EGJIPTI, EGJIPTIANËT
Egjipti dhe banorët e tij përmenden mbi 700 herë në Bibël. Në Shkrimet Hebraike, Egjipti quhet zakonisht Mizraim (Micrájim) (krahaso Zn 50:11), emër që me sa duket tregon rëndësinë ose epërsinë që kishin në atë rajon pasardhësit e Mizraimit, birit të Kamit. (Zn 10:6) Sot e kësaj dite arabët përdorin emrin Misr për Egjiptin. Në disa psalme është quajtur ‘vendi i Kamit’.— Ps 105:23, 27; 106:21, 22.
Kufijtë dhe gjeografia. (HARTA, vëll. 1, f. 531 në botimin anglisht) Që nga lashtësia, Egjipti ia ka detyruar ekzistencën e vet lumit Nil dhe luginës së tij pjellore që shtrihet si një shirit i gjatë, i ngushtë dhe i gjelbërt përmes shkretëtirave përvëluese të Afrikës Verilindore. «Egjipti i Poshtëm» përfshinte zonën e gjerë të deltës, ku para se të derdheshin në detin Mesdhe, ujërat e Nilit një herë e një kohë degëzoheshin të paktën në pesë degë të ndryshme, kurse tani vetëm në dy. Largësia nga vendi ku ujërat e Nilit ndahen (në zonën e Kajros së sotme) e deri në breg të detit, është rreth 160 km. Pak më në veri të Kajros gjendet vendi ku shtrihej qyteti i lashtë i Heliopolit (Onit biblik), ndërsa pak kilometra më në jug gjendet Memfisi (zakonisht i quajtur Nof në Bibël). (Zn 46:20; Jr 46:19; Ho 9:6) Në jug të Memfisit zinte fill rajoni i «Egjiptit të Sipërm», i cili shtrihej rreth 960 km përgjatë luginës deri në ujëvarën e parë të Nilit në Asuan (Siena e lashtë). Megjithatë, për shumë studiues është më e arsyeshme që pjesa veriore e këtij rajoni të quhet «Egjipti i Mesëm». Në gjithë këtë zonë (Egjipti i Mesëm dhe i Sipërm) lugina e sheshtë e Nilit rrallëherë e kalon gjerësinë prej 20 km dhe nga të dyja anët rrethohet me shkëmbinj gëlqerorë dhe ranorë, nga ku fillon shkretëtira.
Përtej ujëvarës së parë gjendej Etiopia e lashtë. Për këtë arsye thuhej se Egjipti shtrihej «nga Migdoli [me sa duket një vend në verilindje të Egjiptit] deri në Sienë, madje, deri në kufi me Etiopinë». (Ezk 29:10) Ndonëse termi hebraik Micrájim përdoret rregullisht për gjithë vendin e Egjiptit, shumë studiues besojnë se në disa raste ky term tregon Egjiptin e Poshtëm, ndoshta edhe Egjiptin e Mesëm; ndërsa Egjipti i Sipërm njihej me termin «Patros». Përshkrimi i ‘Egjiptit [Mizraimit], Patrosit dhe Kushit’ tek Isaia 11:11 përputhet me një radhitje të ngjashme gjeografike në një mbishkrim të mbretit asirian Esar-Hadonit, i cili përfshin në perandorinë e tij viset e ‘Musurit, Paturisit dhe Kusit’.—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 290.
Egjipti kufizohej në veri me detin Mesdhe, në jug me ujëvarën e parë të Nilit dhe Nubi-Etiopinë, në perëndim me shkretëtirën e Libisë (pjesë e Saharasë) dhe në lindje me shkretëtirën e Detit të Kuq. Falë kësaj pozite gjeografike, në pjesën më të madhe ai ishte mjaft i izoluar nga ndikimet e huaja dhe i mbrojtur nga sulmet. Megjithatë, istmi i Sinait në verilindje shërbente si urë lidhëse me kontinentin aziatik (1Sa 15:7; 27:8) dhe përmes kësaj gjuhe toke kalonin karvanët e tregtarëve (Zn 37:25), mërgimtarët dhe, me kohë, ushtritë pushtuese. Me sa duket, «lugina e përroit të Egjiptit», e njohur përgjithësisht si Vadi-el-Arishi në gadishullin e Sinait, shënonte skajin verilindor të territorit të Egjiptit. (2Mb 24:7) Përtej këtij territori shtrihej Kanaani. (Js 15:4) Shkretëtira në perëndim të Nilit kishte të paktën pesë oaza, që u bënë pjesë e mbretërisë së Egjiptit. Oaza e madhe e Fajumit, rreth 72 km në jugperëndim të Memfisit të lashtë, furnizohej me ujë nga Nili përmes një kanali.
Ekonomia varej nga Nili. Ndonëse sot rajonet e shkreta përgjatë luginës së Nilit sigurojnë pak ose aspak bimësi si ushqim për kafshët, ka prova që dëshmojnë se në lashtësi vadet, ose luginat e përrenjve, ishin plot me kafshë të egra që gjuheshin nga egjiptianët. Me sa duket, reshjet e shiut ishin të pakta, kurse sot janë të papërfillshme (në Kajro bie mbase 5 cm shi në vit). Për këtë arsye, jeta në Egjipt varej nga ujërat e Nilit.
Burimet që furnizojnë Nilin rrjedhin nga malet e Etiopisë dhe vendet përreth. Në këto vise stina e shirave sillte reshje të bollshme që frynin lumin, i cili përmbyste çdo vit brigjet e Egjiptit, nga korriku në shtator. (Krahaso Am 8:8; 9:5.) Kjo siguronte ujë të mjaftueshëm për pellgjet dhe kanalet ujitëse, si dhe depozitonte lymin pjellor që pasuronte tokën. Aq pjellore ishte lugina e Nilit dhe delta e tij, saqë u tha se zona e ujitur mirë e Sodomës dhe e Gomorrës që pa Loti, ishte njësoj «si kopshti i Jehovait, si vendi i Egjiptit». (Zn 13:10) Sidoqoftë, sasia e prurjeve ndryshonte. Kur ato ishin të pakta, edhe prodhimi ishte i paktë, e si pasojë kishte zi buke. (Zn 41:29-31) Sikur prurjet e Nilit të shteronin, do të shkaktohej një katastrofë e paparë që do ta kthente vendin në tokë të djerrë e shterpë.— Is 19:5-7; Ezk 29:10-12.
Prodhimet. Egjipti kishte një bujqësi të pasur dhe prodhimet kryesore ishin elbi, gruri, spelta (një lloj gruri) dhe liri (prej nga bëheshin të linjta që eksportoheshin në shumë vende). (Da 9:31, 32; Pr 7:16) Kishte vreshta, hurma Arabie, fiq e shegë; kopshtet jepnin një shumëllojshmëri prodhimesh, si kastraveca, shalqinj, presh, qepë e hudhra. (Zn 40:9-11; Nu 11:5; 20:5) Disa studiues mendojnë se shprehja ‘vadit me këmbë’ (Lp 11:10) i referohet një lloj pajisjeje për vaditje në formë rrote që vihej në lëvizje me forcën e këmbëve. Por, mund t’i referohet edhe hapjes ose mbylljes me këmbë të kanaleve vaditëse.
Kur zia e bukës godiste vendet fqinje, shpesh njerëzit zbritnin në Egjiptin pjellor, siç bëri Abrahami në fillim të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. (Zn 12:10) Me kalimin e kohës, Egjipti u bë hambari i pjesës më të madhe të zonës së Mesdheut. Anija nga Aleksandria, Egjipt, me të cilën apostulli Pavël lundroi nga Mira drejt Italisë në shekullin e parë të e.s., ishte një anije që transportonte drithë.—Ve 27:5,6, 38.
Një prodhim tjetër i rëndësishëm i eksportit egjiptian ishte papirusi, një lloj kallami që rritej me bollëk nëpër kënetat në zonën e deltës (Da 2:3; krahaso Jb 8:11) dhe përdorej për të bërë njëfarë materiali që shërbente si letër. Ngaqë s’kishte pyje, Egjipti ishte i detyruar të importonte nga Fenikia lëndë drusore, sidomos dru cedri nga qytete-porte si Tiri, ku pëlhurat e linjta e ngjyra-ngjyra të Egjiptit vlerësoheshin së tepërmi. (Ezk 27:7) Tempujt dhe monumentet egjiptiane ndërtoheshin me granit dhe me disa lloje guri më të butë, si guri gëlqeror, që gjendej me bollëk në kodrat përbri luginës së Nilit. Shtëpitë e thjeshta, madje edhe pallatet, bëheshin me tulla balte (një material i zakonshëm ndërtimi). Nga minierat egjiptiane nëpër kodrat përgjatë Detit të Kuq (si dhe në gadishullin e Sinait) nxirrej ar dhe bakër; me këtë bakër prodhoheshin materiale bronzi që eksportoheshin.— Zn 13:1, 2; Ps 68:31.
Rritja e gjësë së gjallë luante një rol të rëndësishëm në ekonominë e Egjiptit. Kur ishte atje, Abrahami u bë me dhen e gjedhë, si dhe me kafshë barre, si gomarë e deve. (Zn 12:16; Da 9:3) Në kohën kur Egjiptin e administronte Jozefi (1737-1657 p.e.s.) përmenden kuajt, për të cilët përgjithësisht mendohet se i sillnin nga Azia. (Zn 47:17; 50:9) Fillimisht kuajt mund të jenë blerë ose mund të jenë kapur kur egjiptianët mësynin viset në verilindje. Në kohën e Solomonit, kuajt e Egjiptit ishin të shumtë dhe me një vlerë aq të madhe, saqë në tregun botëror konsideroheshin një mall i rëndësishëm (bashkë me karrocat e Egjiptit).—1Mb 10:28, 29.
Të shumtë ishin edhe zogjtë grabitqarë e ata që ushqeheshin me kërma, si shkabat, hutat, shqiponjat, fajkonjtë, si dhe zogjtë e ujit, ku futeshin ibisi dhe çafka. Nili gëlonte nga peshqit (Is 19:8) dhe ishte habitati i hipopotamëve e krokodilëve. (Krahaso gjuhën e figurshme tek Ezk 29:2-5.) Zonat e shkreta populloheshin nga çakejtë, ujqit, hienat, luanët dhe lloje të ndryshme gjarpërinjsh e zvarranikësh të tjerë.
Popullsia. Popullsia egjiptiane ishte kamite dhe, me sa duket, rridhte kryesisht nga Mizraimi, biri i Kamit. (Zn 10:6) Pasi u shpërndanë në Babel (Zn 11:8, 9) shumë nga pasardhësit e Mizraimit, si ludimët, anamimët, lehabimët, naftuhimët dhe patrusimët, mund të jenë shpërngulur në veri të Afrikës. (Zn 10:6, 13, 14) Sikurse kemi vërejtur tashmë, Patrosi (njëjësi i emrit Patrusim) lidhet me Egjiptin e Sipërm. Po ashtu, ka prova që dëshmojnë se pasardhësit e Naftuhimit banonin në zonën e deltës.
Që nga lashtësia e largët Egjipti ishte i ndarë në njësi territoriale të shumta (që më vonë u quajtën nome), të cilat ekzistuan dhe u bënë pjesë e strukturës qeverisëse edhe pasi vendi u bashkua nën një sundimtar të vetëm, madje deri në fund të perandorisë. Ky fakt mbështet pikëpamjen se popullsia e vendit ishte e përbërë nga fise të ndryshme. Në përgjithësi njihen 42 nome, 20 në Egjiptin e Poshtëm dhe 22 në Egjiptin e Sipërm. Ndonëse mund të kishte lidhje me ndryshimet gjeografike, dallimi i vazhdueshëm mes Egjiptit të Sipërm e të Poshtëm gjatë gjithë historisë së vendit, mund të jetë edhe tregues i ndarjeve të hershme fisnore. Kur pushteti qendror dobësohej, vendi kishte prirjen të ndahej në këto dy pjesë kryesore e madje të shpërbëhej në mbretëri të vogla e të shumta sipas nomeve të ndryshme.
Në bazë të pikturave të lashta e të mumieve të gjetura, egjiptianët e parë përshkruhen në përgjithësi si njerëz trupvegjël, imcakë dhe ezmerë, por jo zezakë. Megjithatë, në pikturat dhe skulpturat e lashta bie në sy një larmi e konsiderueshme.
Gjuha. Studiuesit e sotëm priren ta klasifikojnë gjuhën egjiptiane me terma të tillë, si semito-kamitike. Gjuha ishte kryesisht kamitike, ndonëse pohohet se ka shumë ngjashmëri gramatikore dhe leksikore me gjuhët semitike. Pavarësisht nga lidhje të tilla të dukshme, pranohet se «gjuha egjiptiane ndryshon nga të gjitha gjuhët semitike shumë më tepër se sa këto ndryshojnë nga njëra-tjetra. Prandaj, ajo nuk duhet renditur aspak në grupin e gjuhëve semitike, të paktën derisa të përcaktohen më saktë lidhjet e saj me gjuhët afrikane». (Egyptian Grammar, nga A. Gardineri, Londër, 1957, f. 3) Kur nuk deshi t’u tregonte vëllezërve të tij se kush ishte, Jozefi foli me ta me anë të një përkthyesi egjiptian.—Zn 42:23.
Sidoqoftë, ka një sërë faktorësh që e bëjnë tejet të vështirë të nxjerrësh përfundime të sakta për format më të hershme të gjuhës që flitej në Egjipt. Një nga këta faktorë është sistemi egjiptian i të shkruarit. Mbishkrimet e lashta përdorin shenja piktografike (figura kafshësh, zogjsh, bimësh ose objekte të tjera) dhe disa forma gjeometrike. Grekët i quajtën këto hieroglife. Edhe pse me kalimin e kohës disa nga këto shenja nisën të tregonin rrokje, ato u përdorën vetëm për të plotësuar hieroglifet, por nuk i zëvendësuan asnjëherë ato. Për më tepër, sot nuk dihet se si tingëllonin saktësisht këto rrokje. Njëfarë ndihme na japin disa referime për Egjiptin në shkrimet kuneiforme që i përkasin mesit të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. Transkriptimet në greqisht të emrave dhe të fjalëve të tjera egjiptiane që datojnë rreth shekullit të gjashtë të e.s., si dhe transkriptimet në aramaisht që fillojnë rreth një shekull më vonë, na japin njëfarë ideje se si shkruheshin këto fjalë të transkriptuara. Gjithsesi, rindërtimi i fonologjisë (sistemit të tingujve) së gjuhës së lashtë egjiptiane ende bazohet kryesisht në sistemin koptik, një formë e gjuhës egjiptiane që flitej nga shekulli i tretë i e.s. e këtej. Kështu, mund të kemi vetëm një ide të përafërt të strukturës origjinale të leksikut të lashtë në formën e tij më të hershme, në veçanti para periudhës së qëndrimit të izraelitëve në Egjipt. Për shembull, shih NOJA, NO-AMONI.
Përveç kësaj, sot i njohim fare pak gjuhët e tjera të lashta kamitike të Afrikës. Kjo e bën të vështirë të përcaktojmë lidhjen e gjuhës egjiptiane me to. Të gjitha mbishkrimet e njohura në gjuhët afrikane, përveç asaj egjiptiane, i përkasin fillimit të erës sonë. Faktet mbështetin tregimin biblik të ngatërrimit të gjuhëve, dhe duket qartë se egjiptianët e lashtë, si pasardhës të Kamit nga Mizraimi, flitnin një gjuhë të ndryshme që dallohej nga gjuhët semitike.
Hieroglifet përdoreshin veçanërisht për mbishkrimet në monumente dhe pikturat në mur, ku simbolet paraqiteshin me shumë hollësi. Ky sistem u përdor deri në fillimet e erës sonë, sidomos në tekstet fetare. Megjithatë, edhe më herët skribët kishin zhvilluar një sistem më të lehtë, në të cilin përdornin forma kursive më të thjeshtuara për të shkruar me bojë në lëkurë apo papiruse. Ky sistem i quajtur hieratik u pasua më vonë nga një formë tjetër edhe më kursive, e quajtur demotike, duke nisur në veçanti nga periudha e njohur si Dinastia XXVI e më tej (në shekullin e shtatë e të gjashtë p.e.s.). Deshifrimi i teksteve egjiptiane filloi pas zbulimit të Gurit të Rozetës në vitin 1799. Ky mbishkrim, që tani ndodhet në Muzeun Britanik, përmban një dekret për nder të Ptolemeut V (Epifan) dhe daton që në vitin 196 p.e.s. Ai përmban tri lloje shkrimi: hieroglife egjiptiane, demotik dhe greqisht, dhe teksti grek ishte çelësi për të deshifruar tekstin egjiptian.
Feja. Egjipti ishte një vend tejet fetar ku mbizotëronte politeizmi. Çdo qytet e fshat kishte hyjninë e vet, të quajtur «Zotëria i qytetit». Në një listë të gjetur në varrin e Tutmesit III renditeshin emrat e rreth 740 perëndive. (Da 12:12) Shpesh, perëndia përshkruhej si i martuar me një perëndeshë, e cila i lindte një djalë, «duke formuar kështu një triadë ose trini hyjnore, ku ati (që, për më tepër, nuk ishte gjithnjë kryesori) në disa raste mjaftohej me rolin e princit bashkëshort, kurse hyjnia kryesore e vendit ishte perëndesha». (New Larousse Encyclopedia of Mythology, 1968, f. 10) Perënditë kryesore banonin në një tempull ku nuk lejohej të hynte njeri. Perëndinë e adhuronin priftërinjtë, të cilët e zgjonin mëngjes për mëngjes me një himn, e lanin, e vishnin, «e ushqenin» dhe i bënin edhe shërbime të tjera. (Shih dallimin te Ps 121:3, 4; Is 40:28.) Në këtë detyrë, me sa duket, priftërinjtë shiheshin si përfaqësues të faraonit, për të cilin mendohej se ishte një perëndi i gjallë, biri i perëndisë Ra. Kjo nxjerr në pah edhe më shumë guximin që treguan Moisiu dhe Aaroni kur shkuan te faraoni për t’i shpallur dekretin e Perëndisë së vërtetë, si dhe na bën të kuptojmë më mirë përgjigjen përçmuese të tij: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij?!»—Da 5:2.
Ndonëse në Egjipt janë bërë zbulime të shumta arkeologjike, si tempuj, statuja, piktura fetare dhe shkrime, njihen relativisht pak fakte për bindjet e vërteta fetare të egjiptianëve. Tekstet fetare paraqesin vetëm një kuadër të copëzuar e të pjesshëm, e në përgjithësi, më shumë s’thonë se thonë. Një pjesë e madhe e asaj që dimë për natyrën e perëndive e të zakoneve të tyre fetare, bazohet në përfundimet apo në informacionin që na japin shkrimtarët grekë, si Herodoti dhe Plutarku.
Sidoqoftë, për shkak të dallimeve të vazhdueshme krahinore gjatë gjithë historisë së Egjiptit, është e dukshme se ata nuk kishin një fe të vetme. Kjo solli si pasojë një koklavitje legjendash e mitesh, shpesh në kundërshti me njëra-tjetrën. Për shembull, perëndia Ra kishte 75 emra dhe forma të ndryshme. Relativisht pak nga qindra perënditë e tyre duket se adhuroheshin në shkallë vendi. Ndër më të njohurat mes këtyre perëndive ishte triniteti ose triada e Osirisit, Isidës (gruas së tij) dhe Horusit (birit të tij). Kishin edhe ata që quheshin perëndi «kozmikë», me në krye Ranë, perëndinë-diell, dhe perënditë e hënës, të qiellit, të ajrit, të tokës, të lumit Nil e kështu me radhë. Në qytetin e Tebës (Noja biblike) perëndia Amon ishte më i shquari dhe, me kohë, iu dha titulli «mbret i perëndive» me emrin Amon-Ra. (Jr 46:25) Në kohë festash (Jr 46:17) perënditë i nxirrnin si në paradë nëpër rrugët e qytetit. Për shembull, kur priftërinjtë nxirrnin në këtë procesion fetar idhullin e Rasë, njerëzit bënin çmos të ishin të pranishëm, me shpresën se nga kjo do të përfitonin. Duke e quajtur praninë në këtë rast si përmbushje të detyrimeve të tyre fetare, egjiptianët mendonin se, nga ana e vet, perëndia Ra ishte i detyruar të vazhdonte t’i begatonte. Prej tij pritnin vetëm që t’u jepte mbarësi e të mira materiale, dhe nuk kërkonin kurrë ndonjë gjë frymore. Mes perëndive kryesore të Egjiptit e të Babilonisë ka shumë gjëra të përbashkëta dhe dëshmitë tregojnë se Babilonia ishte burimi i tyre, kurse Egjipti i huazoi ose i përjetësoi ato.—Shih PERËNDITË DHE PERËNDESHAT.
Kjo mënyrë politeiste adhurimi nuk u sillte asnjë dobi egjiptianëve dhe s’kishte asnjë ndikim pozitiv tek ta. Sikurse vëren një enciklopedi, «imagjinata klasike dhe moderne i vesh egjiptianët me mistere të mrekullueshme, që mbajnë të fshehura të vërteta të thella. Sigurisht që ata kishin mistere, sikurse kanë edhe ashantët dhe ibot (fise afrikane). Megjithatë, është e gabuar të mendosh se këto mistere mbajnë në vetvete ndonjë të vërtetë dhe se pas tyre fshihet ndonjë ‘besim’». (Encyclopædia Britannica, 1959, vëll. 8, f. 53) Në të vërtetë, provat që ekzistojnë tregojnë se magjitë dhe bestytnitë primitive ishin elemente bazë të fesë egjiptiane. (Zn 41:8) Magjitë fetare përdoreshin për të parandaluar sëmundjet dhe spiritizmi spikaste, me shumë ‘magjistarë’, ‘mediume’ dhe persona ‘që kishin si zanat parathënien e ngjarjeve’. (Is 19:3) Mbanin rruaza e hajmali për «fat të mirë», si dhe nuska me yshtje që i shkruanin në copa papirusi dhe i varnin në qafë. (Krahaso Lp 18:10, 11.) Kur Moisiu dhe Aaroni kryen mrekulli me anë të fuqisë së Perëndisë, priftërinjtë që merreshin me magji dhe shtriganët e oborrit të faraonit dhanë një shfaqje, duke u përpjekur të bënin të njëjtat gjëra me artet e tyre magjike, derisa u detyruan ta pranonin dështimin.—Da 7:11, 22; 8:7, 18, 19.
Adhurimi i kafshëve. Kjo mënyrë adhurimi bestyte bëri që egjiptianët të praktikonin një formë idhujtarie shumë të degjeneruar, ku përfshihej adhurimi i kafshëve. (Krahaso Ro 1:22, 23.) Shumë nga perënditë më kryesore paraqiteshin shpesh me trup njeriu e me kokë kafshe ose zogu. Perëndia Horus paraqitej me kokë fajkoi, kurse Thothi herë me kokë ibisi dhe herë me kokë majmuni. Në disa raste perëndia mendohej se ishte mishëruar në trupin e një kafshe, si për shembull në rastin e demave Apis. Një dem Apis i gjallë, që konsiderohej si mishërim i perëndisë Osiris, mbahej në tempull dhe, kur ngordhte, i bëhej një funeral dhe varrim i stërholluar. Ngaqë besonin se disa kafshë, si macet, babuinët, krokodilët, çakejtë dhe zogj të ndryshëm, ishin të shenjta për shkak se i lidhnin me disa perëndi, egjiptianët balsamosën qindra mijë krijesa të tilla dhe i varrosën në varre të veçanta.
Përse Moisiu këmbënguli se flijimet e izraelitëve do të ishin ‘një gjë e pështirë për egjiptianët’?
Fakti që kudo nëpër Egjipt përnderoheshin kaq shumë kafshë, u dha pa dyshim fuqi dhe forcë bindëse këtyre fjalëve që Moisiu i tha faraonit, kur i kërkoi ta lejonte Izraelin të shkonte në shkretëtirë për të bërë flijime: «A nuk do të na vritnin egjiptianët me gurë, po të flijonim një gjë të pështirë para syve të tyre?» (Da 8:26, 27) Me sa duket, pjesa më e madhe e flijimeve që izraelitët bënë më pas, duhet të kenë qenë shumë fyese për egjiptianët. (Në Egjipt, perëndia-diell Ra paraqitej disa herë në formën e një viçi të lindur nga lopa qiellore.) Në anën tjetër, siç tregohet te zëri PERËNDITË DHE PERËNDESHAT, me anë të dhjetë plagëve kundër Egjiptit, Jehovai zbatoi vendimet gjyqësore ndaj «tërë perëndive të Egjiptit», duke i poshtëruar fare ato dhe duke e bërë të njohur emrin e vet anembanë vendit.—Da 12:12.
Gjatë dy shekujve që qëndroi në Egjipt, kombi i Izraelit nuk shpëtoi plotësisht pa u ndotur nga ky adhurim i rremë. (Js 24:14) Në një masë të konsiderueshme, kjo ishte, pa dyshim, rrënja e qëndrimeve të gabuara që ata shfaqën që në fillimet e Daljes. Edhe pse Jehovai i udhëzoi izraelitët të flaknin «idhujt e pështirë të Egjiptit», ata nuk e bënë. (Ezk 20:7, 8; 23:3, 4, 8) Ka të ngjarë që viçi i artë që bënë në shkretëtirë për ta adhuruar, të ketë qenë pasqyrim i mënyrës egjiptiane të adhurimit të kafshëve, me të cilën ishin infektuar disa izraelitë. (Da 32:1-8; Ve 7:39-41) Pak para se të hynin në Tokën e Premtuar, Jehovai i paralajmëroi përsëri në mënyrë të qartë izraelitët që në adhurimin e Tij të mos përdornin shëmbëlltyrën e asnjë kafshe ose formën e asnjë trupi «kozmik». (Lp 4:15-20) Prapëseprapë, adhurimi i kafshëve e nxori kokën shekuj më vonë, kur Jeroboami, që sapo ishte kthyer nga Egjipti dhe ishte bërë mbret i mbretërisë veriore të Izraelit, bëri dy viça prej ari për adhurim. (1Mb 12:2, 28, 29) Vlen të përmendet se Shkrimet e frymëzuara të shkruara nga Moisiu, janë tërësisht të pastra e të pandotura nga idhujtaria dhe bestytnitë egjiptiane.
Pa cilësi frymore e norma morale. Disa studiues mendojnë se çdo koncept për mëkatin që shfaqet në tekstet fetare egjiptiane, është pasojë e ndikimit të mëvonshëm semitik. Sidoqoftë, rrëfimi i mëkateve bëhej gjithnjë në kuptimin mohues, sikurse komenton një enciklopedi (Encyclopædia Britannica, 1959, vëll. 8, f. 56): «Kur [një egjiptian] rrëfehej, nuk thoshte: ‘Jam fajtor’, por: ‘S’jam fajtor’. Rrëfimi i tij ishte mohues, kështu që onus probandi [barra e provës] u mbetej gjykatësve, të cilët, sipas papiruseve mortore, vendosnin gjithnjë në favor të tij—ose, të paktën, shpresohej dhe pritej që të vepronin kështu.» (Shih dallimin te Ps 51:1-5.) Duket se feja e lashtë egjiptiane mbështetej kryesisht në ceremoni e yshtje dhe kishte si synim të arrinte përfundimet e dëshiruara përmes ndërhyrjes së një a më shumë perëndive të tyre të shumta.
Ndonëse thuhet se gjatë mbretërimit të faraonëve Amenofi III dhe Amenofi IV (Akhenatoni) kishte një formë monoteizmi, ngaqë adhurohej pothuajse vetëm perëndia-diell Aton, ky nuk ishte një monoteizëm i mirëfilltë. Vetë faraonin vazhduan ta adhuronin si perëndi. Edhe gjatë kësaj periudhe, tekstet fetare egjiptiane s’kishin asnjë vlerë etike. Himnet për perëndinë-diell Aton ishin thjesht lavde kushtuar nxehtësisë së tij jetëdhënëse dhe nuk përmbanin asnjë shprehje lëvdimi ose mirënjohjeje për ndonjë cilësi frymore a normë morale. Për këtë arsye, çdo pohim se monoteizmi i shkrimeve të Moisiut pasqyronte ndikimin egjiptian, është krejtësisht i pabazë.
Besime rreth të vdekurve. Në fenë egjiptiane spikaste sidomos shqetësimi për të vdekurit dhe meraku për të siguruar mirëqenien dhe lumturinë pas «kalimit» në vdekje. Besimi te rimishërimi ose transmigrimi i shpirtit, ishte një doktrinë e përhapur në gjithë vendin. Besohej se shpirti ishte i pavdekshëm; megjithatë, besohej se edhe trupi i njeriut duhej ruajtur, që shpirti të kthehej e ta përdorte kur të donte. Për shkak të këtij besimi, egjiptianët i balsamosnin të vdekurit. Varri ku vendosej trupi i balsamosur konsiderohej si «shtëpia» e të vdekurit. Piramidat ishin banesa gjigante për të vdekurit me gjak mbretëror. Në varre futeshin gjëra të nevojshme për jetesën dhe sende luksi, si bizhuteri, veshje, orendi dhe ushqime, që i vdekuri t’i përdorte më vonë. Bashkë me to vendosnin edhe yshtje dhe hajmali (si «Libri i të vdekurve») që do ta mbronin të ndjerin nga frymërat e liga. (FIGURA, vëll. 1, f. 533 në botimin anglisht) Mirëpo, këto yshtje nuk i mbrojtën dot as nga plaçkitësit e varreve që kanë grabitur pothuajse të gjitha varret më të mëdha.
Ndonëse edhe Jakobin e Jozefin i balsamosën, në rastin e Jakobit kjo u bë pa dyshim që trupi të ruhej derisa të varrosej në Tokën e Premtuar, si tregues i besimit të tyre. Kurse në rastin e Jozefit, egjiptianët mund ta kenë balsamosur në shenjë respekti dhe nderimi.—Zn 47:29-31; 50:2-14, 24-26.
Jeta dhe kultura egjiptiane. Prej shumë kohësh studiuesit e kanë paraqitur Egjiptin si ‘qytetërimin më të lashtë’ dhe si burimin e zhvillimit të njerëzimit e të shumë prej shpikjeve të tij më të hershme. Mirëpo, kohët e fundit, janë mbledhur prova që tregojnë se i ashtuquajturi djep i qytetërimit është Mesopotamia. Mendohet se disa stile arkitekturale egjiptiane, përdorimi i rrotës, ndoshta parimet bazë të shkrimit të tyre piktografik dhe, në veçanti, tiparet themelore të fesë egjiptiane, e kanë të gjitha origjinën nga Mesopotamia. Natyrisht, kjo përputhet me tregimin biblik të shpërndarjes së njerëzve pas Përmbytjes.
Arritjet më të njohura të arkitekturës egjiptiane janë piramidat e ndërtuara në Gizë nga faraonët Kufu (Keopsi), Kafre dhe Menkure, të asaj që quhej Dinastia IV. Piramida më e madhe e ndërtuar nga Keopsi ka një bazë prej 53.000 m2 dhe një lartësi prej rreth 137 m (e njëjtë me një ndërtesë 40-katëshe). Është përllogaritur se janë përdorur 2.300.000 blloqe guri, mesatarisht 2,3 tonë secili. Blloqet ishin punuar me kaq kujdes, saqë largësia kur puthiteshin me njëri-tjetri ishte vetëm pak milimetra. Egjiptianët ndërtuan edhe tempuj kolosalë; ai i Karnakit në Tebë (Noja biblike; Jr 46:25; Ezk 30:14-16) ishte struktura më e madhe me kolona e ndërtuar nga njeriu.
Rrethprerja ishte zakon ndër egjiptianët që në lashtësi, dhe Bibla i rendit ata mes popujve të rrethprerë.—Jr 9:25, 26.
Arsimimi merrej kryesisht në shkolla për skribët, të cilat mbikëqyreshin nga priftërinjtë. Skribët e oborrit mbretëror ishin ekspertë në shkrimin egjiptian dhe, përveç kësaj, njihnin më së miri edhe shkrimin kuneiform aramaik. Tashmë që nga mesi i mijëvjeçarit të dytë p.e.s. sundimtarët vasalë të Sirisë dhe të Palestinës kishin korrespondencë të rregullt në gjuhën aramaike me kryeqytetin egjiptian. Në Egjipt matematika ishte aq e zhvilluar, sa bëri të mundur ndërtimin e veprave mahnitëse që përmendëm më sipër. Gjithashtu, duket se kishin edhe njëfarë njohurie të gjeometrisë dhe algjebrës. Vlen të përmendet se «Moisiu mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve». (Ve 7:22) Ndonëse shumë nga mençuria e Egjiptit ishte e rreme, një pjesë e dijeve të tyre kishin vlerë praktike.
Qeveria dhe ligji ishin në dorë të mbretit, ose faraonit, që shihej si perëndi me trup njeriu. Ai e qeveriste vendin nëpërmjet vartësve, ose ministrave, dhe fisnikëve, pushteti i të cilëve rivalizonte atë të mbretit kur fuqia e këtij të fundit dobësohej. Ndoshta këta fisnikë shiheshin si mbretër në zotërimet e tyre, prandaj Bibla përmend «mbretërit [në shumës] e Egjiptit» kur flet për periudha kohore të caktuara. (2Mb 7:6; Jr 46:25) Pasi egjiptianët pushtuan Nubi-Etiopinë në jug të tyre, rajoni qeverisej nga një mëkëmbës i mbretit, që quhej «biri i mbretit të Kushit». Po ashtu, ka prova që tregojnë se edhe në Feniki kishte një mëkëmbës egjiptian.
Në Egjipt nuk dihet të ketë ekzistuar ndonjë kod ligjor; kishin ligje, por, me sa duket, ato ishin thjesht dekrete mbretërore, ngjashëm me dekretin që faraoni nxori për bërjen e tullave nga izraelitët dhe urdhrin për të mbytur të gjithë meshkujt e sapolindur të izraelitëve. (Da 1:8-22; 5:6-18; krahaso Zn 41:44.) Pronarët e tokave paguanin taksa për të gjitha prodhimet dhe duket se kjo e pati fillesën në ditët e Jozefit kur gjithë vendi, përveç tokave të priftërinjve, u bë pronë e faraonit. (Zn 47:20-26) Si taksë nuk konsiderohej vetëm dhënia e një pjese të prodhimit apo të bagëtive, por edhe puna që bënin për projekte civile ose shërbime ushtarake. Ndëshkimi për krimet mund të ishte prerja e hundës, syrgjynosja dhe puna nëpër miniera, rrahja me thupër, burgosja dhe vdekja, shpesh me prerje koke.—Zn 39:20; 40:1-3, 16-22.
Martesa. Zakonet egjiptiane lejonin poligaminë dhe martesën motër e vëlla, zakon që në disa vise të Egjiptit vazhdoi deri në shekullin e dytë të e.s. Dihet se disa faraonë janë martuar me motrat e tyre, me sa duket ngaqë asnjë grua tjetër nuk konsiderohej aq e shenjtë sa të martohej me një «perëndi të gjallë». Ligji që iu dha izraelitëve pasi lanë Egjiptin i ndalonte martesat brenda gjakut: «Mos bëni siç bëjnë në Egjipt . . . . Mos bëni [as] siç bëjnë në Kanaan.»—Le 18:3, 6-16.
Mjekësia e lashtë egjiptiane është përshkruar shpesh si mjaft shkencore dhe e përparuar. Edhe pse duket se kishin njëfarë njohurie në anatomi dhe kishin zhvilluar e dokumentuar disa metoda kirurgjikale të thjeshta, ekzistonte një injorancë e madhe. Për shembull, një papirus egjiptian tregon se zemra është e lidhur me pjesë të tjera të trupit me anë të enëve. Mirëpo, i njëjti tekst thotë se në këto enë nuk qarkullon gjak, por ajër, ujë, spermë dhe mukus. Ata jo vetëm që i kuptonin fare gabim funksionet e trupit, por tekstet e tyre mjekësore janë plot me magji e bestytni; formulat magjike dhe yshtjet përbëjnë pjesën më të madhe të këtij informacioni. Mjekimet përmbanin jo vetëm bimë e barëra të dobishme, por rekomandonin edhe përbërës të tillë, si gjak miu, urinë ose jashtëqitje mizash, që bashkë me yshtjet «do ta detyronin demonin që kishte pushtuar trupin e njeriut, të dilte nga neveria». (History of Mankind, nga J. Hoksi dhe sër Leonard Uolleji, 1963, vëll. I, f. 695) Kjo lloj paditurie mund të ketë shkaktuar disa nga ‘sëmundjet e tmerrshme të Egjiptit’, ku futeshin mbase elefantiaza, dizenteria, lia, murtaja bubonike, oftalmia (pezmatimi i syve) e të tjera. Izraeli mund të mbrohej nga këto sëmundje vetëm duke u bindur me besnikëri. (Lp 7:15; krahaso Lp 28:27, 58-60; Am 4:10.) Rregullat higjienike që u vendosën për izraelitët pas Daljes, ishin në kontrast të thellë me shumë nga zakonet e përshkruara në tekstet egjiptiane.—Le 11:32-40; shih SËMUNDJET DHE KURAT.
Zejet e egjiptianëve përfshinin zanatet e zakonshme si poçaria, endja, punimi i metaleve, bërja e bizhuterive dhe hajmalive, si dhe shumë mjeshtri të tjera. (Is 19:1, 9, 10) Egjipti ishte qendër e prodhimit të qelqit që në mes të mijëvjeçarit të dytë p.e.s.—Krahaso Jobin 28:17.
Transporti brenda vendit bazohej kryesisht në lumin Nil. Erërat që zakonisht frynin nga veriu, i ndihmonin mjetet lundruese të shkonin kundër rrymës, kurse mjetet që lundronin nga jugu shtyheshin nga rryma. Përveç kësaj «arterieje» kryesore kishte kanale dhe ca rrugë që të çonin, për shembull, deri në Kanaan.
Tregtia me vende të tjera afrikane bëhej me anë të karvanëve dhe anijeve që rrihnin Detin e Kuq. Galerat e mëdha egjiptiane transportonin mallra dhe njerëz në shumë porte në lindje të detit Mesdhe.
Veshjet egjiptiane ishin të thjeshta. Gjatë pjesës më të madhe të historisë së hershme burrat mbanin një copë të thjeshtë, që e mblidhnin në formë palash në pjesën e përparme; më vonë, vetëm shtresat e ulëta të popullsisë rrinin lakuriq nga mesi e lart. Gratë mbanin një fustan të gjatë e të ngushtë, shpesh prej liri të hollë, me rripa te supet. Në Egjipt ishte zakon të ecnin zbathur, dhe ky ishte një faktor i mundshëm i përhapjes së disa sëmundjeve.
Nga pikturat egjiptiane duket se burrat i qethnin flokët shkurt ose i rruanin, dhe mjekrën e mbanin të rruar. (Zn 41:14) Gratë e kishin zakon të bënin tualet.
Banesat e egjiptianëve ishin të larmishme. Mund të shihje që nga kasollet e thjeshta të të varfërve e deri te vilat e mëdha të të pasurve, të rrethuara me kopshte, pemishte e liqene të vogla. Potifari, që ishte zyrtar i faraonit, ka të ngjarë të banonte në një vilë të bukur. (Zn 39:1, 4-6) Edhe orenditë ishin të shumëllojshme. Kishin stola të thjeshtë dhe karrige apo kanape luksoze. Shtëpitë që kishin njëfarë madhësie ndërtoheshin zakonisht përreth oborreve të hapura. (Krahaso Da 8:3, 13.) Shpesh, në oborr punohej brumi dhe gatuheshin ushqimet. Shumica e egjiptianëve përdornin si ushqim bukë elbi, perime, peshk (që ishte i bollshëm dhe i lirë; Nu 11:5), kurse pija e zakonshme ishte birra. Kush kishte mundësi, hante edhe lloje të ndryshme mishi.—Da 16:3.
Ushtria egjiptiane përdorte armët e zakonshme të kohës: harqet, shigjetat, heshtat ose ushtat, topuzët, sëpatat dhe kamat. Një rol të rëndësishëm në betejat e tyre luanin karrocat me kuaj. Në kohët e hershme duket se armatura përdorej pak, mirëpo më vonë u bë normale, bashkë me përkrenaret që shpesh zbukuroheshin me pupla. Profecia e Jeremisë (46:2-4) na bën një përshkrim të saktë të ushtrisë egjiptiane të shekullit të shtatë p.e.s. Shumica e ushtarëve ishin rekrutë vendës, kurse më vonë u përdorën rregullisht trupa mercenare nga vende të tjera.—Jr 46:7-9.
Historia. Historia e Egjiptit sipas burimeve jofetare është shumë e paqartë, sidomos ajo e kohëve më të hershme.—Shih KRONOLOGJIA (Kronologjia e Egjiptit).
Vizita e Abrahamit. Diku pas Përmbytjes (2370-2369 p.e.s.) dhe ndarjes së popujve në Babel, kamitët pushtuan Egjiptin. Në kohën kur zia e bukës e detyroi Abrahamin (Abramin) të linte Kanaanin e të zbriste në Egjipt (diku mes viteve 1943-1932 p.e.s.), në vend ekzistonte një mbretëri nën sundimin e faraonit (të cilin Bibla s’e përmend me emër).—Zn 12:4, 14, 15; 16:16.
Egjiptianët, me sa duket, ishin mikpritës me të huajt dhe nuk shfaqën asnjë armiqësi kundrejt Abrahamit shtegtar që banonte në tenda. Sidoqoftë, frika e Abrahamit se mos e vritnin për shkak të gruas së tij të bukur ishte më se me vend dhe tregon moralin e ulët të egjiptianëve. (Zn 12:11-13) Plagët që Perëndia i shkaktoi faraonit, ngaqë mori Sarën në shtëpi, patën efekt dhe Abrahami u urdhërua të largohej nga vendi. Kur iku, ai mori me vete gruan dhe gjithë zotërimet që ndërkohë ishin shtuar. (Zn 12:15-20; 13:1, 2) Agarën, shërbyesen e Sarës, mund ta kenë marrë gjatë qëndrimit të Abrahamit në Egjipt. (Zn 16:1) Agara i lindi Abrahamit një djalë, Ismaelin (1932 p.e.s.), i cili, kur u rrit, u martua me një grua nga Egjipti, vendlindja e së ëmës. (Zn 16:3, 4, 15, 16; 21:21) Ja përse në fillim, raca e ismaelitëve ishte kryesisht egjiptiane dhe fushimet e tyre shtriheshin disa herë deri afër kufijve të Egjiptit.—Zn 25:13-18.
Kur një zi buke ra për së dyti, Egjipti u bë sërish një vend strehimi, por kësaj radhe (pas vitit 1843 p.e.s, kur vdiq Abrahami) Jehovai e udhëzoi Isakun të mos mendonte që të shkonte atje.—Zn 26:1, 2.
Jozefi në Egjipt. Pasi kishin kaluar rreth dy shekuj nga koha kur Abrahami kishte qenë në Egjipt, Jozefin e ri, birin e Jakobit, e shitën te një karvan midianito-ismaelitësh, të cilët e shitën në Egjipt te një zyrtar i oborrit të faraonit (1750 p.e.s.). (Zn 37:25-28, 36) Sikurse Jozefi u shpjegoi më vonë vëllezërve, Perëndia e lejoi këtë që ta ruante familjen e Jakobit gjatë një zie buke të skajshme. (Zn 45:5-8) Tregimi i ngjarjeve kryesore të jetës së Jozefit na jep një kuadër të Egjiptit që është pa dyshim i saktë. (Shih JOZEFI nr. 1.) Titujt e zyrtarëve, zakonet, veshja, magjitë e shumë hollësi të tjera mbështeten nga të dhënat që na japin monumentet, pikturat dhe shkrimet egjiptiane. Për shembull, ceremonia e emërimit të Jozefit si mëkëmbës i mbretit të Egjiptit (Zn 41:42) është e njëjtë me procedurën e përshkruar në mbishkrimet dhe pikturat në mur të Egjiptit.—Zn, kap. 45-47.
Për egjiptianët ishte gjë e pështirë të hanin me hebrenjtë, siç duket në rastin kur Jozefi u shtroi për të ngrënë vëllezërve të tij. Kjo mund të vinte nga krenaria dhe paragjykimet fetare a raciale, ose mund të kishte lidhje me përçmimin e tyre ndaj barinjve. (Zn 43:31, 32; 46:31-34) Përçmimi për barinjtë ka shumë të ngjarë të jetë pasqyrim i sistemit klasor egjiptian, ku barinjtë duket se renditeshin diku nga fundi. Por, meqë toka e punueshme ishte e paktë, mund të ketë qenë edhe shprehje e mospëlqimit të fortë ndaj atyre që kërkonin kullota për bagëtitë.
«Periudha e hyksosëve.» Sipas shumë komentuesve, vajtja në Egjipt e Jozefit, e të atit dhe familjes së tij, përkon me atë që njihet gjerësisht si periudha e hyksosëve. Gjithsesi, Meril Angëri komenton: «Fatkeqësisht, [kjo periudhë] e historisë së Egjiptit është një nga më të errëtat dhe të dhënat për pushtimin e hyksosëve janë shumë të mangëta.»—Archaeology and the Old Testament, 1964, f. 134.
Disa studiues mendojnë se hyksosët sunduan për 200 vjet gjatë Dinastisë XIII-XVII. Të tjerë e kufizojnë kohën e sundimit të tyre në një shekull ose një shekull e gjysmë, gjatë Dinastisë XV dhe XVI. Sipas interpretimit të disave, emri hyksos do të thotë «mbretër-barinj», kurse sipas disa të tjerëve «sundimtarë të tokave të huaja». Edhe më të shumta janë hamendjet për racën ose kombësinë e tyre. Mendohet se mund të kenë qenë indo-evropianë nga Kaukazi ose Azia Qendrore, hititë, sundimtarë siro-palestinezë (kananitë ose amoritë) apo fise arabe.
Disa arkeologë e pasqyrojnë «pushtimin [e Egjiptit] nga hyksosët» si një dyndje të hordhive nga veriu, që vërshuan me karrocat e tyre të shpejta në Palestinë dhe Egjipt. Disa të tjerë e përshkruajnë si një pushtim të avashtë, si një depërtim të ngadaltë të popullsive nomade ose gjysmënomade, të cilat ose e shtinë në dorë drejtimin e vendit pak e nga pak, ose u vunë në krye të qeverisë ekzistuese me anë të një grushti shteti të shpejtë. Arkeologu Jaketa Hoks thotë në një libër të vetin: «Nuk mendohet më se sundimtarët hyksosë . . . përfaqësojnë pushtimin e hordhive triumfuese nga Azia. Emri duket se do të thotë ‘sundimtarë të vendeve të larta’ dhe ata ishin grupe semitësh endacakë që kishin ardhur me kohë në Egjipt për tregti dhe qëllime të tjera paqësore.» (The World of the Past, pjesa V, 1963, f. 444) Edhe pse kjo mund të jetë pikëpamja më e pranuar për momentin, ende mbetet i pashpjegueshëm problemi se si këto ‘grupe endacake’ mundën të zaptonin Egjiptin, përderisa gjatë Dinastisë XII, që sundonte para kësaj periudhe, vendi mendohet të ketë arritur kulmin e fuqisë së vet.
Një enciklopedi thotë: «I vetmi tregim i hollësishëm për ta [hyksosët] nga ndonjë shkrimtar i lashtë, gjendet në një pjesë jo fort të besueshme të një vepre të humbur të Manetos, të cilën Jozefi e citoi në replikën e tij kundër Apionit.» (The Encyclopedia Americana, 1956, vëll. 14, f. 595) Emri hyksos është nxjerrë nga pohimet, që sipas historianit Jozef, i ka bërë Manetoja. Është interesante që tregimi i Manetos, të cilin Jozefi pohon se e ka cituar fjalë për fjalë, i lidh drejtpërdrejt hyksosët me izraelitët. Duket se Jozefi e pranon këtë lidhje, por kundërshton me forcë shumë nga hollësitë e tregimit. Ai parapëlqen përkufizimin e hyksosëve si «robër-barinj» në vend të «mbretër-barinj». Sipas Jozefit, Manetoja tregon se hyksosët e morën Egjiptin pa luftë, shkatërruan qytetet dhe «tempujt e perëndive» duke mbjellë vdekje e rrënim. Pastaj, u vendosën në zonën e deltës. Së fundi, egjiptianët ngritën krye, bënë një luftë të gjatë e të tmerrshme dhe, me 480.000 burra, rrethuan Avarisin, qytetin kryesor të hyksosëve. Por çuditërisht, bënë një marrëveshje që i lejonte ata të largoheshin të pacenuar nga vendi bashkë me familjet dhe zotërimet e tyre. Pastaj, shkuan në Jude dhe ndërtuan Jerusalemin.—Kundër Apionit, I, 73-105 (14-16); 223-232 (25, 26).
Në shkrimet e kohës, emrat e atyre sundimtarëve kishin përpara tituj të tillë, si «Perëndi i mirë», «Bir i Reʽ-së» dhe Hik-khosvet (Sundimtar i tokave të huaja). Me sa duket, termi hyksos vjen nga ky titull i fundit. Në dokumentet egjiptiane të shkruara menjëherë pas sundimit të tyre, ata quhen aziatikë. Për këtë periudhë të historisë egjiptiane, K. E. DeVries vëren: «Duke u përpjekur të lidhin historinë jofetare me të dhënat biblike, disa studiues janë munduar të njëjtësojnë dëbimin e hyksosëve nga Egjipti me Daljen e izraelitëve. Mirëpo, kronologjia e përjashton këtë mundësi dhe faktorë të tjerë e nxjerrin këtë hipotezë si të pabazë. . . . Origjina e hyksosëve nuk është e qartë; ata erdhën diku nga Azia dhe shumica e tyre kishin emra semitikë.»—The International Standard Bible Encyclopedia, nga Xh. Broumëli, 1982, vëll. 2, f. 787.
Përderisa ngritja në pushtet e Jozefit dhe dobitë që i solli kjo Izraelit erdhën falë ndërhyrjes hyjnore, është e kotë të kërkojmë shpjegime të tjera, si ai i «mbretërve-barinj» miqësorë. (Zn 45:7-9) Megjithatë, ka mundësi që tregimi i Manetos, ku bazohet ideja e hyksosëve, të jetë thjesht një traditë gojore e shtrembëruar, fryt i përpjekjeve të mëparshme të egjiptianëve për të shpjeguar në njëfarë mënyre atë që ndodhi gjatë qëndrimit të izraelitëve në vendin e tyre. Ndikimi i jashtëzakonshëm që pati mbi vendin ngritja e Jozefit në pozitën e nënmbretit (Zn 41:39-46; 45:26); ndryshimi i thellë që solli qeverisja e tij, nën të cilën egjiptianët i shitën faraonit tokat e tyre, madje edhe veten (Zn 47:13-20); taksa e barabartë me 20 për qind të prodhimit që duhej të paguanin që nga ai moment e tutje (Zn 47:21-26); 215 vitet e banimit të izraelitëve në Goshen, gjatë të cilave ata së fundi e kaluan në numër e në fuqi popullsinë vendëse, sipas vetë fjalëve të faraonit (Da 1:7-10, 12, 20); dhjetë plagët dhe ndikimi i tyre shkatërrimtar jo vetëm mbi ekonominë egjiptiane, por, për më tepër, mbi bindjet fetare dhe prestigjin e priftërisë së tyre (Da 10:7; 11:1-3; 12:12, 13); vdekja e të gjithë të parëlindurve egjiptianë, Dalja e Izraelit dhe shkatërrimi i ajkës së ushtrisë egjiptiane në Detin e Kuq (Da 12:2-38; 14:1-28)—të gjitha këto ngjarje kërkonin patjetër njëfarë shpjegimi nga ambientet zyrtare egjiptiane.
Nuk duhet të harrojmë asnjëherë që dokumentimi i historisë në Egjipt, sikurse në shumë vende të tjera të Lindjes së Mesme, lidhej në mënyrë të pandashme me priftërinjtë, nën kujdestarinë e të cilëve stërviteshin skribët. Prandaj, do të kishte qenë shumë e çuditshme sikur të mos ishte shpikur ndonjë shpjegim propagandistik për të justifikuar dështimin e plotë të perëndive egjiptiane, të cilat s’arritën të ndalnin dot rrënimin që solli Perëndia Jehova mbi Egjiptin dhe popullin e tij. Historia, madje edhe tani së fundi, njeh shumë raste kur një propagandë e tillë i ka manipuluar aq shumë faktet, sa të shtypurit janë paraqitur si shtypës dhe viktimat e pafajshme si agresorë të rrezikshëm e mizorë. Edhe sikur Jozefi ta ketë ruajtur deri diku me saktësi, tregimi i Manetos (mbi një mijë vjet pas Daljes) ka të ngjarë të paraqesë tradita gojore të shtrembëruara e të trashëguara brez pas brezi nga egjiptianët për të justifikuar elementet bazë të tregimit të vërtetë biblik për Izraelin në Egjipt.—Shih DALJA (Autenticiteti i tregimit të Daljes).
Skllavëria e Izraelit. Bibla nuk e përmend as emrin e faraonit që nisi t’i shtypte izraelitët (Da 1:8-22) dhe as të faraonit para të cilit dolën Moisiu e Aaroni dhe gjatë mbretërimit të të cilit ndodhi Dalja. (Da 2:23; 5:1) Po ashtu, meqë dokumentet egjiptiane ose mund të jenë shkatërruar, ose qëllimisht nuk i kanë përfshirë ngjarjet e Daljes, është e pamundur të përcaktojmë se gjatë cilës dinasti apo gjatë mbretërimit të cilit faraon të njohur nga historia kanë ndodhur këto ngjarje. Emri i Ramsesit II (Dinastia XIX) është lakuar shpesh si faraoni i periudhës së shtypjes, ngaqë thuhet se qytetet e Pitomit dhe Ramsesit u ndërtuan nga punëtorë krahu izraelitë. (Da 1:11) Besohet se këto qytete u ndërtuan gjatë mbretërimit të Ramsesit II. Meril Angëri komenton: «Por, duke ditur zakonin e famshëm të Ramsesit II për të marrë për vete meritat e arritjeve të pararendësve të tij, është më se e sigurt që ai vetëm i ka rindërtuar ose zgjeruar këto qytete.» (Archaeology and the Old Testament, f. 149) Faktikisht, me emrin «Ramses» quhej një krahinë e tërë që ekzistonte tashmë në kohën e Jozefit.—Zn 47:11.
Përmes Moisiut, Perëndia e çliroi kombin e Izraelit nga «shtëpia e skllavërisë» dhe «furra e hekurt», siç e quanin Egjiptin shkrimtarët e Biblës. (Da 13:3; Lp 4:20; Jr 11:4; Mi 6:4) Dyzet vjet më vonë Izraeli filloi të shtinte në dorë Kanaanin. Janë bërë përpjekje për të lidhur këtë ngjarje biblike me atë që përshkruhet në Pllakat e Amarnës, të gjetura në Tell-el-Amarna buzë Nilit, rreth 270 km në jug të Kajros. Këto 379 pllaka janë letra të shkruara nga sundimtarë kananitë dhe sirianë (duke përfshirë ata të Hebronit, Jerusalemit e Lakishit), në shumë prej të cilave ata i ankohen faraonit në pushtet (kryesisht Akhenatonit) për sulmet dhe plaçkitjet e habiruve (ʽapiru). Ndonëse disa studiues janë orvatur t’i lidhin habirutë me hebrenjtë apo izraelitët, përmbajtja e letrave nuk e mbështet këtë. Aty tregohet se habirutë ishin thjesht kusarë, që hera-herës lidhnin aleancë me disa sundimtarë kananitë të qyteteve dhe rajoneve rivale. Ndër qytetet e kërcënuara nga habirutë ishte Biblosi në veri të Libanit, shumë larg rrezes së sulmeve izraelite. Nga ana tjetër, ato paraqesin një kuadër që s’ka asgjë të përbashkët me betejat dhe fitoret më të mëdha të izraelitëve gjatë pushtimit të Kanaanit pas Daljes.—Shih HEBRENJTË (Habirutë).
Qëndrimi i izraelitëve në Egjipt la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e kombit dhe çlirimi i tyre i mbinatyrshëm nga Egjipti kujtohej rregullisht si provë e jashtëzakonshme e pozitës së Jehovait si Perëndi. (Da 19:4; Le 22:32, 33; Lp 4:32-36; 2Mb 17:36; He 11:23-29) Ja përse ekziston shprehja: «Unë jam Jehovai, Perëndia yt që në vendin e Egjiptit.» (Ho 13:4; krahaso Le 11:45.) Asnjë rrethanë a ngjarje tjetër nuk e tejkaloi madhështinë e kësaj ngjarjeje, deri në çlirimin nga Babilonia, që ishte një provë e mëtejshme e fuqisë së Jehovait për të shpëtuar. (Jr 16:14, 15) Përvoja që izraelitët kaluan në Egjipt u shkrua në Ligjin që iu dha atyre (Da 20:2, 3; Lp 5:12-15); ishte arsyeja pse festonin Pashkën (Da 12:1-27; Lp 16:1-3); i mësoi si të silleshin me të ardhurit (Da 22:21; Le 19:33, 34) dhe të varfrit që shiteshin si skllevër (Le 25:39-43, 55; Lp 15:12-15); u dha një bazë ligjore që të zgjidhnin e të shenjtëronin fisin e Levit për të shërbyer në shenjtërore (Nu 3:11-13). Egjiptianët që plotësonin disa kërkesa, mund të pranoheshin në kongregacionin e Izraelit për faktin se edhe izraelitët kishin qenë të huaj në Egjipt. (Lp 23:7, 8) Mbretëritë e Kanaanit dhe popujt e vendeve përreth shfaqën përnderim e frikë kur dëgjuan për shfaqjet e fuqisë së Perëndisë kundër Egjiptit, të cilat i hapën rrugën pushtimeve të Izraelit (Da 18:1, 10, 11; Lp 7:17-20; Js 2:10, 11; 9:9) dhe nuk u harruan për shekuj me radhë. (1Sa 4:7, 8) Përgjatë gjithë historisë së tij, tërë kombi i Izraelit u thuri këngë këtyre ngjarjeve.—Ps 78:43-51; Ps 105 dhe 106; 136:10-15.
Pas pushtimit të Kanaanit nga Izraeli. Për herë të parë Izraeli përmendet drejtpërdrejt në dokumentet egjiptiane gjatë mbretërimit të faraonit Merneptah, biri i Ramsesit II (nga fundi i Dinastisë XIX). Faktikisht, kjo është hera e vetme kur ata përmenden direkt si popull në dokumentet e lashta egjiptiane të gjetura deri tani. Në një stelë, Merneptahu mburret për humbjet që u ka shkaktuar qyteteve të ndryshme të Kanaanit dhe pastaj shton: «Izraeli është shkretuar, i ka humbur fara.» Ndonëse duket qartë se është një mburrje e pabazë, kjo do të provonte se në atë kohë Izraeli ishte vendosur në Kanaan. Nëse është kështu, dhe nëse leximi i këtij teksti është i saktë, duket se pushtimi i Kanaanit nga izraelitët (1473 p.e.s.) ndodhi diku mes mbretërimit të Akhenatonit (të cilit i drejtoheshin një pjesë e madhe e letrave të Amarnës) dhe atij të Merneptahut (që sipas egjiptologëve kanë sunduar respektivisht gjatë Dinastisë XVIII dhe XIX).
Gjatë periudhës së Gjykatësve dhe mbretërimit të Saulit e Davidit, nuk raportohet asnjë kontakt i Izraelit me Egjiptin, përveç një dyluftimi mes një prej luftëtarëve të Davidit dhe një egjiptiani «me shtat të jashtëzakonshëm». (2Sa 23:21) Në kohën e mbretërimit të Solomonit (1037-998 p.e.s.) marrëdhëniet mes dy kombeve kishin arritur deri aty saqë Solomoni lidhi krushqi me faraonin dhe i mori të bijën për grua. (1Mb 3:1) Ky faraon i panjohur i dha vajzës së tij si dhuratë martese, ose pajë, qytetin e Gezerit, edhe pse nuk thuhet se kur e pushtoi ai këtë qytet. (1Mb 9:16) Solomoni pati edhe marrëdhënie tregtare me Egjiptin, duke importuar prej andej kuaj dhe karroca.—2Kr 1:16, 17.
Nga ana tjetër, disa armiq të mbretërve të Jerusalemit gjetën strehë në Egjipt. Hadadi, edomiti, ia mbathi atje pasi Davidi rrënoi Edomin. Ndonëse Hadadi ishte semit, faraoni i dha në shenjë nderimi shtëpi, ushqim dhe tokë; u martua me një grua nga familja mbretërore dhe pasardhësi i tij, Genubati, u rrit si bir faraoni. (1Mb 11:14-22) Më vonë edhe Jeroboami, që pas vdekjes së Solomonit u bë mbret i mbretërisë veriore të Izraelit, u strehua për njëfarë kohe në Egjipt, gjatë mbretërimit të Shishakut.—1Mb 11:40.
Shishaku (i njohur në dokumentet egjiptiane si Sheshonku I) kishte themeluar një dinasti faraonësh libianë (Dinastia XXII), me kryeqytet Bubastin në lindje të deltës. Vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, birit të Solomonit (993 p.e.s.), Shishaku sulmoi Judën me një ushtri të fuqishme me karroca, kalorës e këmbësorë, ku kishte libianë dhe etiopas. Ai shtiu në dorë shumë qytete dhe iu kanos edhe Jerusalemit. Falë mëshirës së Jehovait, Jerusalemi nuk u shkatërrua, por pasuria e tij e madhe ra në dorë të Shishakut. (1Mb 14:25, 26; 2Kr 12:2-9) Një reliev në muret e tempullit në Karnak paraqit fushatën e Shishakut dhe rendit qytetet e shumta të pushtuara në Izrael e Judë.
Ka të ngjarë që edhe Zerahu, etiopasi, që u priu një milion etiopasve dhe libianëve kundër Asës, mbretit të Judës (967 p.e.s.), ta ketë nisur marshimin e tij nga Egjipti. Forcat e tij të mbledhura në luginën e Zefatahut, në jugperëndim të Jerusalemit, u shpartalluan.—2Kr 14:9-13; 16:8.
Për dy shekuj të tjerë, Juda dhe Izraeli gjetën prehje nga sulmet egjiptiane. Gjatë kësaj kohe, në Egjipt duket se ka pasur goxha probleme të brendshme dhe sundonin njëkohësisht disa dinasti. Ndërkohë, Asiria doli në skenë si fuqia sunduese botërore. Hoshea, mbreti i fundit i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit (rr. 758-740 p.e.s.), u bë vasal i Asirisë dhe, më pas, u përpoq të thyente zgjedhën asiriane duke komplotuar me Soin, mbretin e Egjiptit. Mirëpo përpjekja dështoi dhe, nuk kaloi shumë, e mbretëria veriore e Izraelit ra në dorë të Asirisë.—2Mb 17:4.
Gjatë kësaj kohe duket se Egjipti qeverisej në masë të madhe nga sundimtarë nubio-etiopas. Dinastia XXV është cilësuar si dinasti etiopase. I dërguari i mbretit asirian Senakeribit, rabshakehu, u tha me zë të lartë banorëve të Jerusalemit se të mbështeteshe për ndihmë tek Egjipti, ishte sikur të kishe besim te një ‘kallam i thyer’. (2Mb 18:19-21, 24) Tirhakahu, mbreti i Etiopisë që në këtë kohë (732 p.e.s.) u ngjit deri në Kanaan dhe shpërqendroi përkohësisht vëmendjen e forcave asiriane, mendohet përgjithësisht të ketë qenë sundimtari etiopas i Egjiptit, faraoni Taharka. (2Mb 19:8-10) Këtë duket se e mbështet edhe profecia e bërë më parë nga Isaia (Is 7:18, 19), sipas së cilës Jehovai «do t’u fërshëllejë mizave që gjenden në skajet më të largëta të kanaleve të Nilit, që janë në Egjipt, dhe bletëve që ndodhen në Asiri». Kjo do të sillte një përplasje të këtyre dy fuqive në tokën e Judës, duke i shkaktuar vendit një shtrëngim të dyfishtë. Një komentues vëren: «Simbolet përkojnë me natyrën e këtyre dy vendeve: miza me Egjiptin [moçalor] plot insekte . . . dhe bleta me Asirinë malore dhe pyjore.»—Franc Deliçi, Commentary on the Old Testament, 1973, vëll. VII, Isaia, f. 223.
Në shpalljen e tij kundër Egjiptit, Isaia me sa duket paratha gjendjen e paqëndrueshme që do të ekzistonte në Egjipt gjatë pjesës së fundit të shekullit VIII dhe fillimit të shekullit VII p.e.s. (Is 19) Ai përshkruan se do të kishte luftë civile, shpërbërje dhe se do të luftonte «qyteti kundër qytetit dhe mbretëria kundër mbretërisë». (Is 19:2, 13, 14) Historianët e sotëm kanë gjetur dëshmi se asokohe disa dinasti sundonin njëkohësisht në vise të ndryshme të vendit. «Mençuria» me të cilën mburrej Egjipti dhe ‘perënditë e kota e magjistarët’ nuk arritën ta shpëtonin dot nga «duart e një zotërie të ashpër».—Is 19:3, 4.
Pushtimi asirian. Mbreti asirian Esar-Hadoni (bashkëkohës i Manaseut, mbretit të Judës [716-662 p.e.s.]) e sulmoi Egjiptin, pushtoi Memfisin në Egjiptin e Poshtëm dhe çoi shumë veta në mërgim. Me sa duket, faraoni që sundonte në atë kohë ishte ende Taharkai (Tirhakahu).
Ashurbanipali i rifilloi sulmet dhe plaçkiti Tebën (No-Amonin biblik) në Egjiptin e Sipërm, ku ndodheshin thesaret më të mëdha të tempujve egjiptianë. Bibla tregon përsëri përfshirjen e etiopasve, libianëve dhe elementëve të tjerë afrikanë.—Na 3:8-10.
Më vonë, garnizonet asiriane u tërhoqën nga Egjipti dhe vendi nisi të gëzonte deri diku begatinë dhe fuqinë e dikurshme. Kur Asiria ra në dorë të medëve e babilonasve, Egjipti ishte forcuar aq sa t’i vinte në ndihmë (me mbështetjen e trupave mercenare) mbretit të Asirisë. Forcave egjiptiane u printe faraoni Neko II. Mirëpo ushtria e Judës, me në krye mbretin Josia, i preu rrugën në Megido dhe, kundër dëshirës së tij, faraoni u detyrua të hynte në luftë; Juda u mund dhe Josia u vra. (2Mb 23:29; 2Kr 35:20-24) Tre muaj më vonë (628 p.e.s.), Nekoja e hoqi nga froni i Judës Jehoahazin, birin dhe trashëgimtarin e Josisë, dhe në vend të tij vuri të vëllanë, Eliakimin (me emrin e ri Jehojakim), kurse Jehoahazin e mori rob në Egjipt. (2Mb 23:31-35; 2Kr 36:1-4; krahaso Ezk 19:1-4.) Juda u kthye në një vend haraçpagues ndaj Egjiptit dhe pagoi një shumë fillestare të barabartë me rreth 1.046.000 dollarë. Gjatë kësaj kohe, profeti Urijah ia mbathi më kot për në Egjipt.—Jr 26:21-23.
Mposhtet nga Nabukodonosori. Sidoqoftë, përçapjet e Egjiptit për të rivendosur nën kontroll Sirinë dhe Palestinën, nuk zgjatën shumë. Egjipti ishte dënuar të pinte kupën e hidhur të disfatës, ashtu siç kishte profetizuar Jehovai me anë të Jeremisë (25:17-19). Tatëpjeta e Egjiptit nisi në vitin 625 p.e.s. me disfatën vendimtare në Karkemish, pranë lumit Eufrat, ku u mund nga babilonasit nën drejtimin e Nabukodonosorit, princit trashëgimtar. Kjo ngjarje përshkruhet tek Jeremia 46:2-10 dhe në një kronikë babilonase.
Më pas Nabukodonosori, tashmë i kurorëzuar si mbret i Babilonisë, pushtoi Sirinë dhe Palestinën, kurse Juda u bë shtet vasal i Babilonisë. (2Mb 24:1) Egjipti bëri edhe një orvatje të fundit për të ruajtur fuqinë e vet në Azi. Forcat ushtarake të faraonit (emri i të cilit nuk përmendet në Bibël) dolën nga Egjipti në përgjigje të kërkesës së mbretit Zedekia për të mbështetur ushtarakisht revoltën e tij kundër babilonasve në vitet 609-607 p.e.s. Babilonasit e hoqën vetëm përkohësisht rrethimin, sepse më pas trupat egjiptiane u detyruan të tërhiqeshin dhe Jerusalemi u shkatërrua.—Jr 37:5-7; Ezk 17:15-18.
Ndonëse Jeremia i paralajmëroi me forcë (Jr 42:7-22), popullsia që mbeti në Judë ia mbathi për të gjetur strehë në Egjipt, duke u bashkuar me judenjtë që ndodheshin tashmë në vend. (Jr 24:1, 8-10) Disa vende të përmendura specifikisht, ku ata u ngulën për të banuar, janë Tafnesi, me sa duket një qytet i fortifikuar në zonën e deltës (Jr 43:7-9), Migdoli dhe Nofi, për të cilin mendohet se është Memfisi, kryeqytet i hershëm i Egjiptit të Poshtëm (Jr 44:1; Ezk 30:13). Prandaj, ‘gjuha e Kanaanit’ (me sa duket hebraishtja) flitej tani në Egjipt nga këta mërgimtarë. (Is 19:18) Në Egjipt, ata iu kthyen si budallenj po atyre zakoneve idhujtare për të cilat Jehovai kishte gjykuar Judën. (Jr 44:2-25) Por, profecitë e Jehovait u përmbushën në rastin e izraelitëve të mërguar kur Nabukodonosori doli kundër Egjiptit dhe e pushtoi.—Jr 43:8-13; 46:13-26.
Është gjetur vetëm një dokument babilonas, i cili daton që në vitin e 37-të të mbretërimit të Nabukodonosorit (588 p.e.s.), ku përmendet një fushatë kundër Egjiptit. Nuk mund të thuhet nëse ky ka lidhje me pushtimin e fillimit apo thjesht me veprime ushtarake të mëvonshme. Sido që të jetë, Nabukodonosori shtiu në dorë pasurinë e Egjiptit, si shpërblim që ndërhyri ushtarakisht për të ekzekutuar gjykimin e Jehovait kundër Tirit, një kundërshtar i popullit të Perëndisë.—Ezk 29:18-20; 30:10-12.
Tek Ezekieli 29:1-16 ishte parathënë se Egjipti do të shkretohej për 40 vjet. Kjo mund të ketë ndodhur pas pushtimit të Egjiptit nga Nabukodonosori. Disa komentues shpjegojnë se mbretërimi i Amasisit II (Ahmosit), pasardhës i faraonit Hofra, ishte tejet i begatë për më se 40 vjet; mirëpo, këtë e bazojnë kryesisht në dëshminë e Herodotit, i cili e vizitoi Egjiptin më shumë se njëqind vjet më vonë. Por, Encyclopædia Britannica (1959, vëll. 8, f. 62) komenton për këtë pjesë të historisë së Herodotit («Periudha saitike»): «Pohimet e tij nuk dalin tërësisht të besueshme kur krahasohen me dëshmitë e pakta lokale.» Pasi ka vërejtur se Herodoti nuk përmend as sulmin e Nabukodonosorit mbi Egjiptin, autori F. K. Kuk thotë në një shpjegues biblik: «Edhe pse dokumentoi me besnikëri çdo gjë që pa e dëgjoi në Egjipt, dihet se për historinë e shkuar Herodoti u mbështet te priftërinjtë egjiptianë, rrëfenjat e të cilëve i përvetësoi verbërisht. . . . [Herodoti] e ka përzier gjithë historinë e Apries [Hofrait] e të Amasisit me kaq shumë elemente të papajtueshme e legjendare, saqë fare mirë do të stepeshim ta pranonim si histori autentike. Nuk është aspak e çuditshme që priftërinjtë të jenë rrekur ta fshehin turpin që mbuloi kombin kur ra nën zgjedhën e huaj.» (Commentary, shënimi B., f. 132) Prandaj, ndonëse historia botërore nuk na jep dëshmi të qarta të përmbushjes së profecisë, ne mund t’i besojmë saktësisë së tregimit biblik.
Nën sundimin pers. Më vonë, Egjipti u vu në krah të Babilonisë kundër fuqisë së re të Medo-Persisë. Megjithatë, në vitin 525 p.e.s. vendi gjendej nën zgjedhën e Kambisit II, birit të Kirit të Madh, dhe rrjedhimisht ra nën sundimin perandorak të Persisë. (Is 43:3) Shumë judenj pa dyshim lanë Egjiptin dhe u kthyen në atdhe (Is 11:11-16; Ho 11:11; Za 10:10, 11), kurse të tjerët qëndruan aty. Një koloni judenjsh gjendej në Elefantinë (egjipt. Yeb), një ishull në lumin Nil pranë Asuanit, rreth 690 km në jug të Kajros. Papiruset me vlerë që janë gjetur, zbulojnë kushtet e atjeshme gjatë shekullit të pestë p.e.s., rreth kohës kur Ezdra dhe Nehemia vepronin në Jerusalem. Në këto dokumente të shkruara në aramaisht shfaqet emri i Sanballatit nga Samaria (Ne 4:1, 2) dhe i kryepriftit Johanan. (Ne 12:22) Me interes të veçantë është një urdhër që doli gjatë mbretërimit të Darit II (423-405 p.e.s.), sipas të cilit kolonia duhej të kremtonte ‘festën e kuleçve të ndormë’ (Da 12:17; 13:3, 6, 7). Po ashtu, vlen të përmendet përdorimi i shpeshtë i emrit Jahu, një formë e emrit Jehova (ose Jahveh; krahaso Is 19:18), ndonëse ka edhe dëshmi të bollshme e të qarta të depërtimit të adhurimit pagan.
Nën sundimin grek dhe romak. Egjipti mbeti nën sundimin pers deri kur u pushtua nga Aleksandri i Madh në vitin 332 p.e.s., i cili gjoja e çliroi Egjiptin nga zgjedha perse, por i dha fund një herë e mirë sundimit të faraonëve vendës. Egjipti i fuqishëm ishte katandisur në ‘një mbretëri të papërfillshme’.—Ezk 29:14 ,15.
Gjatë mbretërimit të Aleksandrit u themelua qyteti i Aleksandrisë dhe, pas vdekjes së tij, në vend sunduan Ptolemenjtë. Në vitin 312 p.e.s, Ptolemeu I pushtoi Jerusalemin dhe Juda u bë një provincë e Egjiptit ptolemaik deri në vitin 198 p.e.s. Më pas, në konfliktin e gjatë me Perandorinë e Seleukajve në Siri, Egjipti së fundi e humbi kontrollin mbi Palestinën, kur mbreti sirian Antioku III mundi ushtrinë e Ptolemeut V. Paskëtaj, pak e nga pak, Egjipti ra gjithnjë e më shumë nën ndikimin e Romës. Në vitin 31 p.e.s., në betejën vendimtare të Aktiumit, Kleopatra e braktisi flotën e dashnorit të saj Mark Antonit, i cili u mund nga Oktaviani, stërnipi i Jul Cezarit. Oktaviani e përfundoi pushtimin e Egjiptit në vitin 30 p.e.s., dhe vendi u bë provincë romake. Jozefi dhe Maria ikën në këtë provincë romake, bashkë me Jezuin e vogël, për të shpëtuar nga dekreti vrastar i Herodit. Që andej u kthyen pas vdekjes së Herodit, që të përmbusheshin fjalët e Hozesë: «Nga Egjipti e thirra tim bir.»— Mt 2:13-15; Ho 11:1; krahaso Da 4:22, 23.
Kryengritësi ‘egjiptian’ me të cilin komandanti ushtarak në Jerusalem e ngatërroi Pavlin, ka mundësi të ketë qenë i njëjti që përmendet nga Jozefi. (Lufta judaike, II, 254-263 [xiii, 3-5]) Kryengritja e tij mendohet se ka ndodhur gjatë mbretërimit të Neronit dhe kohës ku guvernator i Judesë ishte Feliksi, rrethana që përkojnë me tregimin e Veprave 21:37-39; 23:23, 24.
Shkatërrimi i dytë i Jerusalemit nga romakët në vitin 70 të e.s., e përmbushi më tej Ligjin e përtërirë 28:68, duke qenë se shumë nga judenjtë që mbijetuan u çuan skllevër në Egjipt.—Lufta judaike, VI, 418 (ix, 2).
Referime të tjera profetike dhe simbolike. Egjipti përmendet më së shumti në shpalljet e gjykimit, të shprehura në gjuhë simbolike. (Ezk 29:1-7; 32:1-32) Për izraelitët, Egjipti përfaqësonte forcën dhe fuqinë ushtarake përmes aleancave politike, aq sa mbështetja tek Egjipti u bë simbol i mbështetjes te fuqia njerëzore në vend të mbështetjes te Jehovai. (Is 31:1-3) Por, tek Isaia 30:1-7, Jehovai tregoi se fuqia e Egjiptit ishte vetëm një fasadë, duke e quajtur «Rahabë që rri kot». (Krahaso Ps 87:4; Is 51:9, 10.) Gjithsesi, përveç dënimeve të shumta, kishte edhe premtime se shumë njerëz nga «Egjipti» do ta njihnin Jehovain, aq sa do të thuhej: «Bekuar qoftë Egjipti, populli im.»— Is 19:19-25; 45:14.
Egjipti përmendet si pjesë e zotërimeve të ‘mbretit të jugut’ simbolik. (Dn 11:5, 8, 42, 43) Te Zbulesa 11:8, Jerusalemi jobesnik, ku u vu në shtyllë Zotëria Jezu Krisht, quhet Egjipt «në kuptimin frymor». Kjo është më se me vend po të marrim parasysh se Jerusalemi jobesnik i mbajti judenjtë në shtypje e skllavëri fetare. Po kështu, flitë e Pashkës së parë u therën në Egjipt, kurse Qengji antitipik i Pashkës, Jezu Krishti, u vra në Jerusalem.—Gjo 1:29, 36; 1Ko 5:7; 1Pj 1:19.
Papiruse të vlefshme. Dheu veçanërisht i thatë i Egjiptit ka bërë të mundur mbijetesën e dorëshkrimeve prej papirusi, të cilat në kushte me më shumë lagështi, do të ishin shkatërruar. Që prej pjesës së fundit të shekullit të 19-të, atje janë zbuluar shumë papiruse, përfshirë një sasi të konsiderueshme papirusesh biblike, si koleksioni i Çestër Bitit. Këto janë hallka lidhëse mjaft të rëndësishme mes origjinalëve të Shkrimeve të Shenjta dhe kopjeve të mëvonshme të dorëshkrimeve prej velini.
[Figura në botimin e shtypur]
Statujë e Amonit, që mbron faraonin
[Figura në botimin e shtypur]
Me plagën e murtajës mbi bagëtinë e Egjiptit, Jehovai çnderoi perëndinë e tyre Apis, që paraqitej nga një dem
[Figura në botimin e shtypur]
Sfinks gjigant që duket sikur bën rojë përballë piramidave në Gizë
[Figura në botimin e shtypur]
Shtatore gjigante në Abu-Simbel, në nderim të Ramsesit II