TIRI
[shkëmb].
Porti kryesor i Fenikisë; mendohet se është Suri i ditëve tona, rreth 50 km në veri të malit të Karmelit dhe 35 km në jug-jugperëndim të Sidonit. (FIGURA, vëll. 2, f. 531 në botimin anglisht) Tiri ishte qytet i lashtë (Is 23:1, 7), por nuk dihet kur u ngrit si koloni nga sidonitët. Për të u fol për herë të parë pas pushtimit të Tokës së Premtuar rreth vitit 1467 p.e.s. kur ishte qytet i fortifikuar. Në atë rast Tiri u përmend në lidhje me kufijtë territorialë të fisit të Asherit. Që nga zanafilla e gjatë gjithë historisë së tij, Tiri me sa duket mbeti jashtë kufijve të Izraelit si një fqinj i pavarur.—Js 19:24, 29; 2Sa 24:7.
Hera-herës, mes Tirit dhe Izraelit kishte marrëdhënie miqësie, veçanërisht gjatë mbretërimit të Davidit dhe të Solomonit. Mjeshtra nga Tiri morën pjesë në ndërtimin e pallatit mbretëror të Davidit me dru cedri, që i dërgoi Hirami, mbreti i Tirit. (2Sa 5:11; 1Kr 14:1) Gjithashtu, tirasit e furnizuan Davidin me cedra që u përdorën më pas për ndërtimin e tempullit.—1Kr 22:1-4.
Pas vdekjes së Davidit, mbreti i Tirit, Hirami, i dha Solomonit materiale e ndihmë për të ndërtuar tempullin dhe ndërtesa qeveritare. (1Mb 5:1-10; 7:1-8; 2Kr 2:3-14) Për ndërtimin e tempullit u mor në punë biri i një izraeliteje dhe i një bakërpunuesi të zotë nga Tiri. (1Mb 7:13, 14; 2Kr 2:13, 14) Tirasit morën si shpërblim grurë, elb, vaj dhe verë për ndihmën që dhanë. (1Mb 5:11, 12; 2Kr 2:15) Veç kësaj, Solomoni i dha 20 qytete mbretit të Tirit, paçka se monarku tiras nuk mbeti edhe aq i kënaqur nga dhurata.—1Mb 9:10-13.
Dalëngadalë Tiri u bë një nga fuqitë e mëdha detare të botës së lashtë. Marinarët e tij dhe flota tregtare e anijeve «të Tarshishit» ishin të famshëm për udhëtimet në vende të largëta. Solomoni dhe mbreti i Tirit bashkëpunuan në një aktivitet detar për importimin e mallrave të çmuara, si ari i Ofirit.—1Mb 9:26-28; 10:11, 22; 2Kr 9:21.
Pavarësisht nga gjithë këto lidhje me Izraelin, nuk ka asnjë tregues që tirasit si popull të jenë interesuar për adhurimin e Jehovait; marrëdhënia mes dy popujve ishte kryesisht tregtare. Me origjinë ishin kananitë dhe si fe praktikonin një kult të Baalit, ndërkohë që kishin perëndi kryesore Melkartin dhe Astartën (Ashtorethin). Në kohën kur Etbaali ishte mbret i sidonitëve (përfshirë edhe Tirin), bija e tij, Jezebela, u martua me Akabin, mbretin e mbretërisë veriore të Izraelit. Jezebela ishte famëkeqe për përpjekjet ngulmuese që të zhdukte adhurimin e Jehovait.—1Mb 16:29, 31; 18:4, 13, 19.
Dënimi nga Perëndia. Sidoqoftë, Tiri nuk e mori dënimin e rëndë hyjnor për shkak të ligësisë së Jezebelës dhe të bijës së saj, Atalisë. Tiri u bë madhështor në kurriz të popujve të tjerë, mes të cilëve edhe Izraeli. Ai prodhonte artikuj metali, qelqi e bojëra të purpurta, ishte qendër tregtare për karvanët dhe depo e madhe import-eksporti. Ky zhvillim industrial dhe tregtar e bëri të pasur, mendjemadh e krenar. Tregtarët dhe shitblerësit e tij mburreshin se ishin princat dhe të nderuarit e tokës. (Is 23:8) Veç kësaj, Tiri dalëngadalë zhvilloi qëndrim armiqësor kundrejt Jehovait dhe komplotoi me kombet fqinje kundër popullit të Tij. (Ps 83:2-8) Kështu, ngaqë iu kundërvu me paturpësi Jehovait, si përfundim mori gjykimin e pafavorshëm, ra dhe u shkatërrua.
Nga fundi i shekullit të 9-të p.e.s., Jehovai i kushtoi vëmendje qëndrimit arrogant të qytetit. Prandaj e paralajmëroi se do t’ia kthente po njësoj, pasi i kishte zhvatur popullit të Tij ar, argjend e plot gjëra të tjera të dëshirueshme për të zbukuruar tempujt e vet. Tiri duhej të jepte llogari edhe ngaqë e kishte shitur si skllav popullin e Perëndisë.—Jo 3:4-8; Am 1:9, 10.
Më vonë, profeti Isaia shkroi një tjetër shpallje kundër Tirit, që tregonte se qyteti do të harrohej «për shtatëdhjetë vjet». (Is 23:1-18) Vite më pas, profeti Jeremia e përfshiu Tirin mes kombeve që do të pinin verën e tërbimit të Jehovait. (Jr 25:8-17, 22, 27; 27:2-7; 47:2-4) Meqë në profecinë e Jeremisë u tha se ato kombe ‘do t’i shërbenin shtatëdhjetë vjet mbretit të Babilonisë’ (Jr 25:8-11), kjo lë të kuptohet se edhe profecia e Isaisë, edhe ajo e Jeremisë kishin lidhje me fushatën ushtarake të Nabukodonosorit kundër Tirit.
Po ashtu, nëpërmjet Ezekielit, një bashkëkohësi të Jeremisë, Jehovai tregoi se Tirit do t’i vinte gjëma nga Nabukodonosori. (Ezk 26:1–28:19) Ndonëse u krahasua me një anije të bukur me vela ngjyra-ngjyra, me mbulesa në kuvertë dhe bash të zbukuruar me fildish, Tiri do të fundosej në det të hapur. (Ezk 27:3-36) ‘Mbreti’ i Tirit (me sa duket dinastia mbretërore e Tirit) thoshte tërë fodullëk: «Unë jam perëndi. Jam ulur në vendin e perëndisë.» Mirëpo do të dëbohej si i përdhosur dhe do të shkatërrohej nga zjarri.—Ezk 28:2-19.
Shkatërrimi i qytetit. Në kohën e rrethimit të gjatë të Tirit nga Nabukodonosori, kokat e ushtarëve të tij «u bënë tullace» ngaqë fërkoheshin me përkrenaret dhe supet e tyre «u bënë mish» ngaqë mbartnin materiale për ndërtimin e murit dhe ledhit rrethues. Nabukodonosori nuk mori ndonjë «shpërblim» që shërbeu si mjeti i Jehovait për të ekzekutuar gjykimin kundër Tirit, prandaj Ai premtoi se do ta shpërblente me pasurinë e Egjiptit. (Ezk 29:17-20) Sipas historianit jude Jozef, rrethimi zgjati 13 vjet (Kundër Apionit, I, 156 [21]) dhe u kushtoi shtrenjtë babilonasve. Historia jobiblike nuk ka të dhëna të sakta se deri në ç’pikë patën efekt ose qëlluan në shenjë përpjekjet e Nabukodonosorit. Megjithatë, Tiri duhet të ketë humbur shumë jetë njerëzish dhe të mira materiale.—Ezk 26:7-12.
Sidoqoftë, kur izraelitët u kthyen nga mërgimi në Babiloni, tirasit qenë në gjendje t’i furnizonin me dru cedri nga Libani për një tempull të dytë dhe nisën prapë tregtinë me qytetin e rindërtuar të Jerusalemit.—Ezd 3:7; Ne 13:16.
Sado që lufta me Nabukodonosorin qe e ashpër, Tiri nuk do të merrte fund plotësisht prej saj. Një shpallje e mëvonshme profetike tregoi se vetë Jehovai do ta shkatërronte fund e krye, ndonëse Tiri kishte ndërtuar një ledh mbrojtës dhe kishte grumbulluar argjend e ar.—Za 9:3, 4.
Afro 200 vjet pas shpalljes, profecia e Zakarisë u plotësua. Në vitin 332 p.e.s., Aleksandri i Madh marshoi me ushtrinë e tij nëpër Azinë e Vogël dhe, ndërsa turrej drejt jugut, u ndal aq gjatë sa t’i kushtonte vëmendje Tirit. Qyteti nuk pranoi t’i hapte portat prandaj, i tërbuar, Aleksandri e urdhëroi ushtrinë të hidhte në det rrënojat e pjesës kontinentale të qytetit, duke ngritur me to një rrugë a rrip toke për në pjesën ishullore, e gjitha kjo në përmbushje të profecisë. (Ezk 26:4, 12; DIAGRAMI, vëll. 2, f. 531 në botimin anglisht) Flota e tij luftarake i bllokoi anijet tirase në liman, kurse Aleksandri nisi të ndërtonte kullat më të larta rrethuese të përdorura ndonjëherë në luftërat e lashtësisë. Në fund, pas shtatë muajsh, u hap një e çarë në muret 46 m të larta. Përveç 8.000 ushtarëve që ranë në betejë, 2.000 udhëheqës të shquar u vranë për hakmarrje dhe 30.000 banorë u shitën si skllevër.
Në Shkrimet Greke. Edhe pse Aleksandri e rrafshoi qytetin, ai u rindërtua gjatë periudhës së Seleukajve, dhe në shekullin e parë të e.s. ishte port i rëndësishëm i Mesdheut. Gjatë shërbimit të jashtëzakonshëm të Jezuit në Galile, disa banorë të rrethinave të Tirit e të Sidonit shkuan të dëgjonin mesazhin e tij dhe të shëroheshin nga sëmundjet. (Mr 3:8-10; Lu 6:17-19) Pas disa muajsh, vetë Jezui shkoi në viset e Tirit dhe, në atë rast, shëroi fëmijën e demonizuar të një gruaje sirofenikase. (Mt 15:21-29; Mr 7:24-31) Jezui tha se, sikur t’i kishte bërë në Tir e Sidon veprat e fuqishme që bëri në Korazin e Betsaidë, paganët e Tirit dhe të Sidonit do të ishin treguar më të ndjeshëm sesa ata judenj.—Mt 11:20-22; Lu 10:13, 14.
[Figura në botimin e shtypur]
Monedhë e lashtë me emrin e Tirit