NABUKODONOSORI, NABUKODREZARI
[nga gjuha akadiane që do të thotë «O Nebo, mbro trashëgimtarin»].
Sundimtari i dytë i Perandorisë Neobabilonase; bir i Nabopolasarit dhe i ati i Avil-Mardukut (Evil-Merodakut), që hipi në fron pas tij. Nabukodonosori mbretëroi 43 vjet (624-582 p.e.s.), periudhë që përfshinte ‘shtatë kohët’ gjatë të cilave hëngri bar si demat. (Dn 4:31-33) Për ta dalluar këtë monark nga sundimtari babilonas me të njëjtin emër që i përkiste një periudhe shumë më të hershme (dinastia Isin), historianët e quajnë Nabukodonosori II.
Të dhënat historike ekzistuese të mbishkrimeve kuneiforme rreth Nabukodonosorit, e plotësojnë disi tregimin biblik. Në to thuhet se vitin e 19-të të mbretërimit, Nabopolasari mobilizoi ushtrinë e tij, e po ashtu bëri edhe i biri, Nabukodonosori, që asokohe ishte princi trashëgimtar. Me sa duket, të dyja ushtritë vepronin të pavarura. Nabopolasari u kthye në Babiloni brenda një muaji, kurse Nabukodonosori korri fitore në një zonë malore dhe u kthye më vonë në Babiloni me shumë plaçkë. Vitin e 21-të të mbretërimit të Nabopolasarit, Nabukodonosori marshoi me ushtrinë babilonase drejt Karkemishit, për të luftuar kundër egjiptianëve. Ai e udhëhoqi ushtrinë e vet drejt fitores. Kjo ndodhi vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit, mbretit të Judës (625 p.e.s.).—Jr 46:2.
Më tej mbishkrimet tregojnë se lajmi për vdekjen e të atit e ktheu Nabukodonosorin në Babiloni dhe ditën e parë të muajit elul (gusht-shtator) ai hipi në fron. Po atë vit që u kurorëzua mbret, ai u kthye në Hatu dhe «në muajin shebat [janar-shkurt 624 p.e.s.] e çoi plaçkën e madhe të Hatusë në Babiloni». (Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsëni, 1975, f. 100) Në vitin 624 p.e.s., viti i parë zyrtar i mbretërimit, Nabukodonosori udhëhoqi forcat e tij ushtarake dhe hyri sërish në Hatu; ai pushtoi dhe plaçkiti qytetin filistin të Ashkelonit. (Shih ASHKELONI.) Vitin e dytë, të tretë dhe të katërt të mbretërimit, kryesoi fushata të tjera në Hatu dhe, me sa duket, vitin e katërt të mbretërimit bëri vasal Jehojakimin, mbretin e Judës. (2Mb 24:1) Po atë vit, Nabukodonosori i priu ushtrisë së tij drejt Egjiptit dhe në betejën që pasoi të dyja palët pësuan humbje të thellë.
Pushtimi i Jerusalemit. Pas kësaj, rebelimi i mbretit Jehojakim të Judës kundër Nabukodonosorit çoi në rrethimin e Jerusalemit nga babilonasit. Siç duket, gjatë atij rrethimi Jehojakimi vdiq dhe në fronin e Judës hipi i biri, Jehojakini. Por vetëm tre muaj e dhjetë ditë më pas, mbretërimi i tij mori fund, kur Jehojakini iu dorëzua Nabukodonosorit (në muajin adar [shkurt-mars] të vitit të shtatë të mbretërimit të Nabukodonosorit [që përfundoi në nisan 617 p.e.s.], sipas Kronikave Babilonase). Në një mbishkrim kuneiform (Muzeu Britanik 21946) thuhet: «Viti i shtatë: në muajin kislev, mbreti i Akadit mobilizoi ushtrinë dhe marshoi drejt Hatusë. Ai ngriti kampin përreth qytetit të Judës, e mori qytetin ditën e dytë të muajit adar (dhe) zuri rob mbretin (e tij) [Jehojakinin]. Vendosi në qytet një mbret që e zgjodhi vetë [Zedekinë] (dhe) pasi mori haraçin e stërmadh, e çoi në Babiloni.» (Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. K. Grejsëni, 1975, f. 102; FIGURA, vëll. 2, f. 326 në botimin anglisht) Bashkë me Jehojakinin, Nabukodonosori çoi në mërgim në Babiloni pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore, zyrtarë të oborrit, artizanë dhe luftëtarë. Ai bëri mbret të Judës Mataniahun, ungjin e Jehojakinit, dhe ia ndryshoi emrin nga Mataniah në Zedekia.—2Mb 24:11-17; 2Kr 36:5-10; shih KRONOLOGJIA; JEHOJAKINI; JEHOJAKIMI.
Më pas, Zedekia ngriti krye kundër Nabukodonosorit dhe lidhi aleancë me Egjiptin, për të pasur mbrojtje ushtarake. (Ezk 17:15; krahaso Jr 27:11-14.) Si pasojë, babilonasit u kthyen në Jerusalem dhe më 10 tebeth (dhjetor-janar) të vitit të nëntë të mbretërimit të Zedekisë, Nabukodonosori e rrethoi Jerusalemin. (2Mb 24:20; 25:1; 2Kr 36:13) Mirëpo, me të dëgjuar se nga Egjipti po dilnin forcat ushtarake të faraonit, babilonasit e hoqën përkohësisht rrethimin. (Jr 37:5) Pastaj trupat e faraonit u detyruan të ktheheshin në Egjipt dhe babilonasit e rrethuan sërish Jerusalemin. (Jr 37:7-10) Së fundi, në vitin 607 p.e.s., më 9 tamuz (qershor-korrik), vitin e 11-të të mbretërimit të Zedekisë (viti i 19-të i mbretërimit të Nabukodonosorit, nisur nga viti kur hipi në fron, ose viti i 18-të i mbretërimit të tij) në muret e Jerusalemit u hap një e çarë. Zedekia dhe njerëzit e tij ia mbathën, por i kapën në rrafshinat e shkreta të Jerikosë. Meqë Nabukodonosori ishte tërhequr në Riblah «në vendin e Hamathit», Zedekinë e çuan atje, para mbretit. Nabukodonosori urdhëroi të thereshin gjithë bijtë e Zedekisë, e pastaj e verboi atë vetë, e lidhi dhe e çoi në Babiloni, ku e burgosi. Me gjërat që duheshin bërë pas pushtimit, si djegia e tempullit dhe e shtëpive të Jerusalemit, konfiskimi i pajisjeve të tempullit dhe robërit, u mor Nebuzaradani, kreu i truprojës. Nabukodonosori caktoi Gedaliahun si guvernator të atyre që nuk u çuan robër.—2Mb 25:1-22; 2Kr 36:17-20; Jr 52:1-27, 29.
Ëndrra e shëmbëlltyrës tejet të madhe. Në librin e Danielit thuhet se «vitin e dytë» të mbretërimit (ndoshta duke numëruar nga viti 607 p.e.s. kur u shkatërrua Jerusalemi, pra në të vërtetë viti i 20-të i mbretërimit), Nabukodonosori pa në ëndërr shëmbëlltyrën me kokë të artë. (Dn 2:1) Priftërinjtë që merreshin me magji, ndjellësit e frymërave dhe kaldeasit nuk e interpretuan dot atë ëndërr, por profeti hebre Danieli ishte në gjendje ta bënte. Si rrjedhojë, Nabukodonosori e pranoi se Perëndia i Danielit ishte «Perëndi i perëndive, Zot i mbretërve dhe Zbulues i të fshehtave». Pas kësaj, e bëri Danielin «sundimtar mbi gjithë provincën e Babilonisë e kryeprefekt të të gjithë burrave të mençur të Babilonisë». Gjithashtu, Nabukodonosori emëroi në poste administrative tre shokët e Danielit: Shadrakun, Meshakun dhe Abednegon.—Dn 2.
Mërgime të mëvonshme të judenjve. Rreth tre vjet më pas, vitin e 23-të të mbretërimit të Nabukodonosorit, u çuan në mërgim judenj të tjerë. (Jr 52:30) Mes tyre ndoshta ishin judenjtë që kishin ikur në vendet e pushtuara më pas nga babilonasit. Këtë e mbështet pohimi i historianit Jozef: «Vitin e pestë pas plaçkitjes së Jerusalemit, që ishte viti i njëzetetretë i mbretërimit të Nabukodonosorit, Nabukodonosori marshoi kundër Koele-Sirisë dhe, pasi e shtiu në dorë, u hapi luftë edhe moabitëve, edhe amanitëve. Me t’i bërë zap ato kombe, u sul kundër Egjiptit, që ta nënshtronte, . . . mori judenjtë që ishin robër atje dhe i çoi në Babiloni.»—Antikitete judaike, X, 181, 182 (ix, 7).
Pushton Tirin. Pasi kishte kaluar njëfarë kohe nga rënia e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s., Nabukodonosori filloi të rrethonte Tirin. Gjatë rrethimit, kokat e ushtarëve të tij «u bënë tullace» nga fërkimi me helmetat dhe supet iu «bënë mish», ngaqë mbartnin materialet e nevojshme për të ndërtuar rrethimin. Meqë Nabukodonosori nuk mori asnjë «shpërblim» për shërbimin që bëri kur Jehovai e përdori për të ekzekutuar gjykimin kundër Tirit, Ai premtoi se do t’i jepte pasurinë e Egjiptit. (Ezk 26:7-11; 29:17-20; shih TIRI.) Në fakt, në një dokument fragmentar babilonas, që i përket viti të 37-të të mbretërimit të Nabukodonosorit (588 p.e.s.), përmendet një fushatë kundër Egjiptit. (Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 308) Por nuk mund të përcaktohet nëse bëhet fjalë për pushtimin e parë apo për ndonjë operacion të mëvonshëm ushtarak.
Projekte ndërtimi. Përveçse korri fitore të shumta ushtarake dhe shtriu kufijtë e Perandorisë Babilonase në përmbushje të profecive (krahaso Jr 47-49), Nabukodonosori ndërmori edhe projekte të shumta ndërtimi. Thuhet se Nabukodonosori ndërtoi Kopshtet e Varura, të vlerësuara si një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë, që mbretëresha e tij mede të çmallej me vendin e saj. Në shumë nga mbishkrimet e mbetura kuneiforme të Nabukodonosorit, flitet për projektet e tij të ndërtimit, ndër të cilat ndërtimi i tempujve, pallateve dhe mureve. Në një nga këto mbishkrime thuhet:
«Unë jam Nabukodrezari, mbret i Babilonisë, restauruesi i Esagilës dhe Ezidës, bir i Nabopolasarit. Për të mbrojtur Esagilën, që asnjë armik i fuqishëm dhe asnjë shkatërrimtar të mos e merrte Babiloninë, që fronti i betejës të mos i afrohej Imgur-Belit, [unë bëra] murin e Babilonisë, diçka që asnjë mbret më parë nuk e kishte bërë; si rrethim për Babiloninë ngrita një mur të fortë rrethues në anën lindore. Gërmova një hendek, arrita te niveli i ujit. Pastaj vërejta se muri i ndërtuar nga im atë ishte tepër i vogël. Ngrita me bitum dhe tulla një mur të fortë që, ashtu si një mal, nuk mund të tundej nga vendi. E lidha me murin e tim eti; themelet ia hodha në gji të tokës; majën e tij e ngrita si maja e një mali. Për ta përforcuar, ndërtova përgjatë tij një mur të tretë dhe poshtë një muri mbrojtës hodha një themel me tulla, e ndërtova në gji të tokës dhe hodha themelet e tij. Përforcova fortifikatat e Esagilës e të Babilonisë dhe e bëra të patundur përgjithmonë emrin e mbretërisë sime.»—Archaeology and the Bible, nga Xh. Bartoni, 1949, f. 478, 479.
Kjo përputhet me mburrjen e Nabukodonosorit pak para se të çmendej: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar si shtëpi mbretërore me forcën e fuqisë sime dhe për lavdinë e madhështisë sime?!» (Dn 4:30) Por kur iu kthye arsyeja, në përmbushje të ëndrrës që mori nga Perëndia për pemën e rrëzuar, Nabukodonosorit iu desh të pranonte se Jehovai është në gjendje t’i poshtërojë ata që ecin me krenari.—Dn 4:37; shih ÇMENDURIA.
Shumë fetar. Të dhënat tregojnë se Nabukodonosori ishte jashtëzakonisht fetar dhe ndërtoi e zbukuroi tempujt e hyjnive të shumta babilonase. Ai ishte i dhënë sidomos pas adhurimit të Mardukut, perëndisë kryesor të Babilonisë. Nabukodonosori ia jepte atij meritën për fitoret ushtarake. Trofetë e luftës, ndër të cilat edhe enët e shenjta të tempullit të Jehovait, me sa duket i çonin në tempullin e Mardukut (Merodakut). (Ezd 1:7; 5:14) Në një mbishkrim të Nabukodonosorit thuhet: «Për lavdinë tënde, o i lartësuar MERODAK, kam bërë një shtëpi. . . . Le të presë ajo brenda haraçin e bollshëm të mbretërve të kombeve dhe të mbarë popujve!»—Records of the Past: Assyrian and Egyptian Monuments, Londër, 1875, vëll. V, f. 135.
Shëmbëlltyra e artë që ngriti Nabukodonosori në rrafshinën e Durës ka të ngjarë t’i kushtohej Mardukut dhe ndoshta u bë me synimin që të nxiste unitetin fetar në perandori. Kur Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja nuk pranuan ta adhuronin atë shëmbëlltyrë, ndonëse iu dha dy herë mundësia, Nabukodonosori i xhindosur urdhëroi t’i hidhnin në një furrë të zjarrtë, të nxehur shtatë herë më shumë se zakonisht. Megjithatë, kur engjëlli i Jehovait i çliroi tre hebrenjtë, Nabukodonosori u detyrua të thoshte: «Nuk ka asnjë perëndi tjetër që të jetë në gjendje të çlirojë si ky!»—Dn 3.
Veç kësaj, Nabukodonosori, me sa duket, mbështetej shumë te falli kur planifikonte lëvizjet e tij ushtarake. Në profecinë e Ezekielit, për shembull, tregohet se mbreti i Babilonisë hodhi fall për të vendosur nëse do të shkonte kundër Rabahut të Amonit apo kundër Jerusalemit.—Ezk 21:18-23.