Bekime më të mëdha nëpërmjet besëlidhjes së re
«Jezui . . . është, gjithashtu, ndërmjetësi i një besëlidhjeje, në mënyrë korresponduese, më të mirë.»—HEBRENJVE 8:6, BR.
1. Cila doli se qe ‘fara e gruas’ e premtuar në Eden dhe si ‘ia shtypën thembrën’ atij?
PASI Adami dhe Eva mëkatuan, Jehovai shpalli gjykimin mbi Satanain, mbi atë që mashtroi Evën, duke thënë: «Unë do të vendos armiqësi midis teje dhe gruas dhe midis farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën dhe ti do t’i shtypësh thembrën.» (Zanafilla 3:15, BR) Kur Jezui u pagëzua në lumin Jordan, në vitin 29 të e.s, Fara e premtuar në Eden, më në fund u shfaq. Me vdekjen e tij në një shtyllë mundimesh në vitin 33 të e.s., u përmbush një pjesë e kësaj profecie të lashtë. Satanai kishte ‘shtypur thembrën’ e Farës.
2. Sipas vetë fjalëve të Jezuit, si përfiton njerëzimi nga vdekja e tij?
2 Lumturisht, ajo plagë, edhe pse tmerrësisht e dhimbshme, nuk qe e përhershme. Jezui ishte ringjallur së vdekuri si një frymë e pavdekshme dhe ishte ngjitur tek Ati i tij në qiell, ku ofroi vlerën e gjakut të tij të derdhur si «një shpërblerje në këmbim të shumë vetave». Kështu dolën të vërteta vetë fjalët e tij: «Biri i njeriut duhet të ngrihet, që gjithkush që beson në të të ketë jetë të përhershme. Sepse Perëndia e deshi botën aq shumë, saqë dha Birin e tij të vetëmlindur, në mënyrë që kushdo që ushtron besim në të, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Mateu 20:28; Gjoni 3:14-16; Hebrenjve 9:12-14, BR) Besëlidhja e re luan një rol kyç në përmbushjen e profecisë së Jezuit.
Besëlidhja e re
3. Kur u pa për herë të parë të ishte në veprim besëlidhja e re?
3 Pak përpara vdekjes së tij, Jezui u tha ithtarëve të vet se gjaku i tij i derdhur ishte «gjaku i besëlidhjes [së re]». (Mateu 26:28; Luka 22:20) Dhjetë ditë pasi ai u ngjit në qiell, besëlidhja e re u pa të ishte në veprim, kur fryma e shenjtë u derdh mbi rreth 120 dishepuj të mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem. (Veprat 1:15; 2:1-4) Fakti që këta 120 dishepuj u sollën në besëlidhjen e re, tregoi se besëlidhja «e mëparshme», besëlidhja e Ligjit, tani ishte e vjetëruar.—Hebrenjve 8:13.
4. A ishte e mangët besëlidhja e vjetër? Shpjego.
4 A ishte e mangët besëlidhja e vjetër? Aspak. Vërtet që meqenëse tani ishte zëvendësuar, Izraeli mishor nuk ishte më populli i veçantë i Perëndisë. (Mateu 23:28) Por kjo ndodhi për shkak të mosbindjes së Izraelit dhe të hedhjes poshtë të të Mirosurit të Jehovait. (Dalja [Eksodi] 19:5; Veprat 2:22, 23) Megjithatë, përpara se të zëvendësohej, Ligji kreu shumë gjëra. Për shekuj të tërë, ai siguroi një mënyrë afrimi ndaj Perëndisë dhe një mënyrë mbrojtjeje prej fesë së rreme. Ai përmbante tipare që ishin hije e besëlidhjes së re dhe, me flijimet e tij të përsëritura, tregoi nevojën jashtëzakonisht të madhe të njeriut për shpengimin nga vdekja dhe mëkati. Në të vërtetë, Ligji ishte një «tutor që çon te Krishti». (Galatasve 3:19, 24, BR; Romakëve 3:20; 4:15; 5:12; Hebrenjve 10:1, 2) Megjithatë, ishte përmes besëlidhjes së re që bekimi premtuar Abrahamit, do të realizohej plotësisht.
Kombet të bekuara nëpërmjet farës së Abrahamit
5, 6. Në përmbushjen frymore bazë të besëlidhjes abrahamike, cila është Fara e Abrahamit dhe cili qe kombi i parë që mori një bekim nëpërmjet tij?
5 Jehovai i premtoi Abrahamit: «Me anë të farës sate, do të bekohen me siguri të gjitha kombet e tokës.» (Zanafilla 22:18) Nën besëlidhjen e vjetër, shumë të huaj të lakueshëm në zemër u bekuan nëpërmjet shoqërimit të tyre me Izraelin, farën kombëtare të Abrahamit. Megjithatë, në përmbushjen frymore bazë të saj, Fara e Abrahamit ishte një njeri i përsosur. Pavli e shpjegoi këtë, kur tha: «Premtimet iu thanë Abrahamit dhe farës së tij. Nuk thuhet, ‘dhe farërave’, si në rastin e shumë të tillave, por si në rastin e një të vetmeje: ‘Dhe farës sate’, e cila është Krishti.»—Galatasve 3:16, BR.
6 Po, Jezui është fara e Abrahamit dhe nëpërmjet Tij, kombet marrin një bekim shumë më të lartë se çdo gjë e mundshme për Izraelin mishor. Në të vërtetë, kombi i parë që mori këtë bekim ishte vetë Izraeli. Pak pas Rrëshajëve të vitit 33 të e.s., apostulli Pjetër i tha një grupi judenjsh: «Ju jeni bijtë e profetëve dhe të besëlidhjes që Perëndia lidhi me stërgjyshërit tuaj, duke i thënë Abrahamit: ‘Në farën tënde do të bekohen të gjitha familjet e tokës.’ Të parëve juve, Perëndia, pasi ringjalli Shërbëtorin e tij, ua dërgoi për t’ju bekuar, duke e larguar secilin nga veprimet tuaja të liga.»—Veprat 3:25, 26, BR.
7. Cilat kombe u bekuan nëpërmjet Jezuit, Farës së Abrahamit?
7 Shpejt, bekimi u shtri te samaritanët dhe më pas te johebrenjtë. (Veprat 8:14-17; 10:34-48) Diku mes viteve 50 dhe 52 të e.s., Pavli u shkroi të krishterëve në Galaci, në Azinë e Vogël: «Shkrimi, duke parë përpara që Perëndia do t’i deklaronte të drejtë njerëzit e kombeve për shkak të besimit, ia deklaroi lajmin e mirë që më parë Abrahamit, domethënë: ‘Me anën tënde do të bekohen të gjitha kombet.’ Për pasojë, ata që i përmbahen besimit, janë duke u bekuar bashkë me Abrahamin besimplotë.» (Galatasve 3:8, 9, BR; Zanafilla 12:3) Megjithëse shumë të krishterë në Galaci ishin «njerëz të kombeve», ata u bekuan nëpërmjet Jezuit, për shkak të besimit të tyre. Në ç’mënyrë?
8. Për të krishterët e kohës së Pavlit, çfarë përfshinte të qenët i bekuar nëpërmjet Farës së Abrahamit dhe sa janë ata që, së fundi, marrin një bekim të tillë?
8 Pavli u tha të krishterëve galatas, të çfarëdo prejardhjeje: «Nëse i përkitni Krishtit, jeni me të vërtetë fara e Abrahamit, trashëgimtarë në lidhje me një premtim.» (Galatasve 3:29, BR) Për ata galatas, bekimi nëpërmjet Farës së Abrahamit përfshinte të qenët pjesëmarrës në besëlidhjen e re dhe, gjithashtu, të qenët bashkëtrashëgimtarë me Jezuin, bashkëtrashëgimtarë me Jezuin në farën e Abrahamit. Ne nuk e dimë popullimin e Izraelit të lashtë. Ne dimë vetëm se ai u bë «si kokrrizat e rërës që ndodhen me shumicë anës detit». (1. Mbretërve 4:20, BR) Megjithatë, dimë numrin përfundimtar të bashkëtrashëgimtarëve të Jezuit në farën frymore: 144.000. (Zbulesa 7:4; 14:1) Ata 144.000 vijnë nga «çdo fis, gjuhë, popull dhe komb» i njerëzimit dhe marrin pjesë në administrimin e bekimeve të tjera akoma, të besëlidhjes abrahamike.—Zbulesa 5:9.
Një profeci e përmbushur
9. Si e kanë në vetvete ligjin e Jehovait ata të besëlidhjes së re?
9 Kur paratha besëlidhjen e re, Jeremia shkroi: «‘Kjo është besëlidhja që do të përfundoj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve,—është thënia e Jehovait.—Do ta vendos ligjin tim në ta dhe do ta shkruaj në zemrën e tyre.’» (Jeremia 31:33, BR) Është një karakteristikë e atyre të besëlidhjes së re që t’i shërbejnë Jehovait nga dashuria. (Gjoni 13:35; Hebrenjve 1:9) Ligji i Jehovait është shkruar në zemrën e tyre dhe ata dëshirojnë me zjarr të bëjnë vullnetin e tij. Vërtet, në Izraelin e lashtë disa individë besimplotë e deshën me gjithë fuqinë ligjin e Jehovait. (Psalmi 119:97) Por shumë nuk e deshën. Megjithatë, mbetën pjesë e kombit. Në besëlidhjen e re nuk mund të mbetet askush, nëse ligji i Perëndisë nuk është shkruar në zemrën e tij.
10, 11. Për ata të besëlidhjes së re, në ç’mënyrë Jehovai ‘bëhet Perëndia i tyre’ dhe si do ta njohin atë të gjithë ata?
10 Më pas, në lidhje me ata të besëlidhjes së re, Jehovai tha: «Unë do të bëhem Perëndia i tyre dhe ata vetë do të bëhen populli im.» (Jeremia 31:33, BR) Në Izraelin e lashtë, shumë veta adhuronin perënditë e kombeve, por ata mbetën izraelitë. Mbi bazën e besëlidhjes së re, Jehovai krijoi një komb frymor, «Izraelin e Perëndisë», që të zëvendësonte Izraelin mishor. (Galatasve 6:16; Mateu 21:43; Romakëve 9:6-8) Megjithatë, askush nuk mbetet pjesë e kombit të ri frymor, nëse pushon së adhuruari Jehovain dhe vetëm atë.
11 Jehovai tha, gjithashtu: «Të gjithë ata do të më njohin, që nga më i vogli i tyre deri te më i madhi i tyre.» (Jeremia 31:34, BR) Në Izrael, shumë veta thjesht e shpërfillën Jehovain, duke thënë në thelb: «Jehovai nuk do të bëjë të mirën dhe nuk do të bëjë të keqen.» (Sofonia 1:12, BR) Askush nuk mbetet pjesë e Izraelit të Perëndisë, nëse shpërfill Jehovain ose ndot adhurimin e kulluar. (Mateu 6:24; Kolosianëve 3:5) Izraelitët frymorë janë «njerëzit që po njohin Perëndinë e tyre». (Danieli 11:32, BR) Ata kënaqen të ‘marrin njohuri për të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për Jezu Krishtin’. (Gjoni 17:3) Duke njohur Jezuin, njohuria e tyre mbi Perëndinë thellohet pasi, në mënyrë unike, Jezui «është i vetmi që ka shpjeguar [Perëndinë]».—Gjoni 1:18, BR; 14:9-11.
12, 13. (a) Mbi ç’bazë i fal Jehovai mëkatet e atyre të besëlidhjes së re? (b) Në lidhje me faljen e mëkateve, në ç’mënyrë besëlidhja e re qëndron më lartë se besëlidhja e vjetër?
12 Së fundi, Jehovai premtoi: «Do ta fal gabimin e tyre dhe nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.» (Jeremia 31:34b, BR) Ligji i Moisiut përfshinte qindra rregullime të shkruara, të cilave kërkohej që izraelitët t’u bindeshin. (Ligji i përtërirë 28:1, 2, 15) Të gjithë ata që shkelnin Ligjin, ofronin flijime, që të mbulonin mëkatet e tyre. (Levitiku 4:1-7; 16:1-31) Shumë judenj arritën të besonin se mund të bëheshin të drejtë nëpërmjet veprave në përputhje me Ligjin. Por, të krishterët e kuptojnë se nuk mund ta fitojnë kurrë drejtësinë me anë të veprave të tyre. Ata nuk mund ta shmangin mëkatimin. (Romakëve 5:12) Nën besëlidhjen e re, një qëndrim i drejtë para Perëndisë është i mundur vetëm mbi bazën e flijimit të Jezuit. Megjithatë, një qëndrim i tillë është një dhuratë, një dashamirësi e pamerituar nga Perëndia. (Romakëve 3:20, 23, 24, BR) Jehovai kërkon ende bindje nga shërbëtorët e tij. Pavli thotë se ata të besëlidhjes së re janë «nën ligj ndaj Krishtit».—1. Korintasve 9:21, BR.
13 Pra, edhe për të krishterët ekziston një flijim për mëkatin, por një flijim me shumë më tepër vlerë sesa flijimet nën besëlidhjen e Ligjit. Pavli shkroi: «Çdo prift [nën besëlidhjen e Ligjit], zë vendqëndrimin e tij nga dita në ditë, për të bërë shërbim publik dhe për të ofruar shpesh të njëjtat flijime, sepse këto nuk janë asnjëherë në gjendje t’i largojnë plotësisht mëkatet. Por [Jezui] ofroi në mënyrë të përhershme një flijim të vetëm për mëkatet dhe u ul në anën e djathtë të Perëndisë.» (Hebrenjve 10:11, 12, BR) Meqenëse të krishterët në besëlidhjen e re ushtrojnë besim në flijimin e Jezuit, Jehovai i deklaron ata të drejtë, pa mëkat, dhe kështu në gjendje për të qenë të mirosur si bijtë e tij frymorë. (Romakëve 5:1; 8:33, 34; Hebrenjve 10:14-18) Kur ata bëjnë mëkat, për shkak të papërsosmërisë njerëzore, mund të kërkojnë faljen e Jehovait dhe mbi bazën e flijimit të Jezuit, Jehovai i fal. (1. Gjonit 2:1, 2) Megjithatë, nëse ata zgjedhin një rrugë mëkati të qëllimshëm, humbasin qëndrimin e tyre të drejtë dhe privilegjin për të qenë pjesëmarrës në besëlidhjen e re.—Hebrenjve 2:2, 3; 6:4-8; 10:26-31.
Besëlidhja e vjetër dhe e re
14. Cila rrethprerje kërkohej nën besëlidhjen e Ligjit? Po nën besëlidhjen e re?
14 Meshkujt në besëlidhjen e vjetër ishin të rrethprerë, si një shenjë se ishin nën Ligj. (Levitiku 12:2, 3; Galatasve 5:3) Pasi filloi kongregacioni i krishterë, disa menduan se edhe të krishterët jojudenj duhej të rrethpriteshin. Por apostujt dhe pleqtë në Jerusalem, të udhëhequr nga Fjala e Perëndisë dhe nga fryma e shenjtë, e kuptuan se kjo gjë nuk ishte e domosdoshme. (Veprat 15:1, 5, 28, 29) Pak vjet më vonë, Pavli tha: «Nuk është jude, ai që është i tillë nga jashtë dhe nuk është rrethprerje ajo që është jashtë, në mish. Por është jude ai që është i tillë nga brenda dhe rrethprerja e tij është ajo e zemrës sipas frymës dhe jo sipas një kodi të shkruar.» (Romakëve 2:28, 29, BR) Rrethprerja fizike, edhe për judenjtë mishorë, nuk kishte më vlerë frymore në sytë e Jehovait. Për ata të besëlidhjes së re duhet të jetë rrethprerë zemra, jo mishi. Çdo gjëje në mënyrën e tyre të të menduarit, në dëshirat dhe në motivimet, që nuk i pëlqen apo që është e papastër në sytë e Jehovait, i duhet prerë rruga.a Sot, shumë veta janë dëshmi e gjallë e fuqisë së frymës së shenjtë për ta transformuar të menduarit në këtë mënyrë.—1. Korintasve 6:9-11; Galatasve 5:22-24; Efesianëve 4:22-24.
15. Si krahasohen Izraeli mishor dhe Izraeli i Perëndisë në lidhje me sundimin mbretëror?
15 Në rregullimin e besëlidhjes së Ligjit, Jehovai ishte Mbret i Izraelit dhe me kalimin e kohës ai e ushtroi sovranitetin e tij me anë të mbretërve njerëzorë në Jerusalem. (Isaia 33:22) Jehovai është, gjithashtu, Mbreti i Izraelit të Perëndisë, i Izraelit frymor, dhe që prej vitit 33 të e.s., ai ka sunduar nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili mori «çdo autoritet . . . në qiell dhe në tokë». (Mateu 28:18; Efesianëve 1:19-23; Kolosianëve 1:13, 14) Sot, Izraeli i Perëndisë e pranon Jezuin si Mbret të Mbretërisë qiellore të Perëndisë, e cila u vendos në vitin 1914. Jezui është një Mbret shumë më i mirë sesa ishin madje edhe Hezekia, Josia dhe mbretërit e tjerë besimplotë të Izraelit të lashtë.—Hebrenjve 1:8, 9; Zbulesa 11:15.
16. Ç’lloj priftërie është Izraeli i Perëndisë?
16 Izraeli nuk ishte vetëm një mbretëri, por kishte edhe një priftëri të mirosur. Në vitin 33 të e.s., Izraeli i Perëndisë zëvendësoi Izraelin mishor dhe u bë «shërbëtori» i Jehovait, «dëshmitarët» e tij. (Isaia 43:10) Fjala e Jehovait drejtuar Izraelit, regjistruar në Isainë 43:21 dhe në Daljen 19:5, 6, që këtej e tutje i aplikohej Izraelit frymor të Perëndisë. Tani, kombi i ri frymor i Perëndisë ishte «një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull për zotërim të veçantë», përgjegjës për ‘deklarimin e shkëlqimeve të Jehovait’. (1. Pjetrit 2:9, BR) Të gjithë në Izraelin e Perëndisë, burra dhe gra, formojnë një priftëri kolektive. (Galatasve 3:28, 29) Si pjesë dytësore e farës së Abrahamit, tani ata thonë: «Jini të gëzuara, ju kombe, me popullin e tij.» (Ligji i përtërirë 32:43, BR) Ata të Izraelit frymor që qëndrojnë ende në tokë, përbëjnë «skllavin e besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Vetëm në shoqëri me ta, mund t’i bëhet Perëndisë një shërbim i shenjtë i pranueshëm.
Mbretëria e Perëndisë: Përmbushja përfundimtare
17. Cilën lindje përjetojnë ata të besëlidhjes së re?
17 Izraelitët e lindur pas vitit 1513 p.e.s., hynin në besëlidhjen e Ligjit sapo lindnin. Ata që Jehovai i merr në besëlidhjen e re, përjetojnë, gjithashtu, një lindje; në rastin e tyre, një lindje frymore. Jezui ia përmendi këtë fariseut Nikodem, kur tha: «Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Nëse dikush nuk lind përsëri, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.» (Gjoni 3:3, BR) Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., 120 dishepujt ishin njerëzit e parë të papërsosur, që përjetuan këtë lindje të re. Të deklaruar të drejtë nën besëlidhjen e re, ata morën frymën e shenjtë si «kapar» të trashëgimisë së tyre mbretërore. (Efesianëve 1:14, BR) Ata u ‘lindën nga fryma’ për t’u bërë bij të adoptuar të Perëndisë, e cila i bëri ata vëllezër të Jezuit dhe kështu «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin». (Gjoni 3:6; Romakëve 8:16, 17, BR) Të qenët ‘të lindur përsëri’ u hapi rrugën për perspektiva të mrekullueshme.
18. Cilave perspektiva të mrekullueshme për ata të besëlidhjes së re u hap derën të qenët të lindur përsëri?
18 Kur ndërmjetësoi besëlidhjen e re, Jezui bëri një besëlidhje shtesë me ithtarët e tij, duke thënë: «Unë bëj një besëlidhje me ju, ashtu si Ati ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.» (Luka 22:29, BR) Kjo Besëlidhje e Mbretërisë bën gati rrugën për përmbushjen e një vizioni të jashtëzakonshëm, të regjistruar në Danielin 7:13, 14, 22, 27. Danieli pa «dikë si një bir njeriu», të cilit i ishte dhënë autoritet mbretëror nga «i Lashti i ditëve», Perëndia Jehova. Më pas, Danieli pa se «të shenjtët morën zotërimin e vetë mbretërisë». Jezui është ai «si një bir njeriu», i cili, më 1914, mori nga Perëndia Jehova Mbretërinë qiellore. Dishepujt e tij të mirosur me frymë janë «të shenjtët», që marrin pjesë me të në atë Mbretëri. (1. Selanikasve [Thesalonikasve] 2:12, BR) Si?
19, 20. (a) Për ata të besëlidhjes së re, çfarë përmbushjeje përfundimtare dhe të lavdishme do të ketë premtimi i Jehovait bërë Abrahamit? (b) Cila pyetje e mëtejshme duhet shqyrtuar?
19 Pas vdekjes së tyre, këta të mirosur, ashtu si Jezui, ringjallen së vdekuri si krijesa frymore të pavdekshme, që të shërbejnë me të në qiell si mbretër dhe si priftërinj. (1. Korintasve 15:50-53; Zbulesa 20:4, 6) Ç’shpresë e lavdishme! «Ata do të sundojnë si mbretër mbi tokë», jo thjesht mbi vendin e Kanaanit. (Zbulesa 5:10, BR) A do të ‘zotërojnë ata portat e armiqve të tyre’? (Zanafilla 22:17, BR) Po, dhe në mënyrë përfundimtare, kur të jenë dëshmitarë të shkatërrimit të lavires fetare armiqësore, Babilonisë së Madhe, dhe kur këta të mirosur të ringjallur të marrin pjesë me Jezuin në kullotjen e kombeve «me një shufër hekuri» dhe në shtypjen e kokës së Satanait. Kështu ata do të kenë pjesën e tyre në përmbushjen e hollësisë së fundit të profecisë në Zanafillën 3:15.—Zbulesa 2:26, 27; 17:14; 18:20, 21; Romakëve 16:20.
20 Megjithatë, mund të pyesim: ‘A përfshin besëlidhja abrahamike dhe besëlidhja e re vetëm këta 144.000 shpirtra besimplotë?’ Jo, të tjerë që nuk janë drejtpërdrejt në këto besëlidhje do të bekohen nëpërmjet tyre, siç do të shihet në artikullin vijues.
[Shënimi]
a Shiko Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 1, faqe 470, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
A të kujtohet?
◻ Kur u pa për herë të parë të ishte në veprim besëlidhja e re?
◻ Çfarë u krye nëpërmjet besëlidhjes së vjetër?
◻ Kush është në radhë të parë Fara e Abrahamit dhe sipas cilës renditje u bekuan kombet nëpërmjet kësaj Fare?
◻ Për të 144.000-ët, cila është përmbushja përfundimtare e besëlidhjes abrahamike dhe e besëlidhjes së re?
[Figura në faqen 15]
Falja e mëkateve ka domethënie më të madhe për ata nën besëlidhjen e re sesa për ata nën besëlidhjen e vjetër