani për punën e materialet. . . . Thjesht ma do zemra ta bëj këtë për organizatën tuaj. Më ka bërë shumë përshtypje dashuria që keni për miqtë tuaj.» Shumica e njerëzve në botë nuk e njohin Jehovain. Ama shumë prej tyre i kushtojnë vëmendje sjelljes së Dëshmitarëve të Jehovait. Kur tregojmë dhembshuri, njerëzit mund të duan të afrohen me Atë që është «i pasur në mëshirë» e kjo na bën me krahë!—Efes. 2:4.
12. Si përgatitemi për shtrëngimin e madh kur zhvillojmë dhembshuri sot? (Zbulesa 13:16, 17)
12 Pse do të na duhet të shfaqim dhembshuri gjatë shtrëngimit të madh? Bibla tregon se ata që nuk do ta përkrahin sistemin politik do të hasin vështirësi—qoftë tani, qoftë në shtrëngimin e madh. (Lexo Zbulesën 13:16, 17.) Vëllezërit dhe motrat mbase do të kenë nevojë t’i ndihmojmë të sigurojnë gjërat bazë. Duam që kur Mbreti ynë, Krishti Jezu, të vijë për të gjykuar njerëzit, të na gjejë duke treguar dhembshuri dhe të na ftojë ‘të trashëgojmë Mbretërinë’.—Mat. 25:34-40.
FORCO DASHURINË
13. Siç tregon Romakëve 15:7, si e forcuan dashurinë për njëri-tjetrin të krishterët e hershëm?
13 Dashuria ishte shenja dalluese e të krishterëve të hershëm. Por a e kishin të lehtë të tregonin dashuri për njëri-tjetrin? Mendo sa i larmishëm ishte kongregacioni i Romës. Përbëhej jo vetëm nga judenj që kishin mësuar qysh në fëmijëri t’i bindeshin Ligjit të Moisiut, por edhe nga njerëz të kombeve që ishin rritur krejt ndryshe. Ka shumë gjasa që disa të krishterë të kenë qenë skllevër, të tjerë njerëz të lirë, e disa madje pronarë skllevërish. Si mund t’i kapërcenin dallimet mes tyre dhe të forconin dashurinë? Apostulli Pavël i nxiti ‘ta pranonin krahëhapur njëri-tjetrin’. (Lexo Romakëve 15:7.) Ç’do të thoshte kjo? Fjala e përkthyer «pranoni krahëhapur» ka kuptimin ta presësh dikë përzemërsisht ose ta mirëpresësh, si për shembull në shtëpi ose në rrethin e miqve. Kur i tha Filemonit të mirëpriste skllavin e tij të arratisur, Onesimin, Pavli përdori këto fjalë: «Prite përzemërsisht.» (Fil. 17) Gjithashtu, Prishila dhe Akuila pranuan krahëhapur Apolin, i cili dinte më pak se ata për krishterimin. Ata «e morën me vete» dhe e mirëpritën në shtëpi. (Vep. 18:26) Të krishterët e hershëm nuk lejuan që larmia t’i përçante, por u ngritën mbi ato dallime dhe e pranuan krahëhapur njëri-tjetrin.
14. Si tregoi dashuri Ana dhe bashkëshorti i saj?
14 Edhe ne mund të tregojmë dashuri për vëllezërit e motrat duke i pranuar me përzemërsi në rrethin e miqve. Kjo shpesh i motivon edhe ata të na shfaqin dashuri. (2 Kor. 6:11-13) Të mendojmë për shembullin e Anës dhe bashkëshortit të saj. Pak pasi morën një caktim të ri si misionarë në Afrikën Perëndimore, filloi pandemia e COVID-19. Ishin të sapoardhur, ndaj nuk mund të takoheshin me vëllezërit e motrat në kongregacion. Si mund të tregonte dashuri ky çift? Me anë të videokonferencave, komunikonin me vëllezërit e motrat dhe u shprehnin dëshirën e madhe për t’i njohur më mirë. Shumë familje u prekën nga dashuria e tyre dhe filluan t’u telefononin e t’u dërgonin shpesh mesazhe. Pse u përpoq ai çift t’i njihte më mirë vëllezërit e motrat? Ana thotë: «Dashuria që na kanë treguar bashkëbesimtarët mua dhe familjes sime në kohë të mira e të vështira më është skalitur në mendje dhe në zemër. Kjo më ka motivuar t’u tregoj dashuri të tjerëve.»
15. Si mund të mësosh t’i duash të gjithë bashkëbesimtarët, siç e tregon shembulli i Vanesës? (Shihni edhe figurën.)
15 Shumë prej nesh jemi në kongregacione që përbëhen nga vëllezër e motra me formime dhe personalitete të ndryshme. Mund ta forcojmë dashurinë për ta duke u përqendruar te cilësitë e tyre të mira. Vanesa, një motër që shërben në Zelandën e re, shpesh e kishte të vështirë të shkonte mirë me disa në kongregacion. Por pastaj mori një vendim: të mos u rrinte larg atyre që kishin një personalitet që e acaronte, por të kalonte më shumë kohë me ta. Kjo e ndihmoi të dallonte çfarë i bënte të dashur për Jehovain. Ajo thotë: «Që kur bashkëshorti u bë mbikëqyrës qarkor, shoqërohemi me më shumë vëllezër e motra që kanë personalitete të ndryshme dhe e kam më të lehtë të shkoj mirë me ta. Tani më pëlqen shumë larmia. Patjetër që edhe Jehovait i pëlqen shumë, përderisa na ka mbledhur në një familje kaq të larmishme.» Kur mësojmë t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai, tregojmë se i duam.—2 Kor. 8:24.
16. Pse do të jetë jetësore dashuria gjatë shtrëngimit të madh? (Shihni edhe figurën.)
16 Dashuria do të jetë jetësore gjatë shtrëngimit të madh. Ku do të gjejmë mbrojtje kur të fillojë shtrëngimi i madh? Të mendojmë çfarë udhëzimi i dha Jehovai popullit të tij kur u sulmua Babilonia e lashtë: «Shko, populli im, hyr në dhomat e tua të brendshme, aty ku je më i sigurt, dhe mbylli dyert. Fshihu veç për një çast derisa të kalojë zemërimi.» (Isa. 26:20) Këto fjalë duket se vlejnë edhe për ne sot që kemi para shtrëngimin e madh. Shprehja «dhomat e brendshme» mund të nënkuptojë kongregacionet tona. Gjatë shtrëngimit të madh, Jehovai do të na sigurojë mbrojtjen që ka premtuar ndërsa ruajmë unitetin mes njëri-tjetrit. Ndaj sot duhet të përpiqemi fort që jo thjesht t’i tolerojmë vëllezërit e motrat, por t’i duam. Nga kjo mund të varet jeta jonë!
PËRGATITU TANI
17. Nëse përgatitemi tani, çfarë do të arrijmë të bëjmë në shtrëngimin e madh?
17 «Dita e madhe e Jehovait» do të jetë një kohë ankthi për njerëzimin. (Sof. 1:14, 15) Edhe shërbëtorët e Jehovait do të kalojnë vështirësi. Ama nëse përgatitemi tani, do të arrijmë të ruajmë qetësinë dhe të ndihmojmë të tjerët. Do të tregojmë qëndrueshmëri përballë çdo sprove që mund të hasim. Kur bashkëbesimtarët të vuajnë, do të bëjmë çmos t’i ndihmojmë duke u treguar dhembshuri dhe duke u siguruar gjërat e nevojshme. E nëse e forcojmë tani dashurinë për vëllezërit e motrat, do të qëndrojmë të lidhur ngushtë me ta. Si rezultat, Jehovai do të na shpërblejë me jetën e përhershme në një botë ku të gjitha katastrofat dhe vuajtjet do të harrohen një herë e mirë.—Isa. 65:17.
KËNGA 144 Mbaji sytë e zemrës te çmimi!
a Shtrëngimi i madh do të nisë së shpejti. Qëndrueshmëria, dhembshuria dhe dashuria do të na ndihmojnë të jemi gati për periudhën më të vështirë në historinë njerëzore. Do të shohim si i zhvilluan këto cilësi të krishterët e hershëm, si mund t’i zhvillojmë ne sot dhe si do të na përgatitin këto cilësi për shtrëngimin e madh.
b Ata që duan të ndihmojnë për një projekt në rast katastrofe, në fillim duhet të plotësojnë Kërkesën si vullnetar për projektim-ndërtim vendës (DC-50) ose Kërkesën për vullnetarë (A-19) dhe pastaj të presin që t’i ftojnë për të ndihmuar në këtë projekt.