LUGINA E PËRROIT TË EGJIPTIT
Vad i gjatë (ose grykë) që shënonte kufirin jugperëndimor që vendosi Perëndia për Tokën e Premtuar, pra për «vendin e Kanaanit». (Nu 34:2, 5; 1Mb 8:65; Is 27:12) Ndonëse kjo luginë përroi në të vërtetë nuk ndodhej në Egjipt, territori i atij kombi me sa duket shtrihej deri atje, të paktën në disa periudha. (2Mb 24:7) Edhe në vegimin e Ezekielit, «lugina e përroit të Egjiptit» përmendet si një nga kufijtë e Izraelit.—Ezk 47:19; 48:28.
Zakonisht luginën e përroit të Egjiptit e lidhin me Vadi-el-ʽArishin, që zë fill mbi 200 km në brendësi të gadishullit të Sinait, afër Jebel-et-Tihut. Ai shkon drejt veriut derisa arrin detin Mesdhe në qytetin e El ʽArishit (Rinokolurës), rreth 150 km në lindje të Port-Saidit. Gjatë verës nuk është veçse një shtrat i thatë. Mirëpo në stinën e shirave, kur në Vadi-el-ʽArish derdhen degë të shumta, lumi fryhet nga ujërat dhe vërshon brigjeve e madje shkul me rrënjë pemë dhe i merr para në rrjedhën e tij të rrëmbyer. Kjo mund të shpjegojë pse quhet «lumi i Egjiptit» te Zanafilla 15:18, ku jepen kufijtë e Tokës së Premtuar.—Megjithatë, shih SHIHORI.