Të kërkojmë drejtimin e Perëndisë në gjithçka
«Ky është Perëndia ynë përjetë, po, përgjithmonë. Ai do të na prijë derisa të vdesim.»—PSAL. 48:14.
1, 2. Pse duhet të ndjekim drejtimin e Jehovait, në vend që të besojmë në mençurinë tonë dhe cilat pyetje lindin?
ËSHTË e lehtë të mashtrojmë veten duke i konsideruar me vlerë gjërat që në të vërtetë janë të kota ose të dëmshme. (Prov. 12:11) Nëse vërtet duam të bëjmë diçka që nuk është e përshtatshme për një të krishterë, shpesh zemra do të sajojë arsye bindëse për ta bërë atë. (Jer. 17:5, 9) Prandaj, psalmisti tregoi mençuri kur iu lut Jehovait: «Dërgo dritën dhe të vërtetën tënde. Ato le të më prijnë.» (Psal. 43:3) Ai nuk besonte te mençuria e vet e kufizuar, por te Jehovai, dhe nuk mund të gjente drejtim më të mirë se ky. Ashtu si psalmisti, edhe ne duhet të kërkojmë drejtimin e Perëndisë.
2 Por, pse duhet të besojmë se drejtimi që na jep Jehovai është më i miri? Kur duhet ta kërkojmë atë? Cilat qëndrime duhet të zhvillojmë që të nxjerrim dobi prej tij dhe si na drejton sot Jehovai? Këto pyetje të rëndësishme do të trajtohen në këtë artikull.
Pse t’i besojmë drejtimit të Jehovait?
3-5. Për cilat arsye kemi siguri të plotë te drejtimi i Jehovait?
3 Jehovai është Ati ynë qiellor. (1 Kor. 8:6) Ai e njeh mirë secilin prej nesh dhe është në gjendje ta lexojë zemrën tonë. (1 Sam. 16:7; Prov. 21:2) Mbreti David i tha Perëndisë: «Ti e di kur ulem e kur ngrihem, shqyrton nga larg çdo mendim timin. Pa e nxjerrë ende gjuha ime fjalën, ti, o Jehova, di gjithçka.» (Psal. 139:2, 4) Meqë Jehovai na njeh kaq mirë, s’kemi arsye të dyshojmë se do më të mirën për ne. Përveç kësaj, Jehovai di gjithçka. Ai sheh gjithçka, i vështron gjërat më thellë se çdo njeri dhe e di si do të përfundojnë që kur nisin. (Isa. 46:9-11; Rom. 11:33) Ai është ‘Perëndia, i vetmi i mençur’.—Rom. 16:27.
4 Gjithashtu, Jehovai na do dhe gjithmonë dëshiron më të mirën për ne. (Gjoni 3:16; 1 Gjon. 4:8) Ngaqë është një Perëndi i dashur, ai është bujar me ne. Dishepulli Jakov shkroi: «Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore.» (Jak. 1:17) Ata që lejojnë të drejtohen nga Perëndia, nxjerrin shumë dobi nga bujaria e tij.
5 Së fundi, Jehovai është i plotfuqishëm. Në lidhje me këtë, psalmisti tha: «Ai që banon në vendin e fshehtë të Më të Lartit, do të gjejë strehë nën hijen e të Plotfuqishmit. Unë i them Jehovait: ‘Ti je streha dhe kalaja ime, Perëndia im, tek i cili do të kem besim.’» (Psal. 91:1, 2) Kur ndjekim drejtimin e Jehovait, po kërkojmë strehë te Perëndia që nuk mund të dështojë. Edhe sikur të hasim kundërshtim, Jehovai do të na mbështetë. Ai nuk do të na zhgënjejë. (Psal. 71:4, 5; Lexo Proverbat 3:19-26.) Po, Jehovai e di se ç’është më e mira për ne, na do më të mirën dhe ka fuqinë që të na japë më të mirën. Ç’marrëzi do të ishte të shpërfillnim drejtimin e tij! Por, kur kemi nevojë për këtë drejtim?
Kur kemi nevojë për drejtim?
6, 7. Kur kemi nevojë për drejtimin e Jehovait?
6 Në të vërtetë ne kemi nevojë për drejtimin e Perëndisë gjatë gjithë jetës, që nga fëmijëria e deri në pleqëri. Psalmisti tha: «Ky është Perëndia ynë përjetë, po, përgjithmonë. Ai do të na prijë derisa të vdesim.» (Psal. 48:14) Ashtu si psalmisti, të krishterët e mençur kurrë nuk reshtin së kërkuari drejtimin e Perëndisë.
7 Natyrisht, ka raste kur ndiejmë se kemi nevojë të ngutshme për ndihmë. Ndonjëherë ‘e kemi punën pisk’, ndoshta ngaqë po hasim përndjekje, kemi një sëmundje të rëndë ose papritur kemi humbur punën. (Psal. 69:16, 17) Në këto raste ngushëllohemi kur i drejtohemi Jehovait, të sigurt se do të na forcojë që të qëndrojmë dhe do të na drejtojë që të marrim vendime të mençura. (Lexo Psalmin 102:17.) Megjithatë, kemi nevojë për ndihmën e tij edhe në raste të tjera. Për shembull, kur u predikojmë të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë, kemi nevojë për drejtimin e Jehovait që dëshmia jonë të jetë e efektshme. Dhe kurdoherë që duhet të marrim një vendim—qoftë në lidhje me zbavitjen, veshjen e rregullimin, shoqëritë, punën, arsimimin ose për çdo gjë tjetër—veprojmë me mençuri vetëm nëse ndjekim udhëzimet e Jehovait. Faktikisht nuk ka situatë kur nuk kemi nevojë për drejtim.
Rreziqet që vijnë kur nuk kërkojmë drejtimin e Perëndisë
8. Çfarë nënkuptonte ngrënia e frytit të ndaluar nga Eva?
8 Mos harroni megjithatë, se duhet të jemi të gatshëm të ndjekim drejtimin e Jehovait. Perëndia nuk na detyron, nëse nuk duam. Njeriu i parë që vendosi të mos ndiqte drejtimin e Jehovait ishte Eva, dhe shembulli i saj tregon se sa i rëndë mund të jetë një vendim i keq. Mendoni edhe se çfarë nënkuptonte veprimi i saj. Eva hëngri nga fryti i ndaluar sepse donte ‘të ishte si Perëndi, të njihte të mirën dhe të keqen’. (Zan. 3:5) Duke vepruar kështu, ajo e vuri veten në vendin e Perëndisë, duke vendosur vetë ç’ishte e mirë dhe e keqe, në vend që të ndiqte udhëzimet e Jehovait. Në këtë mënyrë hodhi poshtë sovranitetin e Jehovait. Ajo donte të ishte vetë zot, vetë shkop. Burri i saj, Adami, ndoqi të njëjtën udhë rebelimi.—Rom. 5:12.
9. Çfarë jemi duke bërë në të vërtetë nëse refuzojmë drejtimin e Jehovait dhe pse kjo nuk është aspak një gjë e mençur?
9 Edhe sot, nëse nuk ndjekim drejtimin e Jehovait, nuk po pranojmë sovranitetin e tij. Mendoni për shembull dikë që e ka zakon të shohë pornografi. Nëse është pjesëtar i kongregacionit të krishterë, i njeh udhëzimet e Jehovait për këtë çështje. Gjërat e papastra madje as duhen përmendur, e jo më të shihen me epsh. (Efes. 5:3) Duke refuzuar udhëzimet e Jehovait, ky njeri po mohon sovranitetin e Tij, po refuzon kryesinë e Tij. (1 Kor. 11:3) Kjo nuk është aspak e mençur, sepse, siç tha Jeremia: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»—Jer. 10:23.
10. Pse duhet të tregohemi të përgjegjshëm në mënyrën si e përdorim vullnetin e lirë?
10 Disa mund të mos jenë dakord me fjalët e Jeremisë duke menduar se, meqë Jehovai na ka dhënë vullnetin e lirë, Ai s’ka pse të na kritikojë kur e përdorim atë. Gjithsesi, mos harroni se vullneti i lirë nuk është vetëm një dhuratë, por edhe një përgjegjësi. I japim llogari Perëndisë për gjërat që themi e bëjmë. (Rom. 14:10) Jezui tha: «Goja flet nga mbushullia e zemrës.» Gjithashtu tha: «Nga zemra vijnë arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.» (Mat. 12:34; 15:19) Pra, fjalët dhe veprat tona zbulojnë gjendjen e zemrës sonë. Ato tregojnë se si jemi në të vërtetë. Ja përse një i krishterë i mençur kërkon drejtimin e Jehovait në gjithçka. Në këtë mënyrë, Jehovai do të shohë se ai ‘ka zemër të drejtë’ dhe ‘do t’i bëjë të mira’.—Psal. 125:4.
11. Çfarë mësojmë nga historia e Izraelit?
11 Kujtoni historinë e Izraelit. Kur ky komb bëri zgjedhje të mençura, duke iu bindur urdhërimeve të Jehovait, Ai i mbrojti. (Jos. 24:15, 21, 31) Por shpesh ata e keqpërdorën vullnetin e lirë. Në kohën e Jeremisë, Jehovai tha për ta: «Nuk dëgjuan dhe as që e kthyen veshin nga unë, përkundrazi ecën sipas planeve të tyre, ecën me kokëfortësi, siç u donte zemra e tyre e ligë. Kështu ata ecën prapa, e jo përpara.» (Jer. 7:24-26) Sa keq! Mos na ndodhtë kurrë që nga kokëfortësia ose dhënia me tepri pas dëshirave tona, të refuzojmë drejtimin e Jehovait e të ecim sipas planeve tona, dhe kështu ‘të ecim prapa, e jo përpara’!
Çfarë kërkohet që të ndjekim këshillat e Perëndisë?
12, 13. (a) Cila cilësi na shtyn të ndjekim drejtimin e Jehovait? (b) Pse besimi është thelbësor?
12 Dashuria për Jehovain na shtyn të ndjekim drejtimin e tij. (1 Gjon. 5:3) Mirëpo Pavli theksoi diçka tjetër për të cilën kemi nevojë, kur tha: «Ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.» (2 Kor. 5:6, 7) Pse është i rëndësishëm besimi? E pra, Jehovai na prin nëpër «shtigjet e drejtësisë», por këto shtigje nuk na çojnë drejt pasurisë ose privilegjeve në këtë botë. (Psal. 23:3) Për këtë arsye duhet t’i përqendrojmë sytë e besimit te shpërblimet e pakrahasueshme frymore që vijnë kur i shërbejmë Jehovait. (Lexo 2 Korintasve 4:17, 18.) Si rrjedhim, besimi na ndihmon të jemi të kënaqur kur plotësojmë nevojat materiale bazë.—1 Tim. 6:8.
13 Jezui tregoi se adhurimi i vërtetë përfshin të kemi një qëndrim vetëmohues, i cili kërkon gjithashtu besim. (Luka 9:23, 24) Disa adhurues besnikë kanë bërë shumë sakrifica, kanë duruar varfërinë, shtypjen, paragjykimin, e madje përndjekjen e ashpër. (2 Kor. 11:23-27; Zbul. 3:8-10) Vetëm besimi i fortë i ndihmoi ata të duronin me gëzim. (Jak. 1:2, 3) Besimi i fortë na bën plotësisht të sigurt se ndjekja e drejtimit të Jehovait është gjithmonë rruga më e mirë. Është gjithmonë për të mirën tonë të përhershme. Nuk kemi aspak dyshim se shpërblimi për ata që qëndrojnë me besnikëri do të jetë shumë më i madh se çdo vuajtje e përkohshme.—Hebr. 11:6.
14. Pse Agarës iu desh të tregonte përulësi?
14 Të shqyrtojmë edhe rolin që ka përulësia për të ndjekur drejtimin e Jehovait. Këtë e tregon shembulli i Agarës, shërbyeses së Sarës. Ngaqë Sara nuk lindte fëmijë, i dha Abrahamit Agarën, dhe kjo mbeti shtatzënë. Atëherë, Agara u bë arrogante ndaj zonjës së saj shterpë. Për pasojë, Sara «nisi ta poshtëronte», kështu që Agara iku. Një engjëll i Jehovait i doli para Agarës dhe i tha: «Kthehu te zonja jote dhe përulu nën dorën e saj.» (Zan. 16:2, 6, 8, 9) Ndoshta Agara do të kishte parapëlqyer ndonjë drejtim tjetër. Por që të vepronte sipas drejtimit të engjëllit, ajo duhej të mos kishte më një qëndrim arrogant. Dhe në fakt Agara me përulësi bëri siç i tha engjëlli dhe djali i saj, Ismaeli, lindi në fushimin e të atit, duke qenë kështu i mbrojtur.
15. Tregoni disa raste në të cilat mund të na duhet të tregojmë përulësi, që të ndjekim drejtimin e Jehovait.
15 Ndoshta edhe ne mund të na duhet të përulemi, që të ndjekim drejtimin e Jehovait. Disa mund të kenë nevojë të pranojnë pikëpamjen se një lloj zbavitjeje që për ta është e pëlqyeshme, nuk i pëlqen Jehovait. Një i krishterë mund të ketë fyer dikë dhe duhet t’i kërkojë falje. Ose mund të ketë bërë një gabim dhe duhet ta pranojë. Por, po sikur dikush të kryejë një mëkat të rëndë? Ai duhet të përulet dhe t’ua rrëfejë mëkatin pleqve. Një individ mund edhe të përjashtohet. Që të pranohet përsëri në kongregacion duhet të pendohet me përulësi dhe të kthejë rrugë. Në këto, dhe në raste të tjera, na ngushëllojnë fjalët e Proverbave 29:23: «Fodullëku e përul njeriun, por kush ka frymën e përulësisë, do të marrë lavdi.»
Si na drejton Jehovai?
16, 17. Si mund të nxjerrim sa më shumë dobi nga Bibla që është burimi i drejtimit nga Perëndia?
16 Mënyra kryesore si na drejton Perëndia është nëpërmjet Biblës, Fjalës së tij të frymëzuar. (Lexo 2 Timoteut 3:16, 17.) Që të nxjerrim sa më shumë dobi prej kësaj Fjale, tregohemi të mençur nëse nuk presim të lindë një situatë e vështirë që pastaj të kërkojmë ndihmë në Shkrime. Përkundrazi duhet ta bëjmë zakon leximin e Biblës çdo ditë. (Psal. 1:1-3) Në këtë mënyrë, i njohim mirë fjalët e frymëzuara. I bëjmë tonat mendimet e Perëndisë dhe jemi të gatshëm për të përballuar edhe problemet e papritura.
17 Gjithashtu, është e rëndësishme të meditojmë rreth gjërave që lexojmë në Shkrime dhe të lutemi në lidhje me to. Ndërkohë që mendojmë thellë rreth vargjeve biblike, fillojmë të shqyrtojmë se si mund t’i zbatojmë në rrethana specifike. (1 Tim. 4:15) Kur hasim probleme serioze, i lutemi Jehovait duke i kërkuar ndihmë që të gjejmë drejtimin që na nevojitet. Fryma e Jehovait do të na ndihmojë të kujtojmë parimet e dobishme biblike që kemi lexuar në Bibël ose në botimet e bazuara në të.—Lexo Psalmin 25:4, 5.
18. Në cilat mënyra e përdor Jehovai vëllazërinë e krishterë që të na drejtojë?
18 Një burim tjetër i çmuar ku të kërkojmë drejtimin e Jehovait është vëllazëria e krishterë. Pjesë jetësore e kësaj vëllazërie është «skllavi i besueshëm dhe i matur», që përfaqësohet nga Trupi Udhëheqës. Ky ‘skllav’ prodhon vazhdimisht ushqim frymor në formën e botimeve dhe të programeve të mbledhjeve e të asambleve. (Mat. 24:45-47; krahaso Veprat 15:6, 22-31.) Gjithashtu, në vëllazërinë e krishterë ka individë të pjekur, sidomos pleqtë, të cilët janë të kualifikuar për të dhënë ndihmë personale dhe këshilla biblike. (Isa. 32:1) Të rinjtë në familjet e krishtere kanë edhe një ndihmë tjetër me vlerë. Ata duhet të kërkojnë gjithnjë drejtimin e prindërve të tyre, të cilët Perëndia i ka caktuar si autoritet mbi ta.—Efes. 6:1-3.
19. Çfarë bekimesh do të kemi, nëse e kërkojmë vazhdimisht drejtimin e Jehovait?
19 Po, Jehovai na ofron drejtim në mënyra të ndryshme dhe bëjmë mirë të përfitojmë plotësisht prej tyre. Duke folur për një kohë kur Izraeli ishte besnik, mbreti David tha: «Te ti kishin besim etërit tanë, te ti kishin besim dhe ti u siguroje shpëtim. Të thirrën ty dhe shpëtuan, patën besim te ti dhe nuk u turpëruan.» (Psal. 22:3-5) Nëse me besim ndjekim drejtimin e Jehovait, edhe ne ‘nuk do të turpërohemi’. Nuk do të mbetemi të zhgënjyer për shpresën tonë. Në qoftë se ‘e lëmë udhën tonë në dorë të Jehovait’ dhe nuk mbështetemi në mençurinë tonë, do të kemi shumë bekime që tani. (Psal. 37:5) Dhe, nëse qëndrojmë me besnikëri në këtë udhë, do të kemi bekime të përjetshme. Mbreti David shkroi: «Jehovai e do drejtësinë dhe nuk do t’i braktisë besnikët e vet. Ata do të jenë gjithmonë të mbrojtur. . . . Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psal. 37:28, 29.
A mund të shpjegoni?
• Pse kemi besim te drejtimi i Jehovait?
• Çfarë tregojmë kur refuzojmë drejtimin e Jehovait?
• Cilat janë disa raste kur një i krishterë ka nevojë për përulësi?
• Si na drejton sot Jehovai?
[Figurat në faqen 8]
A e kërkoni Jehovain në të gjitha fushat e jetës?
[Figura në faqen 9]
Eva e hodhi poshtë sovranitetin e Jehovait
[Figura në faqen 10]
Çfarë cilësie duhej të tregonte Agara që të ndiqte drejtimin e engjëllit?