JEHOJAKINI
[ka të ngjarë: Jehovai ka vendosur patundshmërisht].
Bir i Jehojakimit, mbretit të Judës, dhe i Nehushtës. (2Mb 24:6, 8; 2Kr 36:8) Është quajtur edhe Jekonia (variant i emrit Jehojakin) dhe Koniah (forma e shkurtuar e Jekonisë).—Es 2:6; Jr 28:4; 37:1.
Jehojakini u bë mbret në moshën 18-vjeçare dhe vazhdoi të bënte të keqen si i ati. (2Mb 24:8, 9; 2Kr 36:9, shën., NW) I ati i Jehojakinit, Jehojakimi, kishte qenë vasal i Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, por vitin e 3-të të nënshtrimit (618 p.e.s.) ngriti krye. (2Mb 24:1) Kjo çoi në rrethimin e Jerusalemit. Shprehja «gjatë asaj kohe» (2Mb 24:10) mund të mos i referohet mbretërimit të shkurtër të Jehojakinit, por gjithë periudhës për të cilën bëhet fjalë dhe, nëse është kështu, rrethimi duhet të ketë filluar gjatë mbretërimit të të atit, Jehojakimit, siç duket se kuptohet nga Danieli 1:1, 2. Ka mundësi që Jehojakimi të ketë vdekur gjatë rrethimit dhe në fronin e Judës të ketë hipur Jehojakini. Megjithatë, mbretërimi i tij mori fund vetëm tre muaj e dhjetë ditë më vonë, kur iu dorëzua Nabukodonosorit në vitin 617 p.e.s. (në muajin adar sipas një kronike babilonase). (2Mb 24:11, 12; 2Kr 36:9; Assyrian and Babylonian Chronicles, nga A. Grejsëni, 1975, f. 102) Siç kishte parathënë Jehovai nëpërmjet Jeremisë, atë e morën në mërgim në Babiloni. (Jr 22:24-27; 24:1; 27:19, 20; 29:1, 2) Në mërgim përfunduan edhe pjesëtarë të tjerë të shtëpisë mbretërore, zyrtarë oborri, artizanë e luftëtarë.—2Mb 24:14-16; shih NABUKODONOSORI.
Te 2 Mbretërve 24:12-16 thuhet se Nabukodonosori i mori këta robër në mërgim bashkë me «gjithë thesarin e shtëpisë së Jehovait dhe thesarin e shtëpisë së mbretit». Te Danieli 1:1, 2 thuhet se në Babiloni u mor vetëm ‘një pjesë e pajisjeve’. Shpjegimi mund të jetë që thesaret e përmendura te Libri i Dytë i Mbretërve përfshinin në mënyrë të veçantë pajisjet prej ari, mbi të cilat e vë theksin ai tregim, kurse pajisjet e tjera nuk u lëvizën. Një mundësi tjetër është që «disa prej pajisjeve të shtëpisë së Jehovait» i morën në Babiloni kur Jerusalemi u dorëzua para rrethimit të babilonasve (që erdhi si pasojë e rebelimit të Jehojakimit kundër mbretit të Babilonisë) dhe, pak kohë më pas, kur Jehojakini u shpërngul në Babiloni, u morën edhe të tjera ‘sende të dëshirueshme të shtëpisë së Jehovait’. Këtë na e sugjeron tregimi i 2 Kronikave 36:6-10. Nga ky tregim duket se, pasi shtiu në dorë Jerusalemin, Nabukodonosori iku, por më pas «dërgoi njerëz që e çuan [Jehojakinin] në Babiloni bashkë me sendet e dëshirueshme të shtëpisë së Jehovait». Po ashtu, dhjetë vjet më vonë, gjatë betejës dhe shkatërrimit përfundimtar të Jerusalemit (607 p.e.s.), Nabukodonosori u tërhoq në Riblah «në vendin e Hamathit», duke ia besuar hollësitë e pasluftës kreut të truprojës, Nebuzaradanit.—2Mb 25:8-21.
Në Babiloni Jehojakinit i lindën shtatë djem. (1Kr 3:16-18) Kështu u ruajt dega e pasardhësve mbretërorë që çonte deri te Mesia. (Mt 1:11, 12) Por, siç ishte profetizuar, asnjë nga pasardhësit e Jehojakinit nuk mbretëroi më në Jerusalem. Pra, ishte sikur Jehojakini të mos kishte pasur fëmijë ose pasardhës që të trashëgonin fronin.—Jr 22:28-30.
Vitin e 5-të të mërgimit të Jehojakinit, Ezekieli nisi veprën e tij si profet. (Ezk 1:2) Rreth 32 vjet më vonë, me sa duket në vitin 580 p.e.s., Jehojakinin e liroi nga burgu pasuesi i Nabukodonosorit, Evil-Merodaku (Avil-Marduku), i cili i besoi edhe mbikëqyrjen e të gjithë mbretërve të tjerë robër. Qysh nga ajo kohë, ai hëngri në tryezën e Evil-Merodakut dhe merrte racionin e vet të përditshëm.—2Mb 25:27-30; Jr 52:31-34.
Janë gjetur disa dokumente administrative babilonase që tregojnë racionet që merrte Jehojakini dhe pesë nga bijtë e tij.